Ka shumë vite që në Ulqin, nga brezi në brez përcillet gojëdhëna e një legjende apo tregimi i sajuar në këtë qytet që lidhet me poetin spanjoll Miguel Servantes, i “rënë në dashuri me një vajzë ulqinake e quajtur Dolçinea”. Kësaj legjende disa janë munduar t’i japin jetë, edhe pse nuk kanë asnjë fakt për një tregim të tillë! Gjatë vizitës sime në qytetin e Barcelonës në Spanjë, papritmas më tërhoqi vëmendjen mbishkrimi i një shitoreje në qytetin e vjetër me emrin”Dulcinea”.Patjetër që më zgjojë kureshtjen, duke më lidhur me tregimin e ”Dulcinesë-ulqinake”, ku vendasit me imagjinatën e tyre e kanë e lidhur me personazhin e Servantesit, te novela Don Kishotit.
Është e kuptueshme se nganjëherë dëshira e popullit janë që për ta lartësuar vendin e tyre me tregime të tilla, në mënyrë që ta bëjnë vendin më interesant dhe të rëndësishëm për guidat turistike. Le të merremi me faktin se kush ishte në të vërtetë Dulcinea? Për të nxjerrë ndonjë fakt, u mora edhe me disa hulumtime nga autorë të huaj, por askund nuk arrita të sigurojë edhe diçka më të vogël, që të më shtynte drejt besimit të kësaj ”përralle ulqinake”. Sipas disa autorëve të huaj, se“Dulcinea del Toboso”, ishte një personazh i imagjinuar dhe i fiksuar në novelën e ”Don Kishotit të shkrimtarit Miguel De Servantes.Dulcinea dihet se ajo nuk ka ekzistuar, pra ishte një imagjinatë e autorit, por imagjinata është e njëjtë sikurse ajo tek ulqinakët, për ta bërë të gjallë këtë personazh me tregimet e tyre, që kanë sjellë me gojëdhëna deri në ditët tona,se:”Miguel Servantes është zënë rob nga piratët ulqinakë të cilin e kanë burgosur në Kështjellën e Ulqinit. Dhe nga aty Servantesi paska rënë në dashuri me një vajzë ulqinake të quajtur Dulcinea”. Sipas novelës së Don Kishotit, personazhi i cili besonte, por edhe dëshironte të kishte një zonjë ashtu siç e kërkonte koha, siç duket ajo i mungonte atij, e cila duhesh të ishte me tipare të veçanta, duhet të ishte mbretëresha dhe zonja e Don Kishotit, me një bukuri mbinjerëzore. Por se historia e Dulcinesë së imagjinuar ka një histori larg Ulqinit, se ajo ishte një fshatare nga vendi i quajtur El Toboso, nga një fshat i La Mançës. Së pari le të merremi me emrin e asaj vashe të quajtur ”Dulcinea”,që vendasit nga Ulqini e lidhin me emrin e qytetit që dikur quhej Dolcigno, nga versioni italian, duke shkëputur katër shkronjat e para të emrit (Dolce) dhe ky emër etimologjikisht nuk përputhet sipas krahasimit: ”Dulce” me Dolce”ndryshon:”Dolce”, janë dy kuptime të ndryshme, që vijnë nga fjala italiane që do të thotë “pak ngjitës”.Dolcignio ka etimologjinë e emrit nga latinishtja,”Olcinium”,emri më i vjetër, pastaj Colchinium, Ulcinium, Ulgun nga turqit, Ulcinj nga sllavët, ndërsa nga shqiptarët Ulqin. Ku sipas mendimit tim do të ishte edhe më mirë që emri Dulcignio t’i rikthehet qytetit të sotëm Ulqinit. Në shqip shkronja ”Q” është zëvendësuar gabimisht nga shkronja ”C” që në shqip do të ishte ”K”(Ul-kin) dhe jo,(Ul-qin),sepse kjo i ndërron etimologjinë emrit, duke i dhënë një domethënie tjetër, duke i humbur edhe historinë e emrit.
Andaj t’i kthehemi Dulcinesë, që vjen nga gjuha spanjolle, që do të thotë e ëmbël dhe ky emër përdoret shpesh nëpër ëmbëltore të ndryshme, sepse ka të bëjë me ëmbëlsira. Por ajo që dua të them, se është e pakuptueshme se ku bëhet lidhja e këtyre dy emrave, edhe pse duken të njëjtë? Servantesi thjesht e ka marrë këtë emër si diçka që në Spanjë është e rëndomtë. Andaj e themi përsëri se kjo ngjarje mbas shumë gjasave nuk ka ndodhur dhe se emri i ”Dulcinesë” është imagjinatë e vendasve, por kjo nuk do të thotë se nuk është një përrallë e bukur, për t’i vënë fëmijët në gjumë.
Ekziston mundësia, se tregimi ka pësuar ndryshimet e veta apo edhe tjetërsimet gjatë rrugës deri te ditët tona, ku gojëdhënat janë ngatërruar me ndonjë ngjarje tjetër, që një ngjarje të tregohet në disa vendbanime të ndryshme përafërsisht e ngjashme. Dr. Prof. Ruzhdi Ushaku, në librin e tij:” Servantesi në Ulqin”, ka cituar se: ”në traditën gojore të Ulqinit bëhet fjalë për një njeri të ditur që dikur moti kishte jetuar në Ulqin, pra për dashurinë idilike mes të ashtuquajturit Servetit me kalaleshën e bukur ulqinake. Ka mendime se gojëdhëna mbi dashurinë e Servetit me kalaleshën është një modifikim dhe adaptim i mëvonshëm i ndonjë legjende më të hershme për Servantesin e famshëm”. Por, kemi edhe autorë të tjerë që kanë shkruar për jetën e Servantesit, siç është shkrimtarja spanjolle, Maria Antonia Garces, në librin e saj,”Cervantes in Algiers,A captive’s Tale”,e cila e ka studiuar dhe ka mbledhur nga shumë autorë, duke e përshkruar në detaje për jetën e Servantesit, i cili pas kthimit në Spanjë pasi luftoi në Betejën e Lepantos dhe beteja e tjera mesdhetare kundër turqve, ushtari ”Miguel de Cervantes”u kap nga piratët barbarë, kryesisht nga komandanti Arnaut Memi, në brigjet e Katallonis me 2 shtator të vitin 1575-1580 dhe u dërgua në Algjeri. Aty Servantesi tregon jetën dhe traumat që ka kaluar në burgjet e Algjerisë, por edhe katër tentimet e tij për arratisje të pasuksesshme, derisa familja e tij paguan para për ta liruar nga burgu. Dhe në asnjë rast nuk e përmend Ulqinin, atëherë përse ne duhet ta besojmë?.
Ndërsa, sa i përket personazhit Arnaut Memi, i cili ishte një komandant i njohur i flotës Osmane në atë kohë, që kishte origjinë shqiptare, për këtë nuk ka dyshime se ky ishte ai i cili edhe zuri rob, mbase këtu lind edhe ideja imagjinare, ngase se ky kishte origjinë shqiptare” dhe së pari na e ka sjellë robin e nxënë në Ulqin dhe pastaj e ka shitur në Algjer” apo ndonjë variante tjetër, por kjo nuk thuhet nga autorët që janë marrë me historinë e jetës së Miguel Servantesit, prandaj historia krijohet nga faktet, derisa ato të mungojnë, ngjarja mbetet një përrallë e bukur për t’ju shpjeguar vizitorëve të këtij qyteti.