Shkodër – “Klithma në heshtje” titullohet ekspozita e përbashkët e piktores nga Hoti i Plavës, Kaltrina Hoti, dhe e skulptorit nga Tetova e Maqedonisë së Veriut, Fatlon Ibishi, e cila është hapur të shtunën mbrëma (22 shkurt 2025) në Galerinë “Oda” të qytetit të Shkodrës.
Në një ambient të këndshëm artistik, mes shumë miqsh të autorëve të ardhur nga Plavë- Gucia, Ulqini, Tuzi dhe të artdashësve të qytetit të Shkodrës, u shpalos një krijimtari e pasur, një bashkim i dy formave artistike për të përcjellë thellësitë e emocioneve njerëzore.
Mikpritësja e Galerisë “Oda”, Rozafa Shpuza, duke përshëndetur përzemërsisht të pranishmit në këtë aktivitet kulturor, tha se kemi të bëjmë me dy artistë të cilët, secili ka të veçantën e vet që të bën të mbushesh shpirtërisht nga ajo çfarë ata krijojnë.
“Unë jam shumë e lumtur që ‘Oda’ kaq e vogël arrin të sjellë emocione kaq të bukura dhe të buzëqeshim kur të dalim nga këtu”, u shpreh Shpuza.
Ndërkohë, Kaltrina Hoti, e cila këtë radhë paraqitet në këtë qytet në cilësinë e piktores, pasi më herët ishe e pranishme si poete, falënderoi të gjithë ata që kanë ardhur në këtë sofër artistike, siç ajo e quajti, duke thënë se me skulptorin Fatlon Ibishi janë dy botë të ndryshme të shprehjes artistike, por me një temë të përbashkët.
“Nuk them se ne jemi të vetmit në botë që kemi probleme dhe pengesa të llojeve të ndryshme, por prapë do ta citoj një shprehje që them unë ‘Arti e ruan të vërtetën e njerëzimit’. Dhe unë sonte nëpërmjet pëlhurës po e lëshoj një zë të heshtur që duhet të dëgjohet”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, skulptori Fatlon Ibishi tha se nëpërmjet punës së tij skulpturore po lëshon një klithmë të heshtur e cila tregon një emocion shumë të madh.
“Një dhimbje shpirtërore, një qasje ndryshe ndaj artit, duke e shfaqur dhe potencuar pak a shumë gjendjen emocionale, problemet mendore etj.”, theksoi ai.
Autorët e kësaj ekspozite, në prononcimin për gazetën “Koha javore” treguan se nëpërmjet artit të tyre, ata përpiqen të ftojnë audiencën që të reflektojë, të lidhet dhe të gjejnë kuptimin në përvojën e përbashkët e të qenit njerëzor.
Piktorja Kaltrina Hoti tha se që prej kur është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vendlindje (Hot), ku ka hapur galerinë e saj, asaj i kanë dhënë shumë inspirim njerëzit e vendlindjes (Hotit të Kujit në komunën e Plavës), ku ajo ka gjetur në përditshmërinë e njerëzve vuajtjet, brengat, etj. dhe ajo, nëpërmjet mënyrës së saj abstrakte i shpreh ato në pëlhurë.
“Arti është ai që e ruan të vërtetën e njerëzimit. Është një ndjenjë, një kureshtje dhe kjo paraqitje këtu në Shkodër është dëshira ime që ato ndjenja t’i përcjelli dhe që të dëgjohet ai zëri i heshtur. Jo të shpreh atë sikur po vuaj dhe po ankohem, por të bëhet e ditur e vërteta”, theksoi piktorja.
Ajo u shpreh më tutje se këtë ndërthurje të pikturës me skulpturën e ka bërë me qëllim, pasi bëhet fjalë për autorë të dy vendeve, të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, dhe ky fakt për piktoren Hoti ka një porosi indirekte.
“Unë jam pakicë në Mal të Zi, por kjo nuk do të thotë që problemi im nuk ekziston edhe te të tjerët. Kjo është një tematikë që mund të përfshijë edhe shumë të tjerë”, u shpreh Hoti.
Ndërsa skulptori nga Tetova e Maqedonisë së Veriut për lexuesit e gazetës sonë shprehet se në këtë ekspozitë ai solli një cikël të veprave që përfshijnë figura gjysmë reale, ekspresive, të realizuara me poli mermer.
“Ky cikël kryesisht përmban problemet mendore, gjendjen fizike e mendore, lidhjen e fizikes me metafiziken, ku çdo njeri i ka hasur gjithmonë, si: depresion, urrejtje, vështirësi, gëzim, hidhërim, etj. Pra, jam përpjekur që në njëfarë forme të sjell pjesën emocionale te skulpturat e mia”, u shpreh skulptori Fatlon Ibishi.
I pyetur se sa vlerësohet sot kjo gjini artistike nga publiku, Ibishi tha se fatmirësisht kohëve të fundit në vendet tona ka filluar të ketë pak më shumë interesim për skulpturën.
“Ne jemi një rreth që përpiqemi si artistë të punojmë fort, mirëpo në fund nuk vlerësohemi sa duhet. Megjithatë ne nuk do të ndalemi, pavarësisht vështirësive që hasim”, thotë Ibishi.
Ai përcjell mesazhin që njeriu, pavarësisht vështirësive që mund të ketë, si sëmundje, hidhërim apo çfarëdo që të ketë, të mos ndalojë por t’i kapërcejë të gjitha dhe të ecë përpara.
“Klithma në heshtje” është një eksplorim i të pathënës, një dialog vizual mbi shqetësimet emocionale ndërkombëtare. Nëpërmjet skulpturave dhe pikturave, kjo ekspozitë kërkon të kapë emocionet e papërpunuara, shpesh të fshehura që i kapërcejnë kufijtë – pikëllimin, ankthin, qëndrueshmërinë dhe vuajtjen e heshtur. E prezantuar në Shkodër, kjo përpjekje bashkëpunuese bashkon dy forma artistike për të përcjellë thellësitë e emocioneve njerëzore. Skulpturat mishërojnë shprehje fizike të trazirave, ndërsa pikturat u japin ngjyrë dhe strukturë betejave të brendshme.
Çdo pjesë e kësaj ekspozite është një pasqyrim i thirrjeve të heshtura që ekzistojnë brenda të gjithë nesh. Kjo ekspozitë nuk ka të bëjë vetëm me dhimbjen, por ka të bëjë me forcën që gjendet në dobësi, në bukurinë brenda ankthit dhe me fuqinë e artit për t’i dhënë zë të pazërit.
Në Galerinë “Oda” të qytetit të Shkodrës organizohen ekspozita të ndryshme, promovime librash, tubime muzikore, punëtori dhe aktivitete të tjera të cilat lidhen me artin dhe kulturën.
Toni Ujkaj