Etnonacionalizmi apo nacionalizmi kombëtar është formë e nacionalizmit në të cilin kombi dhe kombësia definohen në kuptimin e përkatësisë etnike me theks të veçantë në qasjen etnocentrike të çështjeve të ndryshme politike të lidhura me afirmimin nacional të një grupi etnik nacional.
Parimi qendror i etnonacionalistëve është se kombet janë definuar si trashëgues që kanë të përbashkët gjuhën, fenë dhe prejardhjen etnike. Në këtë kuptim kombet dhe kombësitë tjera mund të klasifikohen si qytetarë të rendit të dytë.
Nacionalizmi dhe etnonacionalizmi dallohen para së gjithash me marrëdhënien me individin, nga njëra anë, dhe kombit, gjegjësisht shtetit nga ana tjetër. Nacionalizmi preferon të kufizojë fuqinë e pushtetit e në këtë mënyrë të sigurojë të drejtat qytetare, liritë individuale dhe autonominë. Ndërkaq, entnonacionalizmi e vendos kombin mbi interesat dhe të drejtat e individit. Për nacionalistet me rëndësi është dinjiteti dhe lumturia e individit, vendosja e harmonisë ndërmjet bashkëkombësve, me qëllim që individi të çlirohet nga nënshtrimi, vuajtjet dhe të afirmojë respektimin e individit, ndërkaq etnonacionalistët i gëzohen forcës e cila herët apo vonë çon drejtë konflikteve të grupeve entnonacionale, mbrojnë sakrificën e individit për shtetin dhe pretendojnë nënshtrimin ndaj dëshirës kolektive (etnonacionalistëve).
Marrëdhëniet e njerëzve me shtetin, ndërmjet këtyre dy koncepteve, dallohen varësisht se a jetojnë në mjediset ku dominojnë ideologjia nacionaliste apo ajo etnonacionaliste. Lidhur me dominimin e ideologjisë mund të shtrohet pyetja: A është më mirë të jesh nacionalist apo etnonacionalist!?
E cila do qoftë përgjigja, për shqiptarët e rëndësishme është mënyra dhe niveli i realizimit të aspiratave kombëtare të shqiptarëve në këtë Mal të Zi, ku etnonacionalizmi po paraqitet si prioritet i pushtetit.
- Nacionalizmi dhe etnonacionalizmi
Në diskursin shkencor nuk ekziston një pasqyrim i unifikuar nga teoricienët për nocionin e nacionalizmit dhe etnonacionalizmit. Mbase etnonacionalizmi mund të jetë i ngjashëm me shovinizmin, pasi ky term përkufizohet si nacionalizëm ekstrem që ka për bazë mbizotërimin e kombit të vet mbi të tjerët dhe lavdinë kombëtare. Shqiptarët në Mal të Zi, që nga Kongresi i Berlinit dhe aneksimi nga Mali i Zi e deri në ditët e sotme janë përballuar me të dy këto koncepte të rrezikshme, në forma të ndryshme, por gjithmonë kombësia shqiptare ka qenë e rrezikuar. Në kohën e Principatës së Malit të Zi qenia shqiptare ka qenë e rrezikuar tmerrësisht që në fillimet e saj. Ligji i parë për shkollat fillore shqiptarëve iu ndaloi mësimin në gjuhën amtare duke caktuar klasat përgatitore njëvjeçare për nxënës që nuk flisnin gjuhën malazeze, pra përveçse nuk iu mundësohej mësimi shqip, ata qenë të diskriminuar, sepse shkollimi duhej të zgjaste një vit më shumë se për malazeztë. Si rrjedhojë, shqiptarët nuk kishin mundësi të punësohen në administratën publike dhe vende tjera më rëndësi. Kjo situatë, ky nënshtrim i popullatës shqiptare vazhdoi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Pra, shqiptarët në këtë kuptim mund të konsideroheshin si qytetarë të rendit të dytë. Edhe gjatë Jugosllavisë komuniste shqiptarët nuk ishin të barabartë me kombet dhe kombësitë të tjera. Pabarazia shoqërore dhe politike reflektohej në numrin e të shkolluarve, të punësuarve dhe të përfaqësimit në organet dhe institucionet shtetërore. Koha e pluralizmit politik apo e demokracisë deri në Referendumin për pavarësinë e Malit të Zi, për shqiptarët ishte vazhdim i vuajtjeve të pasojave të shovinizmit të heshtur që u reflektua në ngjalljen e patriotizmit shqiptar. - Patriotizmit shqiptar
Parimisht, patriotizmi është ndjenja e dashurisë, e krenarisë, e përkushtimit për atdheun. Të qenit “patriot” është një nga domosdoshmëritë e të qenit një “ qytetar i mirë ”, një qytetar i barabartë me të tjerët. Për shqiptarët në Mal të Zi patriotizmi lidhet me dashurinë për të siguruar infrastrukturën ligjore që promovon lirinë, identitetin kombëtar, barazinë dhe zhvillimin kulturor dhe ekonomik në përputhje me kapacitetet natyrore dhe në nivel të barabartë me të tjerët.
Pas Referendumit në vitin 2006 dhe shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi u krijuan kushtet për një zhvillim dinamik të shoqërisë qytetare dhe multietnike. Së shpejti Mali i Zi paraqiti aplikimin për anëtarësimin në BE (2008), në vitin 2010 Mali i Zi fitoi statusin e kandidatit për anëtarësim, ndërsa në vitin 2012 Mali i Zi hapi negociatat për t’iu bashkangjitur BE-së. Në vitin 2017 Mali i Zi bëhet anëtar me të drejta të plota në NATO. Shikuar drejt, kjo jepte shpresë për përmirësimin dhe zbutjen e ndryshimeve në perceptimin e koncepteve politike dhe zhvillimit të qëndrueshëm kulturor dhe ekonomik. Pikërisht këtu fillojnë problemet e Malit të Zi me shfaqjen e tendencave etnonacionaliste, sidomos të shumicës politike malazeze dhe asaj pro-serbe dhe pro-ruse.
Përkundër pritshmërisë se pas referendumit polarizimi i shoqërisë do të zvogëlohet, polarizimi bëhet gjithnjë e më i ashpër. Çështja e anëtarësimit në NATO, e marrëdhënieve me bashkësitë fetare, e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, marrëdhëniet me Serbinë, zhvillimi i shtetit dhe marrëdhëniet e Gjukanoviqit me faktorët tjerë politikë u bënë pengesa serioze në marrëdhëniet ndërnacionale dhe zhvillimore të Malit të Zi. Gjatë gjithë kësaj kohe, pothuajse të gjithë akterët e rëndësishëm u munduan që agjendat e tyre politike t’i realizojnë duke ushqyer pasionet etnonacionaliste të qytetarëve, çka do të thotë se në Mal të Zi ekziston, jo vetëm etnonacionalizmi malazez i cili kombin malazez e identifikoi me shtetin, por edhe etnonacionalizmi serb i cili e konteston këtë dukuri. Përderisa DPS-i vazhdonte të favorizonte fuqishëm politikën e identitetit të kombit dhe shtetit malazez, opozita e udhëhequr nga Fronti Demokratik, vazhdonte të kontestonte këtë qasje politike, ndërsa nga ana tjetër proklamonte se serbët në Mal të Zi janë të rrezikuar dhe kërkojnë, qoftë edhe me forcë, që interesat e popullit serb në Mal të Zi të përforcohen e të mbizotërojnë mbi të tjerët, gjë që mund të çojë drejt konflikteve të grupeve etnonacionale. Në vitin 2020, kur opozita e bashkuar e udhëhequr nga DF-i, fitoi zgjedhjet, krijuan Qeverinë dhe e morën fatin e shtetit në duart e tyre. Kështu, në vend që ndryshimet ideologjike të zvogëlohen, ato po thellohen gjithnjë e më shumë. Të dy opsionet ideologjike luftojnë për mbizotërim ndaj njëri tjetrit që padyshim popujt pakicë i vendos në pozitë inferiore dhe nënshtruese. Në këtë kuptim shqiptarët dhe pakicat tjera në marrëdhënie me etnonacionalistët malazezë dhe serbë ose thënë ndryshe në marrëdhënie me shtetin konsiderohen si qytetarë të rendit të dytë. Reflektimi i shqiptarëve për të qenë pjesë Qeverisë nga ky këndvështrim është pozitiv dhe sadopak e zbut ndikimin e etno-nacionalisteve malazezë e sidomos atyre serbë në lidhje me identitetin shqiptar në kuadër të shtetit të Malit të Zi. Në këto rrethana politike patriotizmi i shqiptarëve është i domosdoshëm dhe meriton vëmendje të veçantë.
Megjithatë, patriotizmi, si shumë gjëra me qëllime të mira, mund të jetë i dëmshëm kur çohet në një ekstrem, gjë që shqiptarët nuk e bënë asnjëherë. Koha është dëshmitare se shqiptarët në Mal të Zi asnjëherë nuk kanë vepruar në dëm të të tjerëve, përkundrazi kanë promovuar lirinë dhe barazinë me të gjithë të tjerët. Mendoj se shqiptarët me kërkesat e tyre për identitet kombëtar, barazi e zhvillim ekonomik nuk kanë promovuar nacionalizmin si dukuri apo shans për realizimin e qëllimeve të veta. Në këtë kuptim shqiptarët duhet të jenë patriotë sepse të reagosh dhe të protestosh për gjuhën, simbolet, për të drejtat e patjetërsueshme, për dinjitet dhe integritet, natyrisht që është një patriotizëm racional. Për sa kohë që të tjerët kanë tendenca ndaj identitetit tonë kombëtar, ndaj zhvillimit kulturor dhe ekonomik, shqiptarët nuk mund të rrinë duarkryq, duhet të reagojnë, protestojnë, kontestojnë, mjafton që mos të kemi synime shoviniste. Askush nuk mund të fshihet pas gjethes së kozmopolitizmit dhe moderizmit., apo duke u mbuluar me vellon e modernizmit. Prandaj elitat politike duhet të demonstrojnë dhe dëshmojnë patriotizëm në shërbim të interesit publik dhe kombëtar, ose të paktën të mos e deformojnë atë në funksion të interesave të tyre personale dhe financiare.