Stili i papërsëritshëm poetik moikomian

Nikollë Berishaj

Një gazetare e njohur angleze, kur vjen në atelienë e Pikasos për një intervistë, sheh shumë piktura të përfunduara dhe një punim të autorit me renome botërore, por ato nuk i pëlqejnë për vlerën artistike.

  • A ky është arti juaj, aq i njohur botërisht? – pyeti gazetarja.
  • Zonjë, unë vërtet nuk e njoh anglishten, por mosnjohja ime e saj nuk do të thotë se anglishtja nuk ekziston, – iu përgjigj piktori.
    Shumëkush për artin krijon një koncept të vetin, që i bazuar në klishetë e secilësdo kohë, shpesh nuk korrespondon me prurjet e reja artistike, që, siç ndodh gjithmonë me artin, kanë një mision të vetin (të nxitë në mendim, të reflektosh, nganjëherë të futesh në shtjellë, prej kah nuk di të dalësh). Pikërisht për këtë artistët në përgjithësi shpesh nuk kuptohen, qofshin ata edhe të nivelit aq të lartë.
    Kështu ndodh edhe me të (mos)kuptuarit e poezisë së Moikom Zeqos!
    Edhe emra shumë të njohur të kritikës letrare shqipe (në mes tyre edhe emrat e mëdhenj të saj, si Alfred Uçi dhe Skënder Drini) e vlerësojnë si poet që nuk kuptohet. Natyrisht, nuk kuptohet nëse dëshirojmë ta vlerësojmë sipas matricës së të shkruarit të poezisë së realizmit socialist, që kishte marrë dheun dhe që edhe sot e gjithë ditën i shihen “filizat” e ripërtërira të saj. Për një kritikë të tillë letrare Zeqo vërtet është i pakuptueshëm, sepse ai di të shkruajë për universin në një pikë uji. Për të hapësira dhe koha nuk janë të kufizuara por ndërthuren natyrshëm, duke u bashkuar diku në botën kuantike, ku çdo gjë ruhet në një memorie Unike, siç pretendojnë njohësit e kësaj teorie, pra të teorisë kuantike. Nga ajo kujtesë unike Zeqo sikur vjel më të mirat e ruajtura aty dhe na i plason në poezitë e tij të ndërtuara në formë strofash, por pa mbetur rob i rimës.
    Në poezitë e veta Moikomi jeton edhe në të kaluarën e lashtë, edhe në realitetin e sotëm, por nuk ngurron të kapërcejë edhe në ardhmëri. Koha për të është një, e pandashme dhe e jetueshme lehtë. Ai nuk mbetet rob i rregullave që përcaktojnë gjininë letrare. E kush më mirë se ai do të duhej ta dinte mitin mbi njerëzit e parë, Adamin e Evën, por ai nuk ngurron që në një prozën e tij poetike ta zhvendosë kohën, duke vënë Narcisin para Adamit. Dhe ky nuk është rast i vetëm, të tillë ka shumë, kur, siç thotë njohësi i shkëlqyeshëm i poezisë së tij, poeti tjetër i madh, Frederik Rreshpja, “Zeqo i bën kohërat rrëmujë, vetëm për një trill poetik a filozofik”. Ai provokon këtu me mundësinë që mitologjia greke të jetë më e vjetër se ajo e hebrenjve? Pra, rrjedhimisht, pavarësisht bindjeve tona të ngurtësuara, a thua nuk mund të jetë Narcisi më i vjetër se Adami?
    Si njohës i shkëlqyer i mitologjisë, jo vetëm greke, romake e ilire, por edhe deri te mitologjia nordike, në poezitë e veta komunikon me perënditë e perëndeshat mitike, madje në njërën sosh ai angazhon Valkirën – perëndeshën nordike, perëndeshën bukuroshe, që ka për detyrë të zgjedhë të rënit në luftë dhe t’i dërgojë në amshim, që t’i takojë me vetë Onufrin. Mitologjia për të është pjesë krejtësisht reale e ndërthurjes poetike, që jep efektin e shumështresëshmërisë së poezive të tij. Andaj, edhe nuk mund të kuptohen aq lehtë.
    Autori ynë nuk i definon librat me asnjë gjini letrare dhe askurrë. Ai shpesh ndërthur me elegancë të pashoqe poezinë, mistikën, historinë, teologjinë, mitologjinë, arkeologjinë, narracionin duke i lënë lexuesit mundësinë që të notojë nëpër ujërat, në të cilat e drejton ai. Notimi nëpër ujërat e Moikomit për letërsinë shqipe, por edhe më gjerë, është unik por gjithmonë i lehtë (për shumë sish as i këndshëm), ngase të shtynë të përdorësh enciklopedi e monografi, të futë aty ku ai dëshiron, në zgjerimin e diapazonit tënd të dijes si lexues, sepse, ai, me qëllim nuk bën shpjegime të poetikës së vet. Vërtet se kjo poetikë e tij nuk ka lexues të shumtë në numër, sepse ata, të mësuar në klishetë tona, ku secila gjë e ka kallëpin e vet, nuk duan të marrin mundimin që të thellohen në leximin e një poezie më shumë se disa minuta. Por Zeqo nuk mund të futet në asnjë kallëp, ngase ai nuk është njeri i kallëpit. Për të notimi i thellë në shpirtin e njeriut është po aq i kapshëm sa edhe fluturimi në skajet e universit, narracioni i tij poetik në botën reale është po aq i afërt me bisedën e tij me Laokontin e Krishtin. Jeta (lexo shkrimi) e tij në të tashmen e turbullt është po aq interesante sa edhe bota ku definohet vdekshmëria dhe pavdekshmëria, në të cilën ai shpesh rrugëton si autor. Arrin aty ku përcaktohen bindjet tona për Zotin (… e pavdekshëm) dhe njeriun e gjithçka tjetër (… si qenie të vdekshme).
    Ai e njeh aq mirë gjuhën e zanave dhe orëve të mitologjisë shqiptare, sa edhe vargjet e poetëve modernë evropianë… Moikomi në poezinë e tij nuk jep përfundime, por e fut lexuesin t’i nxjerrë ato. Është plotësisht i vetëdijshëm se akëcili lexues do ta kuptojë (ose nuk do ta kuptojë!) poezinë e tij në mënyrën e vet, por për këtë nuk lodhet, i bindur se ashtu e ashtu, libri është i autorit vetëm derisa të gjendet tek ai, në dorëshkrim. Për më vonë, kur të shkojë në duar të lexuesit, ai (si autor) vetëm mund ta përcjellë rrugëtimin e librit, përmes ndonjë shkrimi, vlerësimi, kritike, që jo gjithmonë do t’ia qëllojë asaj Çka ka dashtë autori të thotë? Edhe këtu ai, si autor është më se i relaksuar. Ai e ka thënë atë që mendonte se duhej ta thoshte, e problemi i lexuesit është se si do ta kuptojë, vlerësojë apo përflasë të thënën (të shkruarën) e tij.
    T’i referohemi edhe një herë poetit e kritikut letrar, mikut të vjetër të Zeqos, Frederik Rreshpjes: “Dendësia e ideve është kaq e madhe në një fletë libri, sa të tjerë shkrimtarë me të njëjtën lëndë mund të shkruanin dhjetëra faqe”, shprehet ai. Prandaj ai del diku jo aq i kuptueshëm. Ai kërkon lexues që dinë t’i zbërthejnë sintezat e tij të shprehura me metaforat e gjithkundndodhshme. Një lexues mendjehapur që do të kënaqet me akribinë e shprehur në një varg të vetëm, po aq sa në një libër të tërë. Lexues të kujdesshëm, lexues strukturorë. Sikur Moikomi e njeh mirë atë thënien ai që di të shkruajë aforizma, nuk ka pse të shkruajë romane.
    Atë e ka shqetësuar gjithnjë thellësia e domethënieve, të cilat kishin brenda vetes shumë imagjinatë të trazuar dhe shpeshherë shpërthyese. Në fillimin e pranverës 2019 Moikomi botoi njërin nga librat e mëdhenj të jetës së tij – “Përjetësi me qira”, si një sfidë për lavditë e rreme.
    Në parafjalën poetike të tij ka shkruar se “Përjetësia, as blihet, as shitet, as grabitet dhe as vritet”.
    “Janë poezi që lidhen me një meditimin, shpesh kozmik, por jo të pashkëputura nga peizazhet tokësore, sidomos nga vendet e mia të origjinës, Libohova, currilat dikur në Durrës, që sot është betonizuar ose viset e bregdetit, që kanë mundësi të pafundme, për ta bërë njeriun, që të bëjë një thellim shpirtëror edhe mendor, që shpesh të kujton atë që kanë poetin e lindjes, që quhet karma. Toka, deti, ajri edhe elemente të tjera ekologjike, të krijojnë një rend për të thënë disa të vërteta universale, që janë të vërteta të vetë jetës, pavarësisht se shpesh përmendet edhe vetë vdekja”.
    Kur kritikohet për hermetizëm, përgjigjet se, “fjalët nuk janë konserva linguistike të shekujve dhe mileniumeve. Poezia reflekton dhe shndrit të gjitha kohët, edhe ato që mungojnë në një segment kohor, shpesh efemer”.
    Personalisht kam pasur rastin ta përkthej Moikomin në disa raste. Në Simpoziumin shkencor “Shasi i lashtë, monument i kulturës” ai nuk ngurron të lidhë historinë mijëravjeçare të dy qyteteve shqiptare, sot në Mal të Zi, deri me mitin e Argonautëve dhe ta vlerësojë Ulqinin si një bërthamë burimore mitologjike e përdorur si metaforë shekullore letrare…
    Disa nga poezitë e përzgjedhura ia përktheva për Antologjinë e parë “Muzat e Alpeve” të Shoqatës Rajonale “Teuta”, si njërit nga pesë laureatët e deriatëhershëm. Në njërën nga poezitë e tij, autori shprehet:
    “Dhe Fantazia ime, – është, -ose Pafajësi, – ose revolucion”.
    Të bën të mendosh thellë, se si një poet “ateist”, siç e quajnë shumë sish, shprehet me bindje të plotë mbi kalueshmërinë e kohës dhe amshimin e jetës”. “Vdekja – është – Shakaja e vockël” e Zotit me ne. E kush janë perënditë e poetit “ateist”. Për vete thotë se është Dishepull i Dionisit të pavdekshëm, dishepull i Budës, që përjeton Nirvanën budiste me magjinë e meditimit dhe se: “Njëqind engjëj bronzi – të Parajsës – derdhen – për statujën time të Ferrit!”
    “Filozofia në poetikën e tij është vetëm një pjesë, por pjesë e rëndësishme e një filozofie të plotë Moikomiane”, shprehet Fatmir Minguli dhe vazhdon “… metaforat e tij janë të pafundme dhe të papërsëritshme. Ai është Princi i Metaforës.”
    Moikomi ka një stil dhe poetikë elitare, të ngjeshur, stil lakonik, që me të drejtë mund ta quajmë stil poetik moikomian të papërsëritshëm, veçanërisht në letrat shqipe.
    E vetmja që mbetet e pakuptueshme, madje edhe e pashpjegueshme tek ai është energjia e tij që në një jetë krijuese tokësore të nënshkruajë më se 140 libra autorialë, 3 ekspozita të punimeve të tij nga arti pamort (desha ta shkruaja pamor, por vetë gishtat e shkruan padashje pa mort!!!), ngase vërtet janë të tilla veprat, qoftë edhe vizatime, grafika, piktura…, disa skenarë filmikë, pjesëmarrje të panumërta në simpoziume shkencore brenda dhe jashtë vendit, ku në mënyrën më dinjitoze e prezantoi mendimin shkencor shqiptar.
    Në amanetin e tij Moikom Zeqo kërkon “ …të varroset në Tiranë dhe ceremoninë e varrimit të ma bëni në Muzeun Kombëtar.” E aty janë, Ulliri i Nënës Tereze (2003) dhe pema e Papës Gjon Palit (2015), por jo larg sish edhe përmendorja e Dedë Gjon Lulit!

Të fundit

më të lexuarat