Në kërkim të një etnografie

Korab Kraja

Do të mund të quhej “Në kërkim të një etnografie”, sepse e tillë ishte ekspozita në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Sidoqoftë, ishte diçka që përshkruante më të saktë, konkretisht veprimtarinë fotografike të dy artistëve të mëdhenj të kulturës tonë kombëtare, prandaj edhe titulli i ekspozitës, thjesht do të quhej “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno: Rilindja në Artin Pamor Shqiptar”. Pothuajse për katër muaj dyert e muzeut tashmë më të njohur për fotografi në Shqipëri, ishin të hapura duke pritur vizitorë të shumtë që të shihnin ekspozitën e përkohshme, por edhe atë të përhershme që muzeu ofron.
Bardhë. Sfondi i bardhë i interierit të muzeut. Tregon një pastërti dhe saktësi të përkyer të hapësirës dhe kohës së pamatshme. Dhe e tillë bëhet koha brenda atij muzeu: nuk matet, nuk kalon kurrë, sepse tendenca për të vrojtuar sa shkon e bëhet e më tërheqëse.
Të zeza. Krijohet përshtypja e njollave të fotografive të varura në ambientin e bardhë. Janë si dritëhije të shfaqura në një kohë të shkuar që vijnë mugshëm me një narracion të heshtur në prapavijën e kujtesës të grimcuar me çaste të kapura në përjetësinë e një shkrepjeje.
Bardhë e zi. Janë fotografitë e Marubit. Nuk mund të jenë të tjera dhe as që mund të parafytyrohen ndryshe. Imagjinata krijuese i ngjyros vet fotografitë e tilla dhe i zhytë në shumëngjyrësinë e mekanizmit krijues të trurit. Por, edhe vënia në funksion e kësaj lloj imagjinate, është e kotë përballë monokromisë së fotografive të tilla. Sado të thekshme të jetë kontrasti në to, fotografitë e vjetra kanë një vlerë të jashtëzakonshme për të lënë mbresa dhe për t’u bërë udhëheqëse në një udhëtim kostandinian.
Janë të shumta fotografitë që shfaqen në ekspozitë. Po ashtu, të shumta janë edhe rrëfimet që mund të dalin nga ato. Nuk mungojnë fotografi të ndërtesave historike. Mund të cilësohen si fotografi arkitekturore. Dhe, kur cilësohen të tilla, zakonisht një fotografi e tillë nuk ‘kapet’, por ‘krijohet’. Është procesi që ndërtesa shfaqet me vlerat e saj arkitektonike dhe që duhet të shfaq elementet reprezentative dekoruese. Personalitete historike, simbole kombëtare, deklarata, ngjarje. Por, më të veçanta se të gjitha këto, janë fotografitë e njerëzve të zakonshëm, që filozofia krijuese e Marubit e kishte që spontanitetin e kalimtarit ta shprehte përmes artit të tij fotografik në studion e tij. Pra, personazhe të parëndësishëm, të paemër në kujtesën historike, por që do të mbesin kartolina të gjithmonshme në kulturën materiale.
Fondi i fotografive të Marubit dhe pikturave, fotografive dhe arkitekturës së Idromenos, mbetët thesar që kërkon të studiohet dhe që shfaq një larmi të jashtëzakonshme të produkteve të tyre. Antropologët, etnologët, arkitektët, fotografët e dashamirë të tjerë të artit e kulturës mund të bëjnë studime dhe interpretime të thekshme të natyrës shkencore, por edhe eseistike. Krahasimet analogjike ndërmjet fotografive të njerëzve me veshje të ndryshme mund të jenë mbase vlerat më të spikatura që fotografitë e Marubit kanë. Janë njerëz të krahinave të ndryshme që për veshje kanë rrobat e tyre të zakonshme të krahinave nga janë. E tillë është ulqinakja e përjetësuar në kartolinë nën titullin “Kujtim nga Shqypënia. Grue prei Ulxinit”. Por, e tillë është edhe kartolina tjetër në të cilën shkruhet “Krajë Albania”. Për këtë të fundit mund të gjendet një përshkrim më i hollësishëm i Marubit, i cili e konkretizon veshjen e gruas, vendin prej nga vjen dhe vendin ku fotografohet. Konkretisht, fotografi Kel Marubi e ka përshkruar kështu fotografinë: “Kostum i vjetër gruaje katundare. Kjo grua me veshje katolike nga zona e Ljarjes dhe Shestanit, Krajë fotografohet në oborr e mbështetur në një objekt interieri të studios.”
Pse është kaq e rëndësishme kjo hollësi? Sepse në kërkim të një origjine etnografike të një veshjeje konkrete, sigurisht që çdo paraqitje sa më e vjetër e kostumografisë do të ndihmonte në ndriçimin e vlerave kulturore, por edhe në dëshminë historike në kontributin shkencor. Përkojnë saktë vizatimet dhe përshkrimet e dy shekujve më parë të së njëjtës veshje në revistën “Le Monde Illustré”, por ajo çka e bën më të veçantë këtë ekspozitë sa i përket kësaj veshjeje, është zbulimi i një fotografie të re të një gruaje tjetër me të njëjtën veshje. Është në një pozicion tjetër, përballë, me njërën dorë në shokë, me sy të qeshur që hedh tej shikimin. Për dallim nga fotografia që tashmë është e njohur, ku gruaja pozon me një shprehje serioze të fytyrës, tani kjo fotografi e “zbuluar” paraqet një grua më të buzëqeshur, më të hareshme dhe del në dritë nga një arkiv i lënë në errësirë. Kjo grua me veshje nga Ljarja dhe Shestani nuk pozon vetëm, por ka përkrah një grua tjetër që i vendos dorën mbi supin e majtë të krajanes. Bashkëshoqëruesja është e veshur me një veshje tjetër, që dallon nga shqiptarja dhe i ngjason shumë asaj malazeze. Mbetet të gërmohet edhe më thellë në arkivin e Marubit, mbase do të dëshmohet një larmi edhe më e pasur e trevave tona.
Gërshetimi i ngjarjeve historike me takimin e vetjeve të mëdha si Kel Kodheli e Kolë Idromeno, ishin pika kthese të emancipimit kulturor të shqiptarëve përmes artit të tyre pamor. Si Keli, ashtu dhe Kola, njëri me “Dritëshkrojën Marubi”, e tjetri me “Dritëshkrojën Kola”, bënë hapa të mëtejmë që përmes fotografive të tyre të lënë gjurmë të pashlyeshme duke dokumentuar ngjarje të mëdha historike, personalitete politike dhe kulturore. Ndikimi i prindërve të tyre emigrant në shkollimin e këtyre dy të rinjve në Trieste dhe në Venecia, kanë bërë që të rejat e fundit nga fotografia evropiane dhe nga piktura, të kenë fatin që të shohin dritën e tyre në Shqipëri. Duke u përzier ndërmjet fotografisë, pikturës dhe arkitekturës, është shumëfishuar ridimensionimi i artit bashkëkohor i fillim shekullit të njëzet përmes teknikave dhe prurjeve të zhvilluara për teknikën e kohës. Formimi intelektual i tyre dhe profesional ka bërë që në artin pamor shqiptar të shfaqet një Rilindje Kombëtare që prek fillin e shkrepjes së momentit përmes fotografisë.
Një mijë fjalë thuhet se duhen që të përshkruhet fotografia, prandaj me një mijë fjalë po përmbyllet edhe ky shkrim.

Të fundit

më të lexuarat