
Jaan Puhvel është gjuhëtar dhe studiues i mitologjisë krahasuese, një nga indoevropianistët më të rëndësishëm të kohës sonë. Ai lindi në vitin 1932 në Estoni, doktoroi në Harvard dhe ishte profesor në Universitetin e Kalifornisë (UCLA). Është autor, ndër të tjera, i fjalorit kapital etimologjik të gjuhës hetite (“Hittite Etymological Dictionary”) dhe autor i punimeve të rëndësishme nga lëmi i mitologjisë dhe institucioneve të lashta shoqërore dhe juridike indoeuropiane.
Kur bëhet fjalë për relacionin midis gjuhës shqipe dhe asaj ilire, e cila nuk dëshmohet nga asnjë mbishkrim origjinal, të njëjtin problem përveç Puhvelit e vërejnë edhe David Anthony (The Horse, the Wheel, and Language, 2007) dhe Harald Haarmann (Das Raetsel der Donauzivilisation, 2017)
“Comparative mythology”, vepër nga fusha e mitologjisë dhe e gjuhësisë krahasuese, u botua në vitin 1987 nga Universiteti John Hopkins, Baltimore/Londër.
Duke u mbështetur në Teorinë Kurgan (The Kurgan Theory) të Maria Gimbutasit, arkeologe lituaneze-amerikane, Puhvel merr si pikë fillestare të formimit të gjuhëve indoevropiane Ukrainën dhe Rusinë jugore. Nga kjo trevë, rreth vitit 3000 p.e.r., popullatat e këtyre stepave fillojnë të migrojnë në dy drejtime: drejt Evropës dhe, përtej rrafshnaltës iraniane, drejt Azisë, për të cilat “vëzhguesit dhe kronistët e tmerruar” nuk lanë të dhëna me shkrim. Autori beson se “duke i trajtuar me kujdes të dhënat arkeologjike dhe gjuhësore” mund të gjejmë disa përgjigje. Kultura specifike e stepës euro-aziatike u karakterizua me varrime nën tumula (kurgane), me kultivimin e gjedheve dhe kuajve, si dhe me përdorimin e karrocave me katër rrota. Kjo ishte një kulturë në lëvizje. Autori bën rindërtimin e përhapjes së “habitshme të saj në zonat e Evropës, Kaukazit dhe Anadollit”, gjatë mijëvjeçarit të tretë p.e.r. Leksiku i rikonstruktuar i gjuhës proto-indoevropiane përmban prolekset “kalë”, “ka” dhe “rrotë”, ndërsa, për shembull, siç e cek autori, sumerët e asaj kohe nuk kishin një fjalë origjinale për kalin, por, në vend të kësaj përdornin termin përshkrues “gomari i malit”.
Autori e cek se terminologjia shoqërore, fetare dhe zakonore (juridike) e indoevropianëve është e përbashkët për degët më perëndimore (Roma e lashtë) dhe ato më lindore (India e gjuhës sanskrite), dy pikat më të largëta të shoqërive indoevropiane, të cilave ua shton të tretën, gjermanikët, veçanërisht Skandinavinë (Islandën), ku tradita më e vjetër në letërsi, eposi “Eda”, është ruajtur edhe sot e kësaj dite.
Autori vë në dukje aspektin vendimtar të një qytetërimi – dallimin midis nocionit “zgjerim territorial” dhe nocionit “mbijetesë”. Si shembull, ai cek Greqinë e lashtë, e cila “në shumë mënyra themeloi kulturën perëndimore, ndërsa sot, ajo do të kishte vetëm një pjesë modeste dhe margjinale në të.” Në mënyrë të ngjashme, në rastin e indo-arianëve modernë (Irani dhe India), ai bën një dallim lidhur me mbijetesën e qytetërimit të Indisë së lashtë, kultura e së cilës është në ekspansion edhe sot, dhe, nga ana tjetër, Iranit të lashtë me kulturë fascinante, ndikimi i të cilit sot reduktohet në Republikën e Iranit. Në një kontekst të ngjashëm, ai përmend shembullin e “rënies graduale, por të vazhdueshme të keltëve”, të cilët, para romakëve, zotëruan pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore. Shembull i kundërt, popujt gjermanikë “u shfaqën relativisht vonë, por luajtën një rol kyç në historinë e re evropiane dhe botërore.”
Autori vë në dukje aspektin vendimtar të një qytetërimi – dallimin midis nocionit “zgjerim territorial” dhe nocionit “mbijetesë”. Si shembull, ai cek Greqinë e lashtë, e cila “në shumë mënyra themeloi kulturën perëndimore, ndërsa sot, ajo do të kishte vetëm një pjesë modeste dhe margjinale në të”
Autori cek edhe një aspekt të rëndësishëm, e kjo është nevoja e vetëdijes për rrjedhën kronologjike (lineare) të ngjarjeve. Si ilustrim të kundërt, ai përmend Indinë e lashtë dhe botëkuptimin mbi rrjedhën ciklike të epokave, që është arsyeja kryesore pse tradita e stërlashtë e Vedave është “zhdukur në mjegullën e historisë, pa një kronologji të fortë, e që është ruajtur vetëm nëpërmjet memorizimit gojor, brez pas brezi.” Vetëm rreth vitit 300 p.e.r., nën ndikimin e helenizmit, filloi sinkronizimi kronologjik me ngjarjet në Perëndim.
“Mitologjia krahasuese” është vepër kapitale për studimin e origjinës së institucioneve shoqërore dhe fetare indoevropiane. Për folësit e gjuhës shqipe, një “gjuhë e mbijetuar relikte indoevropiane”, siç e cilëson Puhveli, vepra është e rëndësishme edhe nga mundësia që të vendoset një paralele e disa zakoneve të lashta të shqiptarëve brenda familjes së popujve indoevropianë.
Kur bëhet fjalë për relacionin midis gjuhës shqipe dhe asaj ilire, e cila nuk dëshmohet nga asnjë mbishkrim origjinal, të njëjtin problem përveç Puhvelit e vërejnë edhe David Anthony (The Horse, the Wheel, and Language, 2007) dhe Harald Haarmann (Das Raetsel der Donauzivilisation, 2017).
Libri është përkthyer në serbisht: Jan PUHVEL: Uporedna mitologija, Sremski Karlovci/Novi Sad, 2010 (Përkthimi nga anglishtja: Jaan Puhvel, Comparative Mythology, The John Hopkins University Press, Baltimore and London, 1987)