Biografia
Bilal Alaj ka lindur më 13.09.1950. Shkollën fillore e kreu në Katërkollë dhe ishte ndër nxënësit më të mirë të shkollës, ndërsa shkollën normale e kreu në Prishtinë në vitin 1971.
Në vitin 1972 punësohet në shkollën fillore “Bedri Elezaga”- paralelen e ndarë në Megjureç.
Deri në vitin 1978 punoi në Anë të Malit, më pas në vitin 1978 punësohet në Sekretariatin e mbrojtjes popullore, ku punon deri më 20.12.1985.Të njëjtën ditë dënohet me burgim për çështje politike. Po në të njëjtin vit vazhdon shkollimin dhe në SHLP merr diplomën e arsimtarit të ciklit klasor. Në qershor të vitit 2003 diplomoi në Universitetin e Prishtinës (Fakulteti i Mësuesisë) ku merr titullin Profesor i mësimit klasor. Deri në vitin 1992 ka qenë i papunësuar dhe po në të njëjtin vit punësohet në shkollën fillore “Marshall Tito”- Ulqin dhe punon deri në janar të vitit 2007. Në vitin 2006 emërohet drejtor i gjimnazit të parë në gjuhën shqipe në Mal të Zi, gjimnazit “Drita”. Atë detyrë e mban deri në tetor 2012.
Në vitin 2013 emërohet drejtor në qendrën ditore për fëmijë dhe të rinj me pengesa dhe vështirësi në zhvillim “Sirena” dhe qëndron në krye të institucionit deri më 1.02.2022.
Në këtë intervistë do të përqendrohemi në katër aspekte kryesore të jetës dhe kontributit të Bilall Alaj: fillimet e karrierës në paralelen e ndarë të shkollës fillore “Bedri Elezaga”në Megjureç, përfshirjes në aktivitetet jashtëshkollore po në të njëjtën shkollë si nxënës (ku hodhi hapat e parë drejt një lidhjeje të thellë me kulturën dhe edukimin), informacione rreth themelimit të gjimnazit privat “Drita,” që shënoi një moment historik për arsimin në gjuhën shqipe në Mal të Zi si edhe udhëheqjen e Qendrës ditore “Sirena”.
Koha Javore: Z. Bilal, karrierën tuaj si mësues e keni filluar në shkollën fillore “Bedri Elezaga”-në paralelen e ndarë në Megjureç. Çfarë mund të na thoni për përvojën tuaj si mësues atje?
B.Alaj: Në shkurt të vitit 1972 jam punësuar në paralelen e ndarë në Megjureç dhe kam dhënë mësim në gjuhën jo amtare por në gjuhën serbo-kroate. Kam punuar me paralele të kombinuar katërklasëshe. Shkuarja në Megjureç ishte e vështirë për shkak të largësisë dhe infrastrukturës.
Rrugët ishin të paasfaltuara dhe shpesh përballesha me kushte të vështira atmosferike, sidomos gjatë dimrit kur bora dhe shiu e bënin udhëtimin akoma më të lodhshëm. Pavarësisht këtyre sfidave, dëshira për të ndihmuar fëmijët e asaj zone që të përparonin në mësime dhe të kishin qasje në arsim cilësor ishte ajo që më motivonte çdo ditë.
Fëmijët në Megjureç, ndonëse përballeshin me vështirësi, shfaqnin një dëshirë të madhe për të mësuar. Ata ishin kuriozë dhe gjithmonë të etur për të zbuluar diçka të re. Puna me klasën e kombinuar katërklasëshe kërkonte një qasje të veçantë, pasi duhej të trajtoja moshat dhe nivelet e ndryshme të nxënësve në të njëjtën kohë. Kjo më ndihmoi të zhvilloj aftësi të reja për menaxhimin e klasës dhe për të përshtatur metodologjinë e mësimdhënies, në mënyrë që çdo nxënës të përfitonte maksimalisht, pavarësisht sfidave gjuhësore apo të mjedisit.
Komunikimi dhe ndërveprimi me këta fëmijë më dhanë shumë kënaqësi dhe shpeshherë u ndjeva si pjesë e jetës së tyre familjare. Duke kaluar kohë me ta, kuptova më shumë për kulturën dhe traditat e zonës, çka më bëri të ndjehem më i lidhur me komunitetin.
Koha Javore: Keni pasur fatin të punësoheni në shkollën ku keni qenë edhe nxënës i saj. Kam pasur rastin të shoh një foto të shkëputur nga filmi i TVP i vitit 1962 ku shiheni duke vallëzuar vallen e shotës. Cilat janë kujtimet tuaja?
B.Alaj: Në shkollën “Bedri Elezaga”, aktivitetet e lira ishin shumë të rëndësishme dhe zhvilloheshin me një kujdes të veçantë nga mësuesit tanë. Mësuesi Avdulla Dul Holli, i njohur si mësues Duli, udhëhiqte grupin e folklorit dhe ishte një model për ne jo vetëm si mësues, por edhe si udhëheqës, frymëzues dhe prind i dytë. Ai e shihte edukimin si mision dhe gjithmonë na nxiste të ndiheshim krenarë për kulturën tonë. Kujtoj me nostalgji përgatitjet për shfaqjet e valleve, të cilat për ne ishin një nder dhe një kënaqësi e madhe në të njëjtën kohë. Një nga momentet më të veçanta ishte kur vallja jonë u filmua nga TVP në një dokumentar për shkollën dhe ne si nxënës patëm një ndjenjë të thellë krenarie për trashëgiminë tonë.
Pamje nga një shfaqje e xhiruar në vitin 1962 në oborr të shkollës së vjetër nga ekipi i TVP-së. Nxënësit e atëhershëm në interpretim të valles ishin Shemsije Hoxha Seferi dhe Bilall Alaj.
Themelimi i Gjimnazit ‘Drita’ – Institucioni i parë privat në gjuhën shqipe në Mal të Zi
Koha Javore: Çfarë mund të na thoni për hapjen e gjimnazit privat “Drita”?
B.Alaj: Iniciativa për themelimin e shkollës së mesme jopublike, gjimnazin e parë në gjuhen shqipe, është iniciuar nga Fondacioni “NUR” me të ndjerin Hysein Bisha.
Kjo iniciativë shprehu në vetvete synimet dhe karakteristikat e një edukimi dhe arsimimi të mirëfilltë, vendosi në qendër personin dhe pat për qëllim rritjen e gjithanshme të të rinjve, si në aspektin njerëzor, kulturor dhe shoqëror duke e bërë kështu të aftë të kultivojë vlera për zgjedhje koherente në jetën e tij sot dhe në të ardhmen.
Themeluesi duke përcjellë dinamiken e zhvillimeve në lëmit e ndryshme të jetës vlerësoi se një formim i mirë kulturor, nuk mund të realizohet me njerëz të izoluar në vetvete, por ideja ishte t’i nxisim nxënësit të kërkojnë të shkëlqyerit e të mos kënaqen me një kulturë sipërfaqësore e të mangët. Kjo ide u bë realitet i kohës me formimin e këshillit nismëtar. Një ide e tillë është mirëpritur jo vetëm nga anëtarët e këtij këshilli por edhe nga qytetarët, duke konkluduar se një organizim i tillë shkollor është i nevojshëm edhe për shqiptarët në Mal të Zi, pasi që një organizim të tillë e mundëson Ligji i përgjithshëm për Arsim dhe Edukim. Këshilli nismëtar me përbërje Dr.Nail Draga, Sadik Pelinku, Bilal Alaj, Muhamet Nika dhe Husein Bisha, ka punuar në mënyrë intensive dhe i ka përgatitur të gjitha aktet normative dhe juridike për regjistrim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në qeverinë e Malit të Zi.
Këshilli nismëtar në mënyrë unanime vendosi që gjimnazi privat të emërohet “Drita”.
Me vendimin nr.01-253 datë 31.08.2006, te Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Qeverinë e Malit të Zi, gjimnazi privat “Drita”, regjistrohet si subjekt juridik, me numër të licencës 01-4772, datë 30.06.2006.
Selia e gjimnazit ishte në Ulqin dhe fillimisht është e vendosur në një objekt privat.
Në vitin shkollor 2006/2007 janë regjistruar 22 nxënës. Këta nxënës kanë gravituar nga Ulqini, Ana e Malit dhe Kraja. Përparësi e Gjimnazit Privat “Drita” ishte kufizimi i numrit të nxënësve në mësonjëtore, ku minimumi ishte 16 nxënës, ndërsa maksimumi 24 nxënës. Nxënësit në kuadër të pagesës mujore kanë pasur të siguruar udhëtimin, ushqimin (drekën), tekstet shkollore dhe uniformën.
Këshilli i shkollës në përbërje Dr.Nail Draga, Zana Hollaj Sarvan, Bilal Alaj, Muhamet Nika, Fejzi Hoxha, Beqir Berjashi dhe Mustafa Gorana për kryetar të Këshillit Shkollës emëroi Dr.Nail Draga, kurse me propozim të themeluesit, ky Këshill për ushtrues detyre të drejtorit më emëron mua Bilal Alaj, profesor i mësimit klasor. Në cilësinë e ushtruesit të drejtorit jam emëruar në shtator të vitit 2006 deri me 1 shkurt 2007. Këshilli i Shkollës më pas solli vendim që të emërohem drejtor i këtij institucioni. Punova si drejtor deri në vitin 2012.
Gjimnazi privat “Drita” funksionoi deri në vitin 2022 ku edhe u bë mbyllja e këtij institucioni arsimor.
Duke u bazuar në përvojat bashkëkohore të ekzistimit, fillimi i punës së gjimnazit të parë privat në gjuhën shqipe në Malin e Zi është hap përpara në arsimimin dhe edukimin e shqiptarëve në trevat e tyre në Malin e Zi. Themelimi dhe funksionimi i kësaj shkolle të mesme, drejtimi i gjimnazit të përgjithshëm, përmes cilësisë dhe konkurrencës avancoi vlerat arsimore.
Përmirësimi i Kushteve në Qendrën Ditore ‘Sirena’: Kontributi i Z. Bilal Alaj dhe mbështetja e diasporës shqiptare
Koha Javore: Z. Bilal Alaj, a mund të na tregoni më shumë rreth kontributit tuaj në përmirësimin e kushteve në Qendrën Ditore “Sirena” dhe mbështetjes që keni marrë nga bashkëvendësit tanë, si dhe donatorët e tjerë?
B.Alaj: Qendra Ditore “Sirena” është një qendër e dedikuar për fëmijët me pengesa në zhvillim dhe unë kam pasur privilegjin të kontribuoj në përmirësimin e kushteve të saj. Me ndihmën e donacioneve, kam rinovuar qendrën, duke formuar dhe pajisur kabinetet me mjete didaktike të nevojshme për nevojat e veçanta të fëmijëve. Parku i lojërave është rregulluar dhe kompletuar me rekuizita të sigurta dhe të përshtatshme për zhvillimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Falë mbështetjes nga bashkëvendësit tanë në Gjermani, përmes z. Byl Llolla, kemi siguruar një furgon special për transportin e fëmijëve. Po ashtu, bashkëvendësit tanë në Amerikë, nëpërmjet Ismet Kurtit, kanë dhuruar aparatin “Berhinger”, i cili është një mjet shumë i dobishëm për terapitë e nevojshme. Për më tepër, çdo fëmijë kishte drekë me ushqim të zier, duke siguruar kështu një kujdes të plotë për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Donatorët nga diaspora kanë qenë gjithmonë të gatshëm t’i përgjigjen çdo kërkese, duke kontribuar për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimit të fëmijëve në qendër. Ky angazhim ka ndihmuar që Qendra “Sirena” të ofrojë një mjedis mbështetës dhe stimulues për fëmijët me pengesa në zhvillim, duke u mundësuar atyre një fëmijëri më të pasur dhe mundësi të barabarta për zhvillim.
Në vend të përfundimit
Bilal Alaj përfaqëson shembull të jashtëzakonshëm të përkushtimit profesional dhe angazhimit shoqëror. Që nga fëmijëria, shquhej si një nxënës i shkëlqyer dhe kjo arritje e hershme u pasua nga një karrierë e suksesshme në arsim. Pas përfundimit të shkollimit, filloi mësimdhënien në shkollë fillore, ku ndikoi thellësisht në edukimin e brezave të rinj, duke u bërë një figurë frymëzuese për nxënësit dhe kolegët.
Karriera e tij shënoi një kthesë kur kaloi në shërbimin publik, por angazhimi i tij për të drejtat dhe vlerat shoqërore e vuri përballë sfidave të ashpra, përfshirë burgosjen për çështje politike. Megjithatë, edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë, Alaj mbeti i përkushtuar ndaj arsimimit dhe u diplomua si profesor në mësimin klasor, duke dëshmuar një shpirt të palëkundur në përparimin e vetvetes dhe komunitetit të tij.
Rikthimi i tij në arsim, fillimisht si mësues dhe më pas si drejtori i parë i një gjimnazi në gjuhën shqipe në Mal të Zi, konfirmoi angazhimin e tij për ruajtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar në vend. Në detyrën e tij si drejtor, ai luajti një rol vendimtar në zhvillimin e arsimit shqip dhe në mbështetjen e brezave të rinj në arritjen e qëllimeve të tyre.
Më vonë, drejtimi i një qendre për fëmijët dhe të rinjtë me nevoja të veçanta tregoi ndjeshmërinë dhe përkushtimin e tij të pashoq, duke siguruar që ata fëmijë të kishin mundësi të njëjta për zhvillim dhe përfshirje.
Gjatë gjithë jetës së tij, Bilal Alaj ka dëshmuar përkushtim, guxim dhe vendosmëri të rrallë për të mbështetur përparimin dhe mirëqenien e komunitetit të tij, duke lënë gjurmë të rëndësishme në fushën e arsimit dhe shërbimit publik në Mal të Zi.