Fazat e ndryshme të ndërtimit dhe fortifikimit

Muret 2 500m të gjatë të Lisit antik, që pjesërisht ruhen mirë, rrethonin një sipërfaqe prej 22 ha, që përfshinte majën dhe shpatin perëndimor të një kodre që ngrihet mbi bregun e djathtë të lumit Drin. Një mur tërthor ndante zonën e portit nga pjesa tjetër e qytetit. Muri me gjerësi prej 3.5m është ndërtuar me blloqe gurësh, të prerë me kujdes në forma trapezoidale dhe poligonale, por që të dyja teknikat janë të njëkohshme

Sami Flamuri

(vijon nga numri i kaluar)
Fortifikimet e Lezhës përbëhen nga Akrolisi, i cili ngrihet mbi një kodër 400m të lartë, në lindje të qytetit të sotëm, dhe Lisi, në të cilin shtrihej dikur qyteti antik. Akrolisi ishte fillimisht një vendbanim i fortifikuar i periudhës së hershme të hekurit, ndërsa më vonë në periudhën antike shërbeu si një akropol i fortifikuar mirë i qytetit. Në anën perëndimore dhe jugore të Akrolisit ruhen ende fragmente muresh nga periudha e hershme e hekurit, të ndërtuar me blloqe gurësh të përpunuar fare pak.
Muret 2 500m të gjatë të Lisit antik, që pjesërisht ruhen mirë, rrethonin një sipërfaqe prej 22ha, që përfshinte majën dhe shpatin perëndimor të një kodre që ngrihet mbi bregun e djathtë të lumit Drin. Një mur tërthor ndante zonën e portit nga pjesa tjetër e qytetit. Muri me gjerësi prej 3.5m është ndërtuar me blloqe gurësh, të prerë me kujdes në forma trapezoidale dhe poligonale, por që të dyja teknikat janë të njëkohshme.
Kurtinat flankohen nga kulla drejtkëndëshe dhe pjesërisht nga thyerje zigzage të linjës së mureve.
Qyteti kishte një numër të madh portash, prej të cilave deri tani janë zbuluar vetëm dhjetë në qytetin e sipërm. Nga gërmimet arkeologjike, muri i qytetit daton nga fundi i shek. IV deri në fillim të shek. III p.e.s.
Në kohën e Çezarit, muret e akropolit u rindërtuan në pjesën e tyre më të madhe. Një mur i ri, i pajisur në pjesën e brendshme me kthina ushtarësh dhe depo, ndante pjesën e sipërme të qytetit nga e poshtmja. Ky mur ishte 1.80m i gjerë dhe përbëhej nga një xokol i ndërtuar me blloqe gurësh të latuar, mbi të cilin ngrihej një mur tullash të lidhura me baltë.
Me shume gjasë, në këtë kohë u rindërtuan dhe hyrjet e qytetit të poshtëm pranë portit, të cilat qëndronin përballë njëra-tjetrës dhe mbroheshin nga kulla anësore drejtkëndëshe. Në periudhën e vonë antike, ndoshta në gjysmën e dytë të shek. IV, u rindërtua kështjella e poshtme pranë lumit. Nga kjo periudhë ruhen dy kulla drejtkëndëshe, të ngritura mbi rrënojat romake, të cilat mbrojnë portën jugore të kështjellës. Muret e kështjellës në këtë periudhë rrethonin një pjesë të rëndësishme të qytetit romak, që shtrihej në terren të sheshtë. Gjatë shek. VI u riparuan muret e akropolit.
Një fragment muri në anën jugore të akropolit tregon për një brez tullash prej pesë radhësh, me stampa tipike për periudhën e Justinianit. Akropoli romak në periudhën e Justinianit duhet të ketë qenë në gjendje relativisht të mirë. Këtë e tregojnë gjurmët e pakta të kësaj periudhe, të përqendruara në një anë të vetme të akropolit, si dhe mungesa e spolieve.
Pas dyndjes së sllavëve në vitin 592, duket se muret e akropolit u rrafshuan me tokë, çka e tregon ripërdorimi masiv i blloqeve antike në fazën ndërtimore pasardhëse si dhe fakti që muri i ri ngrihet vetëm në pak radhë blloqesh antike. Nga ana tjetër, muret e mesjetës së hershme mbështeten direkt mbi muret ilire apo ato romake.
Muret më të hershme të mesjetës janë ndërtuar me blloqe antike të ripërdorur, ku fugat vertikale midis tyre mbushen me fragmente tullash ose gurësh të vendosur horizontalisht njëri mbi tjetrin, të zhytur në llaç.
Në këtë periudhë gjenden dhe fragmente muresh të pathërmuara të periudhës së Justinianit, të cilat pasi janë gjetur të rrëzuara, janë rivendosur në mur. Një fragment i kësaj periudhe i takon një pjese të një brezi tullash, që ishte vendosur vertikalisht në murin e ri.
Kësaj periudhe i takon edhe porta veriore si dhe një kullë e vogël gjysmërrethore në këtë
anë, e cila ishte rindërtuar më vonë si një kullë drejtkëndëshe.
Gjurmë të ndërtimeve mesjetare të hershme hetohen edhe në dy pirat e lyera të akropolit si dhe përgjatë murit të qytetit, që zbret poshtë shpatit të kodrës.
Kësaj periudhe i përket ndoshta edhe një mur i pajisur me pilastra drejtkëndëshe, që
e përshkon fortifikimin tërthor në rrëzë të kodrës. Ai e ndante qytetin që shtrihej mbi shpatin e kodrës, nga pjesa e tij e sheshtë pranë lumit.
Është vështirë të përcaktohet nga gjurmët e ruajtura nëse është rindërtuar në këtë kohë edhe kështjella në anë të lumit! Por, ne dimë se ajo ishte në gjendje të mirë në shek. XIV, kur ishte nën zotërimin e Dukagjinasve.
Një fazë e periudhës së mesme apo të vonë bizantine, konstatohet edhe në muret e akropolit.
Në kohën e sundimit të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, u rindërtuan muret e akropolit dhe u përmirësua sistemi mbrojtës i hyrjeve. Të kësaj kohe janë dhe disa kulla të cekëta me ballë të gjerë, karakteristike për ndërtimet mbrojtëse të këtij sulltani në Shqipëri, të cilat nuk e kalojnë lartësinë e kurtinave. Ato tregojnë edhe deri në ç’masë është ndërhyrë për rimëkëmbjen e fortifikimeve në këtë periudhë.
Sulejmani ndërtoi edhe një xhami, mbetjet e së cilës ruhen ende sot.
Faza e fundit e ndërtimeve mbrojtëse ndodhet përsëri në akropol. Është fjala për një saraj të fortifikuar të shek. XVIII, që zë një të tretën e sipërfaqes së kështjellës. Muri rrethues i sarajit përforcohet nga kulla drejtkëndëshe, brenda rrethimit gjenden themelet e banesave si dhe dy cisterna të vjetra, të mbuluara me qemer.
Udhëtimi ynë vazhdoi më pas në kërkim të tyrbes së Skënderbeut. A është maja e tyrbes (1200 metra mbi lartësinë detare) vendi ku prehen eshtrat e heroit tonë legjendar, por të pa varr, koha do të na tregojë, kurse ne si grup ia vlen të nxisim lexuesin e rastit t’i qaset udhës për këtë kala marramendëse. (Fund)

Të fundit

më të lexuarat