
(vijon nga numri i kaluar)
Më 17 janar 1999 flet në mënyrë të detajuar për masakrën e Reçakut: “Sot mësova shumë fakte të tjera për krimin e madh të kryer nga policia serbe kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, në fshatin Reçak, afër Shtimjes. U gjetën 45 civilë të vrarë – fëmijë, gra dhe të moshuar. Të gjitha viktimat u vranë nga afër, kurse fëmijëve iu prenë kokat! Televizioni kroat shfaqi vetëm pamjet e civilëve të vrarë në programin e tij të mbrëmjes ‘Motrishta’ (Pikëpamje), ndërsa CNN dhe SKY NEWS shfaqin skena të civilëve shqiptarë të vrarë orë pas ore. Tmerri i këtij krimi të llahtarshëm nga policia serbe është i qartë: kufoma të grupuara së bashku, të rreshtuara pranë njëra-tjetrës, fëmijë pa koka pranë nënave të tyre, pleq dhe gra me koka të copëtuara. Shumica u vranë nga të shtënat në pjesën e pasme të kokës. Është një mrekulli e vërtetë që vëzhguesit e OSBE-së përfundimisht zbuluan këtë masakër, dolën në vendngjarje, sollën kameramanë dhe informuan botën për gjithçka”.
Më 13 shkurt 1999 flet për delegacionet për bisedime në Rambuje me emër e mbiemër nga të dyja palët, duke pohuar se shumicën e anëtarëve të delegacionit kosovar i njeh personalisht, dhe se me disa prej tyre është mik i vjetër si: me akademikun Rexhep Qosja, Veton Surroin, Idriz Ajetin, Bajram Kosumin, Bujar Bukoshin. Për delegacionin serb shprehet se kanë grumbulluar të gjithë llumin e Beogradit, duke konstatuar se Kosova pas Rambujesë do të mbetet e NATO-s dhe më pas shteti i dytë shqiptar.
Më 20 shkurt 1999 Brkoviqi me ironi shkruan: “Shkrimtari austriak Peter Handke, i cili është mirëpritur gjithmonë nga Beogradi, u vu sërish në krah të Serbisë dhe Millosheviqit. Ja pra, edhe në rastin e dramës kosovare, Handke u bë një hero serb i Kosovës. Me siguri do të hyjë në mitin e ri të Kosovës, do të këndohet: Erdhi Handke, opingat i mbathi, / Dhe “shajkaçën” kostumin shtrëngoi – /Handke n’betejë në Kosovë shkoi!
As shkrimtarët nga Kosova nuk i mbetën borxh mikut të tyre, mikut të Kosovës, bardit të letërsisë malazeze Jevrem Brkoviqit. Në vitin 2005 atij i ndahet çmimi “Kepi i Shpresës së Mirë – Fahredin Gunga”, që vetëm Kadare e kishte marrë para tij. Pastaj Çmimi “Teuta” nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” dhe më në fund çmimi “Ali Podrimja” nga Universiteti AAB. Është mallëngjyese përkulja e tij e trefishtë para portretit të Podrimjes me rastin e marrjes së këtij çmimi
Ky shkrimtar austriak është gjithmonë aty për të ndihmuar Serbinë, sigurisht për honorare të mëdha, për të justifikuar të gjitha krimet e bëra në Kroaci, Bosnje dhe tani në Kosovë. Peter Handke tha dje: ‘Nëse kriminelët e NATO-s vendosin të bombardojnë Serbinë, do të doja që atëherë të isha në Serbi, të jem në vend të ngjarjes, jo për të ndier bombardimin, por të jem në Serbi kur ato bomba të bien mbi Serbinë. Unë edhe jua premtoj këtë!’ Ky Handke edhe në tetorin e vitit të kaluar ishte në Serbi kur pritej bombardimi. Ky shkrimtar austriak është edhe një dëshmi më shumë se një shkrimtar dhe vepra e tij letrare nuk duhet të dakordohen për gjithçka”.
Përfundimisht, më 2 mars të vitit 1999 Brkoviqi kthehet në atdhe. Takimi i tij me nipin Brajan, i ngjan një melodrame me një intonacion të patetikës malazeze, andaj dhe nuk është për “Ditar” – shprehet ai. Dhe këtu përfundon Ditari i tij.
Mendoj se do të ishte me shumë interes të shkoqiten të gjitha ato pjesë ku Brkoviqi shkruan për Kosovën dhe të bëhet një botim i veçantë, një lapidar unik për epopenë kosovare të shekullit XX nga një shkrimtar malazez.
Miqësia e Brkoviqit me shkrimtarët e Kosovës vazhdon edhe në lëmin e bashkëpunimit letrar e kulturor. Me Jevremin kryetar, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Duklës (Dioklesë), në vitin 2009 botoi Antologjinë e poezisë bashkëkohore shqipe. Në parathënien e tij me titull FLAKA E AMSHUAR shkruan:
“Ja, erdhi dita që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Duklës të botojë Antologjinë e parë të Poezisë bashkëkohore shqipe në gjuhën malazeze – në Malin e Zi sovran dhe të pavarur. Edhe në situatat më të vështira, më dramatike dhe më të rëndësishme historikisht, besoja se do të vinte kjo ditë, se do të kontribuoja për ardhjen e kësaj dite, se miqtë e mi, poetë shqiptarë, do të ishin të pranishëm në Malin e Zi, në Dioklenë e vjetër, se poezia e tyre, më efektive se çdo politikë, tregon një të vërtetë të madhe për atë vend dhe popullin e tij. Poezia është dëshmi e madhe në kohë dhe hapësirë se ekziston një popull, një vend, një gjeografi, një etni, dhe se është kaq vitale, jetëdhënëse dhe unike! Poezia shqipe ekziston prej kur ekziston populli shqiptar, e po ashtu mund të thuhet se populli shqiptar ekziston që kur ka ekzistuar poezia e tij!
Janë miqtë e mi poetë shqiptarë, si mes të vdekurve, ashtu edhe mes të gjallëve, të gjithë bashkë në plejadën e përjetshme të flakës së pathyeshme të poezisë. Nuk është e vështirë të vërtetosh dhe të nënshkruash se poezia bashkëkohore shqipe është sot një nga poezitë më të freskëta evropiane, se është poezi që njihet për nga freskia e metaforës, e mendimit, e imazhit, e poetikës, për diçka aq të veçantë sa nuk është e vështirë të konstatohet se kombet shumë më të mëdha do të ishin të lumtura të kishin poezi siç është poezia bashkëkohore shqipe, të kishin poetë si Zef Zorba, Enver Gjerqeku, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Eqrem Basha, Sabri Hamiti, Visar Zhiti, Basri Çapriqi, Mimoza Ahmeti, Arjan Leka, Salajdin Salihu e shumë poetë të tjerë, në këtë libër të artë të poezisë bashkëkohore shqipe në gjuhën malazeze. Është e imja t’i përshëndes si një dokleat dhe poet i Dioklesë, t’ua hap zemrën ashtu siç kam bërë në momentet më të vështira, si të miat ashtu edhe të tyret, si dokleate ashtu edhe shqiptare!”
Mendoj se as shkrimtarët nga Kosova nuk i mbetën borxh mikut të tyre, mikut të Kosovës, bardit të letërsisë malazeze Jevrem Brkoviqit. Në vitin 2005 atij i ndahet çmimi “Kepi i Shpresës së Mirë – Fahredin Gunga”, që vetëm Kadare e kishte marrë para tij. Pastaj Çmimi “Teuta” nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” dhe më në fund çmimi “Ali Podrimja” nga Universiteti AAB. Është mallëngjyese përkulja e tij e trefishtë para portretit të Podrimjes me rastin e marrjes së këtij çmimi.
Ndërsa ditë më parë PEN Qendra e Kosovës botoi vëllimin poetik “Baladat Komite” të Jevrem Brkoviqit. Jam i bindur se, për shkak të politikës aktuale, këtij botimi do t’i gëzohej më shumë se asnjëherë tjetër.
Dua ta mbyll me fjalët e tij që do mbeten prore të gjalla:
“Duke u kthyer nga Prekazi, kur pashë gjithçka, atë tragjedi të madhe që po shndërrohej në një vend të shenjtë, atëherë u thashë miqve të mi: – Tani jam më i bindur se kurrë se sa të drejtë kam pasur kur kam qenë në anën e popullit shqiptar”. (Fund)
(Kumtesa është lexuar në tryezën letrare me temë “Shkrimtarët për Kosovën”, e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë, më 12 shkurt 2025, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)