Fuqia e medias si zgjidhje e problemit të Kohës Javore

I vetëdijshëm se mediat gjithnjë marrin një rol drejtues dhe orientues në krijimin e realitetit, fillimisht informacionin e shpërndava në mediat në gjuhën malazeze në mënyrë që politikanët, intelektualët dhe institucionet tjera të komunitetit shumicë të kenë qasje në një problem, siç ishte informimi në gjuhën shqipe

Ali Salaj

(vijon nga numri i kaluar)
Duke e ditur rolin e medias në përhapjen e informacionit dhe ndikimin e madh që ka në politikë dhe në formimin e opinionit publik, u përcaktova që përmes saj të arrijmë qëllimin për ta mbrojtur “Kohën Javore”.
I vetëdijshëm se mediat gjithnjë marrin një rol drejtues dhe orientues në krijimin e realitetit, fillimisht informacionin e shpërndava në mediat në gjuhën malazeze në mënyrë që politikanët, intelektualët dhe institucionet tjera të komunitetit shumicë të kenë qasje në një problem, siç ishte informimi në gjuhën shqipe.
Me lidhjet dhe raportet e mira që i kishim me kolegët në mediat malazeze (Vijesti, Dan, Zid, Monitor etj.) arritëm të plasojmë pikërisht temën e “Kohës Javore”, ku këto media në forma të ndryshme i dhanë edhe përparësi. Në këtë mënyrë këto media jo vetëm përcaktuan temën e rëndësishme, por edhe hierarkinë e tyre sipas rëndësisë, gjë që pa dyshim ndikoi në opinionin publik dhe në institucionet politike të vendit.
Në këtë kuadër ishte bashkëpunimi me kolegun Mustafa Canka, me të cilin kisha edhe marrëdhënie të mira shoqërore. Si njeri nga bota e gazetarisë dhe e komunikimit, ai ishte njëri ndër gazetarët më të njohur në Malin e Zi, i cili punonte për disa media vendore në gjuhën malazeze (Vijesti, Monitor) dhe ndërkombëtare (Deutsche Welle). Canka është njohës i mirë i zhvillimeve politike në Malin e Zi, prandaj shkrimet e tij kishin peshë të veçantë në opinionin malazez, por edhe në qarqet e ndryshme të vendimmarrjes në kryeqytet. Duke punuar për mediat e pavarura dhe opozitare, Canka kishte një ndjeshmëri të veçantë për të ndezur debate dhe për të shkaktuar reagime deri tek qarqet më të larta politike në Malin e Zi.
Në bashkëveprim Canka i dha një hapësirë të konsiderueshme çështjes së “Kohës Javore” në revistën e pavarur malazeze “Monitor”, me titullin “Vetëm presioni jep rezultat”, ku artikulli në mënyrë kronologjike flet për problemin e kësaj gazete.
“Hapi i parë u ndërmor nga vetë redaksia. Anëtarët e saj refuzuan propozimin që ‘Koha Javore’ të dalë para lexuesve më 16 prill si shtojcë e ‘Pobjedës’”.
Reagimet e partive shqiptare nuk munguan dhe ato do të mund të përmblidheshin në dy fjali: “Mali i Zi në këtë mënyrë nuk mund të hyjë në Evropë. Ky është diskriminim”.


Reaguan edhe organizatat joqeveritare shqiptare dhe intelektualët e pavarur, diaspora nga SHBA-ja, diplomatët e huaj. Të gjithë ishin të befasuar me mënyrën sipas të cilës Mali i Zi, i cili, siç preferojnë të deklarojnë krerët e tij, është “oazë e demokracisë multietnike në Ballkanin Perëndimor”, tenton të reduktojë dhe të shuajë të vetmen të përjavshme në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Qytetarët e Ulqinit deklaruan në një anketë se ata janë më të zellshmit në pagimin e tatimit dhe se me Kushtetutë është përcaktuar detyrimi që të financohet informimi në gjuhët e pakicave.
Zyrtarët malazezë u gjetën të befasuar.
“Ne nuk dimë asgjë për këtë. Do ta zgjidhim problemin”, ishte komenti i tyre i vetëm.
Në këtë artikull Canka përdor një gjuhë dramatike duke nxjerrë në pah qëllimin e vërtetë të autoriteteve në Malin e Zi karshi Kohës Javore.
“…kjo e përjavshme është bërë literaturë e pashmangshme për elitën kulturore dhe politike të shqiptarëve në Malin e Zi. Ndoshta kjo pavarësi edhe u ka penguar atyre të cilët marrin vendime, kështu që u kërkua rasti i përshtatshëm që gazeta të shuhej”, shkruhej në artikullin e M. Cankës në revistën e pavarur “Monitor”.
Ishte kjo një fushatë klasike mediatike, e ndërthurur me një sërë ndikimesh dhe faktesh për të krijuar një opinion të qartë mbi dukurinë e shfaqur lidhur me “Kohën Javore”. Duke ia komunikuar në këtë mënyrë mesazhin audiencës, lexuesit (të cilët janë edhe votues) e më së shumti vendimmarrësve politikë, u hetua ndikimi i menjëhershëm dhe i fuqishëm te strukturat e menaxhimit të Shtëpisë Botuese “Pobjeda”.
Në mesnatën e 10 prillit më telefonoi drejtori ekzekutiv i SHAGBG, Dragan Sharoviq, i cili në emër të Bordit më tha: “Mos e bëni shumë të madhe çështjen e Kohës. Ndale, se çdo gjë është në rregull. Do të vazhdojë botimi i saj”.
Kjo më përkujtoj fuqinë e medias si pushtet i katërt që mund të ndikojë në zgjidhjen e problemeve të ndryshme dhe t’i detyrojë politikëbërësit që t’i korrigjojnë veprimet e tyre.
Në mbledhjen e radhës së Bordit të Drejtorëve, krahas anëtarëve të rregullt më ftuan edhe mua dhe në këtë takim drejtori i përgjithshëm Luburiq me mirësjellje më përshëndeti dhe ma dha dorën duke pëshpëritur: “E shpëtuat Kohën Javore”. (Fund)

Të fundit

më të lexuarat