Model i studiuesit me përmasa kombëtare e ndërkombëtare

“Ulqini është evropianizuar në ato përmasa që nuk i ka sot, bie fjala Shkodra, një qendër shumë e madhe. Nuk i ka Durrësi, nuk i ka Vlora, nuk i ka madje as Gjirokastra. Ulqini, si asnjë vend tjetër, dhe kjo zonë, është bërë vepër, hapësirë e madhe shkencore, kulturore, intelektuale, në mënyrë të veçantë filologjike, falë punës dhe studimeve të profesorit në gjuhën shqipe, në gjuhët sllave, në gjuhën frënge, madje edhe në gjuhën japoneze”, ka thënë recensenti i librit Prof. dr. Begzad Baliu

Ulqin – Në sallën e koncerteve të Shkollës së Muzikës – Ulqin, të shtunën mbrëma (29 qershor 2024) është bërë përurimi i librit të ri të Prof. dr. Ruzhdi Ushakut “Trilogjia e zbërthimeve ilire”, i botuar para disa ditësh nga Fondacioni “Lika” dhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Libri përbëhet nga tre studime që si temë bosht kanë kërkimet dhe përpjekjen për të gjetur fije dhe dëshmuar rrënjë të iliricitetit përmes mjeteve gjuhësore të shqipes. Ai fillon me parathënien e recensentit të librit Prof. dr. Begzad Baliu, një studim shumëplanësh mbi artikujt shkencorë dhe veprën e profesor Ushakut.
Në fjalën e tij, Prof. dr. Begzad Baliu ka thënë se Ulqini është bërë Evropë përmes profesorit, përmes studimeve dhe hulumtimeve të tij.
“Është evropianizuar në ato përmasa që nuk i ka sot, bie fjala Shkodra, një qendër shumë e madhe. Nuk i ka Durrësi, nuk i ka Vlora, nuk i ka madje as Gjirokastra”, ka theksuar ai.
Sipas tij, “Ulqini, si asnjë vend tjetër, dhe kjo zonë, është bërë vepër, hapësirë e madhe shkencore, kulturore, intelektuale, në mënyrë të veçantë filologjike, falë punës dhe studimeve të profesorit në gjuhën shqipe, në gjuhët sllave, në gjuhën frënge, madje edhe në gjuhën japoneze”.
Baliu ka treguar se po punon për përgatitjen për shtyp edhe të dy librave të tjerë të profesor Ushakut, me studime nga fusha e filologjisë dhe nga fusha e letërsisë.
Vlerësime për autorin, veprën e tij dhe bashkëpunimin me të ndër vite kanë dhënë edhe kryetari i Fondacionit “Lika”, Jusuf Lika, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, dhe kritiku dhe përkthyesi Qazim Muja.
Profesori i muzikës dhe kryetari i Fondacionit “Lika”, Jusuf Lika, ka treguar se njohja e tij me profesor Ushakun daton që herët, por ajo është përforcuar dhe thelluar pas njohjes me veprat e tij.
“Duke lexuar librat e profesorit dhe duke ndenjur me të, kam mësuar shumë gjëra që nuk i kam ditur. Këto më kanë nxitur që ta mbështes profesorin në hulumtimet e tij, qoftë personalisht apo nëpërmjet Fondacionit ‘Lika’”, ka thënë ai, duke shtuar se, nga ana tjetër, profesor Ushaku e ka nxitur atë që të shkruajë për tema që i ka pasur më të afërta.
Ai ka thënë se bashkëpunimi i tij me profesor Ushakun ka qenë në forma dhe rrafshe të ndryshme, si përmes mbështetjes për botimin e librave, duke qenë bashkautorë i disa librave etj.
“Fryt i këtij bashkëpunimi është edhe ky libër që përurojmë sonte”, ka thënë Lika.
Kritiku dhe recensenti Qazim Muja, redaktor teknik i librit “Trilogjia e zbërthimeve ilire”, ka thënë se fjala e tij është shprehje e një ndjenje të veçantë respekti, dashurie dhe falënderimi, një përkulje e thellë para veprës madhore të profesorit të nderuar, që lindi gjatë kohës duke punuar në përgatitjen e librave të tij që prej tridhjetë vjetësh.
“Ruzhdi Ushaku hodhi themelet e veprimtarisë së tij shkencore, por edhe filozofike që në fillimet e angazhimit të tij intelektual-shkencor dhe mbi ato themele ndërtoi një Babilon mendimi, Babilon në kuptimin poliedrik të figurës së tij madhore. Ai përdori qasje të ndryshme filozofike e shkencore, duke e ditur se filozofia dhe shkenca janë botë paralele në spiritualitetin njerëzor, për të vënë në lëvizje dhuntitë e tij krijuese në formën e mendimeve dhe ideve”, ka thënë ai.
Muja është shprehur se “Ushaku shqyrton në mënyrë kritike gjithçka brenda dhe rreth tij, sepse në mendimin shkencor ai është shumë kritik, por i matur në mënyrë të tejskajshme”.
Redaktori gjuhësor i librit, Ismet Kallaba, përndryshe kryetar i SHAI “Art Club”, ka thënë se profesor Ruzhdi Ushaku është modeli i studiuesit me përmasa kombëtare e ndërkombëtare.
“Ai është një studiues serioz, i cili kërkimet e tij nuk i ka vënë kurrë në shërbim të qëllimeve jashtëshkencore, por nëpërmjet ndriçimit tē së vërtetēs (historike) i ka kontribuuar kombit dhe çështjes kombëtare, duke dëshmuar për lashtësinë dhe autoktoninë tonë, vazhdimësinë iliro-arbërore-shqiptare, qytetërimin e lashtë shqiptar, sidomos të Ulqinit të cilit ai ia ka kushtuar një pjesë të mirë të hulumtimeve të tij; duke e ngritur gjuhën shqipe në një rrafsh me ato greke e latine etj.”, ka theksuar ai, duke shtuar se analizat krahasuese të Ushakut, të bazuara në qasjen shumëdisiplinare, ofrojnë argumente bindëse për lexuesin.
Kallaba ka thënë se bashkëpunimi i tij me profesor Ushakun në botimin e librave është ndërtuar në fillim mbi bazën e mirëbesimit e më vonë të profesionalizmit.
Ai ka thënë po ashtu se edicioni i botimeve të “Art Club”-it ka filluar në vitin 1991 pikërisht me librin e profesor Ushakut “Ulqini në gjurmët e shekujve”.
I pranishëm në përurimin e librit, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu ka premtuar se do të mbështesë aktivitetet kulturore të mirëfillta.
“Sakrifica e çdonjërit prej jush e posaçërisht e profesor Ushakut, në sferën e arsimit dhe shkencës është e madhe. Dhe kurrë nuk do t’ia dinë deri në fund pjesëtarët e shoqërisë. Por garantoj që së paku në këtë mandat Komuna e Ulqinit do të jetë përherë mbështetëse e këtyre aktiviteteve, kurse profesor Ruzhdiun dua ta falënderoj në emër të të gjithë shqiptarëve për punën që ka bërë, t’i uroj shëndet dhe libra edhe më të mirëfilltë”, ka thënë ndër të tjera ai.
Në emër të familjes së profesor Ushakut, të pranishmëve u është drejtuar bashkëshortja e tij, Sadbere Ushaku, e cila ka folur për rrugëtimin dhe sfidat e tyre jetësore.
Ajo ka treguar se në Kosovë kanë shkuar si çift i ri në vitin 1965 dhe për të Kosova në atë kohë ka qenë një “terra incognita”, por që më vonë është bërë shumë e afërt, sepse ka takuar njerëz të mrekullueshëm dhe është njohur me traditën.
Ushaku ka thënë se në Kosovë kanë kaluar nëpër lloj-lloj furtunash, porse ata kanë mbetur konsekuentë në punën e tyre arsimore.
“Ne punuam me zemër e me shpirt në Kosovë… Por ta dini se peshën e veprave, po shprehem ulqinakçe ‘gurin e mullinit mbi supe’, e pata tërë jetën për të dalë këto vepra në dritë”, ka thënë ajo.
Gjatë përurimit, vajza e profesor Ushakut, Adelina Ushaku – Hashani ka luajtur në piano një pikë muzikore, kurse sopranoja Gjylie Pelingu – Hoxha, e shoqëruar nga pianistja Fatime Buzuku, kanë interpretuar po ashtu në pikë muzikore.
Përurimi i librit është organizuar nga Fondacioni “Lika” dhe SHAI “Art Club”. Në fund të tij, autori dhe botuesit kanë ndarë kopje falas të librit për të gjithë të pranishmit në përurim.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat