Mjegulla mbi molin e madh

Korab Kraja

I ra mjegulla molit,
qëndroi disa javë, muaj e vjet…
Dhe pikërisht si një legjendë e largët e disi e padefinuar mirë, edhe moli i madh i Ulqinit sjell disa dritëhije mbi kujtesën tonë. Ashtu e përzier në mes mitit dhe realitetit, në mes asaj të paprekshmes së mjegullt dhe të kësaj të vërtetës, janë disa këmbime kujtesash, rrëfimesh dhe praktikash të padefinuara qartë.
Ekzistojnë tashmë disa fotografi të vjetra që prekin disi thellë në vitet e hershme të shekullit të njëzet, të cilat e paraqesin kalanë e Ulqinit si një kështjellë hijerëndë të shtrirë mbi shkëmb dhe që tenton të depërtojë mbi det, dhe, fill sa prek detin ngrit bedenat lartë si për të treguar një qëndrueshmëri të lashtë. Pikërisht, kjo qëndrueshmëri shekullore e bën atë edhe më ekzotike nga pikëpamja historike, duke i shtuar aty-këtu disa rrëfime romantike, të cilat mbështetën dhe nuk përkojnë rehatshëm mbi përjetimet e kalasë. Në mes melankolisë dhe glorifikimit, shpesh kanë ndodhur edhe disa shkarje komplekse mbi rrëfimin e disa ngjarjeve modeste. Po kështu shkarshëm mbi trajtimin e ngjarjeve, kanë ndodhur edhe ndërhyrjet ndërtuese dhe mbindërtuese në kala. Duke ju shmangur kësaj problematike kaq delikate të ndërhyrjeve pa ndonjë kriter të mirëfilltë profesional, që përbën strukturën restauruese dhe konservuese mbi ndërtesat e rindërtuara të kalasë, e sidomos të atyre ndërtesave që kanë vazhduar të marrin një hov të madh zhvillues në ndërtimin dhe në fund shpërfytyrimin e tyre, konteksti i analizës do të zhvillohet mbi një zonë tjetër të rëndësishme të kalasë.
Nënkalaja, më saktësisht, moli i kalasë ka pësuar disa ndryshime drastike dekadave të fundit. Ç’është e vërteta, nga kujtesa kolektive nuk kujtohet mirëfilli porti natyror i kësaj pjese, por ndërtimi i ri i strukturës madhore të molit ka bërë që kjo zonë natyrore e kalasë të integrojë në vete një pllakë të trashë me shtrirje horizontale, që me kalimin e kohës do të bëhet pjesë integrale e kontekstit hapësinor të peizazhit të ngushtë rrethues të kalasë. Janë vetëm fotografitë e vjetra që e dëshmojnë një harmoni natyrore të peizazhit të kalasë që preket me detin, atëherë kur kalaja ngrihej natyrshëm edhe për nga pamja vizuale mbi shkëmbin natyror. Por, tani, sikur duket që tërë kalanë e mban një plato e betonizuar.
Është pikërisht kjo plato e betonizuar, e cila e ç’integron kalanë si aset të trashëgimisë kulturore nga konteksti i saj i vërtetë. Vlerat e saj historike dhe ndërtimore kërcënohen nga ambienti i panatyrshëm me të. Është e vërtetë, se kjo plato e betonizuar do të shërbejë në të kaluarën për ngjarje të ndryshme: për plazh, për kërcimore, për peshkim, për diskotekë, për manifestime të ngjarjeve kulturore, për parking etj. Dhe, sikur të mos mjaftonte një betonizim kundërhistorik, që kërcënon kontekstin historik të peizazhit të ngushtë të kalasë, do të merret nën shqyrtimin e komunës së Ulqinit dhe do të vlerësohet si hapësirë publike që do të ketë nevojë për një ndërhyrje në të. Një ndërhyrje, që mos të përdoret më si parking, por si shesh i nënkalasë.
Çfarë ndodh? Platoja e betonizuar e kujtesës kolektive do të riformësohet me një dizajn të ri arkitekturor. Studioja fituese e dizajnit urban të kësaj hapësire urbane, “Studio SYNTHESIS architecture&design” do ta cilësojë si “një ndër hapësirat publike më të preferuarat të tyre”. Pra, aq të preferuar do ta konsiderojnë, saqë platonë e betonizuar do ta ribetonizojnë edhe njëherë. Betoni mbi beton dhe zgjidhjet e tyre urbane, do t’i irritojnë disa arkitektë të qytetit. Janë pikërisht dy arkitektë, të cilët më të nevojshme se ridizajnimin e kësaj hapësire publike, më të rëndësishme do ta shohin zgjidhjen e parkingut në anën veriore të kalasë. Derisa, njëra zgjidhje e tyre është parking nëntokësor, e tjetra parking mbitokësor, si njëri arkitekt edhe tjetri arkitekt cenojnë rëndë dy aspekte të kalasë: shtresat kulturore-historike të kalasë dhe vlerat estetike-historike të saj. Derisa zgjidhja e parë, që parkingu nëntokësor të bëhet rrëzë kalasë, pra në anën veriore të saj, a thua arkitektja do të ketë që punimet e tilla janë të ndaluara të bëhen afër atyre aseteve të rëndësisë historike, kulturore dhe shtetërore? Gërmimi për parking nëntokësor, një kat, dy kate apo sado kate nën tokë, si do t’i aryetojë idehedhësja shkatërrimin e shtresave arkeologjike që mund të dalin menjëherë rrëzë mureve dhe themeleve të kalasë? Jemi dëshmitar, se punime të tilla afër aseteve të tilla të rëndësishme, degradojnë rëndë shtresat e periudhave kulturore dhe historike, sidomos kur punimet e tilla me gërmime të nivelit të ndërtesës nëntokësore, mund të cenojnë rëndë strukturën konstruktive të kalasë.
Derisa zgjidhja e parë mund ta shembte kalanë përjetësisht, zgjidhja e dytë, e arkitektit biznismen, i cili më të rëndësishme se ridazajnimin e molit të kalasë, për të cilin shpreh “rezervat mbi gjelbërimin”, më shqetësuese e sheh mosndërtimin e parkingut, pikërisht në anën veriore të saj. Pse? Sepse tenderin për realizimin e një ndërtese garazhuese mund të ketë gjasë ta fitojë ai. Dhe, çfarë do të përfaqësojë kjo ndërtesë garazhuese? Një shpërfytyrim estetik të kalasë dhe një degradim konstruktiv në themelet dhe shtresat arkeologjike ku do të ndërtohet dhe një përfitim financiar për biznisin e tij!
Çfarë në të vërtetë është duke ngjarë? Ka shumë kohë që hapësira më atraktive e peizazhit të kalasë së Ulqinit, është kthyer në një parking gjysmëfunksional, i cili është bërë një vendpunishte e kahmotshme. Edhe tabela projektuese, që informon qytetarët mbi zhvillimin e fillimit dhe mbarimit të projektit nuk është e vendosur, por edhe vijueshmëria e procesit teknologjik të punimeve ka stagnuar. Për aq sa është punuar, mund të bëhen dy pyetje thelbësore: e para, pse nuk jemi në gjendje të bëjmë vepra të mirëfillta urbane dhe arkitekturore dhe e dyta, pse kur punohet në Ulqin, mënyra e punimeve duhet të bëhet keq? Mjafton një vizitë e shpejtë në molin e madh dhe do të shihet një atmosferë fantazmë, që i ngjan më shumë një katastrofe natyrore, sesa një përkujdesje të mirëfilltë të trashëgimisë kulturore.
As materializimi i përzgjedhur për dizajnimin e kësaj hapësire publike nuk përkon me ambientin e kalasë, por as me ambientin rrethues të saj. As dizajni nuk tregon ndonjë kontekst historik apo nuk paraqet një integrim kulturor dhe shoqëror me kontekstin e kalasë dhe detit. Gjenden të hedhura dhe të lëna në vend materialet punuese. Shtrimi i dyshemesë i ngjanë një pune shkeleshkoshëm, pllaka mermeri të ngjitura pa ndonjë kujdes dhe pa ndonjë rregull gjeometrik apo estetik, e në disa raste, pllaka mermeri të thyera dhe që mungojnë në dysheme. Çimentoja që do të duhej të përdorej për rregullimin e hapësirës, është ngrirë e papërdorur nga shiu. Ulëse të dizajnuara pa ndonjë kriter uljeje dhe pa ndonjë integritet materializues që do të përkojë me sfondin e kalasë. Mos të harrohet, ulëse të mveshura me copëza të pllakave të mermerit!
Çështja nuk qëndron më te punëkryerësi amatoresk, në të vërtetë as te dizajnuesi i aq përfolur, por çekiçi rreh te një pyetje tjetër, që duhet të merret shqetësueshëm:
Pse në Ulqin nuk punohet dhe atëherë kur punohet, pse zgjidhet që të punohet keq?

Të fundit

më të lexuarat