Dermatolog, humanist dhe pedagog që frymëzoi breza studentësh

“Profesor Dobreci ishte një pionier në fushën e dermatologjisë dhe një figurë e ndritur e mjekësisë shqiptare. Përmes studimeve të tij, përkushtimit ndaj pacientëve dhe udhëheqjes profesionale, ai ngriti standardet e kujdesit mjekësor në vend dhe përtej tij, duke shërbyer si një shembull frymëzimi për kolegët dhe brezat e rinj të mjekëve”, ka thënë ambasadorja e Republikës së Kosovës, Ariana Zherka - Hoxha

Ulqin – Shtëpia e Shëndetit – Ulqin, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi organizuan të shtunën mbrëma (26 tetor 2024) në sallën e konferencave të Hotelit “Mediteran” takimin përkujtimor me rastin e 90-vjetorit të lindjes së mjekut, profesorit, studiuesit, publicistit Prof. dr. Simë Dobreci, i ndarë nga jeta para katër vitesh.
Ambasadorja e Republikës së Kosovës, Ariana Zherka – Hoxha, ka thënë se edhe pse Prof. dr. Simë Dobreci nuk është më fizikisht me ne, trashëgimia që ka lënë vazhdon të jetojë në zemrat e të gjithë atyre që kanë pasur fatin ta njohin dhe të përfitojnë nga puna dhe përkushtimi i tij i palodhur.
“Profesor Dobreci ishte një pionier në fushën e dermatologjisë dhe një figurë e ndritur e mjekësisë shqiptare. Përmes studimeve të tij, përkushtimit ndaj pacientëve dhe udhëheqjes profesionale, ai ngriti standardet e kujdesit mjekësor në vend dhe përtej tij, duke shërbyer si një shembull frymëzimi për kolegët dhe brezat e rinj të mjekëve”, ka theksuar ajo.
Zherka – Hoxha ka thënë se si Ambasadore e Kosovës në Mal të Zi ndien krenari të veçantë që përfaqëson një vend ku vlerësohen profesionistët si profesor Dobreci, i cili ia dedikoi jetën kujdesit ndaj të tjerëve dhe përparimit të shkencës.
“Ai mbetet një shembull i ndritshëm për të gjithë ne, që na mëson përkushtimin ndaj profesionit dhe dashurinë për njerëzit”, ka thënë ajo.
Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, dr. Sadije Hollaj, ka thënë se Profesor dr. Simë Dobreci ka qenë një figurë e jashtëzakonshme për mjekësinë dhe komunitetin akademik shqiptar.
“Ai u dallua si dermatolog, humanist dhe pedagog që frymëzoi breza studentësh me përkushtimin e tij ndaj dijes dhe kujdesit për të tjerët. I lindur në Braticë të Ulqinit, profesor Sima kontribuoi thellësisht jo vetëm në Mal të Zi por edhe në Kosovë, ku dha mësim në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës dhe ndihmoi në ngritjen e standardeve mjekësore gjatë viteve të vështira”, ka theksuar ajo.
Hollaj ka thënë se profesor Sima ishte i njohur për modestinë e tij dhe aftësinë për t’i afruar pacientët e studentët me buzëqeshje e fjalë të mira, duke mishëruar humanizmin e një mjeku shembullor.
“Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në zemrat e të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin dhe të mësojnë prej tij, duke dëshmuar se ishte një ikonë jo vetëm për Ulqinin, por për gjithë shqiptarinë. Siç thoshin kudo që shkoja e përmendej emri i tij: Lum Ulqini që e ka!
Në të vërtetë, lum të gjithë ne që patëm fatin ta njohim e të mësojmë prej tij”, ka përfunduar ajo.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, ka sjellë për të pranishmit kujtime nga takimet me Prof. dr. Simë Dobrecin, ku sipas tij, ai gjithmonë ka shprehur shqetësimin lidhur me problemin e identitetit dhe shkombëtarizimit të bashkëvendësve të tij, si dhe rrezikut të asimilimit të tyre.
Ai ka thënë se prof. Dobreci edhe ka vdekur me këtë brengë.
Nika ka theksuar se përkundër moshës, Prof. dr. Simë Dobreci ka marrë pjesë rregullisht në grupet e punës dhe komisionet e KKSH-së, duke qenë gjithmonë i gatshëm për këshilla, të cilat ai nuk do t’i harrojë kurrë.
Në vështrimin e tij të titulluar “Përpjekje për skicimin e një portreti të Prof. dr. Simë Dobrecit apo Simë Dobreci siç e njoha unë”, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka potencuar se kontributi i Prof. dr. Simë Dobrecit është i shumanshëm dhe në shumë fusha të dijes, gjë që e bën të vështirë portretizimin e tij.
“Prof. dr. Simë Dobreci ishte mjek, që humanizmin dhe mirësinë i kishte të rrënjosura në shpirt, i brumosur me vlerat dhe virtytet më të mira njerëzore dhe kombëtare. Ai ishte mjek dermatolog, profesor universitar, por para së gjithash ishte njeri. Nuk mund të jesh as mjek i mirë, as profesor i mirë, as atdhetar i mirë, nëse nuk je njeri. Ai ishte profesori model, për ç’gjë më së miri mund të flasin ish-studentët e tij dhe i takon plejadës së pedagogëve atdhetarë, të cilët interesin e përgjithshëm e kishin vendosur mbi atë personal”, është shprehur ai.
Kallaba ka thënë se Simë Dobreci i dinte mirë rrënjët e veta dhe e kishte për nder të theksonte prejardhjen.
Ai ka thënë se kthimi në vendlindje pas pensionimit i Prof. dr. Simë Dobrecit përkoi me një kohë të vështirë për shqiptarët, veçmas për ata të Kosovës – luftën e viteve 1998-1999.
“Ai mund të zgjidhte të kalonte një jetë të qetë, por brenga për fatin e popullit të vet, sidomos të bashkëvendasve të tij – shestanasve, nuk e linte të qetë. Revista ‘Buzuku’, më pas ‘Gjon Buzuku’, kryeredaktor i së cilës ishte, iu tregoi shestanasve identitetin e tyre të vërtetë, gjuhën buzukiane me të cilën flisnin të parët e tyre e që për fat të mirë është ruajtur deri në ditët e sotme. Në këtë mënyrë, me shkrimet e saj kjo revistë u bë një tribunë e debateve dhe polemikave, ndërsa vetë Dobreci tribun i shpalosjes së identitetit iliro-shqiptar të shestanasve”, ka thënë ai.
Profesori Gjokë Dabaj ka thënë se vepra e Dr. Simë Gjon Dobrecit është aq e gjerë, sa nuk mund të përfshihet e trajtohet, jo brenda një shkrimi, por as në një seri shkrimesh.
Në trajtesën e tij, ai ka folur për Këngët e Shestanit të botuara në revistën “Buzuku” nga Prof. dr. Simë Dobreci, duke marrë në shqyrtim 80 këngë të botuara në 35 numra të kësaj reviste, që Dabaj i ka cilësuar “një thesar folklorik të Shestanit”.
Ai ka thënë se Dr. Simë Dobreci është një personalitet i shquar i kombit shqiptar.
“Brezi që vjen pas nesh, mjafton të ndjekë rrugën e Simë Dobrecit dhe e ka kryer detyrën ndaj vetes dhe ndaj atdheut”, ka konkluduar Dabaj.
Në takimin përkujtimor janë lexuar edhe fjalët përshëndetëse të Prof. dr. Isuf Dedushajt dhe profesorit Emil Lafe, poetët Ibrahim Berjashi, Ali Gjeçbritaj dhe Hajredin Kovaçi kanë lexuar vargje kushtuar dr. Simë Dobrecit, ndërsa vlerësime për jetën dhe veprën e tij ka dhënë edhe Dr. Zylfije Duraku.
Në fund të takimit, në emër të familjes të pranishmëve iu është drejtuar Zana Dobreci, mbesa e Prof. dr. Simë Dobrecit, e cila ka falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit.
“Gjysh i dashur, ne si nipa dhe mbesa tuaja jemi shumë krenarë që jemi pasardhësit e doktorit të parë shqiptar në Mal të Zi. Edhe pse fizikisht nuk je në mesin tonë, në mendjen dhe në zemrën tonë do të jesh përgjithmonë”, ka thënë ajo.
Simë (Gjon) Dobreci u lind më 27 mars 1934 në fshatin Braticë të Komunës së Ulqinit, ndërsa ka vdekur më 16 qershor 2020. Ka punuar mjek në Tivar, Ulqin dhe Prishtinë, dhe ka qenë profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Është autor i librave “Dermatologjia”, “Sëmundjet e lëkurës”, “Dermatomikozat & sëmundjet tjera të lëkurës”, “Krijime popullore shestanase” dhe “Përmbledhje vlerash njerëzore”. Ka botuar mbi 25 punime shkencore në revista profesionale dhe ka qenë kryeredaktor i “Praxis Medica”, revistës profesionale-shkencore të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. Pas pensionimit në vitin 1999, u kthye në vendlindje ku për vite të tëra ka redaktuar revistën kulturore “Buzuku” (Gjon Buzuku). Po ashtu ka dhënë një kontribut të madh në organizimin e veprimtarive të ndryshme kulturore dhe shkencore.
Për veprimtarinë e tij Prof. dr. Simë Dobreci është vlerësuar dhe dekoruar me shumë çmime dhe tituj, si me “Medaljen Presidenciale të Meritave” nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga (2016) dhe dekoratën “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani (2017). Është laureat i Çmimit Tradicional të “Art Club”-it, në vitin 2012, për arritje të jashtëzakonshme në art, kulturë dhe shkencë. Komuna e Ulqinit i ka ndarë titullin titullin “Mirënjohja e Qytetit” (2014) dhe “Qytetar Nderi i Ulqinit” (2023). Ka qenë po ashtu edhe Ambasador i Paqes.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat