Program i larmishëm dhe përfaqësues

“Besoj që ky edicion i Festivalit Poetik të Prishtinës është më i strukturuar dhe përmbajtësor se dy të parët, por që njëkohësisht do të na shërbejë për të parë se çfarë duhet të shtojmë në edicionet tjera, ku duhet të përqendrohemi në të ardhmen dhe me çfarë përmbajtjeje të reja do të mund e do të duhet ta pasurojmë”, ka thënë drejtoresha e Festivalit, Donika Dabishevci

Prishtinë – Portali për kulturë, art e letërsi “ObserverKult” ka organizuar më 25-29 janar 2025 edicionin e tretë të Festivalit Poetik të Prishtinës.
Gjatë pesë ditëve për publikun është shfaqur një program i pasur, ku janë organizuar takime poetike, promovime librash, debate tematike, ligjërata, video-poezi, video-performanca, diskutime, homazhe, orë poetike etj.
Drejtoresha e këtij festivali, poetja Donika Dabishevci ka thënë në fjalën e hapjes se nuk e kanë pasur të lehtë që të bëjnë një analizim, klasifikim e përzgjedhje për një program pesëditësh që do të ishte përfaqësues, i vlefshëm dhe i larmishëm.
“Një program që do të duhej të përmbushte pritjet estetike të shikuesit në sallë, por edhe të atyre të shumtëve online, pasi i gjithë festivali do të xhirohet dhe më pastaj do të transmetohet në ObserverKult”, ka thënë ajo.
Dabishevci ka thënë se beson që ky edicion i Festivalit Poetik të Prishtinës është më i strukturuar dhe përmbajtësor se dy të parët, por që njëkohësisht do t’u shërbejë për të parë se çfarë duhet të shtojnë në edicionet tjera, ku duhet të përqendrohen në të ardhmen dhe me çfarë përmbajtjeje të reja do të mund e do të duhet ta pasurojnë atë.
Në fokus të edicionit të sivjetshëm të Festivalit ka qenë letërsia shqipe në Maqedoni.
“Ditën e parë të Festivalit e kemi menduar t’ia kushtojmë në tërësi letërsisë shqipe të Maqedonisë, kësaj pjese integrale të letërsisë shqipe, e cila pavarësisht kushtëzimeve kontekstuale, nxori në pah autorë me vetëdije të lartë krijuese që na lanë trashëgimi vepra pashmangshëm referenciale për nga vlerat ideo-estetike”, ka thënë drejtoresha Dabishevci.
Një vështrim të përgjithshëm mbi letërsinë shqipe në Maqedoni e ka paraqitur para të pranishmëve profesori Agim Vinca.
Në kumtesën e tij me titull “Letërsia shqipe në Maqedoni ndërmjet shtetit dhe atdheut”, ai ka theksuar se letërsia shqipe që krijohet në Maqedoninë e Veriut është pjesë integrale e letërsisë shqipe.
“Për shkak të rrethanave historike në të cilat ka jetuar dhe vazhdon të jetojë kombi shqiptar, letërsia shqipe krijohet në kontekste të ndryshme, por ka një traditë të përbashkët letrare dhe shkruhet në të njëjtën gjuhë – gjuhën shqipe”, ka thënë Vinca.
Në vijim ai ka theksuar se pas Tiranës dhe Prishtinës, Shkupi është qendra e tretë e kulturës shqiptare e kohës sonë, “andaj tendenca për t’i anashkaluar vlerat letrare dhe artistike të krijuara në këtë pjesë të hapësirës shqiptare, ngado që të vijnë ato, janë kundërkulturore dhe kundërkombëtare”.
Profesor Vinca ka folur për shkrimtarët e parë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të sotme e deri tek autorët e kohës sonë.
Festivali poetik ka filluar me një homazh artistik në nderim të poetes së ndjerë Lindita Ahmeti, një prej penave të shquara të letërsisë shqipe në Maqedoni, për krijimtarinë e së cilës ka folur studiuesi Akademik Ali Aliu, ndërsa kujtimet dhe mbresat e tyre i kanë shpalosur disa prej miqve dhe kolegëve të saj më të ngushtë, si poetet Naime Beqiraj dhe Vjollcë Berisha, poeti Lulzim Haziri, dhe babai i saj, shkrimtari Xhabir Ahmeti.
Festivali Poetik i Prishtinës është hapur në Pallatin e Rinisë, ndërsa katër ditët tjera programi është zhvilluar në Termokiss, një qendër socio-kulturore e përshtatur për komunitetin.

I. Kallaba


Pjesë e Festivalit edhe krijuesit shqiptarë nga Mali i Zi

Në mesin e mbi 70 mysafirëve – shkrimtarë e poetë, studiues të letërsisë, muzikantë, aktorë etj. që janë prezantuar në skenën e edicionit të tretë të Festivalit Poetik të Prishtinës kanë qenë edhe tre nga radhët e shqiptarëve në Malin e Zi.
Kështu në kuadër të programit të ditës së dytë të Festivalit është zhvilluar debati tematik me kryetarin e SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, me temën “Decentralizimi dhe demetropolizimi i kulturës”.
Në ditën e tretë të Festivalit është organizuar takimi poetik me shkrimtarin dhe përkthyesin Nikollë Berishaj, ndërsa në ditën e pestë, që i është kushtuar tërësisht poetëve të rinj, poezitë e saj i ka lexuar krijuesja e re Ardita Rexha.

Të fundit

më të lexuarat