Gojëdhëna e priftit katolik, Gabrielit për Trieshin

Gjekë Gjonaj

Studiuesi i njohur austriak, Dr. Jur. Johan Georg von Hahn regjistroi një nga traditat e para gojore për Trieshin nga një prift katolik me emrin Gabriel në Shkodër, të cilin e botoi në veprën e tij “ Albanesische studion” Studime shqiptare në vitin 1854. Sipas tij paraardhësi i parë i drejtpërdrejtë mashkull i Trieshit ishte Ban Keqi. “ Prej Ban Keqit rrjedhin të katër fiset katolike të Trieshit që flasin shqip. Këta përbëhen prej 70 familjeve dhe bashkë me vendasit e vjetër themeluan famullinë e Trieshit, i cili sot ka 115 shtëpi dhe 700 frymë. Por edhe vendësit e vjetër janë katolikë dhe flasin shqip… “shkruan Hahn. Në vazhdim po japim vetëm një pjesë nga gojëdhëna të cilën na e ka sjellë Atë Gabrieli, njohës i mirë i gjuhës shqipe, i historisë dhe traditave të Maleve të Malësisë. Ai për një kohë të gjatë ishte Prefekt i Misionit të Kastratit ku bënte pjesë edhe Trieshi, Hoti, Gruda dhe Koja.
Njohës i mirë i gjuhës shqipe, i historisë dhe traditave të Maleve të Malësisë . Ai për një kohë të gjatë ishte Prefekt i Misionit të Kastratit ku bënte pjesë edhe Trieshi, Hoti, Gruda dhe Koja.
“ Për t’u shpëtuar persekutimeve të turqve, një burrë i quajtur Keqi erdhi tok me familjen e tij dhe u strehua në territorin e që sot banohet nga fisi i Piprit. Aty i lindën 6 ( gjashtë) fëmijë : Lazari, Bani,Merkoti, Kastro, Vaso dhe Pipri. Një ditë, gjatë një grindjeje, këta vranë një vendas . Sipas zakonit të rrënjosur ndër male qysh atëherë, ata u detyruan të mërgonin për t’i shpëtuar hakmarrjes të të afërmve të viktimës së tyre. Gjithsesi, duke i ardhur keq për moshën e thyer të Keqit, këta të fundit e lejuan atë të qëndronte në shtëpinë e tij dhe mbante aty djalin e vogël, Piprin. Përsa i përket vëllezërve të tjerë , ata u vendosën në malet e Trieshit, që gjenden ndërmjet Cemit dhe territorit të Grudës e të Fundënave.
I lodhur nga jeta që bënin aty, Merkoti, njëri prej tyre, i braktisi vëllezërit për t’u vendosur në fushën e Podgoricës dhe ndërtoi banesën në perëndim të këtij qyteti, rreth dy orë larg tij, ku pasardhësit e tij themeluan fshatin Merkotaj, që sot ka 80 ( tetëdhjetë) shtëpi, të banuara nga 600 ( gjashtëqind) individ të besimit grek.
Djemtë e tjerë të Keqit qëndruan në Triesh, por pas një zije buke të tmerrshme, dy vëllezërit më të vegjël morën rrugën për në Pejë , ku do të[ blinin grurë për familjen. Në hanin ku u strehuan takuan dy vajza të reja, që po bënin të njëjtën rrugë me të njëjtin synim. Të nesërmen në mbrëmje, të mbledhur rreth zjarrit, bijt e Keqit iu treguan shoqeve të reja për fatkeqësinë e familjes së tyre, për paaftësinë që i ndiqte dhe nuk i lejonte të nguleshin kund. Këto, nga ana e tyre, u treguan se ishin vajza të vetme të prindërve të pasur dhe u propozuan të martoheshin me to, duke u garantuar se prindërit e tyre do t’u jepnin toka të mjaftueshme për ta dhe për vëllezërit e tjerë të tyre. Në vijim të këtyre bisedave, ata caktuan një ditë për t’u mbledhur në të njëjtin han e për t’i dhënë njëri-tjetrit përgjigjen përfundimtare. Me t’u kthyer në shtëpi . dy të rinjtë u treguan vëllezërve tashmë të martuar atë që u kishte ndodhur, por këta u munduan t’i bindnin që të mos ndaheshin prej tyre. Babai i tyre, thanë ata, tashmë ishte shumë plak dhe, edhe pse nuk jetonin më së bashku, ata mund ta shihnin kohë pas kohe dhe mund t’i gjendeshin kur ai të kishte nevojë. Ata u munduan t’u tregonin sesa do ta dobësonte kjo ndarje familjen e tyre. Ndërsa ishin të bashkuar , ajo ishte ende e fortë , por të ndamë, secili prej tyre mund të pësonte fyerje që do të mbeteshin pa u ndëshkuar , sepse nuk do të kishin askënd pranë për t’u hakmarrë Të dy vëllezërit e vegjël ngurruan për një kohë të gjatë, por dashuria dhe shpresa për një fat më të mirë i rrëmbeu. Babai plak, Merkoti dhe Pipri u thirrën në Triesh. Më pas , pas një dreke të përbashkët, të dy të rinjtë lanë familjen e tyre për të shkuar në hanin ku i prisnin vajzat e reja., të cilat i shoqëruan në atdheun e tyre . Ajo që u martua me Vaso Keqin ishte nga Reçi ( Retschi) . Disa njerëz që nuk i përkasin këtij fisi pretendojnë se prej tij rrjedhin Vasoviqasit, kemi parë , në të vërtetë, të kundërtën, kur e përshkruam këtë fis. Vajza tjetër, që banonte në Dukagjin, u martua me Kastro Keqin. Nga bashkimi i tyre dolën Kastroviqët , që banojnë pranë Gjakovës, të cilët, më vonë, përqafuan islamizimin. Dy vëllezërit e tjerë , Bani dhe Lazari mbetën në Triesh dhe shumë shpejt e kuptuan se, me shtimin e familjes dhe të bagëtisë , tokat nuk do t’u mjaftonin dhe u detyruan të ndahen. Për pasojë , Lazari kaloi në një territor fqinj në jug, të quajtur Hot dhe u vendos që lumi Cem do të jetë kufiri i kullosave të tyre. Një ngjarje e papërshkruar gjatë kësaj ndarjeje do të bëhej objekt i debateve dhe përleshjeve të përgjakura ndërmjet pasardhësve të tyre . Lazari kishte nisur rrugën dhe e kishte përshkuar tashmë kodrën në anën tjetër të lumit, kur i vëllai, Bani, vuri re se kishte marrë një kapistër që i përkiste atij dhe ia kishte vënë në qafë një kali që i kishte rënë nga ndarja. Ai ia kërkoi menjëherë, por Lazari, qoftë nga përtesa për t’u kthyer pas, qoftë nga moskokëçarja , i tha se, për kapistër të tij, i linte atë pjesë të kodrës që do të përshkonte dhe që, sipas marrëveshjes, ishte pronë e tij. Qysh atëherë, fisi i Trieshit zotëron toka përtej lumit, të cilat njerëzit e Hotit i kanë kërkuar gjithmonë…”

Të fundit

më të lexuarat