Përfaqësuesit politikë shqiptarë reagojnë njëzëri kundër diskriminimit të “Kohës Javore”

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve “me qëllim të informimit të lirë, objektiv dhe profesional në gjuhën shqipe si gjuhë specifike e cila dallon plotësisht nga gjuhët e tjera që fliten në Malin e Zi, e konsideron si të arsyeshme, madje edhe të domosdoshme, që gazeta ‘Koha Javore’ të shndërrohet në gazetë të përditshme, e jo më që ajo të reduktohet.”

Ali Salaj

Në anën tjetër, forcat politike dhe institucionet shqiptare reaguan njëzëri duke akuzuar pushtetin e Malit të Zi për mohimin e së drejtës së informimit në gjuhën amtare për shqiptarët.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi përmes një reagimi të botuar në fund të majit në mediat malazeze dhe në ato në gjuhën shqipe, e vlerëson të “papranueshëm propozimin e Qeverisë së Malit të Zi, përkatësisht të Ministrisë së Financave, që në kuadër të reduktimit të shtojcave dhe revistave të SHAGBG “Pobjeda”, të përfshijë edhe gazetën e vetme në gjuhën shqipe “Koha Javore”. Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve “me qëllim të informimit të lirë, objektiv dhe profesional në gjuhën shqipe si gjuhë specifike e cila dallon plotësisht nga gjuhët e tjera që fliten në Malin e Zi, e konsideron si të arsyeshme, madje edhe të domosdoshme, që gazeta ‘Koha Javore’ të shndërrohet në gazetë të përditshme, e jo më që ajo të reduktohet.”
Në reagimin e kryetarit të KKSH-së, Tahir Tahiri thuhet se “masat paralajmëruese, bazuar në njoftimin e redaktorit përgjegjës, nuk janë praktike, as demokratike, sigurisht as funksionale dhe çka është më keq shkojnë në dëm të avancimit të të drejtave të popullit shqiptar në Malin e Zi dhe cungimit të mëtejmë të të drejtave të arritura të shqiptarëve në këtë shtet”.

Në kumtesën për opinion të Forcës së Re Demokratike, të botuar më 18 prill 2009 në të përditshmen “Vijesti”, thuhet se “Forca do të njoftojë opinionin e gjerë në vend dhe në botën e jashtme lidhur me situatën e krijuar me të vetmen medie të shkruar në gjuhën shqipe në Mal të Zi duke apeluar që kriza ekonomike nuk duhet të manifestohet fillimisht te mediat e pakicave”


Për KKSH-në ky propozim është diskriminim dhe mohim i të drejtave të shqiptarëve për t’u informuar në gjuhën e vet amtare, ashtu siç parashihet me Kushtetutë, me Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe të Pakicave, me standardet ndërkombëtare të shoqërive multietnike etj. dhe, jemi të bindur se kjo nuk shkon në favor të asaj që i thonë plotësim i standardeve për t’u integruar në bashkësinë e shteteve evropiane.
Ky është rasti i dytë që ndodh në 30 vitet e fundit me publikimet në gjuhën shqipe. Për shkak të “mungesës së mjeteve financiare”, siç thoshin atëherë autoritetet e Pobjedës – Veprimtaria Botuese, revista “KOHA” (1978-1988) u mbyll duke shuar kështu institucionin e vetëm të nivelit republikan në gjuhën shqipe në Mal të Zi, një redaksi që shënoi hapat e para të letërsisë, të shkencës, të kulturës shpirtërore të shqiptarëve në Mal të Zi…”
Edhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi reagoi ndaj përpjekjes për reduktimin e “Kohës Javore”, ku në një opinion të gjerë vë në dukje “kundërshtimin me forcë të këtij planifikimi ogurzi të mbylljes së gojës së të vetmes gazetë në gjuhën shqipe”.
Në reagimin e LD në MZ thuhet se “do të vëmë në dispozicion gjithë qenien dhe dijen tonë, ashtu siç e vumë për ta formuar, tash mos ta lejojmë që ta shuajnë”.
Ndërkohë kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi, më 17 prill 2009 në gazetën ditore “Dan” prononcohet për mosdaljen dhe bojkotimin e “Kohës Javore” me titullin “Mehmet Bardhi akuzon Qeverinë për ndërprerjen e ‘Kohës Javore’”.
Në këtë prononcim z. Bardhi vë në dukje se gazeta në gjuhën shqipe “nuk mund të shndërrohet në shtojcë, pasi është gazetë e pavarur publike, e themeluar me vendim të Parlamentit të Malit të Zi dhe me konsensus të pushtetit dhe opozitës në vitin 1999.”
Z. Bardhi tha më tej se “gazeta në gjuhën shqipe është një e drejtë e fituar e shqiptarëve në Malin e Zi dhe si të tillë askush nuk guxon ta rrezikojë apo ta shuajë”
Forca e Re Demokratike e ka cilësuar si “sulm ndaj informimit në gjuhën shqipe paralajmërimin për reduktimin e gazetës ‘Koha Javore’”.
Në kumtesën për opinion të botuar më 18 prill 2009 në të përditshmen “Vijesti” thuhet se “Forca do të njoftojë opinionin e gjerë në vend dhe në botën e jashtme lidhur me situatën e krijuar me të vetmen medie të shkruar në gjuhën shqipe në Mal të Zi duke apeluar që kriza ekonomike nuk duhet të manifestohet fillimisht te mediat e pakicave”. (vijon)

Të fundit

më të lexuarat