
Ulqini përbën një ndër hapësirat multinacionale dhe multikonfesionale më interesante në Mal të Zi. Duke qenë qendra më e rëndësishme e shqiptarëve në Malin e Zi, si në aspektin historik, kulturor, politik dhe socio-ekonomik, arsimimi i shqiptarëve në gjuhën amtare në këtë hapësirë ka qenë një prioritet dhe nevojë e domosdoshme për vazhdimësinë e ekzistencës së trashëgimisë së shqiptarëve si pakicë kombëtare në trojet e veta autoktone në Mal të Zi.
Krahas arsimit fillor, një rëndësi të veçantë për shqiptarët në territorin e Ulqinit ka luajtur edhe arsimimi i mesëm. Fillet e arsimit të mesëm në Ulqin datojnë që nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Kështu në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene u vendos që në vitin 1919 të hapet Gjimnazi i Ulët Shtetëror, i cili filloi punën në vitin 1920. Si i tillë ai punoi deri në vitin shkollor 1931/1932. Mësimi është zhvilluar në gjuhën serbokroate. Gjatë kësaj kohe kishte mungesë të kuadrove në gjuhën shqipe. Lëndët që u zhvilluan në këtë shkollë ishin: gjuhë serbe, matematikë, gjeografi, gjuhë frënge, këndim, punë dore, natyrë, vizatim, besim dhe kaligrafi. Në këtë situatë dhe të ndikuar nga politika e kohës, nxënësit shqiptarë janë detyruar ta zhvillojnë mësimin në gjuhë joamtare. Edhe në Mbretërinë Jugosllave situata vazhdoi të jetë e njëjtë.
Gjatë gjashtë dekadave të zhvillimit, Gjimnazi i Ulqinit, në varësi të situatave politike, ka përjetuar ngritjet dhe uljet e veta. Më rëndësi është të përmendim vitin 1981, ku si rezultat i politikës së asaj kohe të shtetit jugosllav u larguan nga puna një numër i konsiderueshëm i profesorëve të cilët kanë lënë gjurmë në memorien e gjeneratave të kohës
Pas Luftës së Dytë Botërore, pikërisht gjatë viteve të 60-ta, në Ulqin u ndie nevoja për vazhdimin e arsimimit të nxënësve. Gjatë kësaj kohe u hodhën disa propozime për hapjen e shkollës ekonomike ose të turizmit, propozime që nuk u përkrahën nga shumica e prindërve. Me vendimin nr. 18517 të Ministrisë së Industrisë dhe Minierave, Kuvendi Popullor i Malit të Zi më 31 janar 1946 urdhëroi që në Ulqin të hapet Shkolla për nxënës në industri dhe mjeshtëri. Më vonë kjo shkollë njihej si Shkolla e nxënësve në ekonomi. Si rezultat i kushteve të vështira (situatës së vështirë ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore), nxënësit vazhdimisht u përballën me vështirësi, sidomos nxënësit shqiptarë të cilët mësimet i ndiqnin në gjuhën serbokroate. Në këtë shkollë nxënësit përgatiteshin për gjellëbërës, kamerier, tregtar, hoteleri, përpunimin e metalit etj.. Siç vërehet, duke qenë se Ulqini është vend turistik pa dyshim se përgatitja dhe nxjerrja e kuadrove në sektorin e turizmit ishte prioritet i kësaj shkolle.
Në vitin 1963 Kuvendi i Komunës së Ulqinit nxori Vendimin për hapjen e gjimnazit. Duke qenë se mësimi u zhvillua në ambiente jo të përshtatshme, sepse në atë kohë gjimnazi nuk kishte një ndërtesë të veten, Komiteti Ekzekutiv i Malit të Zi e anuloi vendimin e Komunës së Ulqinit dhe gjimnazi i parë u mbyll e nxënësit u detyruan që nga Ulqini ta ndjekin mësimin në Tivar në gjuhën serbokroate. Edhe pse komuna ka bërë të mundur organizimin e udhëtimit të nxënësve dhe Komiteti Qendror i Malit të Zi ka bërë financimin, si rezultat i vonesave dhe problemeve të transportit një numër i konsiderueshëm i nxënësve humbën edhe vitin shkollor.
Ndërkohë banorët vazhdimisht janë interesuar që të hapet gjimnazi për edukimin e nxënësve në qytetin e tyre dhe jo që nxënësit nga Ulqini të udhëtojnë në qytetin e Tivarit. Më 20 korrik 1965 Kuvendi Komunal i Ulqinit mori miratimin nga Komiteti Ekzekutiv i Malit të Zi që për të dytën herë të nxjerrë Vendimin për hapjen e gjimnazit në Ulqin. Kjo ishte një ngjarje me rëndësi të madhe për banorët e Ulqinit me rrethinë, që tashmë nxënësve u jepej mundësia që arsimin e mesëm ta ndjekin në qytetin e tyre.
Gjimnazi filloi punë më 1 shtator 1965, ku mësimi zhvillohej në dy gjuhë – serbokroate dhe shqipe. Në këtë vit, sipas të dhënave, u regjistruan 246 nxënës, të shpërndarë në shtatë paralele, ku mësimi në gjuhën shqipe u zhvillua në dy paralele me nga 20 nxënës.
Si rezultat i tërmetit të vitit 1968 dhe i prishjes së godinës, tashmë nxënësit e gjimnazit mësimet i ndiqnin në hapësirat e shkollës fillore “Boshko Strugar”. Falë solidaritetit të popullit të Bosnjë dhe Hercegovinës u bë i mundur ndërtimi i godinës së Gjimnazit të Ulqinit, i cili mori emrin “Vëllazërim-Bashkim”, hapja e të cilit u bë më 16 nëntor 1969.
Meqenëse në Ulqin vazhdonte punën Shkolla e nxënësve në ekonomi, Kuvendi Komunal i Ulqinit dhe përfaqësuesit e organizatave politiko-shoqërore më 30 maj 1974 miratuan vendimin që të formohet Qendra Shkollore, e cila filloi punën në vitin shkollor 1974/1975. Për këtë u formua një komision, në përbërjen e të cilit ishin përfaqësues nga Kuvendi Komunal i Ulqinit, bashkësitë arsimore, Gjimnazi “Vëllazërim-Bashkim”, Shkolla e nxënësve në ekonomi dhe Enti Republikan për Zhvillimin e Shkollave nga Titogradi.
Formimi i Qendrës Shkollore, pra integrimi i Gjimnazit dhe i Shkollës së nxënësve në ekonomi u realizua në dy faza. Qëllimi i integrimit në Qendrën Shkollore kishte të bënte me përgatitjen e nxënësve të të gjitha shtresave shoqërore, të drejtën e shkollimit për të gjithë.
Gjatë këtij viti, në gjimnaz mësimi zhvillohej në dy gjuhë – serbokroatisht dhe shqip, ndërsa në Shkollën e nxënësve në ekonomi mësimi zhvillohej në gjuhën serbokroate dhe kjo shkollë ishte e tipit të përzier.
Në mbledhjen e grupit të punës, mbajtur më 27.12.1974, u vendos bashkimi i të dyja shkollave në një të vetme – në Qendrën Shkollore.
Qendra Shkollore vazhdoi punën me këtë emërtim deri më 12 korrik 1991, kur e ndryshoi emërtimin në Institucioni Publik Shkolla e Mesme “Vëllazërim-Bashkim”. Me këtë emërtim kjo shkollë vazhdoi të punojë deri në vitin 2004, ku përsëri e ndryshoi emrin në Institucioni Publik Shkolla e Mesme e Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim”, emër të cilin vazhdon ta mbajë edhe sot në gjashtëdhjetëvjetorin e saj.
Me hapjen e gjimnazit në Ulqin në vitin 1965 të drejtimit shoqëroro-gjuhësor, ku mësimi u zhvillua në dy gjuhë – gjuhën serbokroate dhe gjuhën shqipe, për nxënësit shqiptarë u hap një dritare e re në fushën e arsimimit të tyre. Objekti i parë i gjimnazit ndodhej poshtë Qytetit të Vjetër (Kalasë), në afërsi të Shkollës së nxënësve në ekonomi, ndërsa nga viti 1969 ndërtesa kaloi aty ku është edhe sot.
Gjatë gjashtë dekadave të zhvillimit, Gjimnazi i Ulqinit, në varësi të situatave politike, ka përjetuar ngritjet dhe uljet e veta. Më rëndësi është të përmendim vitin 1981, ku si rezultat i politikës së asaj kohe të shtetit jugosllav u larguan nga puna një numër i konsiderueshëm i profesorëve të cilët kanë lënë gjurmë në memorien e gjeneratave të kohës.
Si një institucion i rëndësishëm arsimor, i cili luan rol në përgatitjen dhe nxjerrjen e kuadrove të ardhshme, pa dyshim që krahas stafit pedagogjik, barra ma e madhe bie mbi drejtuesit (drejtorët), të cilët me përkushtimin e tyre e kanë drejtuar këtë institucion ndër vite, që nga drejtori i parë Fadil Taipi, Vuko Gjapiqi, Ramo Dukaj, Bahri Milla, Rashko Zhivanoviq, Radovan Gjurishiq, Hysen – Ceno Katana e deri te drejtoresha aktuale Ardita Kovaçi.
Nën drejtimin e tyre shkolla ka arritur dhe vazhdon të arrijë rezultate të shkëlqyera.
Si rezultat i punës së palodhshme të drejtoreshës Ardita Kovaçi, shkolla sot në kremtimin e ditëlindjes së gjashtëdhjetë ka një pamje tjetër, si në infrastrukturë, logjistikë shkollore dhe në rifreskimin e stafit me kuadro të reja me vizion dhe energji të palodhur. Në punën e palodhshme të saj, pa dyshim që bie në sy vizioni dhe dëshira e madhe për të hapur degë të reja siç është drejtimi Teknik i Mjekësisë. Bashkëpunimi me pushtetin lokal, diasporën e deri në nivel qeveritar pa dyshim që kanë sjellë frytet e veta, që vërehen në investimet që ka përjetuar shkolla në këto 3-4 vitet e fundit.
Si në çdo shkollë të Malit të Zi, edhe në Gjimnazin e Ulqinit vërehet rënie e numrit të nxënësve si rezultat i emigrimit të banorëve për në SHBA etj.. Në vitin shkollor 2024/2025 mësimin në këtë gjimnaz e ndjekin 814 nxënës, të shpërndarë në 48 paralele, nga të cilat 32 ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, ndërsa 16 në gjuhën malazeze. Përveç gjimnazit të përgjithshëm, nxënësit kanë mundësi ta ndjekin shkollimin edhe në drejtimet profesionale, si: Ekonomi, Teknik Hoteliero-Turistik, Teknik i Mjekësisë, Kuzhinier, Parukier, Shitës, Automekanik, Instalues i Pajisjeve Ngrohëse dhe Ftohëse apo Autoelektrik etj.. Mësimi në këtë institucion realizohet në dy turne.
Duke qenë se Ulqini është një qytet multinacional, harmonia ndërnacionale dhe ndërfetare është ajo se çka e karakterizon Ulqinin si një qytet me traditë të gjatë shekullore. Kjo traditë e bukur pa dyshim që duhet të përcillet te brezat e rinj që ta kultivojnë atë. E ku më bukur e më mirë mund të përcillet kjo traditë se sa te të rinjtë e Gjimnazit të Ulqinit, tek e ardhmja e qytetit tonë.
Me mesazhin që mësimdhënia është forma më e lartë e të kuptuarit, si pjesë e stafit arsimor të kësaj shkolle ju uroj 21 Marsin – Ditën e Shkollës dhe Ditën e Pranverës.