
Më 16 gusht, në Hot të Malësisë së Madhe do të përurohet Kulla e Famshme e Çunmulajve, e cila kishte pësuar rëndë gjatë periudhës komuniste. Duke qenë saraji më i madh dhe më i njohur i Malësisë, interesimi për mbarëvajtjen e kësaj kështjelle nuk u ndalua kurrë. Pas rënies së diktaturës në Shqipëri, malësorët shqiptarë mendonin çka mund të bëhej për rindërtimin e kësaj shtëpie legjendare. Më në fund, para dy-tri vjetësh në Malësi u themelua një komision i posaçëm për ngritjen e fondeve për rindërtimin dhe meremetimin e Kullës së Çunmulajve. Këtë ide e mbështetën shumica dhe në atë kohë filluan fushatën e ngritjes së fondeve, sidomos në diasporë, e cila u tregua shumë fisnike duke dhënë qindra mijëra dollarë.
Për Çunmulajt e Hotit është folur e shkruar shumë nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Poeti ynë kombëtar Atë Gjergj Fishta në kryeveprën e tij “Lahuta e Malësisë” i kushton një hapësirë të madhe Çun Mulës. Pothuajse shumica e personazheve të Lahutës së Malësisë janë trima të vërtetë e jo të imagjinuar siç ndodh në shumë vepra letrare të botës shqiptare dhe të huaj.
“Lahuta e Malësisë” është vepër letrare epike me përmbajtje historike. Në këtë vepër zë një vend të veçantë Çun Mula i Hotit, derë e parë dhe bajraktar i Malësisë së Madhe. Gjergj Fishta në kryeveprën e tij “Lahuta e Malësisë” e përshkruan Çun Mulën me fjalët më të mira dhe më të bukura të gjuhës shqipe. Ai gdhend në vargje me fjalët më të shkëlqyeshme, tregon të kaluarën fisnike të kësaj familjeje që sot e kësaj dite simbolizon bashkimin kombëtar, duke bërë thirrje për drejtësi dhe paqe në liri.
Vargjet e para për Çun Mulën fillojnë në këngën “Lidhja e Prizrenit”, ku Çun Mula kishte marrë pjesë si përfaqësues i Malësisë së Madhe. Në këtë këngë Gjergj Fishta fillon të këndojë për këtë burrë të përmendur jo vetëm të Malësisë, por gjithë Shqipërisë.
Me rastin e100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shteti shqiptar e nderoi Çun Mulën për pjesëmarrjen e tij në të. Gjergj Fishta në kryeveprën e tij tregon se Çun Mula kishte marrë pjesë aktive në atë lidhje të madhe shqiptare:
Vjen Çun Mula e vjen Mar Lula
Njani Hot e tjetri Shalë
Të fortë për pushkë e të urtë për fjalë
Si ai Dodë Prëci prej Kastratit
Me atë Vrijnin e Beratit.
Ndërsa në këngën “Marash Uci”, poeti ynë kombëtar thotë këto për Çun Mulën:
Në Gjenoviq Marashi u nisë
Ke Çun Mula me konisë
Ke Çun Mula shpi e rreptë
Ku han buk i verbët e i shkeptë
Në tanë fis të Hotit shpi e parë
Djal pas djalit Bajraktar
Prej mjesditet tue ra dielli
Në Gjenoviq kapet ai filli
Në Gjenoviq te kulla e Çunit
Në atë kullë të bardhë në krye të katundit
Mirë se të gjejë o Çuni i Mulës
Po i thotë Marashi në derë të kullës.
Njaj Çun Mula thotë nji fjalë
Madhi Zot ty të kjosha falë
Ndër dy punë njëra do të dalë
Ase i shkojmë Mbretit në ushtri
Ase luftë do të kem me Mal të Zi.
Kurse në këngën “Te Kisha e Shnjonit” thotë:
Po Çun Mula në shpinë të kalit
U çoi lajmin po Krenëve të malit
U çoi lajmin në derë të konakut
Me u mbledhë në kuvend të bajrakut
E si rrokull kjen rreshtue
Kështu zënë Çuni me ligjërua
Kështu tha Çuni Baajraktari
Edhe në gjujë u ngre ma i pari
Bani be me lot për faqe
Për qitape e shtatë melaqe
Me Orë të bjeshkëve e me krye të fëmisë
E për Emen të Perendisë
Se pa dekë e pa hi në dhe
Me gjithë djal e me gjthë re
Pa u robit me lopë e qe
E pa u djegë me stan e shpi
Si bjen n’dorë kurr Malit të Zi.
Vargjet poetike të stilit homerik tregojnë më së miri se kush kishte qenë Çun Mula i Hotit. S’ka dyshim se Gjergj Fshta i bëri Çun Mulës portretin më të mirë në kulturën tonë kombëtare. Çun Mula ishte atdhetar i madh, trim dhe strateg, bujar dhe orator. Të gjitha këto cilësi të larta njerëzore u skalitën në kryeveprën e poetit tonë kombëtar. Për këtë gjigant të Malësisë së Madhe këndohet sot e kësaj dite në atdhe, por edhe diasporë. Pas Skënderbeut dhe Oso Kukës, Çun Mula përmendet më shumë se asnjë tjetër për aktivitetet e tij kombëtare dhe shoqërore. Përurimi i Kullës së Çun Mulës më 16 gusht është një vepër e madhe kulturore dhe historike.