
Edhe pse thuhet se letërsia gojore i përket vetëm pjesërisht dhe kushtimisht artit, sepse ajo kuptohet gjithnjë e më shumë si gjuhë dhe jo si vepër, proces dhe jo produkt, një akt shfaqjeje me kuptime të dendura të koduara dhe jo thjesht një tekst i transkriptuar, megjithatë natyra sinkretike e saj hap çështjen e funksionit letrar dhe artistik të saj. Megjithëse gjykimi i njeriut për traditat e letërsisë gojore mund të ndryshojë me kalimin e shekujve, prapëseprapë të gjitha këto, unë do i quaj vepra arti duken të bukura, jo vetëm për popullin në gjirin e të cilit u krijuan dhe jo vetëm për bashkëkohësit e krijimit të tyre, por edhe për popujt e tjerë – me një fjalë, për tërë njerëzimin. Prandaj dhe, çdo letërsi, e edhe letërsia jonë gojore, nuk i përket ekskluzivisht vetëm një populli – por në të njëjtën kohë ajo është edhe pjesë e një letërsie të përgjithshme, botërore. Vlera e kësaj letërsie është aq më e madhe nëse ajo është edhe shprehje e një shpirti të veçantë kombëtar. Andaj unë them se nuk na mbetet veçse të krenohemi me thesaret poetike të popullit tonë, sepse nuk kemi pse të endemi nëpër botë. Është pikërisht ky thesar ai që na bashkon me gjithë botën.
Poezia popullore, qoftë ajo epike apo lirike, meriton vëmendje të veçantë për shkak të karakterit të saj të veçantë. Ajo historikisht është më e rrezikuar kundrejt ndryshimeve dhe zhdukjeve. Në fakt ajo nuk shfaqet gjithmonë dhe gjithkund, nuk gjendet te të gjitha kombet, por vetëm te disa popuj, siç është rasti i tejtheksuar me letërsinë popullore të kombit tonë, dhe për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e saj kërkohen rrethana të veçanta socio-historike.
Botimi në dy vëllime i profesor Ismail Dodës për baladën popullore të shqiptarëve në Malin e Zi, duhet të shihet dhe lexohet si një tërësi. E them këtë sepse Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi – vëllimi I si përmbledhje, është ajo arka e thesarit (apo e pajës) të asaj nuseje të quajtur “baladë” që autori nuk i nxori pa ndonjë mund nga dorëshkrime pergamene, por i mblodhi me shumë sakrificë nga buzët e ngrohta të njerëzve, i zbuloi për të na njohur me vezullimin e tyre verbues, në kuptimin e vlerës së tyre të jashtëzakonshme, ndërsa Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi – vëllimi II, si studim monografik që pason, është mjeshtëria e jashtëzakonshme e autorit që këtë thesar të na e shpjegojë në formë studimi shterues me gjuhën e shkencës dhe me metodologjinë e spikatur, në tërë shtrirjen e saj kronotopike të motiveve, të cilat motive në baladat popullore kanë një aplikim të gjerë, gjegjësisht kanë një funksion jo vetëm estetik, por edhe psikologjik dhe etik.
Këngët, gjegjësisht baladat e koleksioneve të doktor Dodës janë të gjalla, me imazhe sintetike të mjediseve, në të cilat këngëtari popullor i krijoi, duke transmetuar dhe ruajtur të gjithë sistemin shoqëror e moral të qytetërimit të mjedisit, në rastin konkret të mjediseve ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi. Edhe pse ato për bazë kanë dashurinë apo urrejtjen, lidhur me jetën familjare, apo jetët njerëzore, në shumë balada triumfon harmonia e përsosur idilike e familjes patriarkale shqiptare. Profesor Doda vëren në mënyrë të shkëlqyer se si poeti gojor fut një formulë thurjeje që përshkruan fatin dhe jetën njerëzore, por edhe vdekjen, duke e rrumbullakuar dhe sqaruar me detaje psikologjike të përshtatshme në baladë, me veprimin specifik të personazheve të paraqitur, që në strukturën narrative të baladave të mbledhura dhe të klasifikuara në mënyrën më të përsosur deri më sot nga autori, shtrihen me motive të shumta si: motivi për murimin, motivi për vëllain e vdekur dhe motrën e gjallë, për rinjohjen, vëllavrasjen, tradhtinë, dëshirën e dashurinë, brumosjen historike, për të papriturat në martesë, porositë hyjnore etj., në mënyrë që, përkundër epikës, në balada ku të keqen e sjell fati, padrejtësia njerëzore apo forcat më të larta mitologjike apo hyjnore, motivimin e veprimit, veprimet e heroit dhe rezultatin e rrjedhës së rrëfimit të vet, këngëtari e justifikon edhe në pikëpamje psikologjike, mitike ose edhe magjike.
Poezia jonë popullore lulëzoi dhe u poq mu në zemrën e shekujve e mbase edhe të mijëvjeçarëve. Gjatë epokave, do thosha, më shumë të errëta, u krijua epoka e artë e letërsisë sonë popullore, e eposit tonë. Ajo e ashtuquajtura klasikë e jona, e vetme dhe e vërtetë. Periudha e letërsisë sonë gojore që shkëlqen me bukurinë e saj të mahnitshme dhe që kurrë nuk do të pushojë së ndriçuari falë atyre që tërë jetën ia përkushtuan apo edhe ia përkushtojnë asaj, ashtu siç bën profesor Doda. Sepse të gjithë këtë pasuri të çmuar profesor Doda e mblodhi dhe e regjistroi me metodat më shkencore, pikërisht mu në atë fazën e polenizimit apo pjalmimit të tyre, do thosha, të fundit, thënë me gjuhën e poezisë, atëherë kur për herë të fundit frytëzohet pema, kur po ekzistonte rreziku të humbnin me ikjen e brezave që i krijuan, kultivuan dhe transmetuan ato. Ai e ndjeu nevojën për t’i regjistruar, sepse e ndjeu frymën e tyre, aromën e tyre, melodinë e tyre, duke parë në të shpirtin e popullit të vet, mençurinë, traditën e krijimit dhe interpretimin gjenial gojor dhe mendimin filozofik të popullit të tij.
Profesor Doda ka nderin të jetë i pari ndër shqiptarët në Malin e Zi që merret me trajtimin thelbësor studimor të vlerës artistike të baladës së këtyre trevave dhe jo vetëm, me orkestrimin muzikor, thënë në mënyrë simbolike, me kuptimin dhe mesazhin e saj. Vëllimi i parë me një numër prej 129 këngësh – gjegjësisht baladash, është vetëm hyrje në një magjepsje që ai me tërë erudicionin dhe zgjuarsinë e tij në interpretim, e trajton çdonjërën prej tyre në formë himni, ashtu siç tradita e të kënduarit gojor popullor e ushqeu për një kohë të gjatë, duke u kujdesur dhe përkushtuar jetësisht që para se të humbnin, profesor Doda t’ia dorëzonte gjuhës së shkruar dhe interpretuesve të saj, si një formë të veçantë të llojit epiko-fiktiv të poezisë, siç do e quante baladën shkencëtarja Kate Hamburger. Duke vështruar në pasqyrat e thella të poezisë sonë popullore, në vorbullat e saj marramendëse, profesor Doda, si rrallë ndonjë studiues tjetër, në fund të çdo kënge, por edhe vargu gjen dhe shpjegon çelësat mrekullibërës që hapin portat misterioze të së bukurës, ose të dhembjes që poeti popullor krijoi, për të mposhtur brengën deri në një masë për dashurinë, por edhe shëmtinë, kohën, jetën, por dhe vdekjen.
Andaj dhe këto këngë të tubuara brenda kapakëve të vëllimit të parë, këto krijime popullore, si manifestime shkencore – artistike, për të zbuluar thellësinë e tyre dhe më pas bukurinë e tyre të vërtetë, kërkojnë “lexim” shumë të kujdesshëm dhe për kuptimin e mirëfilltë të tyre, shumë mund e ndihmë nga burime të ndryshme, nga disiplina të ndryshme. Profesor Doda, në vëllimin e dytë i vëzhgon ato dhe i shpjegon me mjeshtëri duke përdorur, në të njëjtën kohë, një fond jashtëzakonisht të pasur njohurish letrare, gjuhësore, historike, sociologjike, etnologjike dhe antropologjike. Është pikërisht ky komponent erudite i personalitetit të tij, i dukshëm në çdo fjali të këtij studimi të tij në vëllimin e dytë, por edhe në ato që i njohim më parë, me karakter polemik, të botuara gjithandej në revista shkencore që e bën atë një anëtar të denjë të shoqërisë së studiuesve të zgjedhur të eposit tonë në veçanti, apo të letërsisë gojore shqiptare në përgjithësi.
Dihet se leksiku folklorik humbet me ndryshimin e formës së jetës popullore dhe zhdukjen e praktikës rituale e zakonore, nëse nuk fiksohet me kohë në sistemin gjuhësor duke e futur në fjalorë dhe duke e shpëtuar nga harresa. Dhe këtë profesor Ismail Doda e bën me shumë profesionalizëm dhe përgjegjësi duke e shënuar secilën fjalë ashtu siç e ndjen nga goja e këngëtarit në mënyrë që në fund të librit këtë fjalor t’ia lë, jo vetëm lexuesit të thjeshtë, por edhe shkencës gjuhësore si kontribut shtesë dhe thesar të pazëvendësueshëm. Ajo që të mahnit në punën e tij gjatë shënimit të këngëve nga këngëtarët, është respektimi i përpiktë i normave të shqiptimit të përcaktuara nga sistemi fonetik i gjuhës, gjegjësisht të ashtuquajtura normat ortopeike, që, siç dihet, ato norma vendosen vetëm nga shkencëtarë – specialistë të fushës së fonetikës dhe që profesor Doda e bën këtë me shumë kompetencë.
E gjithë e kaluara jonë jetoi në poezinë epike, por edhe epiko-lirike, e dhimbshme, e përgjakshme, por e ndritshme në madhështinë e saj morale. Ajo përshkruan dhe mbart një botë dinjiteti, ndershmërie, fisnikërie, sinqeriteti dhe heroizmi, thënë me fjalë të tjera, gjithë epopenë tonë. Ndërsa poema lirike, apo balada, e ndriçoi njeriun tonë nga ana tjetër, duke ravijëzuar dhe pikturuar në radhë të parë mendimet dhe përjetimet e tij edhe filozofike, por edhe intime. E gjithë kjo bëri një ndikim të dukshëm në letërsinë artistike, por edhe në artet tjera pamore, e që u vu re veçanërisht në periudhën e Rilindjes, dhe ky ndikim vazhdon, pak a shumë, deri në ditët tona. E pasur në format e saj, plot motive dhe jetë reale në përmbajtje, letërsia popullore, natyra sinkretike e saj, hap çështjen e funksionit letrar, artistik, duke i dhënë lëngje jete letërsisë artistike të popullit tonë ndër shekuj, jo vetëm me motive, por edhe me personazhe. Vallë a nuk është pikërisht vepra madhështore Lahuta e Malcis, e ndikuar në një masë të madhe nga letërsia popullore? Por edhe shumë vepra të tjera, madje deri te arti më i ri i postmodernës, qoftë ai i letrave apo ai vizual.
Dhe profesor Doda e di fort mirë se poetët apo krijuesit tanë në përgjithësi, nga dekada në dekadë, u kthehen burimeve të gjalla e të përjetshme të poezisë popullore. Aty thellë në rrafshin poetike të gjuhës sonë (jashtë së cilës nuk mund të bëhet asnjë hap në shkrimtari) shtrihen burimet e rrjedhave tona të mëdha, të së shkuarës dhe të së ardhmes poetike-letrare, shpesh të kërcënuara nga harresa. Vetëm shpirti krijues prej shkencëtari i profesorit dëshmon se sa herë që t’i lexojmë në vete këto këngë të lashta, ata na shfaqen në një shkëlqim të ri, të papritur, në një freski joshëse, sikur të ishin krijuar sot. Vetëm ai mund të ndjekë dhe të shkelë shtigjeve të tradicionalizmit tonë, si traditë e ndritshme dhe e vërtetë e poezisë sonë popullore, si gjetje e vazhdueshme dhe zbulim i pandërprerë, duke e ditur se në dritën e kësaj tradite të pashuar, njeriu duhet të ecë me vështirësi rrugës gjarpëruese që është njësoj e mundimshme dhe e rrezikshme, si për të siguruar pavdekësinë, ashtu edhe për mundësinë reale të vdekjes së atij që e shkel. Dhe kështu do të jetë për sa kohë të jetë dielli dhe toka dhe gjuha jonë magjike. Sa të jetë dashuria jonë e përtërirë vazhdimisht, gjithmonë ndryshe dhe gjithmonë besnike ndaj poezisë popullore.
Andaj dhe këto artefakte popullore që profesor Ismail Doda i mblodhi me aq kujdes dhe i studioi në mënyrë shteruese si askush tjetër, dhe më në fund i botoi, për ç’gjë e falënderojmë, dëshmojnë për vazhdimësinë historike të shtresimeve, gërshetimeve dhe ndërthurjeve të ndryshme krijuese e shpirtërore të shqiptarëve në Malin e Zi në veçanti, dhe të popullit tonë në përgjithësi, të cilat rezultojnë si pasuri e jashtëzakonshme kulturore, materiale dhe shpirtërore, që do mbeten trashëgimi brilante për brezat.