Ripërtëritje e traditës së mirë shkencore

“Tradita e seminarit ‘Shkodra në shekuj’, nisur në vitin 1993, ka qenë një monument nderimi për historinë, kulturën, letërsinë, muzikën dhe artin, që ky qytet ka krijuar dhe ruajtur me krenari. Sot, duke ripërtërirë këtë traditë, shënojmë një hap të rëndësishëm drejt vazhdimit të një dialogu të hapur dhe të thelluar mbi vlerat e Shkodrës dhe zhvillimin e saj”, ka thënë Prof. dr. Tonin Gjuraj, Rektor i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Shkodër – Pas rreth dy dekadash ndërprerjeje, është rikthyer Seminari “Shkodra në shekuj”, një traditë e mirë e organizimit të konferencave shkencore, e filluar gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar në qytetin e Shkodrës.
Përgjatë dy ditëve (12-13 dhjetor 2024), në këtë seminar të organizuar nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” – Qendra e Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës, janë paraqitur gjithsej 84 kumtesa nga studiues të ndryshëm në disa fusha të dijes.
Në fjalën e hapjes, Dr. Erzen Koperaj nga Qendra e Studimeve Albanologjike ka thënë se Seminari Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj” ka qenë një forum thelbësor për studimin dhe promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore të qytetit të Shkodrës, qendër që ka luajtur një rol kyç në historinë dhe kulturën shqiptare.
“Që nga organizimi i tij i parë në vitin 1993, si aktivitet i zhvilluar në mënyrë periodike, ka përmbledhur një numër të madh studiuesish dhe akademikësh të njohur nga Shqipëria, Kosova, Italia dhe më gjerë, duke ofruar një platformë të rëndësishme për diskutime ndërdisiplinore mbi zhvillimet në zonën e Shkodrës në periudha të ndryshme historike, që nga antikiteti e deri në bashkëkohësi”, ka thënë ai.
Sipas tij, “rikthimi i seminarit paraqet rëndësi jo vetëm për analizën e thelluar të trashëgimisë kulturore dhe historike të qytetit tonë, por edhe promovimin e saj si një destinacion i rëndësishëm në kontekstin e zhvillimit të turizmit kulturor dhe historik”.
Në fjalën e mirëseardhjes, Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. dr. Tonin Gjuraj, ka thënë se “Tradita e seminarit ‘Shkodra në shekuj’, nisur në vitin 1993, ka qenë një monument nderimi për historinë, kulturën, letërsinë, muzikën dhe artin, që ky qytet ka krijuar dhe ruajtur me krenari. Sot, duke ripërtërirë këtë traditë, shënojmë një hap të rëndësishëm drejt vazhdimit të një dialogu të hapur dhe të thelluar mbi vlerat e Shkodrës dhe zhvillimin e saj”.
Ai ka theksuar se në një botë gjithnjë e më të globalizuar, Shkodra nuk ka nevojë të shpikë identitetin dhe traditën e saj.
“Sot sfida jonë nuk është shpikja e një identiteti të ri, por harmonizimi i traditës së saj të fuqishme me kërkesat e një bote gjithnjë e më dinamike dhe në ndryshim”, ka thënë Gjuraj.
Duke nënvizuar se ky seminar adreson disa prej sfidave kryesore dhe ofron një platformë për të eksploruar zgjidhje të reja, ai ka thënë se në këtë kontekst, roli i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është thelbësor.
“Ky universitet, jo vetëm që mban gjallë traditën si një element i pandashëm i qytetit, por edhe vepron si një përcjellës dhe promovues i zhvillimit të qëndrueshëm dhe i inovacionit”, ka deklaruar rektori Gjuraj.
Vlerësime për seminarin “Shkodra në shekuj” ka dhënë në fjalën përshëndetëse edhe nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Dr. Rudin Beka, sipas të cilit kjo bashki po shërben si një urë lidhëse mes institucioneve, bizneseve dhe industrive të ndryshme për të punuar dhe menaxhuar të gjithë së bashku vlerat dhe potencialin e madh që ka qyteti i Shkodrës si destinacion në konceptin e zhvillimit ekonomik rajonal.
“Sot ne universitetin e shohim si partner kryesor për zhvillim dhe kërkim, ku besoj shumë shpejt do të dalim me një projekt të përbashkët mbi përfshirjen akademike me propozime mbi problemet dhe sfidat që kalon sot qyteti”, ka thënë ai.
Për historikun e seminarit “Shkodra në shekuj” ka folur Maxhid Cungu, ish-drejtor i Muzeut Historik të Shkodrës, ish-drejtues i pushtetit lokal, ish-drejtor i Bibliotekës Publike “Marin Barleti” dhe njëri prej bashkëpunëtorëve kryesorë të organizimit të këtij seminari.
“Seminari ‘Shkodra në shekuj’, i zhvilluar për herë të parë në qershor të vitit 1993, përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore në historinë e qytetit dhe në gjithë rajonin”, ka thënë ai.
Cungu ka folur për kontekstin historik të zanafillës së këtij seminari, kur me ndryshimin e sistemit, liria e fjalës dhe e mendimit hapi horizonte të reja për njerëzit e shkencës dhe të kulturës.
“Në qytetet si Shkodra, një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës dhe intelektit shqiptar, intelektualët dhe studiuesit filluan të shfrytëzojnë hapësirat e reja për të promovuar dijet dhe studimet e tyre, ku ndërmorën iniciativa për të organizuar aktivitete shkencore që shërbenin si platforma për kumtime dhe debate të hapura. Në këtë kontekst, një grup intelektualësh vizionarë shkodranë, i përbërë nga drejtori i Muzeut Historik, Mentor Quku, pedagogë të Universitetit të Shkodrës – David Luka – etimolog, Safet Hoxha – gjuhëtar, Simon Pepa – leksikolog si dhe bibliografi Willy Kamsi, ndërmori nismën për organizimin e një konference shkencore, të cilën e titulluan Seminari ‘Shkodra në shekuj’”, ka thënë ai.
Cungu ka treguar se një nga vendimet e marra nga këshilli shkencor ka qenë që seminari të zhvillohej në mënyrë periodike, për çdo dy vjet.
“Dhe seminari ‘Shkodra në shekuj” rezulton të jetë zhvilluar gjashtë herë, pra çdo dy vite deri në vitin 2005”, ka thënë ai, duke nënvizuar se në këto veprimtari janë paraqitur gjithsej 648 artikuj të fushave të ndryshme të dijes, ndërsa numri i përgjithshëm i studiuesve që kanë kumtuar është 419.
Në ceremoninë e hapjes kanë folur edhe Prof. dr. Ardian Ndreca, i cili ka kumtuar në temën “Roli i universitetit në krijimin e hapësirës urbane. Paradigma dhe horizonte të reja”, Prof. dr. Valentina Ndou “A mund ta bëjmë Shkodrën një qytet të inovacionit të qëndrueshëm?” dhe arkitekti spanjoll Jesus Hernandez “From History to Economy: Shkodra’s cultural renaissance”.
Më pas seminari është zhvilluar në seanca paralele sipas fushave përkatëse. Krahas kësaj, janë zhvilluar edhe dy panele tematike: “Teatri në Shkodër: Me Ty, Për Ty” në Teatrin “Migjeni” dhe “Trashëgimia kulturore e Shkodrës dhe zhvillimi i turizmit” në Kinema “Republika”, si një risi e këtij seminari, gjë që tregon për prirjen që jo vetëm t’i mbajë hulumtimet dhe studimet brenda ndërtesave akademike, por edhe t’i bëjë të hapura për një publik sa më të gjerë! Po ashtu në Kinema “Republika” është shfaqur filmi dokumentar që i kushtohet albanologes së famshme italiane Lucia Nadin, e cila ka dhënë një kontribut sidomos në fushën e studimeve albanologjike dhe ngulimeve shqiptare në Venecie.

i. k.


Pjesëmarrës të seminarit, katër studiues shqiptarë nga Mali i Zi

Në mesin e pjesëmarrësve dhe kumtuesve të edicionit të sivjetshëm të Seminarit “Shkodra në shekuj” kanë qenë edhe katër studiues shqiptarë nga Mali i Zi. Kështu arkitekti Korab Kraja është paraqitur me kumtesën me titull “Ndikimi arkitekturor i Shkodrës në formësimin estetik të shtëpisë në Krajë”, Dr. Nail Draga me kumtesën “Ernesto Cozzi për luftën në mbrojtje të Shkodrës (1912-1913)”, Hajrullah Hajdari me kumtesën “Ligji, drejtësia dhe çështja e pronave të shqiptarëve gjatë kufirit Shqipëri – Mali i Zi” dhe Ismet Kallaba në bashkautorësi me Dr. Isida Hoxhën me kumtesën “Prof. Dr. Hamit Boriçi, figurë emblematike e gazetarisë shqiptare”.

Të fundit

më të lexuarat