Ngjarja tragjike e ndodhur më 1 janar 2025 në Cetinë, ku një 45-vjeçar nga ky qytet privoi nga jeta dymbëdhjetë persona, mes të cilëve dy fëmijë e duke plagosur rëndë dhe katër të tjerë, tronditi opinionin e gjerë, vendas dhe të huaj.
Sipas njoftimit të policisë, sulmuesi në fjalë, në momentin e lokalizimit dhe rrethimit nga Policia, është vetëqëlluar, ndërsa ka vdekur rrugës për në Qendrën Klinike të Malit të Zi.
Për këtë krim, Qeveria e Malit të Zi shpalli tri ditë zie kombëtare.
Kjo masakër e tmerrshme u pasqyrua edhe në mediat më prestigjioze, evropiane dhe botërore.
Mbi këtë ngjarje, banorët e Cetinës por edhe të qyteteve të tjera të Malit të Zi u shfaqën të pikëlluar për jetët e humbura të bashkëqytetarëve, ndërsa u shprehën të brengosur për sigurinë e tyre.
Në lidhje me këtë ngjarje, që për fat të keq nuk është e para në këtë qytet, për gazetën “Koha javore” të intervistuarit tanë dhanë opinionin e tyre për sigurinë në vend, për faktorët që çojnë në këto raste dhe mbi atë se çfarë duhet të ndërmarrë shoqëria në vazhdim.
Psikologia Tereza Sinishtaj shprehet se krimi është duke u bërë një e keqe sociale shumë e madhe që ka përfshirë të gjitha llojet e konflikteve personale dhe interpersonale
Juristi dhe shkrimtari Robert Camaj shprehet se ky rast, ai i mëparshëm në këtë qytet, si dhe rasti i para disa muajve në veri të Malit të Zi, tregojnë për rrezikimin e gjendjes së sigurisë në vend dhe se rasti në fjalë shkakton pasiguri te qytetarët.
“Është më se evidente se nuk mjafton ajo që kemi arritur deri tani, se këto raste janë vetëm shpërfaqje e gjendjes së rënduar që ka sistemi i sigurisë në qendër dhe në bazë. Është e frikshme kur shohim dhe jemi dëshmitarë të një trupi të amorfizuar dhe paaftësisë së organeve kompetente për reagim të shpejtë dhe efikas”, shprehet Camaj.
Psikologia Tereza Sinishtaj thotë se rastet e këtilla shkaktojnë pasiguri, frikë dhe trauma te familjarët dhe te qytetarët në përgjithësi pasi ata e nisin ditën duke lexuar apo dëgjuar vazhdimisht për raste të tilla që po ndodhin në shoqërinë tonë.
Sociologu dhe gazetari, Musa Gjoka thotë se siguria e qytetarëve në Mal të Zi, nëse i analizojmë disa rrethana, është e brishtë.
“Brenda dy vitesh në një nga komunat e Malit të Zi, në Cetinë, ndodhin dy vrasje masive të qytetarëve që e kanë tronditur jo vetëm vendin tonë, por edhe rajonin dhe më gjerë. Kjo duhet t’i brengosë institucionet përgjegjëse dhe t’i vërë në lëvizje për të studiuar rrethanat dhe gjetur shkaqet. Masakra e vitit 2022 në rrethana gati të njëjta si kjo tani, me pasojë 10 të vrarë dhe 6 të plagosur, nuk ka qenë shkas i mjaftueshëm që institucionet shtetërore të veprojnë që të mos përsëriten më. Për fat të keq, vrasja masive u përsërit në rrethana gati identike, por me përmasa edhe më të mëdha”, u shpreh Gjoka.
Ndërkohë, psikologia Tereza Sinishtaj, e pyetur se cilët mendon se janë faktorët që ndikojnë në situata të tilla pasigurie dhe kush është “përgjegjës” për këtë gjendje, shprehet se, nga rrafshi psikologjik shikuar profilin e njerëzve që shkaktojnë dhunë ose në rastin konkret vrasje të familjarëve dhe njerëzve të rrethit të ngushtë, “mund të themi se domosdo kemi të bëjmë me ndonjë person me çrregullime psikike, psiko-emocionale, apo edhe konflikte të pazgjidhura me veten, deri në cenimin e së drejtës dhe dëmtimit të tyre”. Ndërsa, në rrafshin psikosocial, shprehet ajo, mund të themi se mungon edukata dhe zhvillimi i vetëdijes së plotë mbi marrjen e përgjegjësisë sociale, të cilat na ndihmojë në mbajtjen dhe balancën shoqërore.
Ndërkaq, juristi dhe shkrimtari Robert Camaj, duke iu përgjigjur së njëjtës pyetje thotë se ne jemi një shoqëri që reagojmë në nivelin e fushatave dhe mjaftohemi me disa veprime të ditës.
“Përveç paaftësisë evidente të inteligjencës dhe organeve të sigurisë, do të duhej të përqendrohemi pak më shumë te motivi i këtij krimi. Rëndësia e motivit të krimit është thelbësore në drejtësinë penale, pasi ndihmon në kuptimin e arsyeve pas një akti kriminal dhe në vendosjen e drejtësisë, pavarësisht se në këtë rast autori i krimit ka kryer vetëvrasje pas konsumimit të aktit kriminal”, shprehet ai.
Camaj shton se kuptimi i motiveve pas një krimi ndihmon në parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen dhe nëse krimi ndodh për shkak të caktuar, zgjidhja mund të përqendrohet në përmirësimin e atyre kushteve.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të parandaluar përsëritjen e veprave penale rast pas rasti. Duket abstrakte, por motivi është një faktor thelbësor për të kuptuar, klasifikuar dhe trajtuar krimet në mënyrë të drejtë dhe të bazuar në rrethana”, thekson ai.
Për sociologun dhe gazetarin Musa Gjoka, ngjarjet aktuale, vrasja e dyfishtë kohë më parë në Bijello Pole dhe vrasja masive para dy vitesh në Cetinë, kërkojnë një analizë të thellë të të gjitha organizmave dhe institucioneve.
“Faktorët që e determinojnë gjendjen aktuale janë të shumtë. Situata ekonomike si pasojë e tranzicionit në shoqërinë tonë ka ndikuar në mënyrë depresive, posaçërisht në qendra më të vogla urbane, siç është mjedisi ku është zhvilluar ngjarja e fundit tragjike, luftërat në rajon, në të cilat janë përfshirë edhe një numër i konsideruar i shtetasve të Malit të Zi dhe traumat e shkaktuara nga ato. Pastaj, mundësia e lehtë e posedimit të armëve nga këto zona, është faktor tjetër. Faktori i fundit, por jo më pak i rëndësishëm, është mungesa e evidencës dhe trajtimi shëndetësor i personave që ushtrojnë dhunë dhe që tregojnë devijime në sjelljen brenda komunitetit”, shpehet Gjoka.
Të pyetur se çfarë duhet ndryshuar si shoqëri (përfshirë individët, institucionet etj.) në mënyrë që gjendja të përmirësohet dhe të mos përsëriten më ngjarje të tilla, bashkëbiseduesit japin disa konstatime.
Psikologia Tereza Sinishtaj shprehet se krimi është duke u bërë një e keqe sociale shumë e madhe që ka përfshirë të gjitha llojet e konflikteve personale dhe interpersonale.
“Unë mendoj se konfliktet familjare, mungesa e diskutimeve të qeta dhe dialogu konstruktiv, rrit tensionet dhe shfaqjet e krizave të një lloj neurotizmi psikologjik dhe social”, përfundon ajo.
Në të njëjtën kohë, sociologu dhe gazetari Musa Gjoka mendon se ajo që pritet të ndërmarrin organet dhe institucionet është patjetër një analizë e thellë e të gjithë këtyre faktorëve të lartpërmendur që mund të jenë shkaktarë të këtyre fenomeneve.
“Nevojitet përgatitja e një legjislacioni që rregullon disa çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me sigurinë e qytetarëve, siç është çështja e posedimit të armëve legale dhe ilegale. Ndërgjegjësimi i qytetarëve që ndaj dukurive devijuese të individëve të reagojnë, duke i denoncuar në organe dhe institucione. Ngritja në nivel më të lartë e institucioneve që trajtojnë shëndetin mendor të qytetarëve, dhe faktor të tjerë që do të paraqiten pas analizës së hollësishme të situatës aktuale në shoqërinë tonë”, përfundon Gjoka.
Është më se evidente, thotë juristi Camaj, se nuk jemi ballafaquar me të kaluarën, pasi siç thekson, nuk dimë se sa armë kemi te qytetarët dhe mbi profilin e njerëzve që i mbajnë ato.
“Ne në krye të parlamentit (shtetëror) kemi njeriun që krenohet se ka marrë pjesë në luftërat e fundit që janë zhvilluar në rajon. Etërit e politikës janë nxitësit dhe pjesëmarrësit e luftës në Dubrovnik. Tek ne është ushqyer me dekada dhuna, krimi, antivlera, mungesa e etikës, dominimi i njerëzve të dyshimtë dhe me precedent, si dhe autoritarizmi”, shprehet ai, duke shtuar se aparatit shtetëror i mungon dija, profesionalizmi, përvoja, por edhe patriotizmi. Camaj shton se kohëve të fundit e kemi parë me arrestimet që janë bërë se deri ku ka depërtuar krimi i organizuar në sistemin e drejtësisë, në atë të sigurisë dhe se sa shumë janë emrat që përfliten dhe në cilat lidhje vendosen ata.
“Ky rast na nxjerr në pah edhe nivelin e ulët që kanë personat lidhur me përgjegjësinë individuale. Ky rast, për fat të keq, do të kalojë sikurse të tjerët, pa ndonjë këqyrje të gjithanshme se ku ndodhemi pak, sepse jemi të paaftë dhe më shumë sepse jemi jokompetentë dhe të papërgjegjshëm”, përfundon Camaj.
Pas kësaj ngjarjeje tragjike, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Policisë, Llazar Shqepanoviq ka apeluar te qytetarët që në afatin më të shkurtër t’i dorëzojnë armët të cilat i posedojnë ilegalisht, pa pasur pasoja ligjore, siç ka thënë ai.
Ndërkaq, në një konferencë për gazetarët, kryeministri Millojko Spajiq është shprehur se aktualisht është duke u zhvilluar fushata mbi çarmatimin “Respekto jetën, dorëzo armën”, e cila siç ka thënë ai, do të zgjasë dy muaj.
“Dhe në rast se nuk do të dorëzojnë armët ilegale në afatin prej dy muajsh, do të dënohen në mënyrë drakoniane”, është shprehur Spajiq.
Ai ka thënë se pas këtij afati do të hyjë në fuqi ligji i ri për armët, i cili parashikon që, çdo posedim ose mbajtje e armës do të dënohet me dënimet më të mëdha, dhe se siç ka thënë ai, ndaj atyre njerëzve nuk do të ketë mëshirë.
“Të gjithë që tani i kanë lejet, do të kenë afat deri më 1 janar të vitit 2026 që t’u nënshtrohen verifikimeve të reja psikologjike dhe të sigurisë. Ai që nuk do ta plotësojë këtë kusht, do t’i tërhiqet kjo leje”, ka thënë ndër të tjera Spajiq në konferencën për gazetarët.
Të shtunën, më 4 janar 2025, në Cetinë u mbajt orë përkujtimore në nderim dhe përkujtim të viktimave të pafajshme të këtij krimi makabër.
Për këtë ngjarje tragjike, të dielën mbrëma (5 janar) fillimisht në Cetinë dhe pastaj në Podgoricë, mijëra qytetarë protestuan përpara godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila u organizua nga një grup joformal i studentëve “Kamo sutra” (Kah nesër) nga ku u kërkua dorëheqja e ministrit të Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq dhe nënkryetarit të Qeverisë për Siguri dhe Mbrojtje, Aleksa Beçiq. Ndërkohë, dy ditë më parë, po në Podgoricë qindra malazezë protestuan, kundër, siç kanë thënë ata, të mungesës së veprimeve të autoriteteve për ta parandaluar këtë sulm të armatosur.
t. u.