Thesare me vlerë të trashëgimisë letrare

“Ne kemi zgjedhur që t’i nxjerrim në dritë disa prej dorëshkrimeve të tij të rëndësishme. Patjetër që në fondin e Muzeut ka shumë dorëshkrime të tjera përtej tyre, por ne zgjodhëm t’i nxirrnim posaçërisht këto për të treguar pak një dimension tjetër të Ismail Kadaresë, që jo se ata që e studiojnë apo e lexojnë nuk e dinë se ekzistonin, por është tjetër gjë kur ne i shohim”, ka thënë Anisa Ymeri, drejtoreshë e Muzeut “Shtëpitë Studio Kadare-Agolli”

Janari i sivjetshëm është viti i parë kur shqiptarët do ta përkujtojnë Ismail Kadarenë, shkrimtarin më të madh bashkëkohor shqiptar, në mungesë fizike të tij. Për ta kujtuar atë, në “Shtëpinë Studio Kadare” në qendër të Tiranës të martën e kaluar (7 janar 2025) është hapur ekspozita me dorëshkrime dhe letërkëmbime të panjohura të tij.
“Ne kemi zgjedhur që t’i nxjerrim në dritë disa prej dorëshkrimeve të tij të rëndësishme. Patjetër që në fondin e Muzeut ka shumë dorëshkrime të tjera përtej tyre, por ne zgjodhëm t’i nxirrnim posaçërisht këto për të treguar pak një dimension tjetër të Ismail Kadaresë, që jo se ata që e studiojnë apo e lexojnë nuk e dinë se ekzistonin, por është tjetër gjë kur ne i shohim”, ka thënë Anisa Ymeri, drejtoreshë e Muzeut “Shtëpitë Studio Kadare-Agolli”.
Në mesin e dorëshkrime të veprave, korrespondencave, fotografive të shumta etj., ajo ka veçuar letërkëmbimet e tij me personalitetet e Evropës që, sipas saj, janë vërtet shumë mbresëlënëse.
“Unë dua të theksoj një prej tyre, edhe pse secili në vete ka peshë të jashtëzakonshme. Atë me Gunter Grass, që është nobelist i mëvonshëm, por më 1987 ai i shkruante Kadaresë në emër të Akademisë së Arteve të Berlinit, që është një institucion i rëndësishëm kulturor, i themeluar më 1696. I kërkonte Kadaresë që të ishte pjesë e mendimit evropian për të folur për çështje që ishin përtej letrare. Pra, ai kërkonte një shkrimtar shqiptar i cili i kishte kaluar kufijtë për të shkuar në Amsterdam, në një takim evropian që do të mbahej, për të folur se si dy blloqet Lindje dhe Perëndim duhet të ishin dy blloqe politike që ndanin, por do të duhej të gjenin ura lidhëse. Dhe sipas Gunter Grass-it, që e shkruan këtë letër, ky është një mision edhe i shkrimtarëve, praktikisht edhe i mendimtarëve, jo vetëm i politikanëve dhe jo vetëm i shoqërisë civile”, ka thënë drejtoresha Ymeri.
Gjuhëtari dhe përkthyesi Xhevat Lloshi i dhuroi muzeut me këtë rast një dorëshkrim të Kadaresë të vitit 1980. Ai ka thënë se duke qenë se ka pasur marrëdhënie të ngushta me shkrimtarin e njohur, ka ruajtur disa prej dorëshkrimeve të tij. Por njëri prej tyre, sipas tij, është i veçantë, sepse lidhet me një ngjarje të veçantë të kohës.
“Për shkak të një plenumi të famshëm të asaj kohe, Ismail Kadareja në ditët që u bë plenumi, i kërkuan që në fjalimin e tij të bënte dhe një autokritikë. Ismaili nuk e kishte përgatitur autokritikën, pastaj u detyrua ta shkruante aty dhe unë e kam dorëshkrimin”, ka treguar Lloshi.
Ai ka thënë se kishte qenë i detyruar që të digjte 5 000 kopje të gazetës “Drita”, kryeredaktor i së cilës ishte në atë kohë, vetëm që të mos botohej pa autokritikën e Kadaresë.
“Por kam ruajtur edhe një numër të asaj gazete dhe është e vetmja që ekziston”, ka thënë Lloshi.
Ndërsa nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Frida Pashako, ka thënë se ndjehemi shumë krenarë dhe me fat për të gjithë trashëgiminë e gjetur në shtëpinë e Kadaresë.
“Në momentin që Bashkia vendosi të blente këtë apartament, nuk blemë vetëm apartamentin dhe muret e tij, por familja na dhuroi çfarëdo lloj gjëje që ishte këtu brenda… Prandaj jam edhe një herë e bindur që në këtë fond, në këtë muze, këto thesare ruhen dhe do të ruhen në mënyrën më të mirë”, ka theksuar ajo.
Sipas nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, kjo ekspozitë është një hap i parë për të treguar këto thesare të vyera dhe për të na ftuar gjithmonë e më shumë, më tepër nga trashëgimia e Kadaresë.
Ndonëse ka vlerësuar se kjo ekspozitë e parë është pak e vonuar, Pashako ka falënderuar grupin kërkimor dhe ata që kanë sjellë në dritë këtë ekspozitë.
“Prandaj ftoj të gjithë ata që kanë mundësi ta vizitojnë. Është një oportuniet i jashtëzakonshëm për të parë një pjesë të trashëgimisë letrare që ne kemi, për ta kaluar te brezat e ardhshëm dhe pse jo, për të reflektuar për të ardhmen”, ka thënë ajo.
Ekspozita me dorëshkrime dhe letërkëmbime të rralla të Kadaresë do të qëndrojë e hapur deri më 2 shkurt 2025.

i. k.


Dorëshkrimet si gjurmë e shkrimtarit

Botuesi Bujar Hudhri ka nënvizuar vlerën dhe rëndësinë e dorëshkrimeve si gjurmë të Ismail Kadaresë dhe të shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj.
Ai ka thënë se kjo është një gjë e jashtëzakonshme, shumë e bukur dhe ne nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë vlerë kanë dorëshkrimet, por kjo ekspozitë do të na vetëdijësojë.
“Ju i shikoni ato fletë që duket sikur nuk ju thonë asgjë. Por kuptimi dhe bukuria e këtij dorëshkrimi është e pakrahasueshme për dikë që ka studiuar jetën e tij, për studiuesit, për shkencëtarët, për fansat e mëdhenj që përballë autorëve të shquar duan të shohin gjurmët që ka lënë në fletë”, ka thënë drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Onufri”.
Hudhri ka rrëfyer një moment të veçantë, i cili dëshmon rëndësinë që Kadare i kushtonte autenticitetit të çdo dorëshkrimi.
“Kadareja, duke qenë besnik i shkrimit me dorë, kurrë nuk provoi makinë shkrimi apo kompjuter. Përfytyroni që ishte një kopje e vetme, dhe përgjithësisht e madhe, sepse shkrimtari nuk mund ta shkruajë dy herë të njëjtën gjë. Kjo ka qenë gjëja më stresante për mua si botues. Kur punonim për veprën e plotë 20-vëllimëshe, kujtoj një rast kur, për të marrë një dorëshkrim nga rezidenca e tij në Malin e Robit, mbërrita në Tiranë në orën 4 të mëngjesit dhe i dërgova një mesazh: ‘Dorëshkrimi mbërriti mirë. Edhe unë mbërrita mirë’.”

Të fundit

më të lexuarat