Ishte viti 1979 kur disa dashamirës të folklorit popullor si: Zija Kraja, Gjylaver Avdiu, Faik Avdiu etj., morën iniciativën për formimin e shoqërisë kulturo-artistike “Zgjimi” me seli në Sukubinë.
Qëllimi i formimit të kësaj shoqërie ishte plotësimi i boshllëkut që mbizotëronte në Anë të Malit për kultivimin dhe ruajtjen e këngëve dhe valleve tradicionale anamalase. Shumë vajza dhe djem nga Sukubina dhe fshatrat përreth iu përgjigjën thirrjes për anëtarësim në këtë shoqëri. As vetë nismëtarët nuk dinin se nga t’ia fillonin. Pa kuadro të shkolluar, pa ambiente, pa mjete financiare, pa asnjë lloj instrumentesh, por me një dëshirë dhe entuziazëm të madh që të mos lihej në harresë kënga dhe vallja burimore anamalase. Përveç kësaj që përmenda më lart, me rënien e tërmetit më 15 prill 1979, u duk se edhe ato pak shpresa të vogla për organizimin e shoqërisë u zbehën edhe më shumë. Çdo familje përpiqej të siguronte një strehë. Për nismëtarët dhe shumë të tjerë, megjithëse pa asnjë kusht, nuk u ndal aktiviteti i tyre. Në barakën e bashkësisë lokale në Sukubinë, e cila u ndërtua pas tërmetit, filluan takimet e para të anëtarëve.
Filluan të vinin edhe të moshuar dhe të moshuara që të angazhoheshin, të cilët më vonë dhanë kontribut të çmuar duke demonstruar vallet që ata i kishin luajtur në kohën e tyre. U formua orkestra e çiftelive, grupi i valleve dhe orkestra e këngëve popullore.
Me vetë kontributin e tyre blenë instrumentet muzikore. Pas çdo ushtrimi, secili e merrte instrumentin e vet në shtëpi, pasi nuk kishte ku ta linte. Me orkestrën e çiftelive filluan të punonin Zija dhe Jonuz Bardhi nga Kraja, të cilët vinin në këmbë nga Kështenja në Sukubinë. Me orkestrën popullore ka punuar edhe i ndjeri Fiqri Hasanaga (në disa raste, sepse nuk kishim mundësi t’ia siguronim transportin).
Tashmë Sh.K.A. “Zgjimi” doli në skenë, si në Krajë, Katërkollë dhe Tuz. Në vitin 1980, në Ulqin u mbajt Festivali i Folklorit të Malit të Zi. Në garë hyri edhe Sh.K.A. “Zgjimi”. Festivali u zhvillua në kampin rinor në Plazhin e Madh. Në juri ishin Hajdar Axhemi, Dul Holli dhe një nga Podgorica – nga ministria përkatëse. Sh.K.A. “Zgjimi” shpalosi programin e vet me këngë dhe valle burimore anamalase si: kënga e shatit, kënga e draprit, kënga e djepit (ninulla), ndjellja e bletës, kënga e tepsisë, melodi me fyell dhe zumare etj. Shkëlqeu edhe orkestra e çiftelive, që kryesisht përbëhej nga vajza, si edhe orkestra e këngëve popullore anamalase dhe shkodrane.
Ambiciet dhe shpresat ishin shumë të mëdha, por ato ishin në duar të jurisë. Në fund, juria dha verdiktin e vet: Sh.K.A. “Zgjimi” mori vendin e parë dhe në vitin 1980 do të përfaqësonte Malin e Zi në Festivalin Folklorik Ballkanik që mbahej në Ohër, Maqedoni.
Ja emrat e disa prej aktivistëve në këtë foto: Shefki Draga, Fahrije Draga, Zija Bardhi, Shpend Avdiu, Zija Kraja, Agim Avdiu, Jonuz Ujkashi, Isa Zaga, Drita Avdiu, Zija Bardhi, Medi Avdiu, Miliha Avdiu, Myzjane Kraja, Zenepe Kurti-Draga, Lafe Ujkashi, Fadile Kurti, etj.
Gëzimi i shoqërisë dhe i mbarë publikut ishte i madh. Kënga dhe vallja vazhduan pothuajse deri në mëngjes. Ky sukses ishte një vlerësim i madh për ne, por edhe një obligim që për momentin nuk dinim si ta përballonim.
Menjëherë filluan përgatitjet për Festivalin e Ohrit. Tashmë, na duhej të përfaqësonim Malin e Zi, prandaj përgatitjet duhej të ishin më serioze. Aktivistët u shpërndanë për mbledhjen e veshjeve kombëtare. Arritëm të sigurojmë veshjet e Shestanit, Krajës, Malësisë (duke siguruar edhe xhubletën më të bukur në trevat e Shtojit dhe Ambullit), si dhe veshjet e Anës së Malit (veshjen e pjesës së malit dhe atë të fushës). Djemve iu siguruan veshje kombëtare. U sigurua kështu një kolorit i veshjeve kombëtare, i shtrirë në të gjithë hapësirën ku jetojnë shqiptarët.
Veshjet kombëtare, në pjesën më të madhe, i fituam si donacion nga adhuruesit, por një pjesë i blemë me të holla të mbledhura me vetëkontribut nga dashamirësit e shoqërisë.
Përgatitjet sa vinin e shtoheshin me një intensitet të madh pune. Vlen të theksohet angazhimi i gjithanshëm dhe shumë inkurajues i muzikologut Fiqri Hasanaga.
Ndërkohë, në selinë e Sh.K.A. “Zgjimi” mbërriti një ekip i Televizionit Prishtina. Për 10 ditët që qëndruan në Sukubinë, ata na ndihmuan shumë në përgatitjen e regjisë dhe skenografisë. Me këtë rast, ata incizuan një program 45 minutash me këngë dhe valle. U njoftuam se programi u shfaq në Televizionin e Prishtinës, por, me gjithë insistimet tona, nuk arritëm ta sigurojmë për arkivin e shoqërisë.
Tashmë erdhi edhe koha e Festivalit. Ministria për Kulturë e Malit të Zi na siguroi autobusin, si edhe fjetjen dhe ushqimin në Ohër. Nuk ishte e lehtë për ne si organizatorë që të trokisnim në dyert e familjeve të vajzave që ishin përgatitur për një udhëtim pesë-ditor. Komunikimi ynë me familjarët ishte shumë i sinqertë dhe dashamirës, dhe përkrahja e tyre ishte e kënaqshme.
Të gjithë pjesëmarrësit u tubuan (afro 40 vetë) me instrumente, rroba dhe me rekvizita të ndryshme (shati, drapri, koburja, gryka e pusit, etj.). U nisëm në mbrëmje dhe në Ohër mbërritëm të nesërmen pas dreke. Pas akomodimit në hotel dhe pak pushimi, dolëm nëpër rrugët e Ohrit me një kolorit të paparë të veshjeve.
Gjatë tre orëve që zgjati defileja, shpalosëm pothuajse të gjitha vallet që kishim përgatitur. Kudo hasëm në duartrokitjet e banorëve vendas shqiptarë, por edhe të tjerëve.
Në festival merrnin pjesë të gjitha shtetet ballkanike – e në këtë rast edhe Shqipëria. Nuk na lejuan që të takohemi me përfaqësuesit e Shqipërisë. Natën e tretë, në skenën e madhe verore të Ohrit, shpalosëm programin tonë artistik.
E prisnim atë moment me padurim, por në të njëjtën kohë kishim edhe emocione, dhe frika sa vinte e shtohej. Ja dolëm me sukses. Duartrokitjet e publikut dhe brohoritjet e tyre na dhanë shpërblimin e merituar. Me gjithë premtimet nga organizatori, ne kurrë nuk arritëm të sigurojmë materialin filmik.
Të nesërmen u kthyem në Ulqin. Pas gjithë kësaj pune dhe sukseseve të arritura, filluan rrjedha të tjera politike në krye të shoqërisë. Të gjitha ato vlera që i siguruam për dy vite u desh t’i linin harresës, mykut dhe shkatërrimit total. Pas këtyre dy ngjarjeve, shoqëria u shpërnda, dhe nga ai organizim i atëhershëm kanë mbetur vetëm kujtimet e bukura. (Vijon)