Nuk ka histori më të madhe suksesi sesa ajo e mërgatës sonë

“Vështirë se mund të gjendet në botë një mërgatë me një lidhje aq të fuqishme me atdheun. Vështirë se gjendet edhe një mërgatë tjetër që në asnjë moment nuk e la atdheun vetëm, as në kohët më të vështira e as sot kur asnjë hap nuk e bëjmë pa ju. Me mërgatën shqiptare këtu në Nju Jork dhe kudo ne jemi të sigurt në rrugën e suksesit”, ka thënë Presidentja Osmani – Sadriu

Hajrudin S. Muja

Nju Jork – Javën e kaluar, të enjten, më 26 shtator 2024, në “The Historic Old Bermuda Inc.” Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani – Sadriu i bëri një vizitë komunitetit shqiptar në Staten Island – Nju Jork me ftesë të Shoqatës “Ulqini”, përkatësisht kryetarit të kësaj shoqate Xhemal Lanica. Ky organizim u përkrah edhe nga shoqatat tjera: Federata Pan Shqiptare “Vatra”, Shoqata “Ana e Malit”, Shoqata “Marigona”, Shoqata “Gjakova”, Shoqata “Mati”, Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej”, “Albanian Roots Club SFC”, “Albanian Student Organization Seton Hall”, Shoqata “Peja”, Shoqata Akademike dhe Profesionale Shqiptare, “AAWO Motrat Qiriazi”, PAPD “Illyrian Association”, Shoqata “Muriqi”, Shoqata “Rugova” dhe Organizata Rinore “Gzo Rini”.
Fjala e kryetarit të Shoqatës “Ulqini”, Xhemal Lanica, njëheri ishte edhe një prezantim mirëseardhës i pjesëmarrësve të tjerë të këtij tubimi: senatores Jessica Scarcella Spanton, këshilltares Kamillah Hanks, përfaqësuesve nga zyra e kryetarit të Bashkisë, Kapelanit të Policisë së New Yorkut – Imam Tahir Kukaj etj. Në përmbyllje të fjalës së tij, pasi falënderoi të pranishmit, ai iu drejtua Presidentes duke i thënë: “Ju nuk jeni një storie e suksesit të Kosovës, por jeni storie e suksesit të gjithë shqiptarisë”. Në emër të Shoqatës “Ulqini” i dhuroi Presidentes një “Mirënjohje”.
Këshilltarja Kamillah M. Hanks, një politikane amerikane dhe anëtare e Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut për Distriktin 49 në Bregun Verior të Staten Island-it, fillimisht shprehu admirim për shqiptarët dhe për vendin e tyre, meqë verën e kaluar kishte qëndruar tri javë në Ulqin, në Krajë, në Bes, në Plavë dhe në Kosovë. Ajo gjithashtu shprehu admirimin e lidhjes që kanë mërgimtarët shqiptarë me vendin e tyre, të cilin e vizitojnë herë pas here. E privilegjuar për të marrë pjesë në këtë takim me Presidenten, ajo e falënderoi që ka zgjedhur lagjen Staten Island për ta vizituar dhe për t’u sjellur aromën e dheut të tyre. Gjëja më e mirë që këta mund të bëjnë në mërgim është që prindërit t’ua mësojnë fëmijëve historinë e tyre, traditën dhe kulturën: “Flamuri që e shohim shpesh në rrugën Hylan Boulevard na kujton dhe e dimë se ju jeni këtu”, përfundoi ajo.
Pas saj e mori fjalën senatorja Jessica Scarcella Spanton, një politikane amerikane që shërben si anëtare e Senatit të Shtetit të Nju Jorkut për distriktin e 23-të, që përfshin pjesën më të madhe të Bregut të Veriut të Staten Island, së bashku me pjesë të disa lagjeve jugore të Bruklinit. Fillimisht shprehu falënderim për ftesën: “Është kënaqësi të marr pjesë sonte në mesin e komunitetit shqiptar”.
“Unë jam e privilegjuar – tha ajo – që përfaqësoj rrethin që është shtëpi e shqiptarëve të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të zi dhe më gjerë”.
Në vazhdim u ftua Presidentja e Republikës së Kosovës, e cila pas fjalës përshëndetëse shprehu admirim që gjendet në mesin e vëllezërve dhe motrave, në mesin e atyre që kur në Kosovë duhej ndihma, ata nuk u kursyen, por dhanë gjithçka për Kosovën.
“Nuk ka storie më të madhe suksesi – tha ajo – sesa storia e mërgatës sonë. Vështirë se mund të gjendet në botë një mërgatë me një lidhje aq të fuqishme me atdheun. Vështirë se gjendet edhe një mërgatë tjetër që në asnjë moment nuk e la atdheun vetëm, as në kohët më të vështira e as sot kur asnjë hap nuk e bëjmë pa ju. Me mërgatën shqiptare këtu në Nju Jork dhe kudo ne jemi të sigurt në rrugën e suksesit. Në vitet e ’90-ta, kur populli i Kosovës rrezikohej të shfarosej, ju u siguruat që zëri ynë, vuajtjet e popullit të Kosovës, zëri ynë të dëgjohej së pari këtu në vendin që është simbol i lirisë (SHBA). Kur them ‘dhatë gjithçka’ për Kosovën, nuk e kam fjalën vetëm për kontributin politik, për protestat e shumta, për ndihmat e mëdha materiale, por e kam fjalën edhe për ata që nuk kursyen as jetën, duke lënë komfortin e tyre në Amerikë dhe nëpërmjet Batalionit të Atlantikut etj. erdhën për ta mbrojtur Kosovën edhe me gjak. Kjo është sakrificë të cilën e bëjnë vetëm njerëzit të cilët Atdheun e tyre e vendosin para gjithçkaje tjetër. Sot, kur Republika e Kosovës ecën përpara, pavarësisht sfidave të mëdha, ne jemi të bekuar që në vetë themelet e shtetit tonë qëndrojnë tri shtylla të fuqishme. Së pari, është vetë sakrifica e popullit tonë që ka kulmuar me luftën çlirimtare të UÇK-së. Së dyti, është aleanca e pathyeshme ndërmjet popullit tonë dhe SHBA-ve. Së treti, ajo që e ka mbajtur Kosovën gjallë në kohë të vështira e që e shtynë Kosovën përpara edhe sot është diaspora jonë, mërgata jonë. Sepse edhe në rastet kur kemi gabuar, sepse politikanët gabojnë, ju jeni siguruar që ta ktheni Kosovën në binarë, ta shtyni vetëm në rrugë të drejtë përpara. Jam e sigurt që me kontributin tuaj të vazhdueshëm, nuk po them vetëm përmes investimeve tuaja apo ndihmës që e bëni tek familjet tuaja, por me këtë rini të shkëlqyeshme që keni, të cilët do të shkollohen në universitetet më të mira në SHBA, apo do të krijojnë përvojë në sektorin privat, apo do të mbeten në shërbim të sigurisë aty ku jetoni, jam e bindur që rruga përpara është e ndritshme. Dhe nuk ka si të mos jetë kështu, sepse shtetin e bëjnë njerëzit, e njerëzit tanë jeni edhe ju, që edhe pse larg vendlindjes, secili prej jush e keni një copë atdheu me vete në zemër, dhe kurrë nuk ua harrojmë. Kam një këshillë: që të siguroheni që edhe gjeneratat e reja të mësojnë gjuhën shqipe, sepse gjuha shqipe është ajo lidhja emocionale që do t’i mbajë ata afër atdheut tuaj. Është me rëndësi për mua që të dëgjoj prej secilit prej jush, se çka mund të bëjmë më mirë, si mund të bashkëpunojmë më mirë, cilat janë këshillat tuaja për ne, si mund të sigurohemi që të gjitha vendet shqiptare të ecin përpara. Vetëm uniteti ynë mund të na çojë përpara. Pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi, kur është në pyetje interesi kombëtar, ne duhet të bashkohemi dhe të bëhemi një, ashtu siç kemi qenë një në vitet e ’90-ta dhe ju i keni hapur të gjitha dyert, deri te dyert e Shtëpisë së Bardhë. Kështu duhet të bëhemi edhe tani, në favor të interesave tona kombëtare”.
Para përfundimit, Presidentja Osmani u drejtua zyrtarëve në gjuhën angleze, duke i falënderuar për praninë dhe për përkrahjen.
“Unë e di – tha ajo – atë që populli amerikan e di, se ju nuk u treguat të verbër përballë gjenocidit dhe shfarosjes sonë! Erdhët, na ndihmuat të çlirohemi nga ajo barrë e madhe me të cilën jetuam gjatë. Shqiptarët e dinë dhe u janë mirënjohës”.
Në fund, për nder të vizitës së Presidentes Vjosa Osmani – Sadriu dhe zyrtarëve të tjerë, Shoqata shërbeu ushqim, ëmbëlsira dhe pije për të gjithë, kurse të rinjtë shqiptarë të diasporës shfaqen një program të shkurtër artistik.

Të fundit

më të lexuarat