Aloise Mocinengo, proveditor i përgjithshëm për Dalmacinë dhe Shqipërinë, hidhte sërish idenë e një ekspedite të re për marrjen e Ulqinit. Më 15 korrik 1718, duke përsëritur gati fjalë për fjalë paraardhësin e tij të vitit 1696, Daniele Dolfin, ai deklaronte se “përpjekjet kryesore të Republikës duhet të drejtohen kundër Ulqinit, kësaj çerdheje keqbërësish që nuk po i lë të qeta këto ujëra që dëmton tregtinë dhe asgjëson lirinë e lundrimit”.
Proveditori i jashtëzakonshëm i Dalmacisë, Zorzi Balbi, pohon: ”Nuk vlen ta pushtosh një vend kur nuk je në gjendje ta mbash” (non è bastante un solo acquisto per la difficiltà di conservario).
Por më në fund u vendos që në krye të ekspeditës të vendoset një strateg i shquar i kohës, me famën e tij në vitet e Luftës së Dytë të Moresë (1714-1718), kur ai mbrojti Korfuzin venecian nga sulmet osmane, mareshali Johann Matthias von Schulenburg.
Ai mendonte se opsioni më i mirë ishte pushtimi i Tivarit. Qyteti kufizohej me zotërimet veneciane të Budvës e Kotorrit dhe njëherësh me popullsi “mike” të venecianëve. Suksesi në këtë krah ishte i sigurt dhe hapte rrugën për të tentuar më vonë edhe marrjen e Ulqinit.
Beteja për Ulqinin e vitit 1718, përveçse nga dokumentet e Arkivit të Venedikut, ndriçohet në aspektin e thjeshtë ushtarak të saj nga një ditar lufte i panjohur, që ruhet në Bibliotekën Querini Stampalia në Venecie (Diario del disbarco et assedio di Dolcigno), që i përket një drejtuesi ushtarak të ekspeditës.
Më 23 korrik 1718, trupat venedikase u nisën me anije nga Castel Nuovo (Herceg Novi sot) drejt Ulqinit e ditën e nesërme zbarkuan në gjirin e Gjeranave. Flota venedikase, që u nis për Ulqin, sipas raportit të Schulenburgut përbëhej nga 200 mjete tē mëdha dhe të vogla lundruese. Njësia me një total prej 11 000 persona, me siguri përfshinte edhe ekuipazhin e anijeve. Kjo sigurisht ia tejkalonte për nga numri ushtrisë që e rrethoi Tivarin një vit më parë (16-22 tetor 1717), e cila dështoi pasi forcat ishin tejet të vogla dhe për shkak të ardhjes në ndihmë të pashait shkodran.
Ndërkohë, reparte të avancuara turke i ishin afruar teatrit të veprimeve dhe tentuan një sulm, që u përballua me sukses nga forcat veneciane. Ditën e premte, më 29 korrik 1718, artileria e përbërë nga katër topa 50-sh, katër mortaja 500-ëshe dhe disa topa 20-ësh filluan bombardimin e rëndë të qytetit.
Siç detyrohet të pranojë autori i përshkrimit, “rezultati ishte i dobët edhe për vetë faktin se artileria jonë shqetësohej nga mortajat 200-ëshe të të rrethuarve”.
Gjithsesi, zmbrapsja e sulmit armik dhe shembja me artileri e një segmenti të vogël muri derisa bombardimi kishte mbjellë shkatërrim e tmerr brenda qytetit, u dha venecianëve zemër e kurajo për një dorëzim të ulqinakëve. Por pikërisht në orën 7 të mbrëmjes së asaj dite, mbërriti me postë të posaçme nga Venecia urdhri i Senatit për pushimin e luftimeve dhe tërheqjen e forcave në respekt të paqes mes fuqive ndërluftuese. U vendos një armëpushim tetë ditor në pritje që edhe atij t’i vinte urdhri i Sulltanit për ndërprerjen e luftimeve. Ndërkohë, venecianët filluan ta tërheqin artilerinë e ta ngarkojnë atë dhe materialet e tjera luftarake mbi anije. Por mëngjesin e 3 gushtit, një stuhi e papritur trazoi detin.
Këtu po e botojmë për herë të parë në gjuhen shqipe një pjesë nga ditari i mareshalit Schulenburg rreth kësaj ngjarjeje:
E mërkurë, 3 gusht
Për përfaqësuesin e venedikasve në taborin turk, u vendos Rico me oficerët e vet që vajtën te llogori i tyre. Përndryshe, ka filluar edhe asgjësimi i baterive dhe heqja e topave që të rikthehen në anije.
Po pasi përfaqësuesit venecianë nuk po ktheheshin, kurse po përgatitej një stuhi, ushtria ishte në hutim dhe në kushte tejet të rënda, e rrezikuar pa ushqim dhe municion të mjaftueshëm.
Në fillim të stuhisë, ushtria edhe nuk ishte afër bregut dhe në pamundësi që ta lërë ushqimin, ujin dhe municionin me valixhet nga fushëbeteja e cila ka qenë vërdallë.
Duke e vlerësuar situatën, komanda turke i ka ndaluar oficerët venecianë, duke u vendosur kushte thuajse ata janë fitues kundrejt oficerëve, se me gjasë ata e thyen armëpushimin. Ata vrapuan pranë brigjeve të detit, duke i shkatërruar disa vapore, të cilët po goditeshin nga stuhia, era e tërbuar dhe deti i trazuar dhe marrë peng robër ata që mbijetuan anijembytjen.
Fuqia sulmuese e ushtarëve venecianë ishte zvogëluar pas urdhrit se nuk guxojmë të kemi të shtëna me armë, përveç rasteve urgjente. E tërë kjo situatë shkaktoi dyshim dhe shqetësim.
E enjte, 4 gusht
Stuhia gjatë natës shkaktoi një shkatërrim trishtues kundrejt anijeve galeate dhe disa më të vogla me rrema. Fuqia e erës u rrit më tepër gjatë të enjtes, duke shkaktuar dëme të pariparueshme.
U shkatërruan 6 galia dhe 50 anije të vogla.
Raporti i Schulenburgut, në gjuhën frënge, tregon qartë se seraskeri (titull i përdorur më parë në Perandorinë Osmane për një vezir që komandonte një ushtri) e ndërroi pikëpamjen e vet rreth fuqisë ushtarake veneciane pasi i vërtetoi shkatërrimet nga stuhia kundrejt anijeve, duke përfunduar se flota e tyre është shkatërruar plotësisht.
Pasi në lagjen Rana në Ulqin ekziston edhe sot e kësaj dite Tyrbja e Fanit, bëhet fjalë për martirët e kësaj lufte – Shejh Hysenin dhe Shejh Lytfiun, të cilët sipas legjendës ishin shkaktarët e kësaj stuhie. Dy vëllezërit u vranë nga venedikasit, prandaj në shenjë nderimi për heroizmin e tyre u ndërtua kjo tyrbe.
Në këtë mënyrë, kjo fushatë e vitit 1718 për pushtimin e Ulqinit përfundoi edhe më keq për venecianët sesa fushata e vitit 1696.
Një frazë e Ludovico Antonio Muratorit e ilustron më së miri fundin e palavdishëm të kësaj fushate:
”Schulenburg ndërmori rrethimin e Ulqinit, çerdhe e rrezikshme piratësh, më 24 korrik. Por e pa me vend të pushonte luftimet kur erdhi njoftimi se ishte nënshkruar paqja. Gjatë tërheqjes, venecianët u ndoqën nga ulqinaket dhe kështu iu desh t’u mëshonin fort krahëve…”
Beteja për Ulqinin e vitit 1718 ishte e fundit në vazhdën e veprimeve sulmuese që Sinjoria e Venedikut ndërmori duke filluar nga viti 1683, për të rifituar pozitën e fuqisë ndëshkuese të rrugëve të lindjes.
Në vitin 1766 Mehmet Pashë Bushatlliu i Shkodrës lëshoi një urdhëresë në favor të tregtarëve venecianë, ku thuhej: “Përgjatë brigjeve të Tivarit, Valdanosit, Shën Gjinit deri tek derdhja e Bunës, askush mos të guxojë t’u prekë qoftë edhe nji qime venedikasve, ndryshe ta dijë se do ta pagujë me kokën e vet”.
Kështu, atë çka venecianët nuk mundën ta fitonin me luftë, e fituan në paqe.