Vetëm se ishte atdhetar shqiptar

Hajrullah Hajdari

MUHA BRAHIM
BAJRAKTARI
(1920 – 1945)

Lufta e Dytë Botërore posa kishte filluar. Gjendja politike në zonat e okupuara nga italianët apo gjermanët ishte mjaft e ndërlikuar. Shqiptarët akoma i kishin plagët e freskëta si rrjedhojë e terrorit dhe gjenocidit të kryer në vazhdimësi nga Mbretëria Jugosllave, kurse nga ana tjetër, hapja e shkollave shqipe dhe bashkimi i trojeve shqiptare me Shqipërinë, edhe pse në rrethana të konfrontimit botëror, bënte për të shpresuar për një jetë politike më të mirë e të barabartë me të gjithë të tjerët. Të frikësuar për të ardhmen e shqiptarëve në shtetin e ri komunist jugosllav, e nisur nga bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet që reflekton shpresë për një të ardhme më të mirë, shumë djem të rinj shqiptarë, duke ndier në ndërgjegje të thellë përgjegjësinë e tyre nuk mbetën indiferentë. Ata u lidhën me disa nga organizatat shqiptare nacionaliste të kohës si Balli Kombëtar apo Legaliteti.
Një ndër këta të rinj ishte edhe Muha Brahim Bajraktari. Ai lindi në vitin 1920 në Ulqin, në një familje të ndershme atdhetare. Prindërit e tij kishin edhe një djalë – Sinanin dhe vajzën Dyse. Kur Muhja ishte në moshën 7-8 vjeçare i vdiq nëna duke i lënë kështu jetimë tre fëmijët e saj. Babai i mbetur me tre jetimë u detyrua të martohet përsëri. U martua me Havanë, vajzën e Ahmet Cekës në Zogaj të Ulqinit.
Meqenëse Havaja nuk kishte vëllezër, Brahimi me të tre fëmijët e tij shkon në mallin e gruas në Zogaj. Nga të tre fëmijët Muhja ishte më i zgjuari, interesohej për shumëçka e sidomos në zemër e kishte Shqipërinë, mbase fshati Zogaj është afër kufirit politik Shqipëri -Jugosllavi. Takohej me njerëz patriotë në Zogaj e Qyrkaj nga të cilët mori njohuritë e para për kombin shqiptar e padrejtësitë që po u bëheshin nga shteti jugosllav. Në Zogaj, ku ai e kaloi fëmijërinë nuk kishte shkollë në gjuhën shqipe! Pse, thoshte ai, posa kalojmë Bunën fëmijët mësojnë shqip, ne pse jo?! Kur Jugosllavia u okupua nga Italia, Muhja posa i kishte mbushur 20 vjet. Tanimë ishte pajisur me njohuri dhe ndjenja kombëtare. Filloi të shkonte në Shkodër ku takohej me intelektualë e patriotë shqiptarë. Në shtëpi vinte vonë e nganjëherë ndodhte të mos kthehet në shtëpi 3 apo 4 ditë. Babai brengosej, por se pengonte aktivitetin e tij. Atje u lidh me njerëz të Ballit Kombëtar. I dhanë rrolin e ndërlidhjes me aktivistë Shkodër-Ulqin, kështu që vazhdimisht lëvizte nëpër terren. Lidhja e tij më e ngushtë ishte me Hasan Isufin, nga ai merrte instruksione, por nuk hyri në radhët e xhandarmërisë së tij. Në këtë anë bashkëpunonte me Lit Dibrën, Hasan Danin, Halil Canin, Izet Dragën nga Kraja e ndonjë tjetër. Veprimtaria e Muhas u bë halë në sy për komunistët, ai duhet të zbulohet e arrestohet. Pa përfunduar mirë Lufta e Dytë Botërore jeta publike, shoqërore e politike e shqiptarëve në Malin e Zi ishte vënë nën kontrollin e OZN-ës. OZN-ja në fund të vitit 1944 kishte pushkatuar, pa gjyq, njerëz të pafajshëm në Ulqin, ndër të cilët edhe kryemyftiun e Ulqinit Hafis Hasan Llunjin. Muhja i kishte të njohura veprimet e OZN-ës në Ulqin, e dinte se çka e priste nëse zbulohej, prandaj vendosi që një kohë mos të kthehej në shtëpi. Megjithatë, malli për babanë, vëllain e motrën bënë që një natë me shi e shtrëngatë të futet në shtëpinë e tyre në Zogaj. Pasi u çmallën njëri me tjetrin, babai i tha se kishte parë disa njerëz vendas të dyshimtë që po silleshin afër shtëpisë së tyre, sigurisht për të zbuluar Muhan. Vendosën që të fshihet në Ulqin të motra e cila ishte martuar për Hysen Lulën. Spiunët vendas e kishin lajmëruar OZN-ën për vendndodhjen e Muhas. Shumë shpejt shtëpia e babait të Muhas u rrethua nga partizanët e Brigadës VI Bokele, Bënë bastisjen e shtëpisë, por Muhan se gjetën.

  • E prenë në besë
    Së bashku me partizanët ishin edhe disa malazezë ulqinakë të cilët kërkuan që Muhja të dorëzohet. I thanë se nuk do t’i bënin asgjë, veçse do të bisedojnë për disa informata e çështje që ai mund t’i ketë të njohura. Babai u tha se nuk di gjë ku gjendet Muhja. Mirëpo ata insistuan përsëri duke i dhënë besë se nuk do t’i ngjante asnjë e keqe. Babai u zu ngushtë dhe i pyeti: A kam besë? Po, i thanë ata. Së bashku me babanë u nisën për në Ulqin të shtëpia e Hysen Lulës. Njëri nga partizanët thiri: Dorëzohu Muha, s’të bëjmë asnjë të keqe! Edhe babai u detyrua ta ftonte të birin. Dil babë, ma kanë dhënë besën se s’do të ndodhë asnjë e keqe. Muhja u zu ngushtë, nuk kishte se si mos t’i përgjigjet babait! Vendosi të dilte. Kur i pa se kush janë ata që e kërkonin, thirri: Ah babë, më more në qafë. Partizanët e Brigadës së VI Bokele u vërsulen si egërsira, e lidhën Muhan dhe e çuan në drejtim të paditur. Babai, motra, vëllai prisnin kur po kthej Muha, sepse malazezët ulqinakë i kishin dhënë besën. Por, Muhja nuk u kthye më kurrë në gjirin familjar. Pas dy ditëve farefisi filluan ta kërkonin Muhan, motrën e kishte kapluar zia, të gjithë qanin, por edhe shpresonin! Në ditën e tretë të kërkimit shpresat ishin të vogla që Muhja të ishte gjallë. “Medet po bënte gjithë Ulqini, ku u vra Muha Bimi” ishin fjalët që dëgjoheshin ato ditë në Ulqin. Më vonë u mësua se Muhan e kishin çuar në mallin e doktorit (Grgurit) në Kollomzë. Aty kishin ndezur një zjarr të madh pranë të cilit ishin grumbulluar partizanët. Bënin gara se kush po e torturon më shumë Muhan. Nga torturat barbare Muhja u alivanos, ndërsa partizanët të dehur nga rakia këndonin e bërtisnin: Ku je Muha! A do shkosh më në Shqipëri! Ashtu të alivanosur ia prenë kokën dhe e vendosën në një hu rreth të cilit këndonin e bërtisnin.
    Muha në dorë kishte pasur një unazë, ia prenë gishtin dhe ia morën unazën. Pastaj, për të humbur gjurmë, e morën dhe e çuan në tokat e Syl Dylit – Gjinaj ku e mbuluan me kërthi dhe një pallto ushtrie.
    Kishte kaluar java, Muha kërkohej nga të gjithë. Pushteti i ri komunist që po instalohej me ndihmën e OZN-ës dhe UDB-ës torturonte popullin e Ulqinit.
    Ditën e shtatë, në të zbardhur të dritës baba Brahimi, pa i thënë askujt doli në kërkim të të birit. Mbase e kishte orientuar dikush që e kishte parë ngjarjen, u nis drejt Kollomzës. Aroma e kufomës ishte orientimi i babait. Ajo aromë e rëndë e çoi drejt në tubën e kërthinjave dhe me duart e veta e nxori nga aty. Pamja para syve të tij ishte e tmerrshme dhe ai vetë u duk i tmerruar. Por, qëndroi burrërisht e largoi djalin nga ai vend dhe lajmëroi të afërmit. Ditën e nesërme u varros, në praninë e familjarëve në varrezat e Brajshës në Ulqin. Aty pushon sot Muha. Të qoftë i lehtë dheu i Ulqinit shqiptar! I përjetshëm qoftë kujtimi për ty dhe veprën tënde atdhetare!
    Në mungesë të dokumenteve relevante, këtë rrëfim e mora nga njëri prej anëtarëve të familjes Bajraktari, Nailit. Ai rrëfen se axha i tyre ka qenë prezent gjithmonë në familjen e tyre, por asnjëherë për 80 vitet e kaluara, pak nga frika, nuk e kanë bërë të ditur për publikun. Ai shton se edhe pse ka qenë kohë e vështirë vëllai i Nailit mban emrin e atdhetarit të vrarë Muha Bajraktarit.

Të fundit

më të lexuarat