Kur Grass i shkruante Kadaresë

Më 28 janar, shkrimtari më i njohur bashkëkohor shqiptar Ismail Kadare do të mbushte 89 vjet. Ai vdiq më 1 korrik të vitit të kaluar dhe sivjet ishte ditëlindja e parë pa praninë e tij fizike. Në nderim të figurës dhe veprës së Kadaresë, të cilësuar si “Gjeniu i letrave shqipe”, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare dhe disa herë kandidat për Çmimin Nobel për Letërsi, “Koha javore” sjell disa letërkëmbime të tij me personalitete të shquara dhe institucione evropiane, që janë prezantuar në ekspozitën e hapur në Muzeun “Shtëpia Studio Kadare” në Tiranë, më 7 janar 2025

Letër dërguar Kadaresë nga Günter Grass, novelist, poet, dramaturg, ilustrues, grafist, skulptor. Ai fitoi Çmimin Nobel në letërsi në vitin 1999

10 gusht 1987

I nderuar Zotëri,
Në emër të Akademie der Künste, kemi kënaqësinë t’ju përcjellim ftesën për të qenë pjesë e “Takimit të Artistëve Evropianë”, i cili do të mbahet në Amsterdam më 10-14 dhjetor 1987. Ftesa zyrtare nga “Netherlands Theatre Institute”, duhet t’ju ketë mbërritur tashmë zyrtarisht.
Edhe pse Akademie der Künste është një prej bashkëorganizatorëve të këtij aktiviteti, ne e shohim me skeptizicëm kontekstin në të cilin janë mbajtur “Kryeqytetet evropiane të kulturës”, Athinë, Firence, Amsterdam dhe Berlin (1988).
Ne gjykojmë se kjo seri manifestimesh kanë zbatuar një arrogancë të shteteve të Evropës Perëndimore.
Kjo sjellje është refuzuar nga Akademie der Künste, sikurse edhe nga organizatorët e takimit të Amsterdamit, dhe për ta treguar këtë, ne jemi duke planifikuar mbajtjen e takimeve jashtë parashikimeve dhe listës së “Kryeqytetit Evropian të Kulturës”, ndaj edhe kemi vendosur që takimi tjetër pas këtij të Amsterdamit të mos jetë në vitin 1988, sikurse është parashikuar, por në vitin 1989.
Kemi vendosur që takimet e tjera të mbahen në vendet anëtare të Paktit të Varshavës apo edhe shtete të cilat nuk janë pjesë e tij.
Akademie der Künste ka interesin dhe angazhimin që Evropa të shihet si një e tërë dhe si një entitet i përbashkët, i lidhur nga tradita të përbashkëta, përgjegjësi artistike dhe politike, të cilat ndahen mes nesh.
Në një moment historik në të cilin po vërehet një ulje e përballjeve ushtarake që ka qenë e ngritur mes dy blloqeve, është shumë e rëndësishme që të forcohen lidhjet mes dy sistemeve politike të Evropës.
Kjo është një detyrë edhe e artistëve të këtyre vendeve dhe jo vetëm e politikanëve apo aktorëve të shoqërisë civile, që të diskutojnë mes tyre se si mund të arrihet kjo gjë.
Koncepti i Evropës, të cilit ne i referohemi, nuk duhet lejuar që të mbetet një koncept abstrakt.
Për këto arsye, anëtarët e Akademisë së Arteve të Berlinit do të takohen në Amsterdam dhe do të thërrasin diskutime konkrete për të gjetur lidhje të traditës kulturore evropiane dhe efekteve që ato kanë sot.

Shënim: Akademie der Künste ose “Akademia e Arteve” në Berlin është themeluar në vitin 1696. Ajo është një prej institucioneve kulturore më të vjetra në Evropë dhe bën bashkë një komunitet ndërkombëtar artistësh dhe aktualisht ka 430 anëtarë, në gjashtë seksione: arkitekturë, muzikë, letërsi, arte skenike, film dhe media.

Letër dërguar Kadaresë nga “Caravelle international television”

18 korrik 1975

I dashur Z. Kadare,
Disa fjalë shumë shkurt për t’ju thënë se jam duke punuar aktivisht për projektin tonë kinematografik lidhur me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”.
Parashikoj që në muajin gusht të bëj bashkë për takim një numër të madh personalitetesh, si në nivelin e produksionit, ashtu edhe të realizimit.
Më duhet t’ju them se në parim, ekranizimi i veprës suaj “Gjenerali…” është pritur shumë mirë nga personat me të cilët kam folur deri tani.
Ndaj, parashikoj që t’ju shkruaj në shtator, për t’ju njohur me rezultatet e këtyre hapave që po ndërmarr.
Përfitoj nga rasti gjithashtu, t’ju them se më pëlqeu shumë romani juaj “Kronikë në gur”, ku mund t’ju them se gjeta disa elemente të “Gjeneralit…”, por mbi të gjitha, gjeta një univers që më preku shumë, në të cilin takova botën mesdhetare e cila më pëlqen shumë.
Pak nga pak, falë veprës suaj, kam ndjesinë se e njoh popullin shqiptar, të cilin më vonë do ta njoh në vend.
Alain Clert, producent francez

Shënim: Filmi u realizua dhe pati premierën më 19 tetor 1983 në Paris, tetë vjet pas këtij letërkëmbimi të Kadaresë më producentin francez.

Letër e Kadaresë dërguar John Hampson, “Serpet’s Trail Publishing” Londër

Tiranë, 2 qershor 1986

I dashur Zotëri,
Ju falënderoj për letrën tuaj të 29 prillit 1986.
Ishte një gëzim për mua të merrja vesh se pjesa më e madhe e librave të mi do të botohen njëri pas tjetrit nga shtëpia juaj botuese.
Ky është njëkohësisht një gëzim për letërsinë shqipe, e cila njihet ende pak në vendin tuaj.
Gjithashtu ju falënderoj për ftesën tuaj për të qenë i pranishëm në Londër për publikimin e librit tim të parë.
Kjo paraqet disa vështirësi të cilat lidhen me mungesën e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ndaj mendoj se kjo është e parealizueshme.

Përgatiti: I. Kallaba

Të fundit

më të lexuarat