Guximi intelektual

Brenda shoqërisë shqiptare në Mal të Zi nuk pushojnë së qarkulluari zëshëm vagonët e së keqes, por kjo askujt nuk i pengon, mbase pa këto dukuri të shëmtuara nuk mund të jetohet. Pra, mungon zëri i arsyes, zëri i atyre, të cilët në vend që t’i shërbejnë të vërtetës, kanë zgjedhur t’i shërbejnë dhe t’ua hapin rrugën dukurive të shumta negative që e kanë dëmtuar deri në palcë indin kombëtar. Pos dy – tre zërave që e kanë flakur frikën dhe të bardhës i thonë- e bardhë e të zezës – e zezë, realitetin e “intelektualëve” të tjerë anemikë e skicojnë analfabetët, të cilët kanë marrë rolin e “shpëtimtarëve” të shoqërisë shqiptare

Qani Osmani

Guximi intelektual nënkupton aftësinë për të menduar dhe vepruar në mënyrë të pavarur, duke mos u nënshtruar presioneve të jashtme. Individi me guxim intelektual nuk frikësohet nga sfidat dhe është i vendosur për t’u përballur me vështirësitë për ta nxjerrë në pah të vërtetën. E kundërta e guximit intelektual realisht duhet të jetë frika intelektuale. Guximi intelektual lidhet me respektimin dhe mbështetjen e vlerave të intelektualizmit, siç janë transparenca, sinqeriteti dhe integriteti intelektual.
Aktualisht, a mund të veçohet ndonjë vlerë intelektualizmi te shoqëria shqiptare e Malit të Zi, kur është më se e dukshme mungesa e guximit intelektual? Fatkeqësisht është një pyetje, e cila thjeshtë e nënkupton përgjigjen. Sepse pikërisht mungesa e guximit intelektual, ka bërë që shoqërinë shqiptare ta mbulojë një mjegull, brenda se cilës mjegull ndodhin gjëra të çoroditura dhe të turpshme për një shoqëri normale. Nuk mund të veçohet asnjë vlerë, sepse ata që duhet ta thonë të vërtetën, janë mbyllur brenda lëvozhgave të tyre dhe kanë frika ta shikojnë në sy realitetin, që për fatin tonë të keq, ka kohë që është mbuluar me një zymtësi të dhimbshme.
Brenda shoqërisë shqiptare në Mal të Zi nuk pushojnë së qarkulluari zëshëm vagonët e së keqes, por kjo askujt nuk i pengon, mbase pa këto dukuri të shëmtuara nuk mund të jetohet. Pra, mungon zëri i arsyes, zëri i atyre, të cilët në vend që t’i shërbejnë të vërtetës, kanë zgjedhur t’i shërbejnë dhe t’ua hapin rrugën dukurive të shumta negative që e kanë dëmtuar deri në palcë indin kombëtar. Pos dy – tre zërave që e kanë flakur frikën dhe të bardhës i thonë -e bardhë e të zezës -e zezë, realitetin e “intelektualëve” të tjerë anemikë e skicojnë analfabetët, të cilët kanë marrë rolin e “shpëtimtarëve” të shoqërisë shqiptare.
Dhe, mos të harrojmë se në Mal të Zi, intelektual e konsiderojnë veten një armatë e profesorëve, studentëve, shkrimtarëve, mjekëve, piktorëve, gazetarëve, analistëve, të punësuarve në administratën shtetërore, pastaj të gjithë ata që (të përgjumur) kanë magjistruar e doktoruar në drejtime të ndryshme…Janë të shumtë në numër, por askund nuk vërehen.
Ndërkaq intelektualizmi konsiderohet si një qasje që promovon ndërgjegjësimin intelektual dhe përdorimin e mendjes për të arritur njohuri dhe kuptim më të thellë të realitetit. Kur nuk përdoret mendja, atëherë vjen në shprehje gjumi dhe injoranca, të cilat e kanë kapluar shoqërinë shqiptarë në Mal të Zi.
Çdo intelektual vepron në mënyrë individuale, ashtu edhe siç ngritët deri te statusi që reflekton intelektualitetin e tij personal. Megjithatë, kur bëhet fjalë për zhvillim të një ideje për avancim të një iniciative, për sendërtim të një vizioni, për realizim të një projekti kombëtar, potenciali intelektual individual është i papërfillshëm, madje, herë-herë, edhe i dëmshëm. Në të tilla raste grupimi intelektual është i domosdoshëm, është jetik.
Grupimi intelektual ka kuptim dhe logjikë vetëm kur është në pyetje zgjidhja e një çështje kombëtare, realizimi i një projekti kombëtar, ngritja e iniciativave deri në lindje të institucionit nacional, domethënë, deri te realizimi dhe zyrtarizmi i një çështje që për “autor” ka elitën intelektuale si grupim i vlerave kombëtare!
Por, nëse ky grupim intelektual formohet në momentin e tatëpjetës së një subjekti politik, pra, nëse ky grupim tubohet për ta shpëtuar partinë nga hallet me elektoratin e vet, atëherë kemi të bëjmë me grupim manipuluesish, me grupim mediokrish, me grupim snobësh të cilët hallin e popullit, çështjen kombëtare e zbresin në nivel të hallit irelevant partiak!
Natyrisht, grupimi intelektual lëshohet në këtë aventurë duke e bërë të qartë lëvizjen, porse fillimisht hedh në opinion një “çështje kombëtare” aq joshëse për popullin, por edhe shumë bindëse se projekti mund të realizohet vetëm nëse do ta mbështesin forcën politike, e cila, pavarësisht se merr tatëpjetën, halla të vetmin ka “çështjen kombëtare”! Pra ky grupim intelektualësh merr rol gebelsian dhe, duke u shndërruar në marionetë të liderit politik, kauzën kombëtare e shpartallon në pikla propagandistike shumë të shpifura. Historitë tona më të reja kanë shënuar edhe përpjekje “serioze” për ta devalvuar synimin e përjetshëm kombëtar: bashkimin kombëtar! Janë organizuar “referendume sekrete”, jashtë çdo konteksti kohor dhe jashtë të gjitha rrethanave që kanë diktuar politika gjeostrategjike të reja, për ta provuar kombin shqiptar përtej kufijve të shtetit amë nëse është i gatshëm për ta realizuar bashkimin kombëtar! Nga iniciativa të tilla joserioze të grupimeve intelektuale edhe rezultatet kanë dalë qesharak, të turpshëm, shumë ofenduese për kombin shqiptar! Dhe, në fakt, gjithçka është bërë dhe vepruar vetëm sa për ta bindur opinionin se idetë kombëtare janë të vogla në krahasim me projektet partiake të subjektit që manipulon me grupime intelektuale të kota!
Se grupimet e këtilla, të vëna në shërbim të një subjekti, dhe jo të një kauze, janë tërësisht grupime të kota, dëshmojnë edhe mosreagimet e tyre në rast se opinioni kapet për “karrem” dhe e përkrah lëvizjen e tyre si një hap kombëtar! Grupimet intelektuale të këtilla nuk trimërohen nga përkrahja masovike, mediale, popullore, nuk marrin vrull, nuk dalin në mesin e opinionin qoftë edhe mediatikisht, por, çuditërisht, futen në vrimë të miut duke e vrarë edhe kauzën kombëtare. Sepse, me fshehjen e grupimit intelektual, në sipërfaqe del kryesia partiak dhe kauza kombëtare tashmë bëhet pronë e partisë dhe nëse subjekti nuk ia del ta realizojë, çështja merr fund, nuk ka se çfarë të aktualizohet sërish dhe nuk ka se çfarë të kërkojë populli i cili duhet të bindet në fundin e çështjes si projekt përfundimisht i parealizueshëm.
Grupimi intelektual që këmbëngulë në shtyrjen përpara të çështjes apo të një kauze jetike për popullin e vet, në fakt, përbën ajkën e trurit të kombit, ndërsa grupimi intelektual që për hesape të pozitës partiake dhe të imazhit të partisë devalvon kauza kombëtare është thjesht një grusht manipuluesish pa personalitet që me përkrahje partiake ia dalin të bëjnë karrierë prej “intelektualësh”!

Të fundit

më të lexuarat