Dita e shkollës “Bedri Elezaga“

Për çdo vit shkolla fillore “Bedri Elezaga”-Katërkollë me datën 15 maj feston Ditën e Shkollës. Këtë vit për nder të kësaj dite me datën 12.05.2024, u bë promovimi i monografisë Shkolla fillore “Bedri Elezaga” 1869-2019. Monografia ka si botuese shkollën dhe libri është përkthyer nga gjuha shqipe në gjuhën malazeze nga vetë autori Rexhep Lleshi. Ndërsa me datën 15.05.2024 në shkollë u prezantua program i pasur kulturo-artistik për kënaqësinë e nxënësve, stafit, prindërve dhe mysafirëve. Përveç programit të pasur kulturo-artistik që u shfaq në shkollë, pjesë e rëndësishme ishte edhe filmi i shkurtër dokumentar me aktivitetet e shkollës për vitin shkollor 2023-24, ndarja e lëvdatave nxënësve më të mirë, ndarja e mirënjohjeve kryetarit të komunës Omer Bajraktarit, për përkrahjen financiare si edhe ndarja e mirënjohjes zonjës Marija Kojakoviq, për kontributin e dhënë në projektimin e shkollës amë në Katërkollë.
Moment emocionues ishte edhe pjesëmarrja e gjysmëmaturantëve të cilët defiluan para të pranishmëve dhe bënë përshëndetjet e tyre epike dhe ritet e përfundimit të shkollimit fillor.
Në karrigen e nderit përveç mysafirëve të shumtë që na nderonin nga fusha të ndryshme, si mysafire e veçantë e jona ishte zonja nga Dubrovniku Marija Kojakoviq, arkitektja e cila projektoi objektin e shkollës amë pas tërmetit të vitit 1968.

Biografia e Marija Kojakoviq
Kam lindur kur Lufta e Dytë Botërore po mbaronte dhe të mbijetuarit duheshin përballur me mungesën e gjithçkaje të nevojshme. Më kujtohet entuziazmi kur hapej në tavolinën e kuzhinës pakoja e ndihmës së UNRRA-s R-5 për familjen tonë. Para se të shkoja në shkollë, më tërhoqi arti i ndërtimit – arkitektura. Të dielave babai më çonte me Shoqatën e Miqve të Antikave të Dubrovnikut në vizita te monumentet historike. Më së shumti më impresionoi rotonda tetëgjethëshe në fshatin Oshle në Primorjen e Dubrovnikut. Më dukej e madhe dhe e mrekullueshme. Dhe ende është e tillë. Shkolla fillore dhe gjimnazi klasik në Dubrovnik ishin një kohë e mrekullueshme për të shkruar poezi, për lojëra dhe shoqëri të bukur, por afeksioni për arkitekturën vetëm sa rritej. Dhuratat në shkollë ishin libra për ndërtesat. Kohën e lirë e kaloja në muret e Dubrovnikut dhe skicoja çatitë që më mahnitnin. Fakultetin e Arkitekturës në Zagreb e përfundova me padurim për të filluar ndërtimin sa më shpejt. Isha në rrugën time, kurrë nuk hoqa dorë nga vetja, duke punuar për ndërmarrjet hoteliere dhe investitorë të tjerë. Në vitin 1979 përfundova studimet master në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Zagrebit në fushën profesionale të Ekonomisë së Turizmit dhe kështu fitova respektin e hotelierëve. Gjatë luftës së viteve 1991-1992, pas fillimit të bashkëpunimit me Departamentin për Rindërtim dhe Zhvillim Paslufte të Universitetit të York-ut, hapa zyrën time duke ndjekur udhëzimin e Don Branko Zbutege që kur të mbretërojë errësira totale, secili duhet të ndezë qiriun e vet. Katër vjet bashkëpunova me York-un, në vitin 1994 organizova konferencën ndërkombëtare “Rindërtimi i vendbanimeve në Kroaci” dhe deri në vitin 1996 përshkova gjysmën e botës si përfaqësuese e York-ut, duke mbajtur leksione për rindërtimin pasluftës në shembullin e Dubrovnikut dhe Kroacisë. Atëherë duhej ti përkushtohesha rindërtimit të vendit tim. Dhe deri më sot projektoj dhe mbikëqyr objekte të ndryshme, kryesisht vila dhe hotele. Nga viti 2010 deri në vitin 2014 energjia ime ishte e përqendruar në punën e Shoqatës së Arkitektëve të Dubrovnikut. Ishte një kohë e hartimit të një numri të madh planesh urbanistike dhe DAD jepte mendime për secilin. Në projektim punoj me shumë bashkëpunëtorë. Kam respekt dhe mirënjohje të madhe për shumë njerëz të mrekullueshëm – mjeshtër dhe shefa ndërtimi – që me mjeshtërinë dhe përkushtimin e tyre realizojnë projektet arkitekturore.

Solidariteti i popullit të Kroacisë
Fragment nga libri “ E vërteta ime”, i autorit Rexhep Lleshi
Pas tërmetit të nëntorit 1968 u dëmtuan shumë godina shkollore, si e Shkollës Amë edhe të paraleleve të ndara. Organet e shkollës, me arsye kërkonin ndërtimin e objekteve të ri , objekte që do t’u përgjigjen kërkesave bashkëkohore. Nevoja më e madhe ishte për ndërtesë të Shkollës Amë dhe kërkesa e tillë iu parashtrua organeve kompetente në komunë dhe u publikua. Ajo ishte tejet e rëndësishme dhe kryesisht hasi në mirëkuptim, u aprovua.
Komuna e Ulqinit, si themeluese e shkollës fillore, gjegjësisht organi i saj, Bashkësia Themelore e Arsimit, mori qëndrim që në Vlladimir të ndërtohet godina e re e Shkollës Amë. U ndërmor aktiviteti për miratimin e akteve administrative e teknike dhe u caktua vendi në ish lokalitetin e kazermës së ushtrisë Jugosllave.
Mjetet financiare për ndërtimin e kësaj shkolle do t’i sigurojë Lidhja Socialiste e Popullit Punues të Kroacisë, në formë ndihme solidare për eliminimin e pasojave të tërmetit të nëntorit. Shkolla në Vlladimir do të jetë dhuratë e Republikës së Kroacisë. Në emër të kësaj ndihme, udhëheqja e republikës fqinje, në biseda me përfaqësuesit e komunës sonë ishte angazhuar që shkolla e re të mbajë emrin e shkrimtarit kroat, Vlladimir Nazor. Propozimi i dhënë, për ndërrimin e emrit të shkollës tonë nuk ndeshi në mirëkuptim te qarqet komunale dhe nuk u pranua.
Falë angazhimit të mëtejmë, në vendin e caktuar, në mënyrë solemne, më 15. prill 1969 u vu gur-themeli i ndërtesës të shkollës së re. Me këtë rast të veçantë ishin prezent mysafirë të shquar, udhëheqësit e Komunës Ulqin, kryetari Lluka Knezheviq, të Republikës së Malit të Zi, Bllazho Jovanoviq, kryetari i Konferencës Republikane të LSPP të Kroacisë, Stjepan Iviq, të tre me bashkëpunëtorë e të ftuar të tjerë.
Mysafirët e nderuar, udhëheqësit e lartë politiko-shoqëror e shtetëror i priti, përshëndeti, uroi mirëseardhje dhe përzemërsisht i falënderoi ish drejtori i shkollës Junuz Divanoviqi. Gur-themelin e shkollës së re, në emër të popullit punues të Kroacisë e vuri kryetari i Konferencës Republikane të LSPP Stjepan Iviq. Për nderë të këtij rasti të madh ndërtimor në vend, ndërmarrja gjigante ”Industrijaimport” Titograd, dega e saj Kooperativa bujqësore në Vlladimir, në lokalet e Shkollës së vjetër, shtroi drekë solemne për të gjithë të pranishmit.

Fjala e arkitektes Marija Kojakoviq me rastin e Ditës së Shkollës.
Përshëndetje të nderuar mysafirë dhe të nderuar mikpritës! Nuk di si ta përshkruaj lumturinë time që sot jam me ju në shkollën tuaj! Së fundmi kam filluar të shkruaj për projektet e shumta që kam realizuar gjatë gati gjashtë dekadave të punës. Një nga projektet e mia të para dhe më të rëndësishme është pikërisht Shkolla e Solidaritetit – shkolla fillore „Bedri Elezaga“ në Vlladimír – të cilën nuk e kam parë që nga viti 1970 kur u përfundua. Pas tërmetit të vitit 1968, Republika Socialiste e atëhershme e Kroacisë vendosi të dhurojë ndërtesën e shkollës fillore në Vlladimir dhe ftoi arkitektët e saj që vullnetarisht të hartonin dokumentacionin e projektit. Ne në Dubrovnik e dimë mirë se çfarë vështirësish shkaktojnë tërmetet sepse i kemi përjetuar ato disa herë. Bëra projektin dhe pata nderin dhe fatin e madh që ai u pranua. Shkollat fillore ishin të afërta për mua sepse i studiova me kujdes gjatë studimeve dhe punimi im i diplomës ishte një shkollë fillore me internat. Kështu që isha e përgatitur për këtë detyrë. Isha e vetëdijshme që shkolla duhej të ishte e bukur, e ndritshme dhe e hapur që fëmijët ta donin, të qëndronin me dëshirë dhe të mësonin aty. Shkollat janë shumë të rëndësishme, ato janë themeli i kulturës dhe ruajtjes së identitetit, hapin dyert për njohuri dhe në këtë mënyrë përcaktojnë jetët tona. Më frymëzoi edhe mjedisi i bukur i shkollës, i cili ishte si i krijuar për një ndërtesë shkollore. Të dielën, më 16 prill të kësaj pranverë, udhëtova nga Dubrovniku drejt Vlladimirit, e shqetësuar të dija se si duket sot shkolla që e kisha projektuar me aq dashuri, si duket pas pesëdhjetë e katër vjetëve nga ndërtimi. Ngadalë iu afrova shkollës dhe mendova se po përjetoja një iluzion – para meje qëndronte më e bukur dhe më e re se kur ishte ndërtuar. Unë dhe shoqja ime qëndruam fillimisht në mosbesim me sytë e hapur dhe pastaj ngadalë ecëm rreth shkollës. Gjithçka ishte jashtëzakonisht e pastër dhe e rregullt. Qëndruam gjatë në heshtje, të vetëdijshme që ky mjedis është një vend i privilegjuar për rritjen e fëmijëve. Kjo gjendje e shkollës pas 54 viteve nga ndërtimi tregon nivelin e lartë kulturor dhe kujdesin e komunitetit për shkollën e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ditët në vijim kontaktova administratën e shkollës dhe mora versionin digjital të Monografisë dhe fragmente nga libri “E vërteta ime“, të dyja nga autori z. Rexhep Lleshi, ish profesor dhe drejtor i shkollës për shumë vite. Një monografi kaq e detajuar, me të gjitha detajet rreth shkollës dhe nxënësve që e kanë ndjekur, e përbërë nga 374 faqe, jam pothuajse e sigurt se nuk ka asnjë shkollë fillore në botë. Veçanërisht jam e impresionuar nga pjesët e librit “E vërteta ime“ dhe e mahnitur nga këmbëngulja dhe vendosmëria me të cilën administrata luftoi që Shkolla të ndërtohej saktësisht sipas projektit tim, pa asnjë ndryshim.
Duhet të jeni shumë krenarë sepse keni arritur diçka të pabesueshme dhe të pamundur! Ndërtesa e kësaj shkolle është me fat sepse ka një përmbajtje jashtëzakonisht të pasur dhe të vlefshme. Është e vështirë të përmenden të gjitha aktivitetet që zhvillohen në të. Por jeta dhe aktivitetet janë më të vlefshme se vetë ndërtesa. Nga zemra ju uroj që të vazhdoni kështu!

Moment i veçantë
Me datën 15 maj 2024, gjatë festimeve të Ditës së Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, një moment i veçantë dhe prekës ishte dorëzimi i një dhurate të veçantë nga vetë arkitektja Marija Kojaković. E njohur për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në projektimin e shkollës pas tërmetit të vitit 1968, zonja Kojakoviq zgjodhi të nderojë shkollën dhe komunitetin me një dhuratë të veçantë.
Dhurata përbëhej nga pano me projektin origjinal të shkollës dhe fotografi të shkollës amë gjatë ndërtimit të saj. Këto pano paraqesin detaje të rëndësishme të projektimit dhe fazat e ndërtimit të shkollës, duke ofruar një vështrim të rrallë në historinë dhe evolucionin e saj. Përmes këtyre panove, nxënësit, stafi dhe vizitorët do të mund të shohin dhe të vlerësojnë punën dhe përkushtimin që është investuar në krijimin e kësaj shkollë.
Ky gjest nga Marija Kojaković është më shumë se një dhuratë materiale; është një testament i dashurisë dhe përkushtimit të saj për arsimin dhe komunitetin e Katërkollës. Duke sjellë këto imazhe dhe dokumente historike në shkollë, ajo ka krijuar një lidhje të thellë midis së kaluarës dhe të tashmes, duke nxitur një ndjenjë krenarie dhe mirënjohjeje te të gjithë ata që e shohin.
Për stafin e shkollës, kjo dhuratë është një burim frymëzimi dhe motivimi, duke kujtuar përpjekjet dhe bashkëpunimin që bënë të mundur ndërtimin e një mjedisi të tillë edukativ. Për nxënësit, është një mësim i gjallë mbi rëndësinë e historisë dhe kontributit të njerëzve të dedikuar si Marija Kojakoviq në formësimin e jetëve të tyre.
Dhurata e zonjës Kojakoviq është një simbol i vërtetë i solidaritetit dhe përkushtimit, dhe një trashëgimi që do të kujtohet dhe vlerësohet nga breza të tërë. Shkolla Fillore “Bedri Elezaga” është me fat që ka një mbështetëse dhe mike kaq të veçantë, dhe ky gjest është një dëshmi e vazhdimësisë së përkushtimit të saj ndaj këtij komuniteti.
Ndërsa në emër të stafit të shkollës, nxënësve dhe gjithë komunitetit drejtori i shkollës Mustaf Bardhi i ndau mirënjohje zonjës Marija Kojakoviq.
Marija Kojakoviq është një shembull i gjallë i asaj që do të thotë të jesh i përkushtuar dhe pasionant në punën tënde. Takimi me të më bëri të reflektoj mbi rëndësinë e punës sime dhe mbi ndikimin që mund të kem në jetët e nxënësve të mi. Ajo më kujtoi se çdo detaj, çdo përpjekje, dhe çdo mendim i dedikuar mund të ketë një efekt të madh dhe të qëndrueshëm në komunitetin tonë.
Ky takim më motivoi të punoj me më shumë përkushtim dhe dashuri për punën që bëj, duke pasur gjithmonë parasysh qëllimin e madh të arsimit: të formojmë breza të rinj të cilët do të ndërtojnë një të ardhme më të mirë. Faleminderit, Marija Kojakoviq, për frymëzimin dhe mësimet e vyera!

Të fundit

më të lexuarat