Ulqin – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit organizuan të premten (3 janar 2025) orë përkujtimore me rastin e vdekjes së Ruzhdi Hasanagës, mjekut të parë veterinar në komunën e Ulqinit dhe ndër veterinarët e parë shqiptarë në Malin e Zi.
Ora përkujtimore në sallën e madhe të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, të mbushur plot, ka filluar me një minutë heshtjeje.
Për jetën dhe veprën e tij kanë folur mjeku veterinar Xhemal Ravja, Prim. Dr. Gani Karamanaga, kryetar i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, gazetari Zenel Katana dhe Ardit Lika, nipi i Ruzhdi Hasanagës.
Ravja ka vënë në dukje punën e madhe që ka bërë Ruzhdi Hasanaga si veterinar gjatë gjithë jetës së tij dhe sfidat me të cilat është përballur në kohën kur ka munguar personeli i specializuar në fushën e veterinarisë, territori që ka mbuluar si veterinar ka qenë përtej normave dhe kushtet e punës kanë qenë shumë të vështira.
“Në atë kohë, nuk ka pasur mjete transportuese, ka mbuluar një territor shumë të madh – jo vetëm komunën e Ulqinit, por edhe Krajën dhe disa fshatra të komunës së Tivarit. Por ai me punën e tij të palodhshme ka mbrojtur shëndetin e kafshëve, por edhe shëndetin e njerëzimit”, ka thënë ai.
Sipas mjekut veterinar Xhemal Ravja, ndihmesa e Ruzhdi Hasanagës në fushën e veterinarisë shtrihet në disa rrafshe. Krahas mbrojtjes së shëndetit të kafshëve, ai ka bërë edhe inspektimin e ushqimeve shtazore – mishit, qumështit, vezëve, mjaltit dhe produkteve të tjera.
Hasanaga është nismëtar për ndërtimin e stacionit të ri veterinar dhe të thertores në Ulqin.
“Pas tërmetit, pas vitit 1979 dhe në vitin 1980, me punën e tij të palodhshme dhe autoritetetin e tij të lartë që ka pasur, ai arrin që të thithë fonde nga Republika e atëhershme e Bosnje dhe Hercegovinës dhe të ndërtojë një stacion të ri veterinar në Ulqin. Por në të njëjtën kohë ndërton edhe një thertore, themelues i së cilës ka qenë ai, të cilën do ta kenë lakmi edhe shumë komuna më të pasura sesa ka qenë Ulqini në atë kohë. Fatkeqësisht, as në kohën e tashme nuk kemi një thertore të tillë”, ka thënë Ravja.
Ai ka theksuar se duke qenë edhe vetë veterinar, ka pasur një respekt të madh për punën e Ruzhdi Hasanagës dhe e ka ndier veten si nxënës i tij dhe ka bashkëpunuar me të.
“Bashkëpunimi ynë ka qenë jo vetëm si kolegë. Ai ka qenë dashamirës dhe kurrë nuk e ka kursyer veten që të dëgjojë, të japë dijen dhe mendimin e tij, përvojën e lartë që ka pasur, jo vetëm në Ulqin, komunën që ka vepruar, por ka pasur përvojë dhe ka gëzuar respekt shumë të lartë ndër të gjithë kolegët e ish-Jugosllavisë”, ka thënë Ravja.
Prim. dr. Gani Karamanaga, duke nënvizuar faktin se Ruzhdi Hasanaga studimet për veterinari i ka kryer në Universitetin e Zagrebit, në njërën ndër tri qendrat universitare kryesore në ish-Jugosllavi, ka thënë se ai u kthye në vendlindje dhe i qëndroi besnik asaj.
“Tërë jetën e tij e ka derdhur në Ulqin, në fshatrat e Anës së Malit, Shtojit dhe vendbanimeve të tjera të Ulqinit. Për të nuk ka pasur orar pune. Ditën, natën ka qenë atje ku e ka dashur nevoja për të ndihmuar, për t’i mjekuar kafshët tona. Ardhja e tij e ka ngritur këtë mjekim”, është shprehur ai.
Edhe Karamanaga ka potencuar faktin se Ruzhdi Hasanaga për një kohë ishte mjeku i vetëm veterinar në komunën e Ulqinit dhe vite më vonë do të dalin kuadro të tjerë në fushën e veterinarisë, të cilët tek ai do të gjejnë një mësues dhe koleg të mirë.
Sipas Karamanagës, mjeku veterinar Ruzhdi Hasanaga ishte qytetar i nderuar, i cili punën e tij e punonte me zemër, shpirt, dituri duke dhënë një kontribut të veçantë në Ulqin.
Gazetari Zenel Katana ka thënë se Ruzhdi Hasanaga paraqet pionierin e veterinarisë në qytetin e Ulqinit dhe se i takon brezit të parë të shqiptarëve të shkolluar nga Ulqini dhe rrethina, që sollën virtyte të larta intelektuale dhe atdhetare.
“Me emrin dhe veprën e tij janë të lidhur ngritja dhe organizimi i shërbimit të veterinarisë në qytetin e Ulqinit. Po ashtu, ai konsiderohet themeluesi i parë i një laboratori në kuadër të shërbimit të veterinarisë në qytetin tonë”, ka theksuar ai.
Katana ka thënë se me diplomën e Universitetit të Zagrebit dhe dijet që kishte, Ruzhdi Hasanaga mund të punësohej lirisht dhe të jetonte në qendra të ndryshme më të mëdha se Ulqini, por ai kishte një dashuri të madhe për vendlindjen dhe njerëzit e tij.
“Ai ishte doktor i veterinarisë, ishte sa shkencëtar aq dhe njeri i thjeshtë, i dashur dhe përparimtar, që gëzonte simpati, respekt dhe dashuri”, ka thënë ai.
Duke folur për trashëgiminë e pasur të Hasanagës në fushën e veterinarisë, Katana ka thënë se ai ka lënë trashëgim edhe një sërë librash, ndër të cilët ai ka veçuar librin me titull simbolik “Dita pa buzëqeshje është ditë e humbur”.
“Me siguri për këtë libër janë dashur vite të tëra pune në terren, është dashur të kërkojë e të rrëmojë thellë dhe të mbledhë tërë atë pasuri gjuhësore në qytetin e Ulqinit dhe trevat e tjera ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi”, është shprehur ai.
Kujtime nga jeta e Ruzhdi Hasanagës ka sjellë për të pranishmit nipi i tij, Ardit Lika, i cili ka thënë se në rrethin e tyre familjar ai njihej si enciklopedi.
Lika ka thënë se Hasanaga shpesh citonte proverbin latin “Scientia potentia est” (Dija është fuqi).
“Si nip i tij, të gjithë kemi pasur fatin të rritemi nën hijen e njeriut të mençur, i cili gjithmonë na ka inkurajuar të lexojmë, të mësojmë dhe të hapim mendjen për botën që na rrethon”, është shprehur ai, duke shtuar se për gjyshin e tij libri ishte një udhërrëfyes në jetë.
Një aspekt tjetër me rëndësi i Ruzhdi Hasanagës që ai ua ka lënë trashëgim, sipas nipit të tij, ishte besimi në harmoninë ndërfetare.
“Gjyshi besonte fort se edhe feja është një rrugë për paqe, jo për ndarje… Çdoherë kujtonte rëndësinë që duhet të ketë harmonia ndërfetare në kombin tonë”, ka thënë Lika.
Ai ka përmendur edhe humorin, si një veçori tjetër për të cilin shquhej gjyshi i tij.
“Humorin e tij po ashtu kurrë nuk do ta harroj, kur me orë të tëra me kënaqësi dëgjonim barcoletat e tij të famshme”, ka thënë Lika.
Kujtime nga takimet me mjekun veterinar Ruzhdi Hasanaga ka evokuar edhe Vildana Zhubi – Dibra, e cila prej vitesh jeton në mërgim.
Ruzhdi Hasanaga u lind në Ulqin në vitin 1937. Shkollimin fillor e mori në vendlindje, gjimnazin e ka kryer në Tivar, kurse studimet për veterinari në Universitetin e Zagrebit. Për më shumë se 40 vjet ka shërbyer në këtë fushë, duke u bërë një figurë shumë e respektuar për kontributin e tij në veterinari dhe ndihmën që ia ofroi komunitetit të tij. Ka qenë drejtor i Stacionit të Veterinarisë në Ulqin.
Punën profesionale në terren e ka shfrytëzuar edhe për të vjelur fjalë të urta, frazeologji etj. nga gurra e mençurisë popullore në trevat shqiptare në Malin e Zi. Si rezultat i kësaj pune, pas daljes në pension ka botuar librat “Frazeologji dhe fjalë të urta të shqiptarëve në Mal të Zi”, “Përmbledhje vlerash shqiptare”, “Dita pa buzëqeshje është ditë e humbur”, “Dicta et sentence (Fjalë të urta në gjuhën shqipe dhe latine)” si dhe librin nga fusha e veterinarisë “Sëmundjet në rajonin e komunës së Ulqinit të cilat prej kafshëve mbarten te njeriu (zoonozat)”.
Ruzhdi Hasanaga u nda nga jeta të premten, më 27 dhjetor 2024, dhe u varros në Ulqin, qytetin e tij të lindjes, ditën e shtunë, më 28 dhjetor 2024.
i. k.