Aura që fituam në kishën e Shën Prendes në Balldre ishte aq e madhe sa që edhe pse Samiu ngiste makinën ne na dukej se ajo fluturonte dhe nuk prekte tokën fare. Sapo hymë në qytetin e Lezhës, nga e majta jonë u përshëndetem me Mauzeleun e Skënderbeut dhe filluam ngjitjen me makinë drejt kalasë së Lezhës. Ndaluam në hapësirën e planifikuar për makina dhe vazhduam këmbë ngjitjen e vogël drejt Lisosit ilir. Rruga gjarpërore të jepte ndjenjën se skenat që do hasim në kala do jenë të veçanta. Sapo u afruam mureve të para menjëherë dalluam gurët ciklopik që janë karakteristikë e punimeve ilire. Muri rrethues ishte impozant dhe i tëri me gurë ciklopik të punuar me kënde e tehe me mjeshtri. Vite më parë kisha parë gjurmët e këtilla muri edhe në afërsinë e Mauzoleut të Skënderbeut andaj u tregova shokëve se kjo kala ilire ka pasur disa nivele me mure rrethuese, madje diku kisha lexuar nga disa studiues se Lissosi kishte mundësi të identifikohej me Trojën. Kjo tezë edhe pse na pëlqen, duhet pasur kujdes se si i japim informatat andaj edhe duhet punuar me shumë seriozitet jo vetëm në gërmime arkeologjike në terren por të bëjmë edhe hulumtime krahasuese nëpër literaturë të ndryshme. Ajo çka unë munda të vij në përfundim nga pamja që shtrihej nga kalaja e Lezhës ishte pajtueshmëria e mundësisë që konfiguracioni i terrenit, lumi, deti dhe prapavija e bregdetit kishin mundësi të mëdha të përputheshin me përshkrimet që bën Homeri. Por le ti kthehemi të dhënave bazike për Lissosin ose siç kam qejf unë ta quaj Lisin.
Kalaja e Lisit gjendet në një kodër me lartësi mbidetare prej 150m. Shtrihet në një hapësire prej 20ha dhe mënyra lidhjes së blloqeve gjigande të gurit në muret ciklopike dëshmojnë për periudhën kohore të themelimit që i përket shekujve V-IV p.e.re. Duke ditë këto të dhëna nuk është e vështirë që të vijmë në përfundim se Lisi në periudhën e mbretërisë së Ardiejve ka pasur një rëndësi të madhe sepse jo vetëm se është qytet bregdetar por ka edhe lidhje të mira tokësore me qytete tjera të rëndësishme në brendi të kontinentit. Lisosin për herë të parë e përmend Polibi në shek. II p.e.re. Është interesante se nga të dhënat që na jep Frano Prendi dhe Koço Zheku, në ILIRIA të viti 1972 mësojmë se kemi të bëjmë me katër stratifikime kronologjike të Lisit.
Lis I -muret rrethuese të vendbanimit prehistorik mbi majën e Shelbuemit.
Lis II – muret rrethuese të vendbanimit të dytë paraqytetar ilir mbi kodrën e kalasë.
Lis IIIa – muret rrethuese të qytetit të Lisit dhe
Lis IIIb – muret e rindërtimit të Lisist. [Prendi, Koço, 1972]
Gjtihashtu nga Prendi-Zheku me gërmimet e tyre në terren dhe në të dhënat e arkeologëve austriak Prashniker dhe Shober mësojmë se mund të dallohen dy mure rrethuese prej të cilave njëri ulet deri poshtë në breg të Drinit e që bën të dallojmë qytetin lartë dhe atë poshtëm. Skema mbrojtëse përfshin 2600m mur ku sipas një përllogaritje do të duheshin përdorur diku 80000 blloqe guri të latuar që përbëjnë ofro 100000 m3 gurë. Pra miq nga këto të dhëna do të pajtohemi se paraardhësit tanë kanë qenë shumë të avancuar në ndërtimtari dhe mjeshtëria e tyre mund të jetë e pashembullt për trevat tona.
Nga kjo që u tha më lartë mund të përfundojmë se Lisi ilir ka qenë një qytet shumë i rëndësishëm dhe i pasur madje Prendi-Zheku na tregojnë se dikur, sipas gërmimeve arkeologjike kanë arrit që të identifikojnë 17 porta hyrëse [Prendi, Koço, 1972] të qytetit e që deri sot kanë mbërrit të mbijetojnë diku 7 prej tyre. Prej këtyre portave më e madhja është “Porta e madhe” me dy kulla ku korridori hyrës është i gjatë 9,6m dhe i gjërë 4,2m [Prendi, Koço, 1972], pastaj vijnë “Porta e Gavianit”, “Porta jugperëndimore” dhe tjetra më të vogla.
Hyrjen në kala ne nuk e bëmë nga hyrja kryesore por morëm anën e djathtë sepse muret ciklopike ilire që ishin në atë anë ishin shumë mbresëlënëse. Muri 10m në të djathtë ishte i atillë siç mund të shohësh vetëm nëpër emisionet dokumentare që flasin për kulturën e inkave. Formacionet e mureve ciklopike ishin përplot me blloqe guri formash dhe dimensionesh të ndryshme. Format e çrregullta trapezoide si dhe forma poligonale e që janë forma shumë të rralla. Duke u impresionuar me muret rrethuese ciklopike e që u pajtuam që të katërt si ishin më të vegjël se muret e qytetit ilir të Daorsonit që kishim vizituar disa vite më parë arritëm te një mur i jashtëzakonshëm ku mjeshtëria ilire e ndërtimit të murit të thatë kishte arrit perfeksionin sepse me blloqe gjigande kishin arrit që të nxjerrin mur rrethues në formë të harkut që të jepte përshtypjen e një kulle gjigande. Nga kalaja deti shtrihej sikur të ishte në pëllëmbë të dorës dhe afërsia e tij me qytetin të bënte të mendosh se ndoshta pretendimet e Trojës në Lezhë edhe mund të jenë të mundshme. Largësia e sotme nga deti e që është vetëm 7km dhe përshkrimet antike të Lissosit ku autorët romak përshkruajnë portin detar dhe atë lumor na bie në përfundim se nga antikiteti e deri në mesjetë dhe ditët e sotme ky terren ka pësuar ndryshime tektonike. Lumi edhe pse sot ka dalje në det ai nuk është i lundrueshëm por duke u bazuar në autorët romak mësojmë se në portin detar të Lissosit gjatë luftës civile romake Çezari e përshkruan Lissin si një port që shfrytëzohet për furnizime ushtarake në bregdetin lindor të Adriatikut. [Andreas Ottel, 2014] Gjithashtu në Lissos në të njëjtën periudhë kohore, pra gjatë luftës civile romake janë djegur 30 anije të Mark Antonit. [Andreas Ottel, 2014] Andaj konkludojmë se në periudhën ilire Drini ka qenë i lundrueshëm në Lissus.
Kalaja e Lissosit është shumë e madhe dhe shumë mbresëlënëse. Ne që ishim në gjurmim të rrënjëve ilire dolëm të kënaqur me atë që pamë dhe gjetëm. Bëmë filmimet dhe fotografitë e duhura. Morëm në foto shumicën e gjërave që kishim ditë dhe ato që na pëlqyen por çka është më interesantja biseda me turistët e huaj ishte shumë e rëndësishme sepse u përcollëm diçka pak histori të Ulqinit të gërshetuar me atë të Lisosit. Diçka nga gjetjet interesante që bëmë ishte edhe një gurë i cili kishte mbetur si dhëmb i vetëm në mes të fushës. Unë u thashë shokëve se ky duhet të jetë “Guri i skllevërve” sepse ishte komplet identik me atë të kalasë së Ulqinit. Të gjithë duke qeshur dhe bërë hoka u pajtuan me mua dhe vendosëm që të vazhdojmë drejt pikës sonë të tretë që ndodhej jashtë mureve të kalasë së Lisosit sepse sipër tij në lartësinë 410m ndodhet maja e Shelbumit apo Akrolisi dhe mbetjet e qytetërimit parailir. Kështu nga muret ciklopike të Lissosit u nisëm në drejtim të pushtimit të pikës së tretë – Akrolisit dhe gjetjes së mundshme të një tyrbeje për të cilën lidhen disa legjenda sa të vërteta aqë edhe të pabesueshme.
(vijon në numrin e ardhëshëm)