Tri lojëra të bukura të fëmijërisë së gjyshërve tanë

Gjekë Gjonaj

Loja cic-mic
Kjo lojë ka qenë mjaft e përhapur dhe e preferuar në Triesh. Ajo është luajtur në dy variante.
Njëri variant luhej zakonisht me 9 ( nëntë) gurë që mund të ishin objekte të ndryshëm të një lloji si: kokrra misri, kokrra fasuleje, gurë të vegjël a diçka tjetër.
Varianti tjetër me 3 (tre gurë). Në lojë marrin pjesë dy persona dhe secili zgjedh objektet (gurët) e tij të ndryshëm nga kundërshtari.
Në rastin e parë fusha e lojës prej tre katrorëve vizatohet në një plan të rrafshët, karton, letër, dërrasë a diçka tjetër brenda njëri-tjetrit dhe të përshkuar nga një vizë diagonale dhe horizontale. Secili lojtar rreshton gurët sipas radhës, duke vendosur nga një secili radhazi (herë njëri e herë tjetri) deri tek guri i fundit i secilit. Kur njëri prej tyre bën tre gurë rresht në një vijë vertikale ose horizontale, i merr një gur kundërshtarit, ku ai dëshiron, por kurrë në pozicionin e formuar tresh nëse është formuar. Kështu vazhdon loja duke synuar të formohen tresha dhe për t’i marrë gurët kundërshtarit.
Lojën e fiton ai që ka aftësi të formojë sa më shumë dhe sa më parë tresha dhe që i merr kundërshtarit të gjithë gurët.
Në rastin e dytë vizatohet një katror dhe përshkohet nga katër vija (horizontale, vertikale dhe dy diagonale). Lojtarët sipas radhës vendosin gurët herë njëri e herë tjetri duke synuar t’i rreshtojnë tre rresht. Fiton ai që i pari e formon treshin e tij.

Loja kamkizë
Kjo lojë zbavitëse luhej në atë mënyrë që duhej të hidheshe me njërën këmbë mbi fushën e lojës. Ishte lojë për vajza si zakonisht, por jo rrallë luanin edhe djemtë e vegjël (fëmijë të moshave deri në 13-14 vjeçar).Fusha e kësaj loje vizatohej në një vend të rrafshët . Ajo mund të luhej me katër kuadrate, ose me dhjetë kuadrate. Për ta luajtur përdorej një rrasukë (rrasë guri jo e madhe dhe e rrafshët e vogël guri) që lojtarja (lojtari) e zgjidhte sipas dëshirës së saj (tij).
Loja me katër kuadrat është disi më thjeshtë se ajo me dhjetë kuadrat. Ndryshon nga loja me dhjetë kuadrat se këtu nuk mbyllen kuadratet, nuk ecet kamkizë( me njërën këmbë) nëpër kuadrat pa vozitur rrasukën, nuk pushohet në asnjërin prej kuadrateve dhe vozitja e rrasukës duhet të bëhet në krah të kundërt nga kuadrati i parë tek i katërt dhe jo e kundërta nga i katërti tek i treti, i dyti dhe i pari e për ta nxjerrë jashtë.
Kjo lojë luhej kryesisht nga vajzat, por edhe djemtë duke xhongluar me gurë të vegjël që lojtarja/i i zgjidhte sipas dëshirës së vet. Zakonisht luhej me pesë guralecë, madhësia e të cilëve ishte pak a shumë sa një kokërr ulliri.
Lojtari/ja duhet ta vozisë rrasukën nga njëri kuadrat tek tjetri duke filluar në krahun e djathtë para dhe pastaj majtas pa gabuar. Këtu fitohej loja kush mbyllte më shumë kuadrat më shumë se tjetri/a.
Kur loja luhej me dhjetë kuadrate , pesë djathtas dhe pesë majtas, lojtari /ja duhej të hidhej nga njëri kuadrat tek tjetri me njërën këmbë dhe kishte të drejtë të pushonte në kuadratin e pestë dhe të gjashtë. Lojën e fillonin me short dhe duhej nisur duke e hedhur rrasukën nga jashtë brenda kuadratit të parë. Kuadrati kishte pak a shumë madhësinë 50 cm me 50 cm ose edhe më pak. Rrasuka nuk duhej të binte në vizat kufizuese të kuadratit dhe as jashtë tij, pasi atë kohë radha do t’i kalohej lojtarit/es tjetër.
As lojtari/ja, as rrasuka , nuk duhej të pushonin apo t’i ndeshnin vizat kufizuese të ndonjë kuadrati. Ai/ajo e cila e kalonte me sukses kuadratin e parë, vazhdonte lojën duke e hedhur rrasukën në kuadratin e dytë dhe përsëri i përshkon kuadratat me një këmbë. Kështu vazhdon loja deri tek kuadrati i pestë dhe përsëri rrasuka me ndihmën e këmbës me të cilën kërcehet duhej vozitur nga kuadrati i pestë tek i katërti, pastaj tek i treti, tek i dyti e pastaj tek i pari dhe në fund të nxirrej jashtë, por pa gabuar e me shkelë vizat, ose me e lënë rrasën të bie mbi vizë, apo gabimisht me e ul këmbën e ngritur në tokë. Kur kalohen pesë kuadratat e parë, rrasa hidhet në kuadratin e gjashtë dhe pastaj kalohet nga kuadrati i pestë e në të katërtin e kështu me radhë. Kështu ndodh edhe kur shkon në kuadratin e dhjetë që do të thotë se duhej kthyer përsëri në të kundërt. Kur mbyllej një cikël, lojtari/ja kishte të drejtë të mbyllte njërin prej kuadrateve sipas dëshirës. Në kuadratin e mbyllur kishte të drejtë të pushonte, por jo ta hidhte rrasukën, as gabimisht ta kalonte aty, pasi automatikisht kuadrati hapej e nuk mund të ishte më i bllokuar. Lojtari/ja tjetër, kur kishte kuadrat të mbyllur nga lojtari/ja tjetër kundërshtare, nuk duhej të kalonte mbi atë kuadrat dhe as ta hidhte rrasën aty, por ta kapërcente pa e ndeshur, ndryshe humbte radhën e lojës. Nëse lojtari/ja e dytë arrinte ta kryente ciklin e plotë të lojës dhe kishte kuadrat të mbyllur i zhbllokonte ata kuadrat që dëshironte dhe vazhdonte lojën e në të kundërtën , kur nuk kishte kuadrat të mbyllur, mbyllte kuadratet e lojës sipas dëshirës së tij/saj duke ia lehtësuar mundësitë vetës dhe vështirësuar veprimet lojtarit/es kundërshtare.
Fitonte ai ose ajo, që kishte bërë më shumë veprime apo kishte arritur të mbyllte kuadrat më shumë se tjetri/a.

Loja me guraça (guralecë)
Kjo lojë luhej kryesisht me pesë guralecë, por nganjëherë luhej edhe me dy, ose tre guralecë. Loja me dy ose tre guralecë nuk kishte një rregull të caktuar si me pesë guralecë. Kjo lojë luhej me një dorë duke i hedhur e pritur guralecët herë njërin dhe pa pritur të parin hidhej i dyti e pastaj të tretin. Pra ishte një lloj xhonglimi.
Loja me pesë guralecë fillon kur lojtari/ja i fuste guralecët në grusht ( mollëzat e dorës) dhe zgjidhte njërin prej tyre të cilin e mbante me dy gishtat e dorës (gishtit tregues dhe gishtit të madh) ku kishte edhe katër guralecët e tjerë. Lojtari/ja duhej të hidhte një guralec në ajër, ndërsa e guralecët e tjerë në tokë dhe pastaj ta priste përsëri pa rënë në tokë guralecin e hedhur lart. Në të kundërtën loja i kalonte lojtarit/es tjetër.
Pasi kryhet kjo seancë, fillon një seancë tjetër . Lojtari/ja përsëri i hedh guralecët në tokë dhe pastaj me gishtin tregues të dorës tjetër hedhur mbi gishtin e mesit dhe gishtin e madh kaluar mbi dysheme ose fushë të rrafshët duke formuar një urë. Pas kësaj lojtari/ja hedh guralecin e zgjedhur dhe me radhë mundohet të kalojë një nga një guralecët nën urën e krijuar prej dorës tjetër. Pasi i kalon me sukses, përsëri i hedh në shesh dhe pastaj duke e shtrirë dorën e lirë me gishta hapur dhe pastaj duhej ta hidhte përsëri guralecin e zgjedhur dhe me radhë të merrte një nga një guralecët e hedhur dhe t’i vendosë në shpinën e dorës tjetër rresht përballë secilit gisht. Këtu loja mbaron duke shënuar një lojë të fituar nga lojtari/ja dhe fillon lojën tjetër.
Në këtë lojë shkathtësia dhe shpejtësia me duar ka qenë ajo që ka shpallur fituesin. Në një mënyrë akrobacioni (shkathtësia) me duar ka qenë fshehtësia e kësaj loje.

Të fundit

më të lexuarat