Thirrje për një rizgjim kombëtar

“Ariani me këtë libër do që t’i thotë tërë hapësirës shqiptare, ejani të mendojmë seriozisht për lirinë, e lirinë do ta ndërtojmë së bashku, duke njohur të metat dhe meritat tona. Do ta ndërtojmë, jo duke kërkuar administratorin e huaj, por duke i mbjellë vlerat evropiane në shpirtin e njeriut shqiptar”, u shpreh Prof. Dr. Gjergj Sinani

Tuz – “Neoshqiptarizmi” titullohet libri i autorit Arian Galdini, i cili u promovua të shtunën mbrëma, më 29 mars 2025, në sallën e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz.
Një pasqyrim të detajuar mbi atë që shpalos ky libër e dha Anton Lulgjuraj, i cili tha se libri i autorit Galdini është një doktrinë dhe platformë ideologjike që hedh dritë mbi mendjet tona, për të ndërtuar të ardhmen e atdheut.
“Një libër që bën të dëgjosh pasthirrmat e baballarëve tanë që sakrifikuan për shqiptarizmin, por që njëkohësisht i dhanë jetë shqiptarizmit. Ky libër është amanet për secilin nga ne, duke na ngarkuar me përgjegjësi direkte për të ndërtuar të ardhmen”, u shpreh Lulgjuraj.
Ai duke treguar mbi qëllimin dhe porosinë që përçon autori me këtë libër, theksoi se libri bën një thirrje të thellë morale dhe kombëtare për t’u ngritur mbi interesat e ngushta dhe për t’u bashkuar rreth vlerave që na bëjnë shqiptarë.
“Në këtë kohë kthesash dhe sfidash, nevoja për një rizgjim të ndërgjegjes kombëtare është më e madhe se kurrë. Historia na mëson se kur partitë, fraksionet apo interesat personale të politikanëve vendosen mbi të mirën e përbashkët, vetë kombi lëkundet”, tha Lulgjuraj.
Ai shtoi se autori i librit përcakton katër vlera të cilat duhet të na udhëheqin në rrugën tonë e që janë: liria, drejtësia, paqja dhe dashuria për atdheun.
Një vështrim për librin “Neoshqiptarizmi” e paraqiti Prof. Dr. Gjergj Sinani, i cili mes tjerash tha se kjo vepër vjen në kohën e duhur “sepse, askush nga partitë politike shqiptare deri më sot nuk ka përpunuar një program serioz për çështjen shqiptare”.
“Ariani vazhdon në këtë frymë të neoshqiptarizmës, një rrymë që lindi në vitet 1930, që deshi që Shqipërinë ta fuste në rrugën e qytetërimit evropian, por ngjarjet historike ndodhen siç ndodhen dhe kjo lëvizje u ndërpre. Dhe është për t’u përshëndetur Ariani që e ringjall këtë lëvizje dhe koha kërkon një lloj neoshqiptarizmi se si ne ta organizojmë lirinë”, u shpreh Sinani.
Ai tha se libri synon të ndërgjegjësojë lexuesit për sfidat dhe manipulimet me të cilat përballen shqiptarët dhe se është koha që të mendojnë seriozisht se si të shpëtojnë nga zuzarët.
“Ariani me këtë libër do që t’i thotë tërë hapësirës shqiptare, ejani të mendojmë seriozisht për lirinë, e lirinë do ta ndërtojmë së bashku, duke njohur të metat dhe meritat tona. Do ta ndërtojmë, jo duke kërkuar administratorin e huaj, por duke i mbjellë vlerat evropiane në shpirtin e njeriut shqiptar”, u shpreh Prof. Dr. Gjergj Sinani.
Ndërkohë, Vlash Linati nga Kopliku, tha ndër të tjera se vepra e autorit Galdini, me një titull interesant dhe intrigues, jep një dritë por dhe një porosi se “duhet ta ruajmë veten tonë, në mënyrë që kombi shqiptar të rrojë. Të rrojë identiteti dhe vlerat tona”.
Ndërkaq, autori i librit Arian Galdini tha se shkrimi i këtij libri ka ardhur si një thirrje e brendshme, sepse, sipas tij, ka ndryshuar dhe është përmbysur i tërë konstrukti social.
“E unë këtë e vuaj thellë brenda meje, sepse them: po mirë, nëse ky shekull kur vepra e rilindësve tanë u ndërpre nga Lufta e Parë Botërore, nga Lufta e Dytë Botërore, nga pllakosja e komunizmit kudo që jetonim ne shqiptarët, po pasi ra komunizmin, çfarë justifikimi kemi?! Pse duhet të qëndrojmë kaq të mpirë si qytetarë dhe shqiptarë saqë gjithmonë të presim që dikush – qoftë një lider providencial, apo një administrator i huaj – të na japë zgjidhjen magjike?”, u shpreh mes ai.
Në mesin e shumë mangësive dhe brengash që na kanë goditur si komb, Galdini potencoi edhe plagën e emigrimit që sa vjen e rritet çdo vit, në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare.
“Diçka e keqe po na ndodhë. E ne të duhet të presim 600 vjet për një Skënderbe të dytë. Edhe ariu e ka gjumin letargjik gjashtë muaj, por më pas zgjohet. Pse ne duhet të presim gjashtë shekuj, të dashur shqiptarë, që të zgjohemi?! Unë dua që në emër të hartës identitare, në emër të ndjesisë së përbashkët, të zgjohemi për të mbrojtur çdo pikë gjaku që është dhënë, çdo pikë djerse dhe çdo kontribut që është dhënë”, u shpreh autori.
Ai tha se është koha për një rizgjim kombëtar, pasi sipas tij, shqiptarët kanë nevojë për një projekt të përbashkët.
“E kuptoni sa e dhimbshme është që të shohësh në takime ndërkombëtare delegacionin e shqiptarëve të Malit të Zi, delegacionin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, delegacionin e shqiptarëve të Kosovës dhe delegacionin e shqiptarëve të Shqipërisë, veç e veç. Ndërkohë që ne kemi mundësinë dhe këtë nuk na e ndalon asnjë ligj dhe asnjë strukturë ndërkombëtare, që të krijojmë struktura të koordinimit dhe njësimit, të përbashkëta dhe strategjike për ta mbrojtur të sotmen dhe të nesërmen tonë”, u shpreh mes tjerash Galdini.
Autori i librit ishte i hapur edhe për pyetje nga publiku, ndërsa pas promovimit, ku u fol mbi dy orë, ai dhuroi libra falas për të gjithë të pranishmit.
Arian Galdini është një aktivist dhe drejtues politik, veprimtar civil, zë publik dhe intelektual shqiptar. Është angazhuar prej më shumë se tri dekadash në përpjekjet për demokratizimin e vendit, etikën, vlerat nëpërmjet veprimtarive të ndryshme me beteja dhe lëvizje qytetare.
Aktivizimi i tij ka nisur që në moshë të re, duke qenë një nga zërat e hershëm që iu bashkuan lëvizjeve demokratike të rinisë kundër regjimit komunist në vitet ’90 të shekullit të kaluar.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat