Letërsia vazhdon t’i frymëzojë njerëzit e mendimit të lirë anembanë botës

Mbrëmja e parë e edicionit të sivjetshëm i është kushtuar shkrimtarit më të madh bashkëkohor shqiptar, Ismail Kadare, i ndarë nga jeta në fillim të muajit korrik; mbrëmja e dytë studiuesit të letërsisë, akademikut Ali Aliu, një personaliteti në fushën e letrave shqipe, i cili me studimet e tij teoriko-letrare ka promovuar dhe ndikuar shumë në letërsinë shqipe; kurse mbrëmja e tretë ka pasur në qendër të vëmendjes poetin Sadik Bejko, krijimtaria e të cilit zë vend nderi në letërsinë shqipe

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” organizoi më 3-5 gusht 2024 edicionin e 32-të të manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”.
Në fjalën e hapjes, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka nënvizuar rolin dhe rëndësinë që kanë shkrimtarët dhe vepra e tyre për shoqërinë, e cila i bën ata të pavdekshëm.
“Shkrimtarët janë njerëz si të tjerët vetëm në kuptimin e ekzistencës fizike, por ata kanë botën e tyre të veçantë dhe me krijimtarinë e vet i kanë siguruar vetes përjetësinë. Shkrimtarët nuk jetojnë (vetëm) për veten, ata jetojnë edhe për të tjerët. Mbase letërsia sot nuk e ka rolin dhe ndikimin që ka pasur dikur, por ajo vazhdon t’i frymëzojë njerëzit e mendimit të lirë anembanë botës”, ka theksuar ai.
Duke përkujtuar se në fillim të muajit korrik letërsia shqipe humbi zërin e saj kryesor, shkrimtarin Ismail Kadare i cili letërsinë e një populli dhe gjuhe të vogël e bëri të përbotshme, Kallaba ka thënë se shkrimtarët janë “të privilegjuar”, sepse edhe kur ikin na lënë letërsinë e tyre si homazh.
“Sa herë që lexojmë një vepër letrare, ne përkujtojmë autorin e saj dhe në njëfarë mënyre bëjmë homazhe për të”, është shprehur ai.
Mbrëmja e parë e edicionit të sivjetshëm të manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”, e cila është mbajtur në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit, i është kushtuar pikërisht shkrimtarit më të madh bashkëkohor shqiptar, Ismail Kadare, për jetën dhe krijimtarinë e të cilit kanë folur botuesi Bujar Hudhri dhe shkrimtarët Mehmet Kraja (akademik) e Sadik Bejko. Një performancë nga shfaqja “Ferri i Argamemnonit”, me tekst të Ismail Kadaresë, e ka luajtur për publikun aktori Laert Vasili nën shoqërimin e violinistit Eduart Hallulli, ndërsa mbrëmja është udhëhequr nga poeti dhe studiuesi i letërsisë Dr. Haxhi Shabani.
Mbrëmja e dytë në Librarinë “Ulqini” i është kushtuar studiuesit të letërsisë, Akademikut Ali Aliu, një personaliteti në fushën e letrave shqipe, i cili me studimet e tij teoriko-letrare ka promovuar dhe ndikuar shumë në letërsinë shqipe. Për veprën e tij ka folur shkrimtari Mehmet Kraja, kurse mbrëmja është udhëhequr nga studiuesja e letërsisë Dr. Sabina Osmanoviq.
Mbrëmja e tretë e këtij edicioni, në Muzeun Etnografik – Draginë, ka pasur në qendër të vëmendjes poetin Sadik Bejko, i cili në bisedë me poetin Argëzon Sulejmani ka folur për rrugëtimin e tij letrar, sfidat, “librin e tij më të mirë që akoma nuk e ka shkruar” etj. Vetë poeti ka lexuar për publikun vargje nga krijimtaria e tij, ndërsa studiuesi i letërsisë Ali Aliu ka folur për vlerat e krijimtarisë së Bejkos dhe vendin e nderit që ajo zë në letërsinë shqipe.
Krahas letërsisë, nata e dytë dhe e tretë janë ndërthurur me muzikë të instrumentistëve nga Shkodra – Anton Kaftalli në violinë dhe Ares Fani në kitarë.
Mysafirët e “Kalimerës Poetike – Basri Çapriqi” janë pritur të hënën (5 gusht 2024) nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu. Në takim është nënvizuar rëndësia e këtij manifestimi për qytetin e Ulqinit, shqiptarët në Malin e Zi dhe botën shqiptare. Po ashtu është theksuar nevoja e mbështetjes më të madhe institucionale me qëllim të rritjes së tij dhe zgjerimit në një festival letrar ndërkombëtar.
“Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, e cila ka nisur në vitin 1993, është manifestimi letrar kryesor ndër shqiptarët në Malin e Zi dhe një nga më të rëndësishmit e këtij lloji në hapësirën shqiptare nëse kemi parasysh emrat e shkrimtarëve mysafirë të këtij manifestimi përgjatë viteve. Si i tillë, ai vazhdon të promovojë vlerat më të mira letrare që krijohen gjithandej në botën shqiptare, vendet e rajonit dhe më gjerë.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat