Kur në shoqëri mendohet nisja e ndonjë ndryshimi të vrullshëm, ai paralajmërohet si ”lëvizje, apo shpërthim pranveror”. Me këtë shënim unë do përcaktoj një tjetër lëvizje kohore, nga e përmendura krejt diametrale, protestat mbarë popullore shqiptare të Kosovës ’68, me vështrim të posaçëm, atë të 6 tetorit ‘68 në Prizren, të iniciuar dhe prirë nga studentët dhe rinia shkollore e atij qyteti.
Pikërisht atë vit e të tjerë më parë, në vende tjera në Evropë e Jugosllavi, ndodhin lëvizje të udhëhequra nga inteligjenca rinore, me kërkesa të definuara të natyrës sociale. Në Kosovë e vende tjera të pazhvilluara me popullsi shqiptare ndjeheshin mungesa edhe më të mëdha se ajo e ”bukës”. Shumë pyetje jetike, në vendet tjera me kohë të zgjidhura, aty as të nisura. Ato ishin gjëra të rëndësishme që i takonin çështjes kushtetuese të Krahinës dhe asaj kombëtare shqiptare në Jugosllavi, shqyrtimi i të cilave në institucionet shtetërore as që mendohej. Nga ajo pikë, me at motiv e vullnet u hartuan plane me kërkesë publike për të drejta legjitime kombëtare.
Ngjau zbërthimi më emërtim mediatik, ”Demonstratat popullore shqiptare në Kosovë”. Ato zhvillohen në qytete të ndryshme të Krahinës. Kishin koreografi, përmbajtje dhe qëllim të njëjtë, afirmimin kombëtar.
Lëvizja e tillë e parë, fort e dukshme dhe e suksesshme u zhvillua para 56 viteve, në qytetin e lashtë me traditë të shquar kombëtare Prizren, ku para 90, respektivisht 146 viteve u mbajt Besëlidhja Historike Shqiptare (1878) LIDHJA E PRIZRENIT.
Atë e iniciuan, përgatitën dhe i prinë studentët e SHLP-së dhe nxënësit e arsimtarët e atij qyteti. Pa dallim nga vinin shënoj:
- Gjergj Camaj, 2. Haxhi Maloku, 3. Isa Demaj, 4. Isë Morina 5. Lemane Braha, 6. Meriman Braha, 7. Pashk Laçi, 8. Rafet Rama 9-10. Simon e Mikel Kuzhnini, 11. Shpresë Elshani, 12. Zymer Neziri, etj. Ndër ta veçohet djaloshi njëzet vjeçar nga Malësia, Tuzi,
Studenti sy patrembur GJERGJ KOLË CAMAJ.
Gjergji ka lindur në BregMac të Lezhës në Shqipëri, në janar 1946. Prindërit e tij, babai Kola, Hotjan nga Vuksanlekajt dhe nëna Dila, bijë e Shkrelit nga aty shpërngulen në Malësi. Familja nga e cila erdhi ky djalosh cilësohej me të gjitha tiparet që kurdoherë e pajisnin shqiptarin dhe shqiptaren si: besnikëria, bujaria, ndershmëria, zgjuarsia, trimëria, atdhedashuria etj..
Gjyshi i tij, Pjetër Zeku, patriot i shquar, rezistues i regjimit të huaj turk dhe serb, krahu i djathtë i Dedë Gjon Lulit. Bashkë me të dhe me të tjerë banda shtetërore serbe e pushkatoi në mal ku vet sfidoi, duke u sjellë krah hapur me fytyrë ka gryka e pushkës.
Shkollën fillore katërklasëshe e kreu në Vuksanlekaj, ndërsa filloren tetëklasëshe në Tuz. Ka udhëtuar rreth 6 km shtëpi – shkollë në këmbë ndonjëherë edhe i uritur. Pasi e kreu shkollën fillore prindërit, babai Kola dhe nëna Dila edhe pse vet nuk njihnin lexim-shkrim për fëmijët e tyre mirë e nuhatnin shkollën dhe shkollimin. Për shkollim të mëtejmë shpjegon Gjergji, konkret u kujdes intelektuali i Malësisë, i madhi Gjergj Gjokaj. Ai i mori dëftesat e nxënësve të kryer fillorist dhe i çoi në shkollë të mesme Normalen e Prizrenit. Bashkë me moshatarët aty iu nënshtrua provimit pranues të cilin e kaloi me sukses dhe u regjistrua në klasë të parë. Falë vullnetit të madh të prindërve të cilët sakrifikuan shumë aty vijoi shkollën e mesme dhe e kreu me sukses të shkëlqyeshëm dhe bëhet mësues klasor.
Etja për dije dhe përkrahja e pandërprerë e prindërve maturantin e kryer Gjergjin, nuk e lanë rehat të punojë mësues, por e shtynë të vazhdojë shkollimin dhe regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike po aty në Prizren, grupin lëndor natyror fizikë-kimi-matematikë. Mësimet i vijon rregullisht, provimet i kalon me sukses të lartë dhe diplomon në afat rekord. Përveç mësimeve të rregullta angazhohet edhe në aktivitete jashtëmësimore. Si adhurues i denjë i fotografisë, në shkollë të lartë formon dhe udhëheq Foto clubin studentor. Atë zanat – punë që e afirmon në përmasa publike ku Gjergji arrin të fotografojë figurat e larta shtetërore, madje edhe kryetarin Tito me shoqëruesit e tij në një vizitë Krahinës socialiste të Kosovës etj..
Po aty Gjergji organizoi seksionin studentor të dramës i cili me punë permanente shfaqet në festivale të ndryshme garuese të ish-Jugosllavisë, dhe arrin sukses maksimal të kurorëzuar me çmime prestigjioze për zënien e vendeve të para në gara ndërkombëtare.
Për gatishmëri e zellshmëri në punë të suksesshme, zgjuarsi e besueshmëri, guxim e vendosmëri, afrimitet shoqëror dhe karakter njerëzor, studenti Gjergj Camaj zgjidhet kryetar i Lidhjes së Studentëve të qytetit.
Krahas impulseve të mësimit shkollor dhe aktiviteteve të përmendura, fotogafisë dhe dramës, në damarët e këtij studenti rrihnin edhe impulse rinore, të patriotizmit e atdhedashurisë të gërshetuar me zjarrin për kombin e vet, shqipen e bukur por të cenuar nga kombet tjerë vendas. Gjendja ekzistuese e bashkëkombësve dhe kombit në tërësi e hidhëron deri te kuptimi që ai e emërton padrejtësi qytetare brenda një shteti.
Vrullin shpirtëror për qasje rregullimi të gjendjes kombëtare më të mirë Gjergji fillon ta ndajë me moshatarët e vet shokë të afërt shkollor dhe profesorë po të atij edukimi. Në ditët e para të vitit akademik 1968/1969, vrullin mendor, ai bashkë me shokë e qet në letër në formë kërkese studentore të formuluar në 17 pika, secila më e rëndësishme se tjetra, me ide dhe qëllim që ato publikisht të lexohen në prezencën e studenteve, rinisë dhe masës së gjerë popullore revolucionare prizrenase. Krahas asaj bën edhe përgatitje tjera teknike. Sigurohet flamuri kombëtar i Skënderbeut në shtizë, shkruhen sloganet – parulla dhe caktohen bartësit e tyre, caktohen këngët e preferuara për atë rast këngëtarët dhe brohoritësit, lexuesi i tekst-kërkesave dhe kujdestarët për mbajtjen e rendit publik ditën e lëvizjes, të gjithë aktivistë nga radha e studentëve të Shkollës Lartë Pedagogjike. Si ditë nisme më e përshtatshme për lëvizje studentore, u caktua e diela, më 6 tetor ‘68.
Ditën e caktuar, të dielën, më 6 tetor “68 në Prizren, turma u nis nga Qafa e Pazarit e prirë me flamurin kombëtar kuq e zi, të shoqëruar me zërin e bukur të këngëtarëve të ri Shaban Gjekaj e Shqipe Vokshi dhe vazhdoi rrugës së qytetit për t’u ndalur në Shesh te Selia e Besëlidhjes shqiptare të Prizrenit. Grupit të vogël rreth 50 studentë iu bashkuan punëtorët e zejeve dhe dyqaneve të qytetit, e gjatë rrugës qytetarë e mbarë populli liridashës ashtu që në vendndalim te Selia e shenjtë u tubuan rreth 3000 atdhetarë. Aty së pari u çua të valëvisë flamuri kombëtar,
Letrën e shkruar me 17 kërkesa e lexoi aktivisti dhe ideatori i lëvizjes, kryetari i Lidhjes së studentëve, malësori Gjergj Camaj.
Nga skenari i hartuar i kërkesave të rinisë studentore ai shpalosi pikat si vijon:
- Populli shqiptar do dhe kërkon barazi me popujt tjerë të shtetit Jugosllav.
- Njësia Federale, Krahina autonome e Kosovës të emërtohet Republikë.
- Të lejohet përdorimi i simboleve kombëtare – flamurit etj..
- Në të gjitha nivelet shkollore mësimi të zhvillohet në gjuhë amtare shqipe.
- Në vend të hapen fakultete, po ashtu në gjuhën amtare shqipe.
- Në të gjitha institucionet shtetërore ku jetojnë shqiptarët, gjuha shqipe të vihet në përdorim zyrtar.
- Të sigurohen bursa për kuadrot shqiptare në studime postdiplomike.
- Të formohet RTV i pavarur i Kosovës në gjuhën shqipe, jo studio i ndarë i TV Beogradit
- Të përpilohen planprogramet mësimore dhe tekstet shkollore nga ekspertët shqiptarë e jo përkthime nga Beogradi.
- Të mundësohet shkëmbimi dhe bashkëpunimi me ekspertët e shtetit amë.
- Të mundësohet udhëtimi shqiptarëve brenda dhe jashtë shtetit pa censura, etj.. (Vijon)
(Vijon në numrin i kaluar)
Rinoshi Gjergj Camaj bashkë me shokë, në atë furtunë nuk hyri për përfitime personale, por për çështje madhore mbarëkombëtare.
Si veprimtar i dukshëm revolucionar, Gjergji me shokë të kohës, për pushtetarët politikë bëhet objektiv rezistues, ndërsa për shërbëtorët e UDB-ës Jugosllave – (Sigurimi i brendshëm shtetëror Jugosllav), halë në sy. Ai vet e kishte parapa edhe persekutimin si mundësi, por asgjë nuk e trembi as s’u zmbraps nga ideja për nismë, qoftë edhe me pasoja siç edhe ndodhën, arrestime, burgosje e tortura. Për ato keqtrajtime nuk u pendua, as atëherë, as më vonë dhe çfarë bërën për kombin ishte dhe mbeti krenar. Ashtu ndjehet edhe sot.
Këto e të tjera kërkesa të masës përparimtare patën jehonë dhe ranë në vesh të dëgjueshëm të organeve shtetërore të Krahinës së Kosovës dhe Federatës Jugosllave.
Ato u miratuan dhe u premtua realizimi i tyre me radhë graduale.
Kënaqësia e parë u ndje dhe dukshëm u shpreh me lejimin e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar për çka u thur kënga e cila me kënaqësi këndohet dhe dëgjohet në të gjitha trojet shqiptare, shprehet i madhi Gjergj Camaj.
Me të kryer SHLP-në Gjergjit iu ofrua oferta për studim të mëtejmë në artet e bukura dhe vazhdim të grupit lëndor natyror, por nuk pranoi dhe me diplomën e mësimdhënësit fizikë-kimi-matematikë kthehet në vendlindje për të qenë pranë prindërve të moshuar të cilët e ndjenin nevojën e afrimit të djalit të vet. Ashtu inkuadrohet në shkollën fillore në Hot – Malësi, mësimdhënës i lëndëve në fjalë dhe u bashkohet prindërve të cilët i deshi fort. Edhe pse fillestar, ende pa kushte të plotësuara ligjore, në kërkesë të eprorëve shtetërorë Gjergji emërohet drejtor i shkollës së përmendur dhe atë detyrë e kryen 8 vjet me plot sukses.
Në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar, organi mbikëqyrës i punës arsimore të shkollave në Mal të Zi, Enti Arsimor-Pedagogjik Titograd, në vitin 1973 e emëron Gjergj Camajn, bashkëpunëtor të jashtëm – këshilltar pedagogjik, tash inspektor i arsimit për mësim klasor dhe lëndor, Fizikë e Kimi, në Gjuhën shqipe.
Në atë cilësi pune unë Gjergjin e njoha në prill 1976 kur si Këshilltar i Entit në fjalë vizitoi Shkollën Fillore ”Bedri Elezaga”në Vlladimir – Katërkollë dhe mbajti në dy orë mësimi të Kimisë kl. VIII-të, lënda ime. Në orën e dytë të kimisë, siç u vetëdeklarua prezantoi jozyrtarisht, por në rolin e shikuesit – kureshtarit. Si njohës i mirë i punës shkollore dhe njeri i paanshëm, në vazhdim deklaroi, se ”do të preferoj ardhjen në vizitë të orës tënde arsimtarëve të Kimisë pa dallim moshe a përvoje që të shohin si organizohet dhe zhvillohet puna pedagogjike në shkollë”. Mbajti dhe një orë fizikë kl. VIII, arsimtari Beqir Mustafa. Atë funksion e ushtroi deri në vitin 1984.
I dëshiruar për dije institucionale arsimore mësimdhënësi Gjergj Camaj, më 1974, me korrespondencë regjistron studimet universitare në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, drejtimi Pedagogjia shkollore, të cilin e kryen me sukses dhe në vitin 1978 diplomon profesor i pedagogjisë.
Me marrjen e diplomës pedagogu i ri në vitin 1978 inkuadrohet në Shkollën Fillore ”Mahmut Lekiq” në Tuz, në vend pune pedagog shkolle. Ishte ai një profil i ri në punën shkollore të cilën Gjergji e njihte mirë dhe me punë konkrete e avancoi edhe më tepër. Si punëtor profesionist i ditur e i papritueshëm, si njeri i shkathët dhe komunikativ bashkëpunon me të gjitha kuadrot në shkollë, bisedon, i udhëzon, i këshillon, i ndihmon konkret në hartimin e planeve dhe programeve kohore dhe përgatitjeve ditore, zbatimin e metodave didaktike dhe përdorimin e mjeteve mësimore e teknike, lehtë dhe i qorton ata në të mirën e punës, së vet atyre, nxënësve dhe shkollës në përgjithësi. Me punë konstruktive Gjergji bëhet shtylla e shkollës ku punon. Aktivitetin e vet e zgjeron në punë me nxënës dhe prindër në një anë dhe me organet shoqërore dhe shtetërore në anën tjetër. Falë gjindshmërisë dhe maturisë së tij forcohet kohezioni shkolla – familja e mjedisi dhe shkolla – organet lokale dhe shtetërore. Puna e tij e tillë në institucion, Gjergjin e bën punëtor apo më saktë pedagog model që në radhët e veta do ta dëshironte çdo shkollë. Në atë shkollë punon deri në fund të karrierës së punës së tij, kur i plotëson kushtet për pushim të merituar – dhe në vitin 2012 shkon në pension.
Si pedagog i shquar i kalitur me punë në shkollë, Shoqata e Pedagogëve e Malit të Zi, në vitin 1987 e vë në postin e kryetarit të vet – Shoqatës së pedagogëve të Malit të Zi. Nga ajo pozitë Gjergji njoftohet me punën e shkollave në Republikë, nevojat dhe kërkesat e tyre dhe zgjeron horizontin me punëtorët e arsimit në Mal të Zi. Duke vërejtur mungesën e kuadrit të pedagogëve shkollor dhe mir të ditur rrolin e tyre në mbarëvajtjen e punës së shkollës inicion inkuadrimin masovik të njerëzve të këtij profesioni në shkolla – bashkëpunëtor profesional prezenca dhe rroli i të cilëve shpejt do të ndihet. Atë funksion e kryen deri 1997.
Krahas angazhimit në profesion e lidhur me te Gjergji është aktiv edhe në veprimtari të mjedisit ku jetoi. Edhe pse i ri ai u bashkua dy tubimeve të burrave të Malësisë: 1. Besëlidhja kundër hakmarrjes, më 1970 dhe 2. Besëlidhja kundër të shtënave të armëve në gazmendet familjare, 197?. Lidhur me këto do bëhet propagandues i denjë në respektimin maksimal të vendimeve të dy tubimeve – besëlidhjeve të malësorëve.
Pas lëvizjeve popullore antiburokratike në Mal të Zi, më 1989/1990. dhe vendosjes së sistemit pluralist shumëpartiak, Gjergji rreshtohet në radhët e L.L. – Lidhjes Liberale në Mal të Zi dhe ndihmon aktivitetin e saj. Edhe pse ajo ishte parti qytetare, Gjergji dëshmon se në fushatat parazgjedhore merrte pjesë me fjalë e punë dhe në promovimet e partive tjera qytetare ku apelonte anëtarsinë shqiptare që në interes të kombit të votonin listat e partive nacionale. Ashtu veproi deri me fikjen e L. L. në 2004.
Gjergjin s pari e takova në qershor 1973 në Brajshë me rastin e një vizite që i bëri shokut të tij, Osman Kasnecit në shtëpinë e babait të tij Islamit, ku në nder të ti i ftuar edhe unë në ndejë drekë. Aty u njoftuam dhe u miqësuam, komunikuam e bashkëpunuam e si shokë të mirë nuk u harruam. Njëjtë vazhdojmë me takimet edhe sot.
Vlerat e tija të shënuara si në titull dhe përmbajtje të tekstit janë të trashëguara nga të parët familjarët, të lindura. Atë çka mua më çudit është fakti se si për gjithë këtë kohë të njohjes së pandërprerë nuk munda t’ia nxjerrë asnjë ves njeriu – sjellje e keqe, për të cilin edhe mund të flitej ose shkruhej si për vlerat e tij.
Sikur në emër të popullit këtij burri t’iu hiqnin ”mëkatet e tetorit 68”, Gjergj Camaj do ishte njeri pa asnjë ves. Me këtë konkludim ndihem krenar që unë do jem i pari që me mikun e përmendur si fakt i gjallë mund të thërras modifikimin e maksimës popullore; ”S’ka insan pa naksanë – (S’ka njeri pa të këqija)”. Unë tash po dëshmoj se ka të tillë – njeri pa vese dhe ai është Gjergj Camaj nga Tuzi.
Gjergji ka trashëgimtarë, tre fëmijë, një vajzë e dy djemë, të rritur dhe 3 mbesa.
Jeton në Tuz ku gëzon pensionin e merituar të profesorit dhe nderimin njerëzor të mjedisit – Malësisë.
Nga zemra t’i urojmë dhe vet i uroj jetë të gjatë, shëndet të mirë dhe kënaqësi të plotë bashkë me trashëgimtarët e ri dhe tjerë të afërm me respekt dhe dashuri reciproke.
(Fund)