
Padyshim, është bërë traditë e përhershme që më datat 31 korrik dhe 1 gusht në ambientin e sallës për takime, tubime dhe manifestime të ndryshme kulturore, letrare, artistike, shkencore në katin përdhes të Shtëpisë së rikonstruktuar të kulturës në fshatin Vuthaj të Komunës së Gucisë, me vetkontributin e vuthjanëve në diasporë, por edhe atyre vendas, të organizohen dhe mbahen çdo vit akademi solemne, përurime veprash letrare, ekspozita të arteve pamore, tryeza të rrumbullakëta, shënime përvjetorësh, manifestime të ndryshme tubime mortore etj.
Edhe këtë vit, pikërisht të enjten më 1 gusht 2024, në ambientin e sallës së sipërpërmendur të Shtëpisë së kulturës në Vuthaj, në praninë e një numri vërtetë të madh personalitetesh të mirënjohura, shquara dhe në zë të ftuar nga Krahina e Plavë-Gucisë, Mali i Zi, Republika e Kosovës, Shqipëria, Republika e Maqedonisë së Veriut, Sanxhaku, Lugina e Preshevës, Evropa, Amerika, Australia e Kanadaja, si dhe të një numri të konsiderueshëm bashkëvendësve mërgimtarë në diasporë, në organizim të Këshillit të “Gazetës së Alpeve” u mbajt “Takimi Kombëtar i Plavë-Gucisë, 2024” – Takim PanShqitar-Ndër Ballkanik-Euro Atlantik, me tematikë: Histori, Identitet, Integrim, i katërti me radhë.
Takimi në fjalë, programin e të cilit e udhëhoqi kryetari i Këshillit organizativ, kryeredaktori i “Gazetës së Alpeve” dhe veprimtari i denjë i çështjes kombëtare, Ramiz Lushaj, filloi me intonimin e himnit të flamurit kombëtar shqiptar të cilin e ekzekutoi solo sopranja dhe këngëtarja e mirënjohur shqiptare me famë botërore, Anila Hoxha-Gjermeni, e cila enkas ka ardhur nga qyteti Milano i Italisë ku jeton dhe përformon.
Panelistë të “Takimit Kombëtar të Plavë-Gucisë, 2024” ishin: Ramiz Tafilaj, Akademik Mentor Petrela, Princi Loris Kastrioti-Skënderbeu II, Bilall Kasimi, Mailinda Angoi (Jubani), Bashkim Ramosaj, Vesel Qosaj dhe Tonin Marinaj.
Nderi për hapjen e takimit në fjalë i takoi Akademikut Mentor Petrela, i cili në fjalën përshëndetëse të rastit me admirim, dinjitet por edhe me një dozë emocioni e mallëngjimi, falënderoi pjesëmarrësit e ftuar të pranishëm, por edhe gjithë të tjerët të cilët këtë eveniment e kanë bërë madhështor. Ai ndër të tjera theksoi se posaçërisht është i lumtur sepse i është dhënë rasti që mu në këtë takim të takohet me njërin nga ish shokët e klasës me të cilin më parë rrallë është takuar, por gjithnjë siç tha ai, e ka pasur në mendje dhe zemër.
Ndërkaq fjala përshëndetëse e mirëseardhjes i takoi vuthjanit në diasporë, nënkryetarit të Këshillit Organizativ të “Takimit Kombëtar të Plavë-Gucisë, 2024” dhe anëtarit të Këshillit nismëtar për rikonstruktimin e objektit të Shtëpisë së kulturës në Vuthaj, zotëri Vesel Qosaj, i cili në fjalën e rastit u shpreh: “Para së gjithash ju uroj mirëseardhje në Plavë e Guci dhe në shtëpinë e përbashkët të Vuthjanëve, Shtëpinë e kulturës në Vuthaj, dhe në vendlindjen e shumë atdhetarëve të shquar të kombit si në kohë paqe, ashtu edhe në kohë lufte. Përshëndes këtë manifestim kulturor të organizuar nga Gazeta e Alpeve dhe të palodhshmin zotëri Ramiz Lushaj, i cili me punën dhe angazhimin e tij po e promovon trevën tonë së bashku me vlerat dhe bukuritë saj. Ju flas në emër të Këshillit për rindërtimin e Shtëpisë së kulturës në Vuthaj nga Nju Jorku”, dhe në vazhdim ka shtuar: “Atdhedashuria nuk ka njësi matëse, por ka vetëm vepra, se sa bën dhe vepron për të mirën e tokës ku jemi lindur dhe jemi rritur. Mirënjohje për kontribuuesit që mundësuan jetësimin e kësaj vepre përmes portreteve të personazheve historike, duke filluar nga Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri deri te personalitetet e shquara të kësaj ane, me arritjet e tyre”. Veprimtari Qosaj në elaborimin e tij të mëtejmë theksoi se qëllimi dhe ideja e paraqitjes së këtyre personaliteteve historike në ambientet e Shtëpisë së kulturës, ishte dhe është t’i nderojmë ato për të mos u harruar kurrë, duke ditur se po në Plavë-Guci, u bë lufta e parë për mëvetësinë e shtetit shqiptar, “Lufta e Nokshiqit” 1879/80, luftë kjo që theu vendimet e Kongresit të Berlinit. Këtu, të nderuar të pranishëm, gërshetohet e kaluara historike me prijësit e trevës sonë në Lidhjen e Prizrenit, dhe me të sotmen e kushtuar edukimit me Josip Relën, me shkronjat e para me akademikët e të sotmes, e bashkë me to edhe dëshmorët e trevës sonë të luftës së fundit për çlirimin e Kosovës. Ky ambient është i vogël, por brenda tij është e përfshirë e tërë historia e ndritur e trevës sonë e Plavë-Gucisë, ka thënë në fund të elaborimit të vet në fjalën përshëndetëse.
Panelisti Bashkim Ramosaj, kryetar i Komunës së Deçanit, në mënyrë analitike e konstruktive elaboroi kumtesën me titull “Rruga Deçan-Plavë në funksion të integrimit e zhvillimit ndërkufitar e rajonal”. Dr. Bilall Kasimi, kryetar i Komunës së Tetovës, në kumtesën e vet shumëpërfëshirëse në mes tjerash theksoi rëndësinë e hapjes së rrugës ndërshtetërore Tetovë-Prizren, ndërsa Majlinda Angoni (Jubani), Prefekte e Prefekturës së Qarkut të Shkodrës elaboroi në mënyrë koncize e kronologjike nën kumtesën e vet “Integrimet e zhvillimet ndërkufitare të Qarkut Shkodër e të Shqipërisë me Plavë-Gucinë e Malit të Zi”.
Në ndërkohë në akademinë solemne të takimit në fjalë me këngët e veta vërtetë me peshë dhe vlerë të lartë i argëtoi sopranoja dhe këngëtarja me famë, Anila Hoxha-Gjermeni, e cila gjatë interpretimit të këngës “Baresha” të këngëtares së famshme Kosovare “Bilbili i Kosovës” Nexhmie Pagarusha, të kompozuar nga bashkëshorti i saj Guciani e kompozitori i mirënjohur Rexho Mulliqi, i cili këngën në fjalë ia ka kushtuar mu bareshës guciane.
Atmosferë vërtetë solemne e mbresëlënëse ishte ndarja e çmimeve, plaketave dhe mirënjohjeve personaliteteve e veprimtarëve të shquar e mirënjohur nga treva e Krahinës së Plavë-Gucisë për rezultatet dhe sukseset meritore të shënuara dhe arritura në veprimtarinë e punës së tyre profesionale, por edhe të personaliteteve dhe veprimtarëve të tjerë nga mbarë trojet etnike shqiptare.
Për të gjithë mysafirët e ftuar që morën pjesë në takim, u shtrua drekë solemne në Restorantin “Hartini” që gjendet në afërsi të Ujëvarës Gërla në Vuthaj.