Karafilat e kuq

Gani Karamanaga

Shtëpitë afër, i ndante vetëm një rrugicë e ngushtë. Dritaret njëra përballë tjetrës. Në shtëpinë në anën e majtë ishte vajza njëzetvjeçare. Motrat ishin martuar, vëllai punonte jashtë Ulqinit.
Babai dhe nëna gati çdo mbrëmje shkonin si mysafirë në komshi ose ndonjëherë edhe jashtë Kalaje. Djali ri ishte në shtëpinë tjetër.
Kështu Feridja dilte në penxhere, e bukur si drita, më faqe të kuqe, flokë të gjatë. Në penxheren tjetër Omeri i fliste. U takuan edhe në bahçen e shtëpive…
Por, prindërit e tyre ishin kushërinj të afërt. Të rinjve nuk i interesonte kjo gjë…
Halla e vajzës një natë i vërejti të dashuruarit dhe i njoftoi prindërit e saj.

Punta e Nuradinit
Nuradini e ka pasur shtëpinë menjëherë mbi shkëmbin e madh, në Kalanë jugore. Si detar i vjetër, në kohën kur ishte i moshuar, merrej me peshkim. Nën shtëpinë e tij është një gji i vogël. Aty ai zbriste çdo mëngjes për të shkuar me flugë në peshkim. Lundronte me rrema deri te Bashbylyku ose deri në Mendër. Flugën e lidhte për të dy shkëmbinj, ndonjëherë e hidhte edhe spirancën.
Edhe ne, si fëmijë, jemi ulur nëpër rrugicën siç është ulur edhe Nuradini dikur.
Gojëdhëna thotë se Nuradini ishte guximtar i madh. Fluga e tij shpeshherë qëndronte në Puntën e tij edhe kur deti ishte i trazuar.
Në pjesën e parë të shekullit XX jetonte në Kala Nuradin Shata.
Nuk ka vërtetim se ky ka pasur lidhje me Nuradinin e parë.
Sot nën Kala, në afërsi të Puntës së Nuradinit, shkëmbinjtë u mbuluan me shtresë të betonit, për ta bërë plazh për turistë. Menjëherë mbi Puntën e Nuradinit, ndërtuesit e huaj kanë ngritur një objekt të madh, i cili e ka prishur ambientin e dikurshëm e kësaj pjese të kështjellës.
Jam i mendimit se ky veprim i ndërtueseve të sotëm i bëri padrejtësi Kalasë, por edhe Puntës së Nuradinit, njërit prej simboleve të kësaj kështjelle mijëvjeçare.
Një ditë heret në mëngjes prej bedenit jugor u ulën deri te Punta e Nuradinit. Deti ishte i trazuar, qëndruan në një shkëmb të rrafshët…
Ushtim aq e gjamët e detit, era frynte.
Vetëm Punta e Nuradinuit e dinte se a ndodhi ndonjë gjë atë ditë…
Legjendë
Fusha e Qehajës
Kishllahi

“Kam qenë nxënëse, ishte natë duke u kthyer nga shkolla. Në bedenin te Fusha e Qehajës janë disa penxhere të rrumbullakëta të drejtuara nga deti. Ndërmjet dy penxhereve të fundit janë tri hapësira të vogla… Duke ecur menjëherë nga këto hapësira të vogla doli flakë e kuqe…u frikësova, shpejtova dhe arrita deri te shtëpia jonë.. Për këtë gjë nuk i fola askujt. Kaluan disa ditë, te ne erdhi Hatmane Hoxha, vajza e kushëririt Musa Nagës. E shoqërova Hatmanen deri te Porta e Jallisë. I tregova se çka më ka ndodhur para disa netëve duke kaluar nëpër Fushë të Qehajës”.
Hatmanja u ndalua dhe më tha:
“Kam dëgjuar prej të moçmëve: para njëqind vjetëve, nuset janë marrë natën të hipura në kalë. Një herë, duke kaluar kali me nuse te ato penxheret e vogla para bedenit te Fusha e Qehajës prej detit e gjuajtëm me top Kalanë dhe vetëm nusja atëherë ka mbetur e vdekur. Ti nuk je vetmja që e ke parë flakën e cila del prej këtyre penxhereve…
Ky ishte tregimi i Miliha Karamanaga Hidri (1952)
Feriden dhe Omerin në mënyrë të dhunshme i ndanë.
Një ditë në mëngjes Feridja vrapoi dhe mbërriti në skaj të Bedenit te Kishllahi në Fushë te Qehajës. Prapa saj ishin të gjithë të afërmit e saj. Ajo donte të hidhej prej Bedenit, i cili ishte në lartësi prej 50 metrash.
Filloi ta këndojë këngën:
Karafilat e kuq, çelin n‘pranverë,
por për mu’, moj nanë, s’kanë ma erë.
Karafilat e kuq, i hodha në det,
se për mu’, moj nanë, nuk ka ma jet’.
Epilog
Omeri u largua nga Ulqini dhe shkoi të punojë në Sarajevë. Atje krijoi familje.
Feridja pas një kohe filloi të dali në qytet. E bukur si drita i ra në sy një zanatliu të ri.
Pleqëria
Feridja u plak. E vizitova të sëmurë në shtëpinë e saj. Duke kaluar nëpër bahçe në skaj vërejta karafilat e kuq.

Të fundit

më të lexuarat