Dy çmime për ansamblin nga Ulqini

Çmimi i Parë i Festivalit i është ndarë SHKA “Olcinium”, ndërsa Çmimi i këngëtares më të mirë të Festivalit Gjylie Pelingu – Hoxhës

Ansambli nga Ulqini, i përbërë nga valltarët e Shoqërisë Kulturore-Artistike “Olcinium”, instrumentistët e grupit “Acoustic Band”, solistët Nexhat Kaleziqi, Ismet Aloshi, Gjylie Pelingu – Hoxha dhe Eliza Markiq, nën koreografinë e Musa Hoxhës dhe udhëheqjen artistike të Munib Abazit kanë korrur sukses në edicionin e katërt të Festivalit “Balkan Fest”, që gjatë fundjavës (18-19 tetor 2024) është mbajtur në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.
Ata kanë fituar dy çmime të rëndësishme që janë ndarë nga juria profesionale e këtij festivali, e përbërë nga koreografi Emin Gaxha, anëtari i grupit “Korona”, prof. Arben Asllanaj, dhe anëtari i Filharmonisë së Kosovës, prof. Sokol Latifi. Çmimi i Parë i Festivalit i është ndarë SHKA “Olcinium”, ndërsa Çmimi i këngëtares më të mirë të Festivalit Gjylie Pelingu – Hoxhës.
Drejtuesit e SHKA “Olcinium”, Sabri Lamoja dhe Driton Bajrami shprehen të kënaqur me fitimin e këtij çmimi duke thënë se ai është një ndër çmimet më prestigjoze që kanë fituar deri tani në festivalet e ndryshme.
“Shpresoj që ky çmim do të na motivojë për të punuar edhe më tepër në të ardhmen”, thonë ata.
Ndërkaq sopranoja Gjylie Pelingu – Hoxha thotë se Çmimi i këngëtares më të mirë të festivalit patjetër që ka vlerë dhe është vërtetim për punën dhe përkushtimin ndaj instrumentit, vokalit.
“Është vërtetim që puna gjithmonë, herët apo vonë, vlerësohet”, thekson ajo.
Për çmimin e parë të festivalit, këngëtarja thotë se i takon gjithë grupit.
“Çdonjëri nga ne e ka bërë punën me shumë dashuri dhe përkushtim, gjë që vërteton se muzikën tradicionale jemi duke e ruajtur me vlerat e veta që i ka, ashtu siç është, dhe duke e prezantuar në mënyrën më të mirë që mundemi”, shprehet Pelingu – Hoxha.
Festivali “Balkan Fest” organizohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” nga Kumanova dhe në të kanë marrë pjesë shoqëri kulturore-artistike nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Turqia.
Sipas organizatorit, qëllimi i këtij festivali është të përcjellë vlerat më të bukura e të larmishme të trashëgimisë shpirtërore, etnomuzikore, etnografike, si dhe të prezantojë kostumet e mrekullueshme popullore nga të gjitha zonat e trevat e Ballkanit. Ai synon të promovojë kulturën dhe traditat ballkanike përmes muzikës, vallëzimit dhe artit, duke qenë një ngjarje e rëndësishme kulturore për ruajtjen dhe promovimin mbarëkombëtar të trashëgimisë jomateriale.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat