Ulqin – Në Librarinë “Ulqini” të enjten mbrëma (10 tetor 2024) është bërë promovimi i katalogut “Fotografia që prek indet e një qyteti” të fotografit të ri Griseld Hoxha nga Durrësi.
Në fillim, Gazmend Çitaku, i cili e ka udhëhequr përurimin, ka bërë një retrospektivë mbi historikun e zhvillimit të fotografisë në hapësirën shqiptare, deri në ditët e sotme, duke përmendur disa prej qyteteve shqiptare dhe emrave më të shquar të fotografëve shqiptarë apo me origjinë shqiptare që kanë kontribuuar në fushën e fotografisë.
Më pas, në bashkëbisedim me autorin kanë diskutuar rreth rrugëtimit të tij profesional, fotografisë së rrugës dhe misionit të saj për të kapur momente të vërteta dhe ruajtur kujtimet.
Fotografi ka treguar se në fëmijërinë e tij nuk e ka pasur pasion fotografinë, por sportin.
“Aq sa kam tani eksperiencë në fotografi, tetë vite që e ushtroj, aq kam pasur edhe në basketboll. Në momentin që u shkëputa nga basketbolli, aty hyri pasioni për fotografinë”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, fotografia ka një mision – të përcjellë një lloj mesazhi, të përcjellë diçka nga fotografia, nuk është një foto boshe.
Ai ka treguar se pse është përcaktuar për fotografinë e rrugës (street photography), duke thënë se ngjarja, momenti është ajo çfarë e bën një fotografi të rrugës të paharrueshme.
“Duhet të lodhesh një çikë, jo vetëm fizikisht, por edhe nga ana mentale. Ta mendosh mirë shkrepjen, pozicionin…”, ka thënë Hoxha, ndërsa ka treguar se në punën e tij si fotograf është më afër fotografisë bardhë e zi, prej të cilave përbëhet edhe katalogu.
Duke folur për katalogun, ai ka thënë se ky nuk është një katalog i thjeshtë, është ndryshe nga të tjerët.
“Është shoqëruar me story telling, domethënë me ngjarje që i përkasin fotove dhe realitetit shqiptar”, ka theksuar autori.
Gjatë përurimit, udhëheqësi Gazmend Çitaku ka lexuar fragmente nga disa histori të shkurtra që i shoqërojnë fotografitë.
Në emër të organizatorit, publikun e pranishëm – artdashës dhe nxënës të shkollës së mesme në Ulqin, i ka përshëndetur drejtoresha e Librarisë “Ulqini”, Arlinda Osmani.
i. k.