Synimi, zgjedhja drejtpërdrejte kryetarit dhe aplikimii listave të hapura

“Reforma do të sillte gjithashtu fuqizimin e demokracisë lokale, pasi me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave, qytetarët do të kishin më shumë ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin lokal, duke ndihmuar në forcimin e përfaqësimit demokratik. Do të sillte po ashtu thjeshtëzim për votuesit, sepse një ditë për të gjithë votuesit shmang konfuzionin dhe i bën proceset zgjedhore më të lehta për qytetarët”, shprehet juristi Edmond Ujkaj

Ministria e Administratës Publike në Mal të Zi ka riaktualizuar këto ditë çështjen për reformën në sistemin e vetëqeverisjes lokale në Mal të Zi, një nismë që ministri Marash Dukaj i dorëzoi në fund të muajit maj Kuvendit të Malit të Zi, që në kuadër të reformës së legjislacionit zgjedhor, të shqyrtojë propozimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjen e Këshilltarëve dhe Deputetëve, duke përcaktuar që kryetari i secilës vetëqeverisje lokale të zgjidhet drejtpërdrejt dhe që zgjedhjet për kuvendet e të gjitha vetëqeverisjeve lokale në Mal të Zi të mbahen njëkohësisht.
Në dokumentin të cilin ministri i Administratës Publike ia dorëzoi Kuvendit të Malit të Zi, përkatësisht kreut të Kuvendit Andrija Mandiq, ndër të tjera theksohet se kjo ministri ka punuar në mënyrë intensive në planin e avancimit të sistemit të vetëqeverisjes lokale në Mal të Zi.
“Me shumë kujdes, duke analizuar sistemin e vetëqeverisjes lokale nga aspekte të ndryshme në periudhën e kaluar, dëshiroj të theksoj se çështja e sistemit zgjedhor është veçuar dhe është treguar nevoja për avancim të kuadrit normativ në atë pjesë. Në rend të parë, zgjedhja ekzistuese e kryetarit të komunës nuk korrespondon me standardet demokratike, sepse me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale janë të përcaktuara vetëm kushtet e përgjithshme për zgjedhjen e tij të cilat janë të njëjta me kushtet për zgjedhjen e këshilltarëve dhe zgjedhja e kryetarit të komunës nuk është e lidhur direkt ose indirekt me vullnetin elektoral të qytetarëve”, ka shkruar ndër të tjera ministri Dukaj në këtë dokument.
Kjo nismë sipas deklaratave të Dukajt, ka si qëllim final aplikimin e listave të hapura ose gjysmë të hapura.
Në lidhje me këtë nismë, juristi dhe njohësi i mirë i çështjeve juridike, Edmond Ujkaj, në prononcimin për gazetën “Koha javore” vë në dukje avantazhet dhe disavantazhet që do mund të sillte kjo reformë zgjedhore për votuesit në Mal të Zi.
Ai si avantazh kryesor konsideron kursimin e burimeve, pasi sipas tij, organizimi i zgjedhjeve në një ditë do të reduktonte kostot logjistike financiare dhe administrative për shtetin.
“Do të shpenzoheshin më pak fonde për materialet zgjedhore, për staf dhe për operacione organizative. Do të kishte pjesëmarrje më të lartë të votuesve, sepse mbajtja e zgjedhjeve në të njëjtën kohë do të mund të inkurajonte qytetarët që të marrin pjesë në proces, pasi zgjedhjet e shpërndara mund të shkaktojnë apati apo mungesë angazhimi”, shprehet Ujkaj.
Ai më tej thekson se jetësimi eventual i kësaj reforme zgjedhore do të sillte më shumë koherencë në proceset zgjedhore, duke minimizuar shpërndarjen e energjisë politike dhe burimeve në mes palëve politike për zgjedhje të ndryshme.
“Reforma do të sillte gjithashtu fuqizimin e demokracisë lokale, pasi me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave, qytetarët do të kishin më shumë ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin lokal, duke ndihmuar në forcimin e përfaqësimit demokratik. Do të sillte po ashtu, thjeshtëzim për votuesit, sepse një ditë për të gjithë votuesit shmang konfuzionin dhe i bën proceset zgjedhore më të lehta për qytetarët”, shprehet juristi Edmond Ujkaj.
Nga ana tjetër, Ujkaj përmend edhe disavantazhet që do të mund të kishte kjo reformë zgjedhore për trupin votues. Sipas tij, kjo reformë do të shkaktonte kompleksitet logjistik, pasi siç thekson, mbajtja e të gjitha zgjedhjeve në një ditë kërkon një koordinim të jashtëzakonshëm logjistik.
“Pasi mund të vijë edhe deri te mbingarkimi i komisioneve zgjedhore dhe kështu mund të paraqitet rreziku i parregullsive teknike. Do të bëhej reduktimi i fokusit te çështjet specifike. Pra, kur të gjitha zgjedhjet zhvillohen në të njëjtën ditë, është e mundur që çështjet lokale ose kandidatura, të humbasin atë rëndësinë në raport me çështjet dhe diskursin politik në nivel kombëtar që konsiderohen si çështje më të rëndësishme”, shprehet Ujkaj.
Ndërkohë, ai gjithashtu potencon se kjo reformë do të mund të sillte një rrezik të polarizimit, pasi sipas tij, fushatat zgjedhore do të mund të bëheshin më të politizuara dhe të fokusuara në çështje të përgjithshme, duke reduktuar hapësirën për diskutimin e nevojave lokale.
“Si përfundim mund të them se reforma mund të sjellë përfitime të rëndësishme, si kursimi i burimeve dhe angazhimi më i madh i votuesve, por gjithashtu kjo përfshin sfida që kërkojnë zgjidhje të kujdesshme, sidomos në aspektet teknike dhe organizative”, thotë ai.
Për të, vlerësimi i mirë i përvojave të vendeve të tjera me sisteme të ngjashme, mund të ndihmojë në përcaktimin e zbatueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së kësaj nisme.
Ndërkaq, në tekstin autorial të ministrit Dukaj, në mes tjerash theksohet se këto reforma do të ishin kyçe për depolitizimin dhe demokratizimin e administratës publike dhe të shoqërisë në tërësi.
“Jam i vetëdijshëm se për çdo reformë kërkohet shumica prej dy të tretave e Kuvendit, ashtu siç jam i vetëdijshëm se për momentin nuk ekziston një shumicë e tillë për këtë ndryshim. Megjithatë, besoj se kompromisi është i mundur, prandaj shkruaj dhe flas shpesh për këtë temë”, ka thënë Dukaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat