Në kuadër të manifestimit “Vera në Malësi” të premtën mbrëma (19 korrik 2023) Komuna e Tuzit organizoi në fshatin Vuksanlekaj (Kulla e Vuksanlekës) shfaqjen e filmit “Tavolina”, dhe ekspozitën “Pritja” e cila pasqyron të njëjtën tematikë, ku në të shfaqen persona të shumtë që presin njerëzit e tyre të dashur që nuk kthehen më.
Sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj tha se filmi “Tavolina” është pjesë e ekspozitës “Pritja” kuruar nga fotografi dhe regjisori, Artan Korenica.
“Ky projekt të cilin ai e punon prej katër vitesh, ka në qendër një mori fotografish ku persona të ndryshëm presin njerëzit e tyre të dashur të cilët nuk kthehen më. Presin së paku mbetjet e tyre mortore, që varrezat e punuara për më të dashurit e tyre të mos mbesin të zbrazëta, por në to të prehen mbi 1.600 të zhdukur nga lufta e Kosovës” u shpreh Ujkaj.
Ajo vijoi përshkrimin e këtij filmi me metrazh të shkurtër duke thënë ndër të tjera se, nëna Ferdonije, simbol i shpresës së shoqërisë kosovare por edhe asaj botërore, “me dinjitetin e saj u bë pjesë e laboratorëve të shumtë artistikë të autorëve kosovarë, që nga filmi dokumentar “Romani” e deri tek instalacionet”.
“Ky projekt të cilin ai e punon prej katër vitesh, ka në qendër një mori fotografish ku persona të ndryshëm presin njerëzit e tyre të dashur të cilët nuk kthehen më. Presin së paku mbetjet e tyre mortore, që varrezat e punuara për më të dashurit e tyre të mos mbesin të zbrazëta, por në to të prehen mbi 1.600 të zhdukur nga lufta e Kosovës” u shpreh Ujkaj
Znj Ujkaj përmendi se, ashtu siç jetoi At Zef Pëllumbi vetëm për të treguar krimet e komunizmit në Shqipëri, ashtu edhe nëna Ferdonije vendosi të jetojë me tregime për dhimbjet e të gjitha nënave që presin edhe sot gjithë ditës, ardhjen e mbetjeve mortore të familjarve të tyre.
Ndërkaq, në prononcimin për gazetën “Koha javore” producenti i filmit “Tavolina” Edi Kastrati, tha se ndjehet shumë i lumtur që edhe në qytetin e Tuzit sollën projektin “Pritja” me filmin “Tavolina” që është pjesë përbërëse e projektit.
“Pas ekspozitës me fotografi, që të parat janë realizuar para tetë vitesh e me radhë të gjitha të tjerat, ka ardhur filmi si proces, pas fotografisë së nënës Ferdonije i cili është pritur jashtëzakonisht mirë, që në Prishtinë dhe në Vienë të Austrisë dhe kështu pritet që të jetë edhe në disa qytete të tjera siç janë Brukseli, Haga, Zvicra, Gjermania dhe Nju Jorku” u shpreh producenti i filmit “Tavolina”, Edi Kastrati.
Ndërkohë, mesazhi kryesor që përcjellin filmi dhe ekspozita tek publiku është, që të punohet sa më tepër për fatin e të pagjeturve nga lufta në Kosovë.
Ekspozita “Pritja” dhe filmi “Tavolina” paraqesin familjarë të cilët janë në pritje të më të dashurve të tyre siç është nëna Ferdonije Çerkezi që i pret katër djemtë, por ka dhe të tjerë ku disa presin nënën, babën, djalin, etj.
Producenti, Edi Kastrati thotë se të gjitha këto fotografi kanë koncepte të ndryshme dhe që flasin shumë.
“Dhe duke u nisur nga fotografia e cila ka pasur impakt jashtëzakonisht të madh në botën ndërkombëtare, ajo e nënës Ferdonije, jemi nxitur që ta realizojmë edhe një film i cili flet për një ditë rutinë të nënës Ferdonije Çerkezi, për një ditë që ajo kalon në vetmi tash e sa vite dhe është e detyruar të jetojë vetëm” u shpreh, producenti i filmit “Tavolina”, Edi Kastrati.
t. u.