Besoj se do të shkruaj një roman për Ulqinin

“Ulqini është një shenjë e veçantë për mua si krijues për shumë arsye. Shenja e parë është Basri Çapriqi. Është njeriu dhe miku prej të cilit kam mësuar shumë. Kam mësuar për fjalën e mirë, për veprën e mirë, për dashurinë ndaj njëri-tjetrit, për dashurinë ndaj letërsisë”, ka thënë autori

Ulqin – Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Libraria “Ulqini” kanë organizuar të shtunën mbrëma (14 shtator 2024) takim letrar me poetin dhe studiuesin e letërsisë Prof. dr. Sali Bashota.
Në bashkëbisedim me udhëheqësen e takimit, Vediha Gjoni, autori ka folur për krijimtarinë e tij dhe procesin e krijimit, për lidhjet me poetin dhe studiuesin e letërsisë Basri Çapriqi, mbi probleme të ndryshme të letërsisë, arsyen e qëndrimit të tij në Ulqin etj..

Lidhjet me Ulqinin dhe krijuesit e tij
Bashota ka folur për lidhjet e tij me Ulqinin, ku ai ka shumë miq të studimeve.
“Këtu kam edhe shumë miq të gjeneratës sime, me të cilët kemi filluar (studimet) para dyzet e ca vitesh, në një periudhë të vështirë të jetës sonë, në rrethana krejt të tjera shoqërore e politike, por edhe kulturore. Natyrisht Ulqini është një shenjë e veçantë për mua si krijues për shumë arsye. Shenja e parë është Basri Çapriqi. Është njeriu dhe miku prej të cilit kam mësuar shumë. Kam mësuar për fjalën e mirë, për veprën e mirë, për dashurinë ndaj njëri-tjetrit, për dashurinë ndaj letërsisë”, ka thënë ai, duke nënvizuar se këtë takim ia kushton pikërisht Basri Çapriqit, mikut të tij të paharruar dhe të shpirtit.
Ai ka thënë se për këtë arsye, por edhe për shumë faktorë të tjerë, ka zgjedhur Ulqinin si rezidencë letrare në mesin e disa qyteteve të tjera.
“Kam ardhur në këtë projekt, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës me qëllim që edhe unë si një mik i tij i shpirtit të bëj diçka për Ulqinin, të provoj të shkruaj diçka për Ulqinin, për njerëzit e këtij ambienti, vendi, për përzemërsinë e shumë miqve këtu që i kam dhe që i respektoj, që i çmoj. Do të përpiqem të shkruaj diçka – do të shkruaj ndonjë vepër me poezi, me prozë, me ese…”, është shprehur poeti.

Poezia së pari është ndjenjë, emocion, pastaj mendim, botëpërjetim dhe botëkuptim
Duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë është për të poezia, autori ka thënë se nuk ka ndonjë definicion për poezinë.
“Secili poet që shkruan, e shkruan në mënyrën e vet. Edhe secili poet përpiqet që përmes fjalorit të vet që e ndërton t’i bashkojë disa fjalë, disa nocione, disa ide, disa mendime e botëkuptime që të nxjerrë një porosi, një mesazh në funksion të pranimit të atij mesazhi te lexuesi, te recipienti që e quajmë ne”, është shprehur Bashota.
Sipas tij, poezia së pari është ndjenjë, emocion, pastaj është mendim, botëpërjetim dhe botëkuptim.
“Tash secili në mënyrën e vet se si e paraqet ligjërimin, figurën, stilin, gjuhën, si i ndërton ato në variantet e versionet e aktit të vet krijues, përpiqet ta nxjerrë një domethënie, qoftë metaforike, herë simbolike, varësisht prej temës që e trajton”, ka theksuar poeti, duke nënvizuar se Borhesi thotë se ritmi, ligjërimi dhe figura janë tri elemente që e dallojnë një poezi të fuqishme, të madhe.

Proza poetike si një alternativë plotësuese e poezisë
Autori Bashota ka treguar arsyen se pse krahas poezisë shkruan edhe proza poetike, ku deri tani ka botuar pesë libra që i përkasin këtij lloji letrar.
“Zakonisht, ne që shkruajmë disa lloje dhe zhanre të ndryshme, kur provojmë një zhanër ku nuk mund t’i themi të gjitha, shkojmë në tjetrin. Domethënë, jam përpjekur që të bëj një lloj sinteze, një lloj sinkronizimi të ideve, mendimeve, koncepteve. Ato që janë në poezi përmes stilit, figuracionit, gjuhës, përpiqem t’i shoh në një mënyrë tjetër, në variant tjetër në prozë. Edhe ndonjëherë jam përpjekur që t’i artikuloj në mënyrën time duke mos e përsëritur poezinë. Domethënë, të gjej një lloj dhënie-marrje të ideve, të stilit, gjuhës, figuracionit në përgjithësi. Sepse ndonjëherë duket poeti, kur e ka ndonjë siklet të madh dhe nuk mund t’i thotë të gjitha ato, nganjëherë më duket mua në prozë e zgjeroj mendimin, e zgjeroj konceptin dhe më duket se në poezi figura nganjëherë nuk është e mjaftueshme. Dëshiroj të përdor më shumë rrëfim, rrëfim poetik, që natyrisht më ka hyrë në punë shumë”, ka thënë ai.
Bashota ka thënë se do të vazhdojë edhe më tutje të shkruajë proza poetike.
“Kjo, ndoshta, më sjell deri te romani. Po synoj. Unë besoj se do të shkruaj një roman për Ulqinin”, ka deklaruar ai para artdashësve të Ulqinit.

Dhembja e pafundme për djegien e bibliotekës dhe shtëpisë
Djegia e shtëpisë dhe e bibliotekës nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës ka shkaktuar një dhembje të madhe dhe të pambarim tek ai.
“Biblioteka ka qenë shumë e madhe. Ka pasur shumë libra, revista, edhe gazeta. Dhembjen e kam artikuluar në shumë libra të mi. Atë dhembje shpirtërore, sidomos dhembjen dhe mallin për fotografi. Fotografia ndoshta është mbi të gjitha. Fotografitë e fëmijëve, prindërve, miqve të mi. Kam pasur një koleksion të madh të fotografive. Është sikur të shlyhet memoria, një pjesë të hiqet kur hiqet fotografia. Është një dhembje e pambarim, e pafund”, ka thënë autori.
Gjatë takimit Bashota ka lexuar poezinë “S’ke me dalë nga parajsa” që i kushtohet mikut e poetit Basri Çapriqi me rastin e vdekjes së tij.
Në emër të organizatorit, të pranishmit në Librarinë “Ulqini” i ka përshëndetur kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, i cili ndër të tjera ka vënë në dukje bashkëpunimin e mirë ndërmjet kësaj shoqate dhe PEN Qendrës së Kosovës, anëtar i së cilës është poeti, studiuesi i letërsisë dhe profesori universitar Sali Bashota.
Prof. dr. Sali Bashota është krijues i cili i lëvron pothuajse të gjitha gjinitë letrare dhe studiues i letërsisë. Është profesor në Fakultetin e Filologjisë së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku ligjëron disa lëndë mësimore nga fusha e letërsisë. Është njëri ndër poetët më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit. Ka qenë drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Është anëtar i PEN Qendrës së Kosovës. Për krijimtarinë letrare e shkencore është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2020 nga Presidenti i Republikës së Kosovës është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë dhe të kulturës shqiptare.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat