Guci – Në organizim të Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi, të enjten më 20 shkurt 2025, në sallën e vogël të Qendrës së Kulturës në Guci, në praninë e një numri të konsiderueshëm adhuruesish të rrjedhave kulturore kombëtare nga Gucia me rrethinë dhe më gjerë, u bë promovimi i librit “Xhubleta – pasaportë e identitetit kulturor kombëtar”, i përgatitur për botim nga Rita Shkurtaj.
Libri është përmbledhje e kumtesave dhe e materialeve studimore nga simpoziumi shkencor i organizuar nga Shoqata Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, më 10 nëntor 2021.
Pas hapjes simbolike të promovimit nga udhëheqësja e programit, vasha simpatike Enola Balidemaj, drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi, Gzim Hajdinaga, në emër të organizatorit i ka përshëndetur dhe u ka uruar mirëseardhje kryetares së Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, Rita Shkurtaj, dhe profesoreshave të Departamentit të Historisë së USH “Luigj Gurakuqi”.
Serioziteti i promovimit u reflektua në programin e ngjeshur, sa shkencor aq edhe artistik, i përgatitur me një kujdes të veçantë nga autorja e librit Rita Shkurtaj, në bashkëpunim me profesoreshat Prof. Dr. Nertila Ljarja, Dr. Bendis Kraja dhe Dr. Sereta Koperaj, të cilat ishin paneliste në promovimin e librit.
Në vazhdim, për të pranishmit u shfaq dokumentari me të njëjtin titull “Xhubleta – pasaportë e identitetit kulturor kombëtar”, i cili përcolli mesazhe mjaft domethënëse dhe shumë konkrete, si një përgjigje e saktë për të gjitha pyetjet pse xhubleta duhet të vlerësohet si pasaportë identiteti kulturor kombëtar. Siç u pasqyrua edhe nga dokumentari, xhubleta në vetvete është identitet për ata që e bartin. Është vlerë për gjithë ata që e kanë. Është kulturë dhe obligim që secili ta vlerësojë. Është dinjiteti i të parëve tanë ta nderojmë dhe ta mbrojmë pasi ajo është një detyrë që na përket të gjithëve.
Në kumtesat e veta, panelistet ndër të tjera theksuan se evokimi mbi xhubletën ishte jo vetëm vlerësim fiziko-kulturor i saj, por edhe nxitja për një bashkëpunim të ndërsjellë në ruajtjen dhe kultivimin e kësaj veshjeje te brezat e reja, si dhe ndërgjegjësimi institucional si një thirrje emergjente për të ringjallur teknikën e të punuarit të kësaj veshjeje, krijimin e grupeve folklorike, si dhe ndërmarrjen e një sërë aktivitetesh artistike me fokus xhubletën, si e vetmja mënyrë për ta mbrojtur këtë veshje nga asimilimi i pamëshirshëm kulturor, nga ku do të krijohen edhe ura rezistente për nxitjen e turizmit kulturor.
Në kumtesat e tyre ato konfirmuan se ne sot jemi të vetëdijshëm që disponojmë pasuri shpirtërore që bota na e ka zili: si gjuha, flamuri, historia, kultura, ku secila prej tyre është e skalitur mbi xhubletë, ndaj le t’i tregojmë edhe botës çfarë përfaqëson kjo veshje për ne.
Çdo kumtesë e shkruar me mendje dhe e peshuar me zemrat e pjesëmarrësve, të paraqitura në këtë promovim, një pjesë e të cilave u prezantuan, janë pa dyshim një shërbim ndaj etnokulturës shqiptare ku do të përmblidhen në një libër të shkruar, i cili do të vijë në dorë të lexuesit, si një manual vlerash për xhubletën dhe dukuritë fiziko-shpirtërore të saj.
Vlera e jashtëzakonshme e kësaj pasurie peshon më shumë se fjalët, ndaj është përgjegjësi e madhe të flasësh për të, pasi gati-gati xhubleta është si një kult, si diçka e shenjtë. Vlen më shumë se koha që e ka bartur ndër shekuj, e ka sjellë bukur deri te ne, u shprehën panelistet duke shtuar se xhubleta është pasuri e pashoqe, e patjetërsuar dhe shumëdimensionale, mbetet ende e pastër dhe e pacenuar nga asnjë devijim, ku askush s’mundi t’i ndryshojë vlerat e saj, megjithëse shumë herë janë përpjekur.
Në sallën ku u bë promovimi i librit, u bë edhe demonstrimi dhe prezantimi konkret i llojeve të xhubletës në trupin e tri vashëzave dhe një gruaje që i bartin në vete.
Autorja e librit të promovuar, Rita Kalaj – Shkurtaj, për Bibliotekën e Qendrës së Kulturës në Guci dhuroi tri kopje të librit, të cilat ia dorëzoi drejtorit të posaemëruar të këtij institucioni, Rusmin Llalliçiq.
Në fund, mysafirët pjesëmarrës të promovimit i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhje në Guci, nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, prof. Fadil Ulaj, i cili tha se është nip i rajonit të Shkodrës dhe se nëna e tij, tani e ndjerë, rregullisht është marrë me punimin e spikut si pjesë kryesore përbërëse e xhubletës.
Sh. Hasangjekaj