Tuz – Më 28 nëntor 2024 në Tuz, në Ditën e 112 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë u bë përurimi i shtatores së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në Sheshin e ri të qytetit, me të njëjtin emër.
Në këtë ngjarje historike dhe madhështore për Malësinë dhe kombin shqiptar, përveç shumë personaliteteve të jetës politike, të përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe qendror, të përfaqësuesve fetar, ambasadorëve të huaj në vend dhe të përfaqësuesve të shoqatave atdhetare nga diaspora, morën pjesë një numër i madh i publikut të ardhur nga të gjitha anët e trevave shqiptare në Mal të Zi, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.
Në fillim të programit u theksua se me vendosjen e përmendores së Skënderbeut, Tuzi po bëhet më i madh, Malësisë po i shtohet krenaria, ndërsa të parëve tonë lavdia.
“Ky moment është dëshmi e respektit dhe mirënjohjes që kemi për figurën e ndritur të Skënderbeut i cili me trimëri, mençuri dhe vizion udhëhoqi popullin tonë në mbrojtje të lirisë dhe identitetit”.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj si përfaqësues i institucionit që kontribuoi në përmbushjen e nismës për jetësimin e këtij projekti, në fjalën e rastit tha se vendosja e përmendores së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, është një ngjarje e jashtëzakonshme e cila do të mbetet e gdhendur në kujtesën tonë historike dhe kulturore.
“Skënderbeu na mëson se uniteti është çelësi i forcës dhe se vetëm duke punuar së bashku mund të mbrojmë identitetin, kulturën dhe të ardhmen tonë. Kjo përmendore do të qëndrojë këtu si një dëshmi e përhershme e krenarisë tonë kombëtare dhe si një udhërrëfyes për brezat që do të vijnë. Ajo do të jetë një simbol që do të na kujtojë çdo ditë se kush jemi dhe për çfarë duhet të luftojmë” u shpreh ndër të tjera Kajoshaj.
Shoqatat nga diaspora si përfaqësues të komuniteteve shqiptare në vende të ndryshe të botës janë ato të cilat siguruan fondet për të mundësuar ndërtimin edhe vendosjen e përmendores së Skënderbeut në Tuz.
Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe”- Nju Jork, Senad Lulanaj u shpreh se kjo shoqatë e ngriti zërin për herë të parë dhe bëri kërkesën zyrtare para më shumë se një dekade, Komunës Urbane të atëhershme të Tuzit dhe Ministrisë së Kulturës dhe Arsimit të Malit të Zi, për të ngritur monumentin e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në Tuz.
“Ngritja e përmendores së Skënderbeut është përmbushje e një dëshire të madhe të malësorëve të mërguar anembanë botës, për t’i bërë vendlindjes një dhuratë të çmuar dhe shumë domethënëse. Bashkëpunimi i ngushtë i shoqatave me organet e Komunës së Tuzit që treguan gatishmëri dhe përkushtim të plotë, ishte frytdhënës dhe i dhuroi Malësisë simbolin e qëndresës, shtet ndërtimit, unitetit kombëtar dhe mbrojtjes së vatanit”, theksoi në mes tjerash, Lulanaj.
Ndërkohë, mbi rëndësinë e vendosjes së përmendores në fjalë dhe mbi kontributin e çmuar që dhanë shoqatat atdhetare në realizimin e kësaj nisme, folën dhe kryetarët e shoqatës “Malësia e Madhe”- Detroit, Ndrek Gjolaj, i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj dhe ai i Shoqatës “Malësia”- Kaliforni, Sherif Krniq.
Të katër kryetarët e shoqatave në fjalë u nderuan me nga një mirënjohje nga Komuna e Tuzit.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj tha se sot, jemi dëshmitarë të një zhvillimi që pasqyron jo vetëm përpjekjet tona të përbashkëta, por edhe ëndrrat e realizuara të shumë brezave që punuan për këtë vend.
“Skënderbeu është një simbol i bashkimit, guximit dhe rezistencës kundër çdo pushtuesi. Ai na mëson si të mbrojmë vlerat, traditat. Kjo përmendore është përkujtim i përhershëm për brezat e rinj që të mos harrojnë rrënjët e tyre dhe të frymëzohen nga historia jonë e pasur”, u shpreh mes tjerash Gjelaj.
Ndërkaq, Nik Gjeloshaj, zv/ kryeministër dhe ish- kryetar i Komunës së Tuzit, tha se Malësia nga ky 28 Nëntor e në vazhdim, do të ketë një arsye më shumë për të festuar e për t’u krenuar me këtë shtatore të jashtëzakonshme “e cila nuk është thjeshtë një vepër arti, por vetë vetëdija jonë kombëtare”.
“Siç kemi bërë shumëçka tjetër, e realizuam edhe këtë, por ndryshe nga të tjerat, kjo ka një vlerë të paçmuar sepse është vetë historia dhe identiteti ynë në të cilin do të punojmë çdo ditë që ta mbajmë gjallë dhe krenar. Ky shesh, jo se nuk kishim mundësi, por për simbolikën e vetë, është financuar nga kryeqendra e shtetit amë – Tirana, ndërsa shtatorja e Skënderbeut nga diaspora jonë. Malësia ka lidhë shtetin amë, diasporën dhe i ka verifikuar fuqishëm sot se Malësia është dhe do të jetë vend ku jetojnë dhe vazhdojnë të jetojnë dhe të zhvillohen shqiptarët”, tha ndër të tjera, zv/kryeministri Gjeloshaj.
Financimi i ngritjes së përmendores së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut me vlerë prej 160 mijë eurosh, u bë nga diaspora shqiptare nga çdo cep i botës dhe nga shoqatat atdhetare në SHBA, ndërsa Sheshi “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” në të cilin është vendosur kjo përmendore, u financua nga Bashkia e Tiranës me një shumë mbi 900 mijë euro.
Përmendorja e Skënderbeut në Tuz është punuar nga dy skulptorët e njohur, Ardian Pepa dhe Dylber Neziri.
Ky solemnitet u shoqërua me disa pikë muzikore nga emrat më në zë të muzikës shqiptare.
Përmendorja e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në Tuz, është punuar nga bronzi i derdhur. Dimensionet e përmendores në kalë janë në lartësi 5.9 metër, lartësia e përgjithshme me shpatë në dorë bashkë me piedestal, arrin në 8.9 metra, ndërsa lartësia e kalit nga këmba në kokë është 4 metra dhe gjatësia, 4.8 metra.
t. u.