Nga përditshmëria jonë, mund të konstatohen ngjarje dhe kundërngjarje që mund të përmblidhen në disa rreshta. Çudia e përditshmërisë tonë është aq kreative, saqë mund të bëhet frymëzim i shumë krijimtarive. Aq janë të shumta ndodhitë në një vend pa ndodhi, saqë rezultati është mbresëlënës. Dhe, aq mbresëlënëse janë ngjarjet, saqë kërkohet medoemos një shpjegim për to. Si për shembull një fjalor i përditshmërisë, i cili mund të jetë, si vijon:
Besa – Kur dikujt i tregon diçka, që dikujt tjetër iu kishte dukur e pabesueshme. Dhe, kur dikush ta jep fjalën, pra besën që do ta mbajë fjalën, aq sa e mban sita ujin. Kur dikush është aq i besueshëm dhe siguria e tij varet deri në gardhin tjetër. Besa e dikujt është aq e fortë, sa është e dobishme edhe shosha për nxënien e diellit. Virtyt që gjendet vetëm te ne shqiptarët, por që kohët e fundit po na duket e panjohur.
Budallallëku – Kur pretendon se ka njëmijë e një punë, e nuk di t’i numërojë as dy. Kur prej pakësisë, me anë të iluzioneve mendore, bën shumësinë. Kur nuk di çka i bie mirë për vete. Kur ecë me kokë përpjetë, e numëron yjet. Kur pështynë përpjetë, e i kthehet fytyrës. Nuk lëshon pe lehtë. Kur mendon se kokën e ka më të fortë se muri dhe kur murin nuk e thyen, mendon që faj i ka tjetri. Si dhe, kur i hyn vetja në qejf. Në qejf shumë bile!
Dyfytyrësia – Kur nga një, si me magji i bën dy fytyra. Nga dy, kalon në tri, katër e më shumë. Quhet edhe shumëfytyrësh apo fytyrëshumë. Ai që për përfitime të veta, lavdëron ose shanë fytyrat e të tjerëve, e vet bëhet i shpërfytyruar. Nga i shumëfytyrshëm, në fund bëhet i pafytyrë. Përpos dy fytyrave të tij të njohura, njeriu dyfytyrësh ha me dy lugë. Lufton në dy taborë dhe qëndron i ulur në mes të dy karrigeve. Është thënë, se kush qëndron në mes tyre, bie poshtë. E, dikush, jo që qëndron në mes të dyjave, por karriget i ka të vendosura njërën përmbi tjetrën.
Euforik – Ai që është entuziast për diçka sot, e nesër entuziazmin nuk do ta ketë. Ai, të cilit i ndizet sot fitili, e nesër i mbet ndezur pavetëdijshëm. Ndodh që muhabetin e mbrëmjes e vazhdon të nesërmen. Qasje e përkthyer me vullnet të pandalshëm sot, që nesër tregohet i pashpresë.
Facebook – Zhdërvjelltësia më e madhe e mendjeve njerëzore. Akademia e futkotizmave. Lufta e panumërt ndërmjet familjarëve, miqve dhe mëhallëve, që pesha e fjalëve të tyre vë në siklet edhe vendimet për ndezjen e një lufte botërore. Shumë faqe Facebooku janë kthyer në fushëbeteja mediokritetesh. Mejdani i tyre zgjatë aq sa është parashikuar të zgjatë edhe çudia: tre ditë. Shkrimtari i madh Umberto Eko ka thënë: Mediat sociale u japin legjioneve idiotë të drejtën të flasin kur dikur flisnin vetëm në një lokal pas një gote verë, pa dëmtuar komunitetin… por tani ata kanë të njëjtën të drejtë të flasin si një fitues i çmimit Nobel. Është pushtimi i idiotëve”.
Fshehtësia – Veprimet sipas kuptimit të fjalëve a fjalive: fshihet – bën sikur nuk di, bën sikur nuk të sheh, bën atë çka ti s’e pret, hedh gurin e fsheh dorën, lëshon fjalën e mbyll gojën; shtiret i mirë apo i keq, qesh kur nuk i qeshet, nuk qesh kur i qeshet; në mëngjes shan, në mbrëmje kthehet edhe kundër vetes; e beson gënjeshtrën në fund të pazarit, të cilën e ka thënë në fillim të tij; e bën veten budalla pa qenë i tillë ose me të vërtetë i ka humbur busulla!
Gjeli për flokë – Ndikimi i tij është që flokët të shkëlqejnë edhe pa procesin fizik të dritës. Zakonisht flokët e lyera me gjel flokësh shkëlqejnë si sytë prej lakmisë. Sidomos prej lakmisë politike.
I hidhëruar – Veprimi kur dikush hidhërohet për një veprim që tjetri i bën keq duke kujtuar që po i bën mirë. Zakonisht shprehet me ngritjen e turinjve, apo siç u thonë, turiçkave. Fjala e mirë për dikë, shpesh konsiderohet si fyerje. Kur i thua “shëndet”, në tru i procesohet si “të plaçin sytë”!
Interesxhi – Kur dikush të ulet, përkulet, dridhet, përdridhet, të sillet rrotull me qëllim që t’ia arrijë qëllimit që ka. Kur ka halle zakonisht të njeh, kur nuk ka ik prej teje si prej gjarprit. Kur kapërcen lumin, pastaj shanë kalin. Kur të ka larg të shanë pas shpine, kur të ka afër t’i rrahë krahët. Shumë e thjeshtë, sot je, nesër nuk je!
Mençuria – Zakonisht e bën njeriun të bukur edhe pa qenë i tillë. Ka që merren me punë të hallkut, ka që merren me punë të veta. I mençuri merret me të gjitha nga pak për hesape të veta. Po ashtu, i lëshon rrugën tjetrit.
Mendjelehtë – Ai që mendon se ka zgjidhje për çdo problem. Atij që i fluturon mendja sa andej, sa këndej. Zakonisht thuhet se e ndërron mendjen shpesh, shumë shpesh, aq shpesh sa që nuk arrin as mendimin paraprak ta përmbyll. Mendjen e ndërron më shpesh se çorapët. Thuhet se mendja i fluturon nga të fryj era, por edhe që era ia merr mendtë lehtë.
Mendjemadh – Atij që nuk i zë koka mendtë. Atij që iu kanë ndryshkur dhëmbëzoret e mendve, duke kujtuar që nuk ka nevojë t’i vërë në punë. Zakonisht vetja i duket që po fluturon, tjerët i duken buburreca. Dhe, sidomos, ai që i di të gjitha. Është e kundërta e kallirit, sa më shumë që ka, koka i rri përpjetë. Mendjemadhësia e tij është e drejtpeshuar me mendjelehtësinë. Shih “mendjelehtë”.
Mirënjohja – Zakonisht po i dhurohet atij që nuk kontribuon. Ndërsa, kontribuuesi i vërtetë shpërblehet me një koment të bukur në Facebook.
Mosrespektim – Kur ia qet tjetrit të zezat në shesh, që deri para pak kohe nuk ia ke parë, apo të janë dukur me marifet! Derisa dikur ke dhuruar gjithçka, ndërsa tani nuk e prish as tymin e duhanit për të. Aq respekt të madh gëzon për dikë, saqë para se t’i përmendet emri, thua: me nder me thënë!
Pabesia – Kur para pak kohe ke thënë se për të e kishe vënë dorën në zjarr! Veprimi i dikujt që pabesia e tij të duket e pabesueshme, ndërsa pabesueshmëria në të, vetëm sa vjen e shtohet. Shtohet si veturat, tymi, gazrat, mjegulla e gjobat për parkingje në qytetin tonë. Qeni thuhet se është besnik, por thuhet edhe se qenit mos i zërë besë. Qeni thuhet se është mik i mirë, por kur e kap tërbimi ai nuk të njeh. Shokë me çdokënd, por besë askujt.
Pijaneci – Mendjekthejlltësia e tij është në proporcion të drejtë me gjendjen emocionale të tij. Arsyeshmëria e tij është në proporcion të zhdrejtë me logjikën e thjeshtë. Njeriu në gjendje të dehur është i gatshëm të bëjë zbulime shkencore, por më i rrezikshëm është kur të njëjtin vrull e ka edhe kur nuk është i dehur. Numri i preferuar supozohet të jetë tetëshi, që përpos tetësheve në rrugë gjatë ecjeve, tetëshja i kthehet në simbolin e infinitit për pije.
Punëtori – Kur fitimin e arsyeton me djersën e kulluar nga balli. Kur dhimbja e shpinës nga ulja në karrige mban peshën e drurëve të ngarkuar mbi të. Sot punëtor është ai që lodhet pak dhe fitimin e ka të madh. Sot punët e sotme zhvendosen lehtë për të nesërmen. Sot punët bëhen në kafeteri, ndërsa zbatimi i tyre me një telefonatë.
Qesharak – Ai që të bën të qeshësh kur duhet dhe kur s’duhet. Apo ai që e bën veten “gaz” para tjerëve. Dhe, ai që mendon se të shet rrena, kur ti vetëm e di të vërtetën. Fjala e atij që qesh shumë, nuk i bën të tjerët të qeshin. Ky të qeshurën e ka në mendime, të përqeshurën të pjekur në tru.
Qyteti – Arkitektura e tij zhvillohet në atë mënyrë, saqë ndërtimet zënë edhe pamjen e vet qytetit. Përkufizohet si vend i pluhurit dhe vend i zhurmës. Shembuj të qytetit: historik, kulturor, turistik, i zhvilluar, i prapambetur, fushor, kodrinor, rrëzëmalor, malor, bregdetar dhe bregdetar pa të drejta në det. Ka qytete të gjalla dhe ka qytete të vdekura. Por, ka edhe qytete të tilla që janë të vdekura në mes të gjallëve.
Respekti – Kur thua se dikush tjetër vlen më shumë se ti. Apo kur për hatër e bën veten të pavlefshëm. Si dhe, kur je në gjendje që t’i vësh punët e tjetrit më përpara tujave. Kur është mirë tjetri, jam mirë edhe unë.
Shkrimtari – Njeriu që mendjen e ka te shkrimi. Njeriu që shkrimin e ka për të vepruar. Ngjarjen e zakonshme zakonisht ka aftësi ta kthejë në një rrëfim të jashtëzakonshëm. Ka shkrimtar të mirë, siç është Stefan Cvajg, por ka edhe shkrimtar jo edhe aq të mirë, siç është “plagjiatori i kamotshëm”. Thuhet, për shkrimtarin e mirë, se armë ka penën. Dhe, se pena e tij është më e fortë se plumbi.