Pasaportë e identitetit kulturor kombëtar

Për ta quajtur xhubletën një pasaportë të identitetit kulturor kombëtar, do të mjaftonte një eksperiment i thjeshtë: nëse një malësor humbet kudo nëpër këtë fshat të madh global dhe e vetmja gjë që kujton është të qenit bir apo bijë e xhubletës, është e sigurt se atë menjëherë do ta identifikonin si shqiptar, çka lë të kuptohet se kjo veshje është unike në botë dhe sado të shpërndarë e gjejmë sot nëpër territore të baraslarguara nga Alpet Shqiptare, sërish në gjen ata që e mbartin janë kulturalisht homogjenë, pavarësisht tipologjive apo huazimeve që kanë pësuar nga ndikimet periferike

Rita Shkurtaj

Prej kohësh xhubleta, si një nga veshjet më unike në llojin e saj, ka marrë vëmendjen e shumë studiuesve etnologë, të cilët me mendësitë e tyre shkencore janë munduar të paraqesin vlerat që kjo veshje mbart në rrafshin kulturor-shpirtëror dhe kombëtar. Të flasësh për xhubletën dhe të duash ta mbrosh me fakte shkencore tezën: Xhubleta – pasaporta e identitetit kulturor kombëtar, fillimisht duhet të lundrosh në kohë dhe në hapësirë për të gërmuar nëpër realitetin kulturor, të trashëguar pa ndërprerje nga iliro-pellazgët te shqiptarët.
Dhe si në çdo studim tjetër për sendet dhe fenomenet e gjalla, zanafillën e këtij kërkimi duhet ta fokusojmë në terren, atje ku harta etnografike na njeh me krahinat ku xhubleta ruhet dhe kultivohet akoma edhe sot. Lidhur me këtë fakt, ky studim na orienton ta nisim kërkimin tonë nga Malësia e Madhe, si epiqendra e rrathëve kulturorë, ku sot e mot xhubleta ishte dhe mbetet e vetmja tipologji veshjesh me të cilën identifikohen të gjithë banorët e kësaj krahine, përtej ndasive dhe izolimit kufitar apo ndikimit të politikave asimiluese ideologjike dhe religjioze, të cilat për shekuj me radhë masakruan këtë pasuri kulturore e shpirtërore me përbërje gjenetikisht homogjene.

Si në çdo studim tjetër për sendet dhe fenomenet e gjalla, zanafillën e këtij kërkimi duhet ta fokusojmë në terren, atje ku harta etnografike na njeh me krahinat ku xhubleta ruhet dhe kultivohet akoma edhe sot. Lidhur me këtë fakt, ky studim na orienton ta nisim kërkimin tonë nga Malësia e Madhe, si epiqendra e rrathëve kulturorë, ku sot e mot xhubleta ishte dhe mbetet e vetmja tipologji veshjesh me të cilën identifikohen të gjithë banorët e kësaj krahine, përtej ndasive dhe izolimit kufitar apo ndikimit të politikave asimiluese ideologjike dhe religjioze, të cilat për shekuj me radhë masakruan këtë pasuri kulturore e shpirtërore me përbërje gjenetikisht homogjene


Janë të pafundme faktet që dëshmojnë për këtë racë të pastër ilire, tek e cila xhubleta u ruajt me shumë fanatizëm, pavarësisht pushtimeve dhe dyndjeve të nomadëve endacakë me të cilët u përball kjo krahinë kulturalisht solide. Mbijetesa ndaj këtyre sfidave më së shumti lidhet me organizimin dhe unitetin kulturor fisnor si dhe qëndresën për të ruajtur sovranitetin territorial dhe epërsinë racore kundër sundimit të huaj, i cili përpiqej të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në jetën sociale të këtyre banorëve.
Megjithatë, përtej këtyre rrethanave dhe dukurive sociale për të mbrojtur tezën tonë, lind nevoja ta vërtetojmë me fakte burimore anën shkencore të jetëgjatësisë së xhubletës, e cila përbën një sfidë më vete për shkencën dhe disiplinat ndihmëse të saj. Ndaj, për të pasur një panoramë kronologjike të lindjes, zhvillimit dhe trashëgimit të kësaj veshjeje, e cila për nga rëndësia, vlera dhe veçantia e saj përbën një shkencë më vete, duhet t’u referohemi të dhënave arkivore dhe burimore të trashëgimisë gojore që lidhen me artin e të punuarit, lëndën e parë, mjetet e punës e shumë faktorë të tjerë bazikë, të cilët njihen akoma dhe sot si almiset e të punuarit të xhubletës. Ndër faktorët kryesorë shkencorë që dëshmojnë mbi këtë tipologji veshjesh dhe ciklin e pandërprerë të përdorimit të saj nga iliro-pellazgët te shqiptarët e sotëm, përmendim artin e të punuarit të xhubletës, i cili ka të bëjë me tjerrjen dhe endjen, teknika këto të lindura që në periudhën e neolitit dhe të pandryshuara deri në ditët tona, të siguruara nga puna artizanale e ekonomisë së mbyllur natyrore familjare, praktika këto të ruajtura ndër breza dhe që vazhdojnë të mbeten në përdorim akoma dhe sot te shqiptarët e Veriut, me të cilat ata punojnë veshjet e leshta.
Faktor tjetër po aq i rëndësishëm për këtë studim është edhe lënda e parë – “leshi” me të cilin punohet xhubleta, lëndë e cila ishte dhe mbetet produkt i benefiteve që njeriu përfitoi qysh nga lindja e blegtorisë në epokën e gurit dhe që nga ajo kohë mbeti një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë familjare, nga e cila siguronin veshjet dhe nevojat e tjera biologjike për mbijetesë. Tjetër fakt shkencor, të cilin na e zbuluan arkeologët, është fotoskica e gruas nën petkun e xhubletës së lashtë ku vihet re një ngjashmëri pothuajse identike me xhubletën e sotme, të bazuar kryesisht në gjetjet e shumta arkeologjike që nga territoret e Ilirisë së Veriut e deri në Kretë në formë mozaikësh, gdhendjesh mbi gurë apo fondet e gjetura në vendbanimet antike si dhe varrezat prehistorike.
Ndër të gjitha këto artefakte, ajo që hodhi dritë mbi hershmërinë e xhubletës ishte gjetja e rastësishme e varrit të një gruaje në Malet e Bogës, në kufirin veriperëndimor të Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XX, e cila ruhet në institutin shkencor të Beogradit. Te kjo dëshmi e marrë nga materialet e literaturës shkencore rajonale në të cilën mbështetet fort etnologjia shqiptare thuhet se gjetja e rastësishme e një varri të veçuar mbi një formacion të thatë shkëmbor, nga punëtorët e një kantieri rruga-ura, gjatë gërmimeve, përmbysi dilemat shkencore mbi kohën dhe hapësirën e ekzistencës së xhubletës. Si askund tjetër, shkencëtarët vunë re se varri ishte i pllakosur hermetik dhe se materiali i tirkut të leshtë ishte ruajtur mjaft mirë nga dekompozimi, çka bëri që kjo grua të marrë një vëmendje të veçantë nga shteti i ish-Jugosllavisë asokohe, sa ta dërgojnë për një ekzaminim shkencor më të thelluar. Ishte pikërisht kjo gjetje që pas ekzaminimeve laboratorike në institutin shkencor të Beogradit hodhi dritë edhe mbi vjetërsinë e xhubletës mbi 4500-vjeçare.
Gjetja e kësaj gruaje në verilindje të Malësisë së Madhe, rrëzë Alpeve Shqiptare, e përforcon akoma me shumë mendimin se banorët e këtyre anëve janë trashëgimtarë të përhershëm të xhubletës.
Faktorë të tjerë që patën ndikim të drejtpërdrejtë në ruajtjen dhe kultivimin e xhubletës ishin kushtet klimaterike, ku mjafton të përmendësh një thënie të vjetër ndër malësorë “nuk janë verat si kanë kenë e nuk janë dimrat që janë përmendë”, e cila lë të kuptohet qartë se përdorimi i përhershëm i materialit të leshtë ishte edhe nevojë jetike, pasi jetonin rrëzë Alpeve, ku dimrat zgjatnin shumë e vera mbaronte shpejt.
Ndikim pati edhe izolimi territorial-provincial gjatë sundimit romak e deri në rënien e Bizantit, i cili bëri të mundur ruajtjen nga depërtimi dhe gërshetimi kulturor, pasi asokohe ndaloheshin martesat, migrimet, emigrimet dhe tregtia me provincat fqinje, gjë që i dha edhe më shumë prioritet konsolidimit të unitetit fisnor për ruajtjen e kulturës së hershme te banorët e provincës së Prevalit.
Të njëjtin ndikim pati edhe sundimi i tejzgjatur turk sa i takon xhubletës, pasi rënia drastike ekonomike e sociale i dha përparësi ekonomisë së mbyllur natyrore familjare, gjë që i detyronte malësorët t’i siguronin vetë të gjitha nevojat e tyre biologjike e familjare, për pasojë edhe veshjet, ku sërish lënda e parë sigurohej nga bagëtitë që mbarështonin në vathën e tyre, kurse mjetet e punës i bënin kryesisht me lëndë druri e guri të siguruara në natyrë, që nga furka me bosht, gërhanët, vekët, koshi i spikut e deri te vojonica e ku përfundonte procesi i punimit të xhubletës.
Tejzgjatja e regresit ekonomik dhe kulturor gjatë sundimit turk te shqiptarët e Veriut nuk e zbehu aspak besimin dhe krenarinë e tyre ndaj dashurisë për jetën dhe të bukurën, gjë që u vu në dukje vazhdimisht nga kronikanët e kohës, si: Franc Nopça te vepra “Shqipëria”, Artur Haberland në veprën “Arti popullor i Ballkanit” apo Edit Durham në veprën “Disa ligje dhe zakone të origjinës fisnore në Ballkan”.
Lidhur me dukuritë dhe artin e trashëguar te shqiptarët janë marrë edhe shumë studiues vendas dhe të huaj, të cilët janë përpjekur vazhdimisht të nxjerrin në pah veçoritë unike të xhubletës, si Tkalac te vepra “Veshjet dhe klima”, Rrok Zojzi te vepra “Studime historike mbi veshjet tradicionale të popullit tonë”, Andromaqi Gjergji në veprën “Veshjet shqiptare në shekuj”, Ukë Xhemaj në studimet etnografike “Veshja popullore rugovase”, Monike Fontanes në studimin “Kostumi i grave të Malësisë se Madhe në Veri të Shqipërisë, një rast unik”, Agim Bido në veprën ”Arti popullor në veshje e tekstile” e shumë studiues të tjerë, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në pasurimin e fondit të shkruar sa i takon xhubletës.
Nga ana tjetër, për ta quajtur xhubletën një pasaportë e identitetit kulturor kombëtar, do të mjaftonte një eksperiment i thjeshtë: nëse një malësor humbet kudo nëpër këtë fshat të madh global dhe e vetmja gjë që kujton është të qenit bir apo bijë e xhubletës, është e sigurt se atë menjëherë do ta identifikonin si shqiptar, çka lë të kuptohet se kjo veshje është unike në botë dhe sado të shpërndarë e gjejmë sot nëpër territore të baraslarguara nga Alpet Shqiptare, sërish në gjen ata që e mbartin janë kulturalisht homogjenë, pavarësisht tipologjive apo huazimeve që kanë pësuar nga ndikimet periferike sikurse xhubleta e Pukës, me paranikun, prapanikun, jelekun apo elementet e zbukurimit te këmisha e saj, në një kohë kur xhubleta e hershme kishte pothuajse të njëjtat stoli sikurse xhubleta e gruas te kultura e Komanit, e cila shprehte jo vetëm anën shpirtërore të gruas, por edhe besimin e hershëm pagan veshur me besëtytni, që mishëronin lidhjet e gruas me veshjen e saj. Kjo bënte që hijeshia dhe krenaria e malësores nën petkun e xhubletës të ishte tejet e veçantë, jo vetëm në dukje, por edhe në gjen racor, ndaj, për të kuptuar strukturën racore të malësoreve do të mjaftonte një udhëtim i vetëm nëpër Malësi, si vizitor kureshtar apo dhe si mik me bujtë në kullat e saj dhe menjëherë do përftosh një gjykim konkret për nga vlerat e larta humane me të cilat do të ndeshesh.
Ndoshta kjo është dhe arsyeja pse xhubleta ruan akoma dashamirësinë e atyre që ndërmorën ekspedita vëzhguese në territorin e saj që në periudhat më të errëta të mbijetesës, ku kanë dhënë edhe vlerësimin e tyre duke nxjerrë në pah se kush janë në të vërtetë malësorët, vlerësime që kronikanët e kohës i pasqyruan vazhdimisht për opinionin ndërkombëtar, sa herë që binin në kontakt me malësorët. Malësorët në gjen janë racë e bardhë, me tipare të hijshme fizike e me qëndrim mbretëror, rob të natyrës e trashëgimtarë të saj, besimtarë në shpirt e të përvuajtur në jetë, mikpritës e bujarë në banesë, miqësorë e besnikë në familje e shoqëri, të mprehtë në kuptim e të matur në veprim dhe mbi të gjitha të pathyeshëm në luftën e tyre për të qenë të lirë e sovranë në truallin e të parëve të tyre. Është pastërtia gjenetike dhe kultura tradicionale që e bën tepër të veçantë femrën malësore nën petkun e xhubletës, aq sa të identifikohet botërisht si MALËSORE. Në logje e kudo, kishte edhe bukurinë e brendshme shpirtërore që sa më shumë vite i peshonin, Malësorja nën petkun e xhubletës veç godit (pamjes së jashtme) që rrezatonte mbi supe, aq më shumë e hijeshonte fjala e qëndrimi i saj, brenda dhe jashtë familjes, ndaj e trashëgoi dhe e ruajti me kaq besnikëri veshjen e saj që në lashtësi.

Të fundit

më të lexuarat