Ulliri është një bimë mijëvjeçare dhe pjesë e civilizimit mesdhetar, i cilësuar si bimë kurative, veçanërisht vaji i tij të cilin edhe filozofët më të mëdhenj në mitologjinë greke e kanë konsideruar si mrekullibërës për shëndetin e njeriut.
Për shembull, filozofi i madh grek Homeri, e konsideronte vajin e ullirit si ar të lëngshëm, Hipokrati e rekomandonte atë për shërimin e mbi gjashtëdhjetë sëmundjeve, por edhe shumë mendimtarë dhe njerëz të dijes e kanë vlerësuar vajin e ullirit për përfitime e shumëfishta shëndetësore. Pra, vaji i ullirit ndër shekuj, por dhe sot, përdoret për ushqim, gatim, në mjekësi, etj..
Pjesa më e madhe e ullinjve të botës kultivohet në rajonin e Mesdheut për shkak të kushteve klimatike të përshtatshme për këtë lloj bime. Megjithatë, ulliri është kultivuar edhe në vendin tonë, prej shekujsh.
Qyteti i Ulqinit por dhe Tivari, shquhen për ullinj mijëvjeçar që posedojnë sipërfaqe të mëdha të mbjella me ullinj, me një traditë tejet të gjatë në prodhimin e vajit të ullirit, shumë të njohur dhe cilësor.
Përveç këtyre qyteteve tashmë, edhe treva e Malësisë po bëhet e njohur për kultivimin e kësaj bime të rëndësishme pasi edhe në këtë trevë ulliri kultivohet nga fermerët, por edhe nga familjet.
Në këtë artikull do të pasqyrojmë veprimtarinë e suksesshme në kultivimin e ullirit të fermerit nga Tuzi, z. Emin Haxhi. Ai, si një pasionues i madh i kësaj bime të lashtë, tashmë prej afro pesëmbëdhjetë vjetësh, në pronësi të tij zotëron mbi 1500 rrënjë ulliri, të varieteteve autoktone dhe të përzgjedhura, nga të cilat prodhon produkte organike novatore dhe autentike, duke përdorur një recetë tradicionale.
Prodhimi i tij tashmë është bërë një markë e njohur në tregjet vendase dhe të huaja, falë kushteve dhe teknologjisë më bashkëkohore që posedon në fermën e tij familjare.
Ai përveçse e kultivon ullirin dhe e prodhon vajin e tij, është edhe grumbullues i ullirit nga fermerët më të vegjët të cilët sjellin ullinj për të nxjerrë një vaj sa më cilësor.
Z. Haxhi në këtë bashkëbisedim për gazetën “Koha javore” tregon se sivjet ka filluar pak më herët vjelja e ullirit, edhe pse siç thotë ai, pjekja e kokrrës nuk është në nivelin e duhur, “mirëpo ullishtarët tonë kanë nxituar pak, pasi kanë dëshirë që të kenë cilësinë sa më të mirë. Sepse ulliri i vjelë pak më herët, ka cilësi më të lartë. Sigurisht se, sasia e vajit të përfituar është më e vogël në raste të tilla por, ata që e duan vajin cilësor ekstra të virgjër, e sjellin ullirin këtu tek unë dhe kështu marrin një vaj me cilësitë më të larta”, shprehet Haxhi.
Ai tregon se femra e tij e përpunon ullirin i cili vjelët vetëm nga frutat e cilësisë së parë, me një teknologji moderne të fjalës së fundit.
Ndërkohë, duke u pyetur se sa i plotëson zona e Malësisë kushtet klimatike për rritjen e ullirit, ai shprehet se në bazë të shumë analizave që i kryejnë kohë pas kohe, dëshmohet se përveçse mund të kultivohet ulliri në Malësi, këtu mund të prodhohet një vaj i cilësisë shumë të lartë i cili mund të konkurrojë nëpër gara dhe panaire ndërkombëtare kudo në botë.
Kultivuesi i suksesshëm Emin Haxhi, viteve të fundit ka arritur një rezultat shumë të madh në prodhimin e vajit shumë cilësor të ullirit, duke u shpërblyer edhe me çmime shumë të rëndësishme nëpër gara rajonale dhe në panaire ndërkombëtare.
Ai produktin që prodhon, (vajin e ullirit) tashmë e ka certifikuar në Institutin e Ullirit në Athinë të Greqisë ku edhe atje ka fituar pikë për nivelin e polifenoleve që përmban ky vaj, përkatësisht për prodhimin e vajit cilësor ekstra të virgjër.
Z. Haxhi shprehet më tej se i gjithë ky sukses vjen si rezultat i përkushtimin të madh ndaj kësaj veprimtarie dhe në konsultim edhe me profesorët universitarë të fushës përkatëse këtu në Mal të Zi, por edhe me Institutin e Ullirit në Split me të cilin ai ka arritur një bashkëpunim të mirë.
Prodhimi i vajit të ullirit nga ferma e tij familjare ka zënë vend në shumë pika të shitjeve, si në Tivar tek një shtëpi ullishtarësh, përmes platformës online, e gjithashtu vaji i tij mund të blihet edhe tek një shitore e specializuar vaji në qytetin e Nikshiqit dhe në disa shitore të tjera në kryeqytetin Podgoricë.
Ferma e familjes Haxhi është e para fermë rajonale (grumbulluese e ullirit) në territorin e Tuzit, Podgoricës, Danillovradit dhe Zetës e cila i ka hapur dyert e veta për ullishtarët e këtyre qyteteve.
t. u.