Pesha e (pa)durueshme e Livias

Kjo vepër është një homazh, për gruan si shtyllën e familjes dhe shoqërisë, një himn për miqësinë e sinqertë dhe ndershmërinë – vlera që po veniten nën trysninë e kohëve moderne. “Livia” është një roman për dhe mbi familjen dhe dashurinë si summum bonum, vlerën dhe qëllimin më të lartë në jetë. Si e tillë kjo vepër pritet të mbetet një pikë referimi në letërsinë shqipe të Malit të Zi. “Bota ka nevojë për njerëz të sinqertë” (f. 132), thotë një nga personazhet e librit. Po, bota jonë e vogël ka nevojë për vepra të shkruara me ndjeshmëri të sinqertë si “Livia”

Dr. Sabina Osmanovic

“Mes realitetit dhe ëndërrimit, mes gjumit dhe zgjimit, mes kodrave dhe luginave, mes jetës dhe vdekjes, mes teje si lexues dhe meje që po shkruaj, mes sa e sa meseve të tjera deri në pafundësi, gjendet një mister i madh”. (f. 5)
Me këtë fjali fillon prologu i romanit “Livia” i Mark Pashkut, i cili vjen si një kronikë e fuqishme që trajton dilemat dhe konfliktet mes traditës dhe modernitetit, individit dhe shoqërisë, idealizmit dhe realitetit të kohës në të cilën jetojmë. Struktura e romanit është e ndarë në tetëmbëdhjetë kapituj, me një prolog dhe një epilog që përfshin një rrjedhë kohore të papërcaktuar. Kapitujt ndërthurin rrëfime në kohën e tashme me digresione të kujtimeve në kohën e shkuar, të cilat thellojnë dhe plotësojnë narrativën dhe tërheqin lexuesin në një histori komplekse. Nëpërmjet një rrëfimi të alternuar midis perspektivës auktoriale dhe dialogëve në vetën e parë, ndërtohet një tregim reflektues, sa kompleks edhe emocionues.
Ngjarjet zhvillohen në Holta, një qytezë fiktive në Mal të Zi, gjysmë e braktisur, dhe sikur të mos mjaftonin fatkeqësitë natyrore – erërat e forta dhe zjarret shkatërruese – më e dhimbshme është shkatërrimi që asaj po i vjen nga vetë dora e njeriut vendas. Holta nuk është thjesht një sfond i zakonshëm, por një simbol i degradimit shoqëror dhe moral. Ajo përshkruhet si një ”vend që vdes përmes rilindjes që po pëson” (f. 61), duke pasqyruar një cikël të vazhdueshëm të rënies dhe ringjalljes.
Në qendër të romanit qëndron protagonisti Lekë Bardhi, një profesor i nderuar historie i cili, i detyruar nga rrethanat, përfundon duke punuar si shofer për një mik të tijin. Leka mishëron figurën e njeriut idealist që lufton për të ruajtur vlerat tradicionale, aq sa mundet dhe aq sa di. Sfida e tij më e madhe është të ruajë familjen e vet. Në anën tjetër, gruaja e tij, Livia, është një figurë moderne, e cila braktis pasionin për pikturën për një karrierë të suksesshme në një institucion shtetëror. Livia pasqyron femrën moderne, e cila përballet me një transformim të madh, e vendosur nën presionin e shoqërisë për t’u përqendruar te karriera dhe vetja, ndërsa ndien distancën që krijohet mes saj dhe Lekës, çka kulmon me kërkesën e saj për divorc. Përgjatë romanit, kontrasti mes ngritjes së Livias në detyrë dhe rënies së Lekës nga profesioni, mes idealizmit të tij dhe pragmatizmit të saj, thellon tensionin mes dy botëve të ndryshme. Gjatë leximit, personazhi i Lekës duket shumë i vërtetë; herë na duket se të gjithë njohim ndonjë Lekë, e gjithnjë më shpesh e hasim nga një Livia në përditshmërinë tonë.
Personazhet dytësore, si Selimi, Frani, Rasimi dhe Luigji, mishërojnë konfliktin mes brezave dhe ndryshimet që ka pësuar shoqëria. Një figurë intriguese është “Ai”, me të cilin njihemi në kapitujt e parë të romanit – një krijesë misterioze, që nuk i ngjanë njerëzve dhe që ka përshkuar shumë vende, ku ka hasur vetëm në shpërfillje. Edhe në Holta ai keqtrajtohet dhe në fund vritet. Ky personazh mund të lexohet si një metaforë e të huajit ose e së panjohurës, që në këtë rast sfidon perceptimin e mikpritjes si një nga vlerat më të pakontestueshme tradicionale shqiptare. “Ai” vjen si një mesazh-dhënës paralajmërues për Lekën “…Unë jam këtu për të të thënë që të mos dorëzohesh. Mos t’i nënshtrohesh gënjeshtrës së madhe që po troket në të gjitha portat pa dallim. Së shpejti të gjithë do të jenë kundër të gjithëve, mirësia dhe nderi, dija dhe karakteri apo ideali do të jenë jashtë mode, por jo vetëm kaq, ato do të sanksionohen. Gjithçka do të ketë një çmim dhe trinia – dashuri, familje, paqe – do të ndryshojnë me formulën pasuri, vetmi, kaos” (f. 20).
Mark Pashku përdor një gjuhë të qartë dhe të kapshme për lexuesin. Dialogjet janë të fuqishme në natyrshmërinë e vet, duke pasqyruar karakterin dhe psikologjinë e personazheve. Digresionet e kujtimeve, të ndërthurura me rrëfimin kryesor, pasurojnë narrativën dhe ofrojnë një përmasë më të thellë për të kuptuar botën e karaktereve dhe ngjarjeve. Autori përdor gjithashtu simbole të fshehura, si emrat e personazheve, ku Leka, Selimi dhe Rasimi përfaqësojnë vlerat tradicionale, ndërsa Livia, Arlina, Hera dhe Luani mishërojnë modernitetin dhe ndryshimin.
Megjithëse fundi mund të duket i parashikueshëm, natyrshmëria dhe lirshmëria me të cilat Marku shtjellon konfliktet e bëjnë çdo kapitull interesant. Konflikti kryesor është ai personal mes Lekës dhe Livias, ku martesa dhe dashuria e tyre disavjeçare vihet në sprovë nga ndryshimet sociale dhe individuale. Gjithashtu, përplasja mes vlerave tradicionale dhe atyre moderne pasqyrohet në çdo veprim të Lekës, i cili me ngulm kërkon të mbrojë atë që ai e konsideron si vlerën e vërtetë. Kontrasti mes shkatërrimit dhe rilindjes – përveç Holtës, kjo temë manifestohet edhe në familjen e Lekës. Leka është një idealist, i cili rreket të shpëtojë “kultin e vetëm që i kishte ngelur këtij kombi për ta mbajtur gjallë institucionin e shenjtë të familjes” (f. 24). “Kohërat moderne tashmë, në mbarë botën kishin sjellë një politikë antifamiljare…” (f. 24). Në këto kushte, Leka synon të shpëtojë botën dhe në fund arrin të shpëtojë botën e tij – martesën dhe familjen, anëtarët e së cilës përpiqet t’i ribashkojë si gurët e një rruaze të këputur.
Përtej konflikteve personale, romani pasqyron realitetin e shqiptarëve në Mal të Zi dhe në rajon, duke trajtuar fenomenin e migrimit, boshatisjen e zonave rurale dhe degradimin e familjes. Holta është një reflektim i shumë vendbanimeve shqiptare, të cilat, për shkak të ndryshimeve ekonomike dhe shoqërore, janë lënë në harresë. Herë pas here, lexuesi has edhe nota humori, kur autori flet për sistemet politike, ironizon mburrjen e “’elitave’ retrograde” (f. 25) duke theksuar se “E fundit që këta njerëz donin ishte dija” (f. 25), ironizon kureshtjen e pandreqshme të banorëve për ngjarjet dhe thashethemet, si dhe nuk i kursen kritikat për fuqinë e pushtetit: “Kupto se pushteti të varfëron shpirtin e pastaj s’ke përse jeton më” (f. 98). Edhe nota zhgënjimi e dëshpërimi artikulohen nga Leka, si ajo kur flet për njerëzit lakmitarë e të padenjë në krye të pushtetit dhe se si ai nuk është i brumosur për këtë makiavelizëm: “Sa herë që donte të bashkëpunonte me këta njerëz, ai dëshpërohej. Dëshpërimi ishte i njëjtë me atë të qindra e mijëra të tjerëve të cilët ishin larguar me shekuj nga ky vend…” (f. 25)… ”E kisha kuptuar se shtigjet i ishin mbyllur, ngase kudo në pozita po vinin njerëz të cilët ishin pa shtyllë kurrizore, ishin delet e kopesë së lindjes, ishin pionierët e shkollave të natës e të diplomave të blera. Ai nuk përkiste me ta.” (f. 26).
Përderisa prologu na hap siparin e një rrugëtimi të luftës së brendshme të jetuar, duke ngjallë kuriozitet për ta zbërthyer gradualisht gjatë leximit, epilogu në anën tjetër sjell një mesazh të rëndësishëm për lexuesin – rëndësinë e miqësisë së sinqertë dhe rikthimin tek familja. Kjo përmbyllje lë shpresë dhe sugjeron që, pavarësisht vështirësive, lidhjet njerëzore dhe vlerat e vërteta mund të mbijetojnë.
Romani “Livia” zgjon reflektime mbi vlerat që gradualisht po humbasin dhe mbi individin, i cili duket i pafuqishëm t’i kundërvihet një fenomeni të tillë. ”Ata, fillimisht të japin autoritetin, të japin imazhin, të japin pasurinë, të krijojnë imazhin e rrejshëm e të qenit i lumtur. Pastaj, ngadalë, të injektojnë në mendje qeliza shkatërruese për familjen. Sakrifica, modestia, qetësia, durimi, dashuria, përkushtimi, turpi e Zoti kthehen në elemente që pengojnë zhvillimin e njeriut, si diçka retrograde, jashtë modës e si pjesë e popujve të pazhvilluar.” (fq. 92-93). Kësisoj, autori na shtynë të mendojmë për rolin e secilit në një shoqëri që po ndryshon me ritme të shpejta. Me këtë libër, Marku bën një apel për nevojën e ruajtjes së këtyre vlerave morale; ai frymëzon dhe fton lexuesin të luftojë për familjen, sinqeritetin dhe miqësinë e vërtetë, si dhe të përvetësojë virtytin e faljes. Në rrugën e vetëgjetjes Leka vjen deri te konstatimi se “ishin vetë burrat ata që shkatërruan familjet e veta. Ata luajtën me limitet e me të gjitha emocionet, deri në atë masë saqë u bënë të padurueshëm.[…] Nuk janë femrat ato që po shkatërrojnë familjet […], por janë meshkujt ata që nuk dinë të dashurojnë.”(f. 130).
Mark Pashku është një ndër autorët e paktë shqiptarë në Mal të Zi që ka zgjedhur të lëvrojë zhanrin e romanit. “Livia” sjell një risi të rëndësishme në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Përmes një rrëfimi të ndërtuar me kujdes dhe një analize të thellë të dilemave të kohës sonë, romani shërben si një pasqyrë e guximshme dhe poetike e sfidave të modernitetit. Ai është një thirrje e fuqishme për rikthimin e vlerave morale e shoqërore dhe për gjetjen e ekuilibrit mes traditës dhe modernes:
“Familja është jeta,
jetën ta jep Zoti,
ti je komandant i jetës dhe i familjes,
gruaja është gjeneral i saj,
perëndia banon vetëm në familje,
dashuria shpëton botën”. (f. 121)
Shtrohet pyetja: a është konservator Leka në mendimet e tij? Sikurse Holta që është përballur me erëra të forta dhe zjarre shkatërruese, edhe Leka sfidon dallgët e një bote që nuk e kupton dhe që duket se po shkatërron gjithçka që ai e konsideron të shenjtë. Historia e Lekës përshkon etapa të ndryshme: papunësia, dëshpërimi, izolimi dhe pendesa, por edhe kurajën për të luftuar për ato që ende beson. Kjo rrugë e tij përfaqëson një reflektim të thellë mbi vlerat morale në krizë dhe mbi nevojën për njerëz të sinqertë dhe të qëndrueshëm në një, siç e quan ai “shekull të poshtër” (f. 131), sidomos kundrejt gjinisë femërore.
Kjo vepër është një homazh, për gruan si shtyllën e familjes dhe shoqërisë, një himn për miqësinë e sinqertë dhe ndershmërinë – vlera që po veniten nën trysninë e kohëve moderne.
“Livia” është një roman për dhe mbi familjen dhe dashurinë si summum bonum, vlerën dhe qëllimin më të lartë në jetë. Si e tillë kjo vepër pritet të mbetet një pikë referimi në letërsinë shqipe të Malit të Zi. “Bota ka nevojë për njerëz të sinqertë” (f. 132), thotë një nga personazhet e librit. Po, bota jonë e vogël ka nevojë për vepra të shkruara me ndjeshmëri të sinqertë si “Livia”.

(Recensioni është lexuar në përurimin e romanit “Livia” në QKI “Malësia” – Tuz, më 4 shkurt 2025)

Të fundit

më të lexuarat