Rriti famën e ulqinakëve

Në raportin e tij të 29 gushtit, për t’u shfajësuar për dështimin e plotë, siç ishte pushtimi i Ulqinit, Dolfini mundohet që sadopak ta zbusë atë çka i ndodhi pranë mureve të kalasë, ku pohon: ”Edhe sikur kjo strofkë e keqe grabitësish do vazhdonte të mbesë në duart e këtyre barbarëve”, shkruante ai, “nuk do i gëzohen veçse nji grumbulli të paformë rrënojash, dëshmi e hakmarrjes së tmerrshme të Republikës mu në zemër të kësaj Shqipërie të frikshme”

Sami Flamuri

Në vijim duam t’u gjegjemi lexuesve për domethënien, prejardhjen dhe kohëmbërritjen e emrave të mbetur në gjuhën tonë, si për shembull “kusar” dhe “pirat”. E bëjmë këtë, thjesht, për të mos pasur keqkuptime a keqinterpretime të mëtejme, qoftë edhe mes vetes, por edhe ngaqë këto fjalë kanë lidhje me temën për të cilën po shkruajmë.
Fjala e parë “kusar” rrjedh nga fjala latine cursarius-cursa, pra do të thotë drejtim, vozitje, lundrim.
Fjala tjetër ”pirat” vjen nga greqishtja e vjetër peirates-peria, që nënkupton fjalën “sulm”.
Për dallim nga piratët, gusarët apo kusarët i kanë sulmuar anijet me mbështetjen dhe miratimin e bashkërenditjes dhe lejes së pushtetit.


Mbrojtës i flaktë i idesë së pushtimit të Ulqinit u bë Daniele Dolfin, atë kohë proveditor i përgjithshëm në Dalmaci e në Shqipërinë Veneciane. Më 11 korrik 1696, me postë të posaçme, proveditorit Daniele Dolfin i erdhi vendimi i Senatit, i datës 7 të atij muaji, për të përgatitur sulmin kundër Kalasë së Ulqinit, për të cilin kishte kohë që përflitej.
Rasti i parë i bujshëm i një akti sulmi ku përfshihen edhe banorët e Ulqinit regjistrohet pikërisht në vitin e fundit (1603) të shërbimit të Bajliut Nani në Stamboll. Fjala është për një anije me mallra të disa tregtarëve nga Budva dhe Pashtroviqët, zotërime veneciane. U sollën me ne “a thua se ishim në luftë të hapur” (come se fosse tempo di guaerra aperta).
Në mëngjesin e datës 8 gusht, skuadra e anijeve veneciane u nis nga Gjiri i Kotorrit dhe në mbrëmje
të po asaj dite mbërriti në ujërat e Ulqinit. Fillimisht proveditori i përgjithshëm Dolfin zgjodhi ta kryejë zbarkimin e trupave në Luginën e Arrës (Val de Noce) – Valdanosi sot, ku duke e shikuar terrenin e papërshtatshëm vendosi që zbarkimi të kryhej nē Gjerana (Girana – Gjiri i Ranës).
Kur venedikasit e sulmuan Ulqinin, Pasha i Shkodrës nxitoi ta shpëtonte qytetin dhe e ngriti kampin e tij përballë venedikasve. Një ditë kur Pashai i kishte dhënë një ditë pushim ushtrisë, bajraktari i Hotit filloi të grindet me një malësor tjetër se kush ishte më trim. Kreu i Hotit, i mllefosur, papritmas e rrëmbeu flamurin e vet duke sulmuar befas baterinë e topave, e nguli flamurin e vet në mes të topave. Kur burrat e Hotit e panë flamurin e tyre duke u valëvitur, ata nuk deshën ta lënë flamurin e tyre dhe kaluan në sulm. Kjo lavdi i takonte Ujk Lucit, i cili me ndihmën e burrave të Grudës kishte luajtur rol vendimtar në mbrojtjen e Ulqinit më 1696.
Për t’u kallur tmerrin banorëve dhe garnizonit të kalasë sipër, proveditori venecian urdhëroi që të shuhet nga faqja e dheut me zjarr e hekur ai vend (ordinai che tutto fosse posto a ferro e fuoco).
“Kështu në pak orë”, raportonte i shpaguar Dolfini, “u bë hi e pluhur mundi i shumë viteve”.
Pak më vonë, edhe një top i kalibrit të rëndë filloi goditjen e mureve. Dy topa të lehtë godisnin drejt pusit të vetëm që furnizonte me ujë banorët.
Raporti i radhës i gjeneralit Dolfin i takon datës 23 gusht 1696. Kishin kaluar plot 11 ditë nga raporti i fundit i datës 12 gusht dhe në çdonjërën nga ato ditë Dolfin kishte pritur më kot t’i kumtonte Senatit lajmin e fitores. Por kjo nuk ndodhi.
“Ata”, shkruante ai, “refuzuan ofertën për t’u dorëzuar me kushte të ndershme, duke treguar një arrogancë ekstreme, të bazuar jo aq në qëndrueshmërinë e tyre, sesa në besimin që kishin në mbërritjen e përforcimeve të mëdha; deklaruan se nuk kishin ndër mend të nënshkruanin ndonjë marrëveshje para se ta kishin derdhur, që të gjithë, edhe pikën e fundit të gjakut”.
Sipas Contarinit, në punimet riparuese të mureve e fortifikatave, ishin vënë në punë edhe 200 robër të krishterë, të cilët punonin nën vëzhgimin dhe nxitjen e grave ulqinake të armatosura.
Largimi i trupave të Omer Pashës, mbasi vritet edhe Trezi Pasha, njëri nga komandantët e shquar të Shkodrës, la pa fjalë edhe të rrethuarit e Ulqinit. Habia dhe dëshpërimi i tyre shprehej qartë në një letër që agallarët e qytetit, në emër të të gjithë banorëve, i dërguan me lajmëtar Omer Pashës, kur ky kishte mbërritur në Shkodër. Letra ra në duart e venecianëve bashkë me lajmëtarin.
Ulqinakët ishin të bindur se Omer Pasha kishte vendosur t’i braktiste në fatin e tyre për shkak të konflikteve që kishin pasur në të kaluarën me sanxhakbeun e Shkodrës, pavarësisht se banorët kishin dhëna prova të mjaftueshme se janë të pavarur. Qyteti qeverisej nga paria e tij, e përbërë nga familjet kryesore dhe që në burime përmenden si capi di Dulcigno (krerët e Ulqinit).
Përkundrazi, siç do të shkruante Dolfin në raportin e radhës, “nga këto fatkeqësi ulqinakët duken se morën edhe më shumë zemër”. Rreth 400 ushtarë humbi gjenerali Dolfin në ato luftime e akoma më shumë të plagosur (sin’ all’ ultimo respir) deri në frymën e fundit.
Në raportin e tij të 29 gushtit, për t’u shfajësuar për dështimin e plotë, siç ishte pushtimi i Ulqinit, Dolfini mundohet që sadopak ta zbusë atë çka i ndodhi pranë mureve të kalasë, ku pohon: ”Edhe sikur kjo strofkë e keqe grabitësish do vazhdonte të mbesë në duart e këtyre barbarëve”, shkruante ai, “nuk do i gëzohen veçse nji grumbulli të paformë rrënojash, dëshmi e hakmarrjes së tmerrshme të Republikës mu në zemër të kësaj Shqipërie të frikshme”.
“Ulqini nuk u mor dot”, pranon ai, duke përdoruar formën jovetore të foljes, si për të shpëtuar nga përgjegjësia e dështimit të fushatës veten e tij dhe për t’ia ngarkuar atë fatit “Era prescritione del destino” (Ka qenë e shkruar).
Dështimi i rrethimit venedikas të Ulqinit më 1696, e rriti famën e ulqinakëve. Venecianët deklaronin aso kohe se me flotën e tyre ulqinakët kishin vënë nën kontroll gjithë Shqipërinë.

Të fundit

më të lexuarat