“Nostradamusët” e Ulqinit

Silver Korda

Në Ulqin kanë jetuar gjatë shekujve të kaluar shumë njerëz “të çuditshëm”. Kështu të quajtur, titulluar dhe karakterizuar populli nga mosdija, injoranca, mosinteresimi për ti njohur më mirë ata, për t’i analizuar sjelljet dhe veprimet e tyre, shkaku të cilave edhe i kanë titulluar me epitetet të ndryshme të gabuara dhe paragjykuese.
Një nga këta persona “të çuditshëm” ka qenë edhe Ramo “THESI”, Dabi, (Daboviq); më vonë fisi i tij e ndërroi mbiemrin në Laka, (Lakoviq), të cilin e pata njohur dhe përjetuar si fëmijë. Gjatë viteve 1980 deri më 11.10.2024 Ramo “THESI” ka qenë “i fshirë” nga truri dhe kujtesa ime. Këtë datë dhe ditë u takuam me Selver Vukoviq, kameraman dhe korrespondent, gazetar i Televizionit të Malit Zi. Më pyeti a kam dëgjuar ndonjëherë për emrin Ramo “THESI”? Jo vetën që kishe dëgjuar, por e kam “njohur” dhe e kam parë shpesh personalisht në rrugët e Ulqinit, kur isha fëmijë 6-9 vjeçar. Në këtë moment e kuptova se pas katër dekadash “e ringjalla” Ramon në kujtimin tim, pa ditur se çfarë ishte shkaku dhe qëllimi i kësaj pyetjeje e Selverit.
Një Ulqinak që jeton në Amerikë, momentalisht në Ulqin, kishte parë një ëndërr tri herë gjatë dy vitesh të fundit, ku rahmetli Ramo “THESI” kërkonte nga ai të ia ndërtonte varrin. Pasi që Selveri dhe ulqinaku amerikan janë njoftuar para disa vitesh ne Qabe, ulqinaku iu lut Selver Vukoviq ta ndihmojë të ia gjenin varrin e Ramos, për ta kryer këtë amanet që ia “obligoi” Ramoja në gjumë. Selveri me të kishin shkuar në Krythë dhe kanë kontaktuar një grua që ishte e martuar me një pasardhës të fisit Laka (Lakoviq), burri i së cilës kishte vdekur në vitin 2016. Por shkaku i mungesës së metodave hulumtuese të këtyre dyve, nuk patën rezultate konkrete. Kjo ishte arsyeja që Selveri m’u lut që ta ndihmoja në këtë rast. Një ditë shkuam me ulqinakun amerikan dhe Selverin përsëri në fshat Krytha dhe në shtëpinë e asaj gruas që e kishin kontaktuar disa javë më parë dhe unë e mora rolin e udhëheqësit të “ekspeditës”.
Kjo zonja e shtëpisë në pyetjet e mia dha përgjigje pohuese, e ceku se Ramon të gjithë e quanin “Thesi”, na drejtoi dhe shoqëroi deri të një zabel rreth 500 metra nga shtëpia saj, gjetëm varrin e Ramo Dabit të ndërtuar qysh në vitet e shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, me edhe katër varreze tjera familjare, të rrethuara dhe të pastruara nga një familje e cila kujdesej për këto varreza. Pas vdekjes së tij pjesëtarët e fisit të tij e ndërruan mbiemrin në Laka (Lakoviq). Shkaku i ndërrimit të mbiemrit ka një histori të gjatë dhe koklavitur…
Pasi që e kishte varrin të ndërtuar, të pastruar, në tokë familjare, nën kujdes të një familjeje nga aty, pse u lajmërua në ëndrrën e ulqinakut me një amanet (kërkesë) të tillë? Edhe këtë dilemë e kam zgjidhur, interpretuar dhe plotësimin e amanetit ia kam propozuar ulqinakut: Ramoja me kërkesën e tij në ëndërr nuk e ka pasur për qëllim varrin e vet, por për këtë grua e cila ka një djalë 18 vjeçar, shumë të kufizuar, të sëmurë, të palëvizshëm dhe të paaftë për jetë të pavarur. Pra, Ramo “Thesi” ka apeluar në ndërgjegjen humane të ulqinakut nga Amerika, që është i pasur, njëri me pesë vakte namaz, që bën vepra humane, ndan zekat, ndihmon ku duhet dhe ku ndihmat janë të domosdoshme. Shpirti i Ramos edhe nga ajo botë e ka ditur se kush mund të ia plotësojë amanetin e tij human. Pra, kësi aftësie Zoti nuk ia ka falur çdokujt dhe kjo veçori, veçanti, aftësi mentale, shpirtërore, këto sjellje të “çuditshme”, veprime “jonormale” të “Nostradamusëve” të Ulqinit, kanë ngjallur kuriozitet, habi, paragjykime dhe sjellje shpesh johumane te bashkëqytetarëve ndaj “gjenive të heshtur” me aftësi mbinjerëzore.
Edhe mos të ndodhte ky episod, rasti i ëndrrës së ulqinakut nga Amerika, Ramo “Thesi” do të ishte tema e fokusimit tim për temën e “Nostradamusve” të Ulqinit. Ka edhe anekdota tjera të vërteta të cilat vërtetonin bindshëm që Ramoja ka pasur aftësi shpirtërore, aftësi ekstra shqisore të qelizave supravibrative, parapsikologjike, dhuratë të Perëndisë për t’i “skenuar” mendimet e njerëzve çfarë mendonin pa e folur ata as një germë më zë.
Më 20.10.2024, një javë pas “ekspeditës”, e takova ulqinakun amerikan dhe e pyeta “a e ka çuar amanetin në vend”? Jo vetën që i kishte dhuruar nënës së djalit të hendikepuar një shumë solide të hollash, por edhe kishte dhënë donacion po ashtu një shumë parash për një xhami. Si “e diti” Ramo “Thesi” se ky njeri (ulqinak nga Amerika”) ishte i gatshëm për realizimin e amanetit të tij, nga Ahireti (ajo botë)? Kjo pyetje është thelbi i këtij tregimi, pasi që nuk ishte vetëm Ramo Dabi, Laka -”Thesi”, i vetmi “Nostradamus” i Ulqinit, por ka pasur disa persona të tillë gjatë shekujve të fundit, mendjemprehtë, paraparës, parashikues ngjarjesh, por edhe fenomenesh natyrore. Por, të shkojmë me radhë.

Kush ishte Ramo “THESI”?
Ramo Laka, Dabi, të cilin mbarë populli i Ulqinit dhe fshatrave përreth, e njihte si Ramo “THESI”, u lind në vitin 1883 në Krythë, vdiq në vitin 1962, (kur unë isha 9 vjeçar). Ishte specifik, i veçantë e i “çuditshëm” nga shumë aspekte, pasi që ishte i veshur shumë thjesht (“si fukara”), me flokë të gjata, mjekër, këpucë të arnuara, në krah mbante një strajcë/thes, si ato për tagji bagëtish, por sot në botën “moderne” strajca/thesi është “aksesori” luksoz i mbarë rinisë dhe të moshuarve në shtetet perëndimore. Pra, Ramo “Thesi” ka qenë decenie më parë më modern se këta sot.
Ka jetuar në Ullishtë buzë Malit të Bardhë në një shpellë. Shkaku i thesit/strajcës ia ngjitën hafiqin “thesi”! Ramoja ishte i qetë, nuk lypte as nuk shqetësonte kënd, bile nuk e kam dëgjuar kurrë zërin e tij, pasi që ai ka qenë i fokusuar në botën e tij të lidhshmërisë së shpirtit me natyrë dhe harmonisë që rrjedhtë nga ajo sintezë. Ka qenë vital, dhe i shëndoshë që më së miri tregonin disa anekdota që tingëllonin pak edhe surreale. Një ditë u nis në moment të caktuar autobusi i linjës Ulqin-Tivar, nga stacioni i atëhershëm te tyrbja e Manve dhe Ramoja u nis në këmbë njëkohësisht në drejtim të Ullishtës së tij, ku supozohet se ka vazhduar mbi rrugët e Mavrianit mbi Valdanos e në drejtim Tivarit dhe arriti gati njëkohësisht me autobusin e përmendur në Tivar. Këtë fakt e kanë dëshmuar njerëzit që atë ditë udhëtuan për Tivar dhe e kishin parë Ramon që ishte në stacion autobusësh të Ulqinit, deri në momentin kur u nis autobusi tyre. Po ashtu të njëjtit udhëtarë u befasuan kur e panë në stacion të Tivarit kur arritën atje.
Ramoja nuk ka qenë lyps, por ka jetuar me punën e vet dhe me atë çka i kanë dhënë dikush, sipas dëshirës së vet, nëse ai donte ta pranojë atë. Ai nuk ka punuar për askënd punë fizike. Ishte marrë me prodhimin e eshkës (shkrepës) si lëndë e nevojshme për farkëtarë. Me eshkë është kryer procesi i ngjitjes së metalit, pasi në atë kohë nuk ka ekzistuar, ose ka qenë shumë i rrallë, aparati për saldim të metalit. Ramoja, kurdo që ka dalë në pazar të Ulqinit e çonte një thes pas krahu, të mbushur me eshkë, për furnizimin e farkëtarëve me këtë lëndë të nevojshme për punën e tyre.
Sidomos është interesant takimi i “dimensionit të tretë” para 70, 75 vjetësh në mes të Ramos dhe “Nostradamusit” tjetër të Ulqinit, Mahmut-Nuto Cungu në Ullishtë nën Mal të Bardhë, ku Ramoja ka pasur “bazën” e tij në shpellën natyrore. Këtë ngjarje e ka biseduar vetë Nuto Cungu, pas vdekjes së Ramos, në një dyqan ku ka punuar me shumë këpucëtarë tjerë.

(Vijon)

Të fundit

më të lexuarat